E hene, 29.04.2024, 06:11 AM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Fragment nga romani ''Në trenin e linjës 16''

E hene, 27.12.2010, 06:38 PM


KRISTAQ TURTULLI

 

NË TRENIN E LINJËS 16 - Fragment

 

KAPITULLI I NËNTËMBËDHJETË

 

Të jetë njeriu si buburrec, apo milingonë...

 

Gjithë javën ra shi.

 

Nëna shkoi përsëri ditën tjetër. Roja plak nuk i a hapi derën. Ai zgjati kokën e vogël të thinjur nga dritarja e vogël e krijuar në kanatin e derës.

 

“Keni ardhur me vonesë zonjë, “ i tha ai, “ koha e vizitave mbaroi para një ore.”

 

Dritarja e vogël u mbyll pa pritur përgjigje, duke lënë nënën përpara derës nën kamxhikët e shiut. Zamira trokiti përsëri. Dritarja e vogël u hap përgjysmë. Ajo nuk fliste, nuk lutej.

 

“Shkoni zonjë, shkoni. Ju kalbi shiu, ejani nesër zonjë,” i foli roja plak dhe mbylli dritaren.

 

Zamira bëri disa hapa prapa. Qëndroi, u kthye, taksia qëndronte akoma buzë trotuarit. Taksisti libanez i hapi derën. Zamira hyri brenda në taksi. Ai i afroi letër të trashë me ngjyrë të fshihej. Ajo e falënderoi me kokë, gjuha i ishte lidhur.

 

E lodhur, e dërmuar, ngjiti shkallët e hotelit. Përpara i doli një burrë i dehur duke bërbëlitur fjalë të pista. Ai i hodhi në fytyrë erën e rëndë të alkoolit. Zamirën e mbërtheu inati e pa e bërë të gjatë e shtyu, e përplasi të dehurin me sa fuqi që kishte mbas murit, hapi rrugën. Ajo nuk kishte nge të shihte zgurdullimin e syve të tjetrit, me nxitim shkoi drejt dhomës së saj.

 

Lëvizi çelësin në bravë, shtyu derën me këmbë, flaku çelësin në bufenë e vogël në krahun e djathtë të dhomës, pa hequr këpucët, pa ndërruar teshat e qullura nga shiu, u plas me shpinë në shtrat sy përlotur.

 

Qëndroi shtrirë me sy të mbërthyer në tavanin e ulët. Lotët i rridhnin ngadalë, i binin rrëzë veshëve dhe i rrokulliseshin poshtë në qafë. I fshiu sytë me cepin e çarçafit që kishte pranë. Nuk i a vlente barra qiranë të qante, ajo nuk ishte çupëlinë, ishte  grua, nënë. Lotët të ligështojnë trupin dhe të mplakin mendimet.

 

Një buburrec i madh, i kuqërremtë ishte i mbërthyer në tavan. Mbase dikush e pat qëlluar nxitimthi, me inat me jastëk, mbase edhe me këpucë  lënë aty të vrarë. Mos ndoshta dhe njeriu është njëlloj si buburrecët? Eh, ku i dihet. Të fuqishmit kanë luajtur dhe luajnë përherë me fatet  e të vegjëlve.

 

Ndjeu të dridhura të forta në trup, lagështia i kishte hyrë thellë në kocka. U ngrit me nervozizëm, flaku teshat e lagura përdhe, hapi dollapin, nxori një kuvertë të leshtë, u mbështoll me të, për të marrë të  ngrohtë. Gjuhën e ndjente të thatë si eshkë, hapi rubinetin e çezmës dhe piu ujë me gllënjka të mëdha derisa e ndjeu stomakun të rënduar. U shtri përsëri duke bërë shuk jastëkun e bardhë.

 

Buburreci qëndronte i shtypur, i fiksuar në tavan, si shenjë e një beteje të shkuar, të palavdishme.

 

Në mëngjes ajo shkoi sërish të takonte të bijën. Koha qëndronte e vranët por pa shi. Lart në qiell, tutje në perëndim shtyheshin, grumbulloheshin, masive të mëdha resh të zeza.

 

Rruga që të çonte në spitalin ku gjendej e shtruar Jonila ishte e mbushur me degë dhe gjethe të rëna, taksia kërcente lehtë dhe degët kërcisnin thyheshin në shumë copëza.

 

Zamira trokiti me forcë në dritaren e vogël të derës.  Kanati i dritares u hap dhe ajo pa fytyrën e trembur  të rojës plak. Por u zbut në çast dhe mori një pamje fajtori.

 

“Hape derën, plak ,”i foli Zamira me ton të prerë, “hape, të lutem mos më lodh kokën.”

 

Plaku nuk lëvizi nga vendi. Ai luajti kokën ngadalë dhe foli me ton të shtruar por të prerë:

 

            “Më falni zonjë e nderuar, më urdhëruan të mos jua hap derën. Vajza juaj është në trajtim special mjekësor. Më thanë se prania juaj e dëmton pacienten në vend që ta shërojë atë.”

 

            “Unë dua të takoj vajzën time,” ngulmoi me trishtim Zamira.” Ju lutem hapeni derën. Jona. Jona!” Thirri nëna me sa zë që kishte në kokë.

 

            “Ju lutem zonjë mos i hapni telashe vetes, vajzës suaj dhe neve. Largohu!” i foli roja plak me zë të trembur.

 

            “Nuk paskam të drejtë të takoj vajzën time! “bërtiste nëna, me shikim të ngritur lart nga dritaret ngushta të godinës burg. “Më thoni nuk paskam të drejtë, hë?”

 

            “Sigurisht që nuk keni të drejtë, “ dëgjoi një zë të akullt. Ajo u kthye, dalloi fytyrën e neveritshme  të infermierit: “ Në radhë të parë vajza juaj është e burgosur dhe ju e keni konsumuar takimin. Mund të vini muajin tjetër në qoftë se doni të takoheni me të. Ju lutem largohuni, mos krijoni probleme të kota. Nuk duam të lajmërojmë policinë. Dijeni, do tu shtohen akoma më tepër telashet.”

 

            Zamira vështroi me inat infermierin e poshtër. Ai mbylli dritaren duke e përplasur.

 

            Taksisti libanez e priste si zakonisht buzë trotuarit. Ai po i gjendej pranë, për kthimin nuk i merrte para. Zamira e falënderoi dhe hyri në taksi.

 

Siç mori vesh më vonë edhe ai kishte kaluar një traumë vite me parë me vajzën e tij. E kishin rrëmbyer dhe bërë prostitutë. Një prej dajave e gjeti të zhveshur, teksa bënte seks  në një kthinë të pistë. Ajo nuk rezistoi, i trembej ndëshkimit të familjes. Një mbrëmje ishte hedhur në rrotat e trenit.

 

            Zamira e çakërdisur u telefonoi djemve. Duke folur me ta e rrëmbushur, befas e përfshiu mania të kafshonte mollëzat e gishtërinjve si e bija. Ajo me vështirësi mblodhi veten dhe vështroi gishtërinjtë e përskuqur.

 

            “Alo, alo, jam si e prishur nga mëndte, më thoni si të veproj. Ata e mbajnë mbyllur, kyçur vajzën me njëmijë çelësa.”

 

“Qetësohu. Kthehu nënë,” i thanë ata, “mos u mërzit, do të  bëjmë ç’është e mundur për motrën tonë.”

 

“ Të kthehem, me gjithë mend e keni?” Klithi ajo në telefon: “ Kështu thoni ju!?”

 

            “Nënë nuk mund të dalim kudër ligjeve. Na duhet të gjejmë një avokat të mirë, “ i thanë ata.

 

            Ajo ua mbylli telefonin me inat.

 

Për një moment nëna ndjeu mëri, gati urrejtje për djemtë e saj. E motra ishte e mbyllur me njëmijë brava, ata nuk lëviznin prej vendit. Kthehu, i thoshin ata. Si të kthehej, ku të shkonte? Të linte pas të bijën mes pyllit, brenda mureve të ngurta? Ajo ishte  e pafajshme, e mjerë. Kthetrat e mostrës Mario e kishin gllabëruar përbindshëm dhe flakur në mëkatin e pabërë.  Nënës i dukej sikur e gjithë bota ishte ndërsyer, pa përmbajtur kundër vajzës së saj.

 

Ajo hyri në hollin e madh të hotelit duke ecur kokëulur duke tërhiqur zvarrë nëpër rrugët e qytetit të madh, brengën, mundimin e madh të së bijës dhe sfilitjen e zemrës së nënës. I mbahej fryma, u ul në stolin më të parë, mbështeti bërrylin në mbështetësen e butë të stolit dhe vuri kokën  mbi pëllëmbë.

 

 Këmbët i ndjente të mpira nuk i bindeshin për të lëvizur dhe shkuar në dhomën e saj për tu menduar se çfarë duhet të bënte. Ndoshta në krahët e trishtimit do të mblidhte plaçkat dhe do turrej nëpër shkallë për të ikur, duke lënë mbas vetes pengun e  madh dhe kapur avionin e parë.

 

Disa  sëmbime në kraharor shumë pranë zemrës, diku mbi gropëzën e gjoksit e bezdisnin nënën kohë mbas kohe. Ajo mbylli sytë një copë herë, sëmbimi në gjoks ishte si një grerëz e keqe, që lëvizte rrëmujshëm dhe befas kujtohej e pickonte me të keq. Për ti risjellë nëpër mend Zamirës se shqetësimet krijojnë të tilla insekte që të thumbojnë dhe të ndjekin hap pas hapi njeriun deri në vdekje.

 

Mori frymë përsëri, i u duk sikur grerëza ishe penduar dhe larguar për një copë herë. Nëna shtroi me kujdes fustanin mbi gjunjë, vendosi pëllëmbën në ndenjësen e butë të stolit dhe bëri të ngrihej.

 

Ajo ndjeu një masë njeriu që i bllokoi dritën dy metra larg saj. U bë nervoze dhe ngriti vështrimin e vrenjtur, lëvizi kryet pak pjerrët, dalloi një trup të rrumbullakët, të shëndoshë, flokë të prera shumë shkurt, presh, që qeshte cep më cep si kukull kineze, që e vështronte. Zamira ishte gati të shfrynte, paçka se buzëqeshja e tjetrit ishte mbizotëruese në gjithë fytyrën buçkane. Ajo lëshoi trupin në mbështetësen e stolit, kryqëzoi duart në gjoks dhe priti e ngrehur.

 

Tjetri eci edhe një hap më pranë saj:

 

“Më falni për shqetësimin zonjë e nderuar. Ju sigurisht duhet të jeni nëna e Jonës,”foli kukulla kineze me zë të hollë.

 

Zamira pa shumë interes luajti kokën në shenjë pohimi. Priti.

 

“Quhem Toto,” foli kukulla kineze dhe ndehu drejt nënës dorën e vogël topolake, si dorë femre.

 

Zamira ndeju një drithërimë të keqe, kur takoi dorën e butë, të nxehtë dhe të lagësht të tjetrit.  Ajo e shkëputi menjëherë dorën prej tij dhe e pyeti:

 

“Mos jeni i sëmurë?”

 

Tjetri nuk e priste të tillë pyetje. Ai u hutua, shkundi kokën si rosak, i porsadalë nga uji, përpëliti qerpikët, buzëqeshja i u shndërrua në një përvjelje buzësh, ndërsa sytë iu përmbytën nga trishtimi. Ai futi dhe nxori duart nga xhepat disa herë, fshiu pëllëmbët me një shami të bardhë dhe më në fund foli me zë tmerrësisht  të holluar:

 

“Unë nuk sëmurem kurrë.”

 

Zamira luajti kokën disa herë si të shprehte habi:

 

“Shumë mirë që nuk sëmuresh kurrë,”foli ajo me zë të ndryshuar.- Është e mrekullueshme të mos kesh dhembje.”

 

Ajo menjëherë ndjeu bezdi për praninë e njeriut që ndoshta aksidentalisht mund të quhej Toto. Fërkoi ballin e djersirë dhe vështroi përjashta, në pritje për të mësuar  qëllimin e vizitës së kukullës kineze të padëshiruar. Një vajzë hyri me nxitim në hollin e hotelit, trupderdhur, në profil nënës ngjau si bija e saj. Ajo u bë gati të ngrihej, të derdhej drejt saj. Vajza u kthye ballas, nëna menjëherë u qull nga zhgënjimi. Ajo e harroi Toton, u kthye i habitur kur dëgjoi zërin e tij të hollë.

 

“Zonjë marr pjesë në shqetësimin tuaj. Ata të spitalit janë njerëz të shpifur, të pa zemër. Njëri më i pështirë se tjetri. Unë jam munduar shumë herë me radhë të takoj Jonën,  por nuk kam mundur. Kjo botë është e mbushur me maskarenj. Hë, nuk të vjen të pëlcasësh.”

 

Zamira largoi mendimet dhe e vështroi tjetrin me vëmendje. Ai duhej të ishte shumë i familjarizuar me të bijën.

 

“Po kush jeni ju?” ngriti zërin ajo.

 

“Ju thashë zonjë, jam Toto, “ ai brodhi shikimin përreth, dukej i shqetësuar: “Ju lutem zonjë mos bërtisni.”

 

Zamira tundi kryet dhe foli me zë të grindur:

 

“Që quheni Toto e mora vesh, ma thatë disa herë. Por çlidhje keni ju me vajzën time?”

 

“Ua!” i a bëri kukulla kineze me emrin Toto dhe hapi krahët,”Jona është mikesha ime. Jemi të një grupi. Ajo ka zemër të bukur. Ajo është shpirti i grupit. Sa herë grindej me Marion, mërzitej, trishtohej  nga ai, vinte dhe flinte në dhomën time. Çfarë gjumi të bukur që ka Jona.”

 

Zamira e vështroi ngadalë që nga koka deri te këmbët. Ajo nuk dinte asgjë mbi botën në të cilën jetonte e bija. Nëna vërtet nuk njihte dhe nuk dinte shumë gjëra. Këto ishin si katakombet e nëndheshme, që do të ishte më mirë të mos i njihje. Por e bija kishte shkarë në to.

 

“Mirë, “foli ajo me zë të ulët, pa i ndarë shikimin tjetrit. “Ç’kërkoni nga unë? Dijeni djalë  i mbarë unë nuk kam nevojë për ngushëllimin tuaj.”

 

“Oh jo, jo, jo,” foli me nxitim Toto. Buzëqeshja iu shtri në gjithë fytyrën e bëshme, “më falni, unë nuk di përse tu ngushëlloj juve zonjë e nderuar.”

 

“Atëherë?! “Zamira hapi krahët për ti thënë ne nuk kemi çfarë të bisedojmë së bashku.

 

“Prisni një minutë zonjë,” i a bëri Toto dhe i zgjati një kuti të vogël kartoni, të mbështjellë me letër të ndritshme, me fjongo të kuqe të lidhur përsipër, duke shtuar, “ ju lutem zonjë, në se shkoni nesër jepini këtë dhuratë simbolike vajzës suaj të mrekullueshmes  Jona. Më shumë është porosi e saj. Sa të poshtër janë punonjësit e spitalit, uh nëne sa të poshtër.”

 

Ai pa marrë miratimin e Zamirës i lëshoi pakon në duar, u kthye si me komandë, iku, duke lëvizur shpatullat e bëshme dhe vithet e plota.

 

Zamira ngjiti ngadalë shkallët e hotelit. Përsëri u ndesh me njeriun që shtyu me inat mbas murit një ditë më parë. Sytë e tyre u kryqëzuan, ai i uli menjëherë, vari kokën në gjoks dhe zbriti shkallët me nxitim pa kthyer kokën. Ai nuk ishte i dehur.

 

Ajo hyri në dhomën e ftohtë, hodhi me indiferentizëm pakon e mbështjellë bukur, dhuratën e papritur të Totos dhe u shtri në shtrat. Lëmshi i madh që kishte në gjoks po ngrihej me forcë drejt grykës dhe po ushqente më lagështirë gjëndrat e lotëve. Ajo nuk duhej të qante, sepse e dinte që do zgërlaqej dhe atëherë do ti duhej kohë të mblidhte veten prej pështjellimit.

 

Nëna e dinte që ishte krejtësisht e pafuqishme dhe a paaftë për të ndihmuar të bijën, e cila qëndronte e ngujuar në spitalin burg, e rrethuar me infermierë nursëzë dhe policë të vrazhdë, të gjithë shpirtkatranë.

 

E ja, befas i mbiu përpara një kukull  kineze me emrin Toto dhe i jep dhuratë për të bijën. Zamira ngriti kokën, vështroi kutinë e vogël, të mbuluar me letër të hollë të ndritshme, në qendër fjongo të kuqe me trëndafil të kuq prej letre.

 

Ajo u ngrit, eci drejt tavolinës, e mbajti kutinë një copë herë në duar pa ditur se çfarë duhej të bënte me të. Të shkonte nesër ti lutej rojës plak për tia dhënë këtë paketë së bijës, dhuratë nga miqtë e saj, apo ta hapte dhe të mësonte se çfarë kishte brenda. Ajo me mëdyshje e peshoi në duar. Peshë e lehtë. Pa e patur mendjen, tërhoqi nga cepi fjongon, trëndafili prej letre ra përdhe, çmbështolli letrën e hollë. Flaku gjithashtu letrën mbështjellëse. Përpara kishte një kuti katrore të veshur me kamosh të kuq.

 

Duart filluan ti dridheshin. Çfarë kishte futur njeriu i huaj në atë pako? Ajo vendosi kutinë mbi tavolinë me frikën e rrëzimit. Hoqi ngjitësin  dhe hapi kapakun. Për çudinë e nënës, brenda në kuti shtrihej në një shtrat të bardhë të mëndafshtë për shtatë palë qejfe, një kukull e vogël kineze prej çokollate.

 

Zamira luajti kryet e habitur. Çdo ta donte e bija një kukull të tillë dhe aq më tepër me çokollatë. Nuk gjeti gjë tjetër ai dreq  brumbull, por një kukull kineze të lyer me çokollatë? Po të kishte nevojë i çonte nëna qindra dhe mijëra çokollata dhe jo me kukulla te shpifura. Ajo heshti së menduari një hop duke e vështruar mbarë e prapë kukullën.

 

Përse nuk i a çonte vetë, por duhej nëna e saj të vinte nga larg për të mbartur dhuratat e tij të shëmtuara edhe pse janë prej çokollate të shijshme? Në rininë e saj ajo nuk kishte provuar asnjëherë shijen e çokollatës. Kush ishte ai dreq Toto që dridhej dhe përdridhej si një putanë? Në djall të shkonin kukullat e shëmtuara kineze së bashku me përdredhjet e pështira të njerëzve.

 

Zamira u turr me nervozizëm drejt kukullës prej çokollate, e shkuli me maraz nga vendi ku qëndronte shtrirë dhe e flaku përdhe. Kukulla u thye në copëza të vogla dhe mbi dysheme u përhap pluhuri i bardhë  i imët si sheqer.

 

“Nuk mjaftonte çokollata por edhe sheqeri i duhej  çupës,” foli ajo me zë.

 

Ajo u përkul më gjunjë dhe  ngjeu gishtin tregues në pluhur. Nuk ishte sheqer, por as dhe miell dhe niseshte nuk ishte. Diçka si e hidhur, si e thartë. Çfarë dreqin ishte?!

 

Ajo zbriti me nxitim poshtë në katin e parë të hotelit, u telefonoi djemve.

 

“Është drogë nënë,” i thanë ata.

