E diele, 28.04.2024, 11:00 PM (GMT+1)

Kulturë

Arif Molliqi: Lutja në natën e Buzmit

E hene, 27.12.2010, 08:45 PM


Arif Molliqi

 

Tregim

 

Lutja në natën e Buzmit

 

Vetëm këtë natë e kërkoi borën e bardhë.

Të ftohtit.

Akullin!…

Nga zhurma që u dëgjua, ai e kuptoi se i gjithë katundi kishte dal ta shikonin këtë natën të begatisë, të rilindjes, kur bota kthehet për së mbari. Kur natyra fillon të mendoi për ringjalljen, që jep frytet e veta në stinën e ardhshëm…

E, Musë Sokoli e shikoi Buzmin, që po tymonte lazdruar afër zjarrit. Druri i lajthisë iu duk si diçka që duhet të sjellë gëzimin e pritur në familje. Derisa po e kthenin Buzmin në dhomën e madhe të shtruar me qilima festiv, Musa u mundua t’i urojë mirëseardhje atij, duke i thënë; „Urdhëro, Buzmi bujar, ardhsh me faqe të bardhë, me shëndet e bereqet e me të gjitha të mirat e Zotit!“.

Këtë dëshirë, Musa e përsëriti disa herë. Pas tij, dyzet e tre anëtarët e familjes e vazhduan edhe për pak kohë. Të Musa po shfaqej një gëzim, duke e shikuar lajthinë e futur në zjarr. Skaji i lajthisë mbetur jashtë zjarri, dukej i trazuar.

Frikshëm, por me një zë që buçiste, Musa i thirri meshkujt e shtëpisë, gratë maxhetorët, e Zojën e konakut.

Ishte një pamje tepër e pazakonshme për anëtarët e familjes, që po e prisnin me ushqime në dorë, që vetë Musa ti vendoste. Plaka Zoja, i solli disa qirinj duke i shuar dritat elektrike. Oda e madhe, në katin e tretë të kullës, u zhyt në një muzg të skuqur. Ishte një çast magjik. Oxhaku… Zjarri… Mbi oxhak, në raftin harkor, qirinjtë e ndezur. Pak më lart, portreti i Krishtit në një kornizë ari, ngjallte mrekullinë festive.

„Shpejt!”,- u tha Musa,- ta mbushni Buzmin me ushqime. Bukë, djathë, tambël, mish! Të gjitha i dua!”.

Pas kësaj thirrje, Musa e filloi lutjen, një lutje e veçantë nga hera tjera. Ishin të pamësuar ta shikonin plakun në atë gjendje. Askush s´ka mundur ta marrë me mend se Natën e Buzmit, Musa Sokoli nuk do të ishte ai që ishte gjithë jetën. Një qetësi i erdhi derisa i shikoi të gjitha ushqimet një nga një. Lajthia filloi të marrë ngjyrën e tymit, përskaj zjarrit. Asnjë zë nuk dëgjohej. Të gjithë shikonin nga dritarja, ku filloi të fryn. Nga era e fortë që frynte apo nga frymëmarrja e fortë e tyre, asgjë nuk dëgjohej. Asnjë lëvizje.

Dritat e ndezura të qirinjve po shfaqeshin gjithnjë e më fuqishëm në sytë e tyre.

„Po kashtën, e keni sjellë?! -tha Musa. -Kashtën?!”,-bërtiti.

Gjoni e Sokoli filluan ta hedhin kashtën nëpër dysheme.

Fëmijët filluan t’i imitonin kafshët, shpezët…

Para mesnate, nuset e stolisura, vajzat me flokët kaçurrela, fëmijët e veshur me rrobat e reja e të pastra, me gëzim të dukshëm në fytyrat e tyre, në ecje dhe shikime, u nisën rrugës së ngushtë e të kalldrëmet të katundit. Mes një lëndine të rrethuar me plepa të gjatë, edhe kisha ishte stolisur.

Nata kaloi, e Musa Sokoli vazhdonte duke u lutur për mundimet e Krishtit, për tokën,  për qiellin,  për diçka që i mungonte Kosovës. Në Librin e Shenjtë kërkoi ta gjej lutjen për Kosovën, për gjithë shqiptarinë… për fëmijët e saj, për bereqetin…për fusha e male, lumenj e liqeje, ara e kullosa…

Lutej e lutej…

Të gjithë në zemrat e tyre kishin të njëjtën lutje. Lutje të brendshme, të fshehura nga njeriu, por që dëshironin Zoti dhe Krishti t´ua dinë.

T´iu ndihmojnë…

Lindja e diellit Musa Sokolin e gjeti në kopsht së bashku me gjithë familjen. Me burra e gra. Ata, po në kopsht, po e punonin një rreth të madh prej kashte. Midis rrethit, një kryq mbi të cilin e vunë një tepsi të madhe, me ushqime, raki…

Gjoni me kujdes i solli unët e Buzmit të djegur. Mori unët, i ndezi majatë e tyre duke i fërkuar njërin me tjetrin. U duk sikur nga qielli filluan të binin yjet e afërt, që kapen me dorë. Nga unët e Buzmit lëshoheshin shkëndijat e zjarrit. Gacat e skuqura.

„Sa gaca, aq meshkuj kjo shtëpi, sa gaca-aq dele, sa gaca- aq thasë me drithë!… Sa gaca-aq pushkë për këtë tokë! Fëmijë! O Zot, fal shumë, shumë fëmijë në këtë shtëpi!  Falna, o Zot, fëmijë! Do të na duhen!… Edhe fëmijët, edhe pushkët, edhe buka!..“,  u lut Musa.

E shikuan Gjoni dhe Sokoli…

E shikuan gratë dhe vajzat…

Vetëm fëmijët nuk e kuptuan lutjen e fundit të Musa Sokolit, që dalëngadalë po e rriste zërin aty ku përmendej toka, fëmijët…



(Vota: 8 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora