Kulturë
Isa Mulaj: Analizë (auto)kritike e librit të përmbledhjeve me titull Studiuesit shqiptarë në rrjedhat e shkencës botërore
E hene, 27.12.2010, 08:59 PM
Shkenca dhe Alb-shkenca: (Auto)kritikë
Analizë (auto)kritike e librit të përmbledhjeve me titull Studiuesit shqiptarë në rrjedhat e shkencës botërore, botuar nga Instituti Alb-shkenca, shtëpia botuese SAK STIL, Shkup, gusht 2009, 719 faqe.
Nga Isa Mulaj
Përmbledhje
Libri Studiuesit shqiptarë në rrjedhat e shkencës botërore është botim i përmbledhjeve të punimeve të dërguara për Takimin e IV-të vjetor të Institutit Alb-shkenca (IASH), i mbajtur në Tetovë prej datës 31.08 deri më 2.09.2009. Në parathënie të librit thuhet se janë paraqitur gjithsej 670 punime shkencore të ndara sipas fushave përkatëse si vijon: albanologjia (97), bujqësia dhe mjedisi (110), drejtësia (21), ekonomia (71), shoqëria dhe politika (46), teknologjia dhe inxhinieria (113), mjekësia (60), dhe natyra (110). Sipas kryesuesve të Komitetit (Këshillit) Organizues, ky Takim me gjithë këto punime, paraqet kontributin më të madh shkencor që studiuesit shqiptarë ia kanë dhënë dijes shqiptare. Kontributi i tillë sipas tyre kuptohen për nga sasia e përmbledhjeve të punimeve që ishin dërguar dhe botuar, që ishte një rritje e ndjeshme në numër krahasuar me 472 punime të paraqitura në Takimin e Tretë të IASH-së, i mbajtur në Tiranë prej datës 1 deri më 3 shtator 2008, e rritje shumë më e madhe në krahasim me dy takimet paraprake, njërin ose të dytin me radhë të mbajtur në Prishtinë më 2007, ku ishin paraqitur 123 punime shkencore.
Qëllimi i këtij punimi në formë të librit është që, nëpërmjet analizës kritike, të dëshmoj nëse Takimi i katërt dhe produktet e tij janë kontributi më i madh dhënë dijes shqiptare, apo degjenerimi më i madh i shkencës në kuadër të IASH-së deri më tani.
Fjalët kyçe: libri i përmbledhjeve, IASH, studiuesit shqiptarë, Takimi i katërt, shablloni i thirrjeve për punime, seksionet e shkencave.
Përmbajtja:
Hyrje
Qasja dhe metodologjia
1. Probleme teknike
1.1. Titulli i punimit dhe laramania e pafundme e gabimeve
1.2. Autorët dhe format çoroditëse të emërtimeve të tyre
1.3. Adresat postare dhe elektronike të autorëve
2. Format e përmbledhjeve me standarde të shumëfishta
2.1. Qëllimi i ngatërruar ose i paqartë
2.2. Pa qëllim të studimit dhe/ose gjetje (rezultate)
2.3. Tejkalim i numrit të fjalëve dhe përmbledhje me mbi një faqe
2.4. Raportim i gjendjes nga terreni
2.5. Përmbledhje me nëntituj për qëllimin, objektivat, metodat, dhe rezultatet
2.6. Përshkrim nga librat shkollor
2.7. Me referenca sikur në tekstin kryesor ose shqyrtime teorike
3. Fjalët kyçe
3.1. Përmbledhje me numrin e lejuar të fjalëve kyçe në shqip
3.2. Në shqip dhe anglisht
3.3. Pa fjalë kyçe hiç
3.4. Tejkalim i numrit të fjalëve kyçe
4. Analiza sipas seksioneve
4.1. Konferenca e seksionit të Albanologjisë
4.2. Konferenca e seksionit të teknologjisë dhe shkencave inxhinierike: Më e mira teknikisht dhe në përmbajtje
4.3. Konferenca e shkencave të bujqësisë dhe mjedisit: Shumica e Alb-shkencës “merret me bujqësi” por me “mekanizëm bujqësor dhe masa agroteknike” më të dobëta se të seksioneve tjera
4.4. Konferenca e shkencave të natyrës
4.5. Konferenca e shkencave shoqërore
4.6. Konferenca e seksionit të ekonomisë: Seksioni më i korruptuar, oportunist dhe cinik i Alb-shkencës
4.6.1. Kush janë dy vlerësues “anonim” nga Kosova të përmbledhjeve të cilëve në botime vazhdimisht u figuron emri si organizator, këshill shkencor dhe moderator të konferencave të IASH-së por nuk merrnin pjesë në to?