 

Zamira mbylli telefonin, kafshoi buzën e poshtme derisa e gjakosi. Ajo shkoi të nesërmen dhe kërkoi me ngulm të bijën ta takonte edhe disa minuta po të ishte e nevojshme. Fatmirësisht takoi mjekun, i u lut, ai thirri infermierin të lajmëronte Jonilën  me kohë të kufizuar. Infermieri tundi kokën i bindur dhe mbas disa minutash zbriti së bashku me Jonilën. Ajo sa vinte bëhej më e zbehtë, poshtë syve i ishin krijuar shirita ngjyrë mavi. Nëna ishte gati tia plaste të qarit, shtrëngoi gishtërinjtë fort derisa i dhembën.

 

Nëna e puthi e ledhatoi pastaj i tha:

 

“Para disa orësh erdhi më takoi një farë Toto, e njeh?”

 

E bija u gjallërua menjëherë, i mori nënës pëllëmbët dhe i a shtrëngoi me përgjërim, duke e parë drejt në sy.

 

“Oh nënë, më shpëtove, më thuaj i a more atë që të dha ai? Të lutem më thuaj e ke me vete?”  Jona dridhej, buza e poshtme i ishte zbardhur.

 

“Ajo ishte drogë,” i foli nëna me ton të thatë.

 

 “ E pastaj! “ I foli me indiference Jonila.”Ma jep shpejt.”

 

  “Unë e flaka. Ti moj bijë merr drogë?”

 

 “Oh, nënë, çfarë bëre, si e flake? “I a bëri e bija, pa u vënë veshin fjalëve të nënës. Trupi i u var si degë e thatë, ajo filloi të kafshonte gishtërinjtë me tërbim. Ajo dridhej: “Më mirë të vdes.”

 

E bija u ngrit, pa i thënë të ëmës gjysmë fjale, i ktheu shpinën dhe ngjiti shkallët me vrap.

 

“Jona ku shkon, prit bijë e nënës, të lutem mos ik,” i u lut ajo dhe shtriu duart drejt vajzës që largohej si të ndalte vrundullin e erës që mbështillej rreth saj.

 

“Ik, ik, qërohu,” i ktheu e bija, duke klithur me zë të egër, pa kthyer kokën. Vajza dukej e tjetërsuar, ajo nuk dridhej, shkundej, shkrofëtinte, dukej tmerrësisht nevrastenike.

 

Zamira kishte qëndruar e shtangur, pa marrë frymë, gati si një statujë me duar ndehur drejt së bijës.

 

Zëri i së bijës ishte i çjerrë:

 

”Përse ma solle kokën, nuk dua të shikoj me sy, dëgjon. Të urrej.”

 

 Jonila humbi në mugëtirën e spitalit burg. Disa metra  më tej qëndronte infermieri i zymtë. Shprehja e fytyrës së tij ishte e pandryshuar. Ai ngjiti shkallët ngadalë rëndë- rëndë mbas së Jonilës dhe humbi gjithashtu në mugëtirë.

 

Nëna lëvizi prej vendit, ngriti me plogështi trupin dhe eci ngadalë kokulur, duke u lëkundur si e dehur drejt daljes. Roja plak i hapi derën e madhe, përpara se të dilte ai i afroi një bidon të vogël plastik ta pinte me ujë.  Zamira e vështroi e habitur.

 

            “Ne kujtonim se i sillje drogë sat bije,” i  foli me zë të ulët roja plak.

 

            Zamira mbajti këmbët e shtangur dhe vështroi nga plaku.

 

            “Unë, ti sillja vajzës farmak, unë jam nën,“ foli ajo me zë të munduar. “Përse mendoni ju se do ta bëja unë këtë gjë?”

 

            Roja plak ngriti supet.

 

            “Sepse na ka ndodhur shpesh,”foli ai me zë të ngjirur.’’ Vijnë i takojnë nëna, baballarë, kushërinj të parë, të nesërmen i gjejnë pacientët të shtrirë pa ndjenja nëpër banja dhe korridore.”

 

            Zamira nuk i ktheu përgjigje, shtrëngoi krahët rreth gjoksit dhe doli jashtë. 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora