E marte, 06.05.2025, 02:05 AM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Copëza... le të vazhdojë të bjerë shi...

E hene, 27.12.2010, 08:37 PM


Suzana Kuqi

 

Copëza... le të vazhdojë të bjerë shi...

 

Kish katër netë e pesë ditë që vetëm binte shi, e ditën e pestë më dukej se jo vetëm kisha harruar se nga ç'tinguj bëhej e qeshura, por kisha frikë se nuk do ta shihja më diellin të cilit ndruhesha se i kisha harruar deri dhe ngjyrën. Për dreq ato ditë më kish shkrepur në kokë të lexoja filozofi, moment më të papërshtatshëm besa për të copëtuar nofullat e trurit "mbi tolerancën" e Volterit teksa lagështira më torturonte kockat pasditeve, nuk kisha si të gjeja...

 

E mirë që ishte mbi tolerancen, sepse atë thërrisja e dëshpëruar atë mëngjes pasi gjithë ajo bashkësi informacioni pamor e dëgjimor që përbënte kolegen time, spruconte nervozizëm nga të katër nahitë. Një fije durim, veç një fije... për të mos e çuar në... djall... E të thuash se është shumë gjynah ta shfrytëzosh atë kryevepër të polemikës qytetare e politike për kaq pak... toleranca ... prerogativa e parë e natyrës njerëzore... prerogativë....privilegj, vlerë, cilësi... kështu m'a përkthente fjalori me të cilin u këshillova, e megjithëse nuk e kisha ndarë se cila prej tyre i shkonte më për shtat, një gjë e dija me siguri: të treja më thonin të mos dilja nga natyra ime njerëzore e të duroja. E durova deri sa kolegja ime shpërtheu:

 

- Më ka gjetur belaja me vajzën.

 

- Sa vjeç u bë? - e pyeta me kërshëri dhe gadishmërinë për t'i dhënë ndonjë këshillë. Jo më kot kisha rritur një vajzë edhe unë, e di vetë se ç'kam hequr...

 

- Trembëdhjetë.

 

- Hëm... fyçka fare janë në atë moshë... më thuaj të drejtën i pëlqen ndonjë djalë? Hë moj, më thuaj po apo jo?- harrova ç'i kisha thënë vehtes. Jo, mor jo, lexo sa të duash mbi natyrën njerëzore, është aq komplekse ajo e shkretë...

 

Po... Jo... Po... Jo jo, ka një shok...

 

Vetëm shok!? Ik moj mos m'i shit mua ato. Ndonjë hije ose statujë të ngulur para pallatit, që e pret të dalë që të lëvizë thuaj,- e kuptova dhe vetë se timbri i zërit tim nuk i kishte aspak hije asaj që mund ta quajmë vlerë apo cilësi, por ç'ti bësh, kur shiu të mbyt për një javë rrjesht... dhe inati me atë djalin e atëhershëm që i ish ngjitur hyrjes së pallatit si çamçëkiz, shkak që nuk e linim vajzën të dilte e grindeshim orë e pa orë me të...

 

- Vetëm shok. E di mirë se na vjen shpesh në shtëpi.

 

- Ju vjen në shtëpi?! A jeni në rregull nga trutë ti dhe yt...- shoq desha t'i thoja por heshta sepse nuk ishte hera e parë që më fshikullonte mendimi se kohët ndryshojnë shumë shpejt, aq shpejt sa nuk kuptojmë dot më asgjë... e të thuash se më duket sikur ishte dje... e dje ... pupupu... të kish bërë provë e të më hynte në shtëpi... Megjithate nuk m'u ndejt pa e çuar në fund mendimin tim:- Unë do ta kisha përzënë.

 

- Do t'ja kisha përzënë me kohë, - nuk e di përse ajo nuk ja vari timbrit tim,- por më vjen keq sepse i ati i ka vdekur në një aksident vite më parë. Të kujtohet ai aksidenti me motorr në rrugën... ditën.... i shkreti...

 

- Jo nuk më kujtohet,- ja preva shkurt pa e vrarë mendjen se kjo më bënte të dukesha egoiste, megjithëse nuk e di në mund të quhet egoizëm kur nuk dëgjon dot për aksidente sepse ke një përvoje të hidhur me to. As nuk dua t'ua dëgjoj emrin, bëri një im shoq para tre vjetësh e letrat e gjobave e të gjyqeve nuk kanë pushuar ende së mbushuri kutinë e postës. E fundit kish të shkruar të zezë mbi të bardhë se dëmi i llogaritur ishte ... ishte mbi njëqintmijë euro.

 

- O burrë, - i thashë,- mos të kanë ngatërruar gjë me ndonjë milioner që ta bien këtë letër ty?

 

Nuk e prita pergjigjen e tij:

 

- Nejse, fjala e letra e tyre në vesh e në sy të perëndisë,- shpejtova unë,- mbase fiton ndonjë llotar..