4.6.2. Format e tregut në seksionin e ekonomisë në Librin e përmbledhjeve: Kush është autori monopolist i përmbledhjeve dhe oligopolistët?
4.6.3. Përvoja ime me seksionin e ekonomisë
4.7. Konferenca e shkencave të drejtësisë: Më së paku drejtësi (numër të përmbledhjeve) në kuadër të IASH-së
4.8. Konferenca e seksionit të shëndetësisë: Shëndetësia e “sëmurë” (për nga profesionalizmi shkencor) e Alb-shkencës
5. Përvojat e të tjerëve me botimet e Alb-shkencës dhe vlerësimet “anonime”
6. Vërejtje tjera dhe perspektiva e IASH-së si tërësi dhe nëpër degë
7. Përfundime
8. Rekomandime
Analizë numerike dhe shtojca statistikore
Hyrje
Disa libra duket se janë shkruar jo për të na dhënë ndonjë udhëzim, por thjeshtë për të na treguar se autorët e tyre kanë ditur diçka – Johann Wolfgang Goethe.
Këtë thënie të Gëte-s (Goethe) e kam të afishuar në çdo letër të postës sime elektronike. Nëse ju keni pranuar ndonjëherë letër elektronike nga adresa ime në Gmail, patjetër se në fund e keni hasur këtë thënie në gjuhën angleze. Ka domethënie shumë të thjeshtë, por kuptim shumë të madh në botën e vërtetë. Tek asnjë komb tjetër në botë nuk ka kuptim më praktik se te shqiptarët kur merret në shqyrtim aspekti shkencor dhe ndërlidhja me realitetin, sidomos në kohët bashkëkohore kur shkencën shqiptare e ka mbërthyer një oportunizëm i pashembullt, degjenerim, korrupsion, kundërvlerë, çoroditje, të cilat së bashku i kanë ndihmuar më të madhe errësimit intelektual të kombit shqiptar. Derisa kombet tjera të Evropës kanë arritur një shkallë intelektualizmi progresiv në funksion të zhvillimit dhe emancipimit, kombit shqiptar i kërcënohet rreziku i pakësimit të njohurive të duhura dhe nënshtrimit sikur në kohët primitive, ani pse kjo ndodhë në shekullin XXI në kontinentin më të zhvilluar të botës – Evropën. Trojet etnike shqiptare në gadishullin Ballkanik kudo janë në defensivë. Rreziku i tillë që shihet me sy dhe përjetohet për çdo ditë, përfshinë në një numër ndoshta të pakufizuar të shkaqeve. Nuk e kemi qëllimin këtu t’i numërojmë disa prej tyre ose ta ngarkojmë lexuesin me diçka kur ai/ajo posa të ketë përfunduar së lexuari disa prej tyre që e shpjegojnë gjendjen e tanishme të kombit shqiptar, do të ndalet për t’i shtuar vetë edhe shumë tjera që do të dilnin si të harruara nga autori. Emëruesi i përbashkët i të gjitha atyre shkaqeve sa vjen duke u shtuar rreth përgjegjësisë intelektuale të shqiptarëve si shkaku kryesor ose shkaktari i të gjithë kësaj gjendje më të palakmueshme në Evropë. As për shkaqet e korruptimit dhe censurës së intelektualizmit shqiptar në organizimin institucional dhe shtetëror në tri shtete ku shqiptarët janë më së shumti të përqendruar, në Shqipëri, Kosovë, dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë (IRJM). Mendojmë se për intelektualët e kalibrit mesatar, shkaqet e censurimit dhe dezorientimit të shkencës janë pak a shumë të njohura. Nëse nuk janë, ato mund të kapen menjëherë se nga rrjedhin dhe pse shkenca nuk është aq e lirë sa duhet ose do të kishim nevojë të ishte. Rrethanat e papëlqyeshme politike, sociale, ekonomike dhe ndërkombëtare në trojet shqiptare kanë ndikuar dukshëm në frikësimin dhe censurimin intelektual. Jemi dëshmitarë kur edhe studiuesit më të spikatur në universitetet më prestigjioze të botës, kur kthehen në atdhe marrin një kahje pak më ndryshe nga ajo me të cilën në shtetet tjera janë në gjendje t’i sfidojmë, e shpesh t’ua tejkalojnë, studiuesve të huaj. Nganjëherë i vetmi inferioritet për studiuesin shqiptar, është paragjykimi që krijohet se nga cili komb dhe shtet vjen studiuesi. Kështu shumë studiuesve të shkathë shqiptarë u krijohen një ndjenjë inferioriteti shkaku i kolektivit, kombit dhe shtetit prej nga vjen. Në anën tjetër, intelektuali i mirëfilltë e kupton se vlera e tij automatikisht do të ishte më e madhe por ta kishte prapa edhe krenarinë e kombit, shoqërisë dhe shtetit. Duhet ta kemi parasysh se intelektualët e vërtetë shqiptarë janë margjinalizuar dukshëm nga ky paragjykim, qoftë i jashtëm, i brendshëm apo i të dyve. Deshëm e s’deshëm ta pranojmë, kjo dukuri është e pranishme dhe ndikimet e saj janë të dukshme.
Shtrohet pyetja se çka duhet të bëjmë për ta nxitur reagimin e përgjegjësisë intelektuale duke filluar prej individit, grupit, e deri te shoqëria? Shpresoj jemi të pajtimit se përgjegjësia intelektuale e kupton se me ngritjen e intelektit të grupit dhe shoqërisë së tij, vlera e tij në raport me intelektualët, grupet, shoqëritë dhe kombet tjera do të jetë më e madhe. Vetëm se përgjigjen e kemi ende të vështirë ta japin në formë të plotë se si të arrihet kjo, për shkaqet që e shumta të cilat në afat të shkurt dhe të mesëm janë të papërballueshme. Kuptohet se inteligjencën e duhur në mesin e shqiptarëve e ka ngulfatur politika, lakmia, korrupsioni, ryshfeti, xhelozia e imponuar dhe e trashëguar si problem gjenetik(!), varfëria ekonomike, dhe rrjedhat (negative) bashkëkohore të globalizimit.
Mirëpo, në këtë Libër (auto)kritik, kemi fatin të trajtojmë një çështje pothuajse jashtë ndikimeve të tilla, ose së paku shkencën dhe intelektualizmin shqiptar më të pavarur se nga çdo ndikim tjetër që u cek më lartë, dhe ndikimeve tjera që nuk u cekën. Këtu kemi rastin të analizojmë se në çfarë niveli gjendet shkenca shqiptare dhe çfarë tendencave ka ajo të ketë ndikim në rrjedhat e shoqërisë shqiptare. Fat tjetër është se këtu përfshihen studiuesit nga tri rajonet etnike më të mëdha të shqiptarëve, ose pjesa dërrmuese e kombit shqiptar. Një tjetër specifikë është se edhe Autori ka qenë pjesë e kësaj analize kritike që trajtohet, që do të thotë se kritika i drejtohet edhe Autorit, prandaj ky Libër është titulluar edhe si Autokritikë. Dhe mbi të gjitha që bënë përshtypje më së shumti, është se kemi të bëjmë me elitën e shkencës shqiptare. Grupim më të madh intelektual dhe më të pavarur si ky, te kombi shqiptar nuk ka. Atëherë, kjo paraqet një mundësi unike të njihemi me cilësitë e shkencës shqiptare të cilave shumë shqiptarë do t’ua merrnin lakmi t’i bashkëngjiten me çdo kusht, në të kundërtën të shmanget nga ky grup shkencor dhe ndikimet e tij, po ashtu me çdo kusht. Se cila zgjidhje është më afër arsyes, këtë nuk mund ta themi tani; fjalën përfundimtare duhet ta thotë analiza e Librit të përmbledhjeve Studiuesit shqiptarë në rrjedhat e shkencës botërore.
Çdo botim ka disa rregulla dhe standarde të cilave duhet përmbajtur aq sa mundemi. Natyrisht, shmangiet e vogla shpesh janë të paevitueshme që rrjedhin nga pakujdesia e rastit. Atyre nuk u kushtohet rëndësi qoftë nga botuesi apo lexuesit. Kuptohet se janë gabime të rastit dhe nuk ia vlen të bëhet bujë për to. Mirëpo, Librin e përmbledhjeve të punimeve shkencore të IASH-së, botuar më 2009, e karakterizojnë gabime të qëllimta shumëdimensionale, të cilat nuk dihet pse janë bërë pa i hyrë analizës kritike. Një kritikë e tillë ndaj librit me të meta serioze, është më se e domosdoshme kur merret parasysh fakti se në të ka përmbledhje të punimeve nga elita shkencore e shqiptarëve nga të katër anët e botës. Kjo analizë është vetëm paralajmërim për nivelin e shmangies së padurueshme të studiuesve shqiptarë dhe IASH-së nga rrjedhat e shkencës botërore, dhe se titulli i librit “Studiuesit shqiptarë në rrjedhat e shkencës botërore” në pjesën më të madhe është i kundërt me rrjedhat që e tregojnë përmbledhjet e punimeve në brendi.
Lindin pyetje të paevitueshme kur sheh të pa standardizuara një mori çështjesh jo vetëm ndërmjet seksioneve, por edhe brenda njërit seksion kur, sapo përfundoni së lexuari një përmbledhje dhe kalon tek tjerat me radhë, vërehet qartë laramania e pafundme. Që problemin ta kuptojmë më mirë, në fillim duhet t’i referohemi shabllonit të thirrjeve për punime që u është dërguar anëtarëve të IASH. Nuk është e tepërt, madje më vonë në këtë analizë do të konstatohet sa ka qenë e domosdoshme, t’i përmendim të gjitha kriteret e shabllonit të thirrjes për punime. Në radhë të parë, devijimet e shumta që janë shfaqur në Libër, tek lexuesit dhe shumë anëtarë të Alb-shkencës ka krijuar bindjen nëse Takimi i IV-të ishte në të vërtetë shkencor, apo ishte diçka aramara dhe çfarë qëllimi kishte? Secilit kontribuues në Librin e përmbledhjeve, paraprakisht i është dorëzuar version i fundit i shabllonit të thirrjeve për punime si në vijim:
Formular 1: Shablloni i përmbledhjes/abstraktit
Formati i faqes: A4.
Margjinat: lart e poshtë 2 cm; djathtas e majtas 2.5 cm
Titulli i punimit në shqip dhe në anglisht
(16pt Times New Roman, bold, në qendër)
EMRAT E AUTORËVE
Me shkronja të mëdha, 12pt Times New Roman, në qendër
Departamenti dhe universiteti: 12pt Times New Roman, në qendër
Adresa fizike: 12pt Times New Roman, në qendër
Adresa elektronike (për komunikim): 12pt Times New Roman, në qendër
Përmbledhja: Teksti me 150-250 fjalë, 11pt Times New Roman, normal, i rrafshuar në të dy
anët), ose Abstract (anglisht): Teksti me 150-250 fjalë, 11pt Times New Roman, normal, i
rrafshuar në të dy anët
Fjalët çelës: 5-7 fjalë, 11pt Times New Roman, normal, i rrafshuar në të dy anët ose Keywords
(anglisht): 5-7 fjalë, 11pt Times New Roman, normal, i rrafshuar në të dy anët.
E kemi kopjuar këtë shabllon të tërin në formën dhe vetitë e tij origjinale, me madhësi dhe lloje të shkronjave ashtu si ishte. Secila përmbledhje e botuar në librin e IASH-së të vitit 2009 duhej t’i përmbahej shabllonit të paraqitur më lartë ose rregullave të përcaktuara. Çdo përmbledhje që i është shmangur ose nuk iu ka përmbajtur atyre, nuk ka mundur të pranohet nga këshilli shkencor i IASH-së. Sidoqoftë, ajo që është botuar nuk ka të bëjë me lëshime të rastit por me tendenca të qëllimta për keqpërdorimin e shkencës në promovimin e oportunizmit, korrupsionit, cinizmit, lëçitjes, njohurisë së rrejshme e shumë tjera si “përgjegjësi” intelektuale në funksion të shpëlarjes së trurit dhe ngecjes së shkencës shqiptare.
Qasja dhe metodologjia
Baza e vlerësimit kritik ka qenë Libri i përmbledhjeve të IASH-së 2009. Qasja e përdorur fillimisht është diktuar nga momenti i parë kur me një vështrim të shkurt dhe sipërfaqësor në Librin e IASH-së, janë hasur disa çrregullime të mëdha teknike ndërmjet përmbledhjeve. Ndonëse edhe libri i përmbledhjeve nga Takimi i III-të përmbante disa devijime nga rregullat e thirrjes për punime, Libri i Takimit të IV-të ka bërë tejkalime të dukshme si në mos respektim të rregullave, ashtu edhe në cilësinë thelbësore shumë më të dobët të përmbledhjes së punimeve. Kjo më detyroj të përqendrohem edhe në imtësitë teknike të përmbledhjeve, duke filluar nga titulli i punimit, emrat e autorëve, adresat postare dhe elektronike, teksti i përmbledhjes (përmbajtja dhe madhësia), e deri te fjalët kyçe.
Pas identifikimit të problemeve teknike, kam kaluar në qasjen shumëdimensionale prej analizës kah sinteza. Janë krijuar disa sisteme grupimi për sintezën e devijimeve nga standardet e kërkuara me shabllonin e thirrjes për punime. Pra, janë zgjedhur përmbledhjet me devijime të ngjashme ose të njëjta të shpërndara nëpër libër, dhe janë klasifikuar në grupe sipas vetive të përbashkëta devijuese, si për shembull, përmbledhje që: e tejkalojnë numrin e fjalëve të lejuara, pa qëllim të studimit, pa fjalë kyçe, e kështu me radhë.
Derisa leximi i secilës përmbledhje dhe gjetja e pastaj grupimi i të metave të tyre ka qenë punë e mundimshme, edhe më sfiduese ka qenë konstatimi se cilat përmbledhje e kanë tejkaluar numrin e fjalëve të lejuara. Realizimi i kësaj analize dhe sinteze është bërë me këtë qasje dhe metodë: së pari, janë përjashtuar nga Libri përmbledhjet më të shkurta të cilat dukeshin qartë se janë brenda kornizave; së dyti, janë përjashtuar, por në të njëjtën kohë janë llogaritur si devijime nga standardet, përmbledhjet me përmbajtje afër një faqe dhe më shumë një faqe që nuk kanë pasur nevojë t’iu numërohen fjalët, sepse dihej se është tejkalim i dukshëm; dhe së treti, për ato përmbledhje të mbetura që nuk dihej nëse janë e kanë apo jo numrin e fjalëve brenda kufirit, është përdorur një teknikë e skanimit dhe numërimit elektronik. Kjo ka dhënë numërim të saktë qoftë edhe për ato përmbledhje që e tejkalonin numrin e fjalëve vetëm për disa.
Për disa devijime specifike që nuk kanë mundur të grupohet, ose kanë qenë të pakta nëpër Libër për t’u bashkuar në ndonjërin prej grupeve, janë treguar si referenca me numër të faqes së Librit në fusnota. Nuk është fjala për devijime të vogla dhe të parëndësishme, por domethënëse për kah aspekti i papranueshmërisë.
Analiza e përgjithshme është përpunuar në formë të sintezave