Kulturë
Poezi nga Vullnet Mato
E hene, 27.12.2010, 03:58 PM
Vullnet Mato
TË KAM NË PËRFYTYRIM
Mbete përjetë aty ku ishe,
tek i njëjti horizont i vjetër.
Nuk kishte si ndodhte ndryshe
derisa të murosën te një tjetër.
Ne ishim dy dallëndyshe
në shtegtimin tonë të lirë,
dimri egër që na ndiqte,
na shtyu në humbëtirë.
Kur ty humbja të përpiu,
klithma ime i shkoi yllit:
Lotët e mallit kush ia fshiu?
Shtegun e buzës kush ia mbylli?
Frymën tënde ndjeja larg,
kur shi trishtimi derdhje lot.
Ngrije, shkrije akuj në shtrat,
se zemrën nuk e falje dot.
Magjia jote shpirt e mendje
më lidhi deri në moskthim.
Buzagazin që nuk gjendej,
ta kam në përfytyrimin tim.
Koha e gjatë, imagjinoj,
portretin ta ka përpunuar.
Po syri im fotografoi
imazhin e pa tjetërsuar.
Do mjaftonin dy gisht letër
për të zbrazur pakëz mall.
Por tani fjalët e blerta,
gjethojnë te lastarët tanë...
MIKESHA E TORTAVE
Mikesha nazemadhe
më tërboi keqas,
me atë gjoksin
dy ballkone torta.
Grisa dy palë këpucë
lustrafine enkas,
për t’i dhënë siguri
me premtime të forta.
Kur u bind tamam
se isha top sekret,
më ftoi në hyrjen
ku jetonte me fqinj.
Te dhoma beqare,
në mesnatën e fshehtë,
hymë pa frymë,
rrëshqitas si minj.
Në dysheme betoni
shtroi dyshekun,
kërcitja e shtratit
mos ndihej matanë.
Ndryshe zhurma
sadopak e mekur,
komshiu fanatik
na bënte hatanë.
Provova të vjedh
dashuri si komit,
kur dihet mirë
se shija e nektarit
te strofka e ariut
të ngec në fyt,
por si mund ta lija
pa nxjerrë mallin?
Zhytur duar e buzë
te gjoksi me tortë,
u gdhimë llangosur
gjer te kërthizat në ije.
Dhe prapë ëmbëlsirën
s’e mbaruam dot,
si hajdutë të uritur
në atë burg dashurie...