 

- I paguan siguracioni!- ma mbylli gojën ai. C'të bësh kështu e kanë burrat, nuk të lënë t'ja çosh tamam lutjen perëndisë, e pastaj ankohemi se ajo gjoja nuk na dëgjon. Ama... t'i kisha përpara ata që më prishën gjakun me atë leter, do t'u vija duart në fyt e do t'jua shqyeja rrylin e fytit... Në fakt... në fakt kjo po ta mendosh nuk i ka aspak hije tolerancës, kësaj i thonë intolerancë...e drejta e së cilës është absurde e barbare, është e drejta tigrit madje më keq akoma, se ai shqyen për të ngrënë ndërsa ne vritemi për një paragraf... e mbylla duke përsëritur padashje atë që më ishte ngulitur nga Volteri e u ktheva të dëgjoja rrëfimin e koleges sime.

 

- ... doja të shkoja të flija por ata të tre nuk shkuleshin nga salla duke luajtur në kompjuter...

 

- Më fal, po nga u bënë tre?

 

- Po ta thashë, dje pasdite erdhi një shoqja e sime bije me gjithë atë djalin. Ndenjën gjithë pasditen e në mbrëmje më thanë se u kishin marrë leje prindërve të flinin tek unë. Po që të më merrnin më parë leje mua, askujt nuk i kish shkuar ndërmend. Im shoq pasi u grind me mua sepse nuk e shihte të arësyeshme që lejoj të më nëpërkëmbin ashtu, u nis për turnin e natës. U thashë ta linin lojën, po fjalë ishte ajo? Nuk më mbeti veç të rrija e të prisja derisa sytë po më mbylleshin. Atëhere u thashë:

 

- Po shkoj të fle se nesër duhet të zgjohem herët. Kur të mbaroni lojën, ju të dyja shkoni e bini në dhomë, ndërsa ti, i thashë atij, do flesh këtu mbi divan. Dëgjuat?

 

- Dëgjuam,- më thanë me një gojë e mora të shkoja në dhomën time. Po do ti, në korridor nuk e di se si më lindi një farë dyshimi që ma nxorri gjumin fare. Po sikur...? U ktheva mbrapsht.

 

- Se bën vaki e nuk flini ku ju thashë unë, se pastaj...

 

Vajza kukurisi

 

- Mos ki merak mami ky është ndryshe, të jesh e sigurtë.

 

- Si ndryshe?- i them.

 

- Si ndryshe!? - ndërhyra pa takt edhe unë.

 

- Po unë ta thashë pak që pari se diçka të tillë dyshoja dhe unë, ku e kishe mëndjen?

 

Tek toleranca, desha t'i thoja, në fakt i thashë:

 

- Nuk e dëgjova, çfarë më the qëpari?

 

- Të thashë që mua më çudit ai djalë, trukohet, vesh plaçkat e sime bije, e ndihmon kur bën ndonjë punë në shtëpi... duket ashiqare... mua nuk më pëlqen, por kur mendoj se i ati...

 

- E mora vesh,- shpejtova të shmangja temën e aksidentit,- C'farë i the kur të tha se është ndryshe?

 

- Cohu më këmbë, - i thashë atij,- më shih në sy e më thuaj të vërtetën! Unë të respektoj për çfarë je, ama nëse nuk je ai që je...

 

Le të vazhdonte të binte shi...

 

- ...e më bën ndonjë të pabërë...

 

Gazi kur të kap nuk pyet për shiun, e kur mundohesh ta mbash të dhëmbin brinjët...

 

- ... kam një pushkë të fshehur në shtëpi, e të betohem...

 

Ah këto brinjët e shkreta, nuk pyesin fare për natyrën njerëzore...

 

- Ha ha ha, po ai?

 

- Zonjë, ç'thua!? Zonjë unë... ndjehem krejtësisht ndryshe...Moj ti, por ç'ka për të qeshur?- m'u drejtua me inat.

 

Nuk dija ku t'i çoja sytë e çfarë të bëja për t'a ndalur gazin. Më shpëtoi zilja e celularit të saj. U bëra tërë veshë se mos kuptoja ndonjë fjalë nga ajo gjuhë që vinte nga një kontintent tjetër pa ja shqitur sytë. Sa për fjalë, ua mora të keqen, nuk kuptova gjë hiç, por pashë se u qetësua e mori frymë lirisht.

 

Im shoq,- tha kur mbylli telefonin dhe e futi në xhep.- Eshtë kthyer nga puna dhe i ka thënë atij djalit se pak i intereson se si ndjehet, përderisa duket si mashkull nuk duhet të vërë më këmbë në shtëpi. Sepse e vetmja figurë mashkullore aty është e do të mbetet ai dhe vetëm ai!

 

O Zot! Sa ditë kisha që nuk kisha qeshur ashtu...

 

...le të vazhdonte të binte shi, dielli ishte diku aty pas reve e dhuronte jetë, e jeta është jetë dhe e bukur gjithsesi. Edhe se dikush ndjehet ndryshe, edhe se frika dhe hija e koncepteve na detyron të mbajmë një pushkë fshehur diku, edhe se shiu të ka lënë tët shoq pa punë një javë rresht, edhe se të pret një mal me punë në shtëpi e plus këtyre duhet të nxjerrësh edhe qenin...

 

- Moj po sikur ke pasur një qen, e ke akoma?

 

- I shkreti e mbyllim në garazhd kur vjen ai djali, se i turret këmbës së tij e nuk i shqepet...

 

Imperia, 20/12/2010



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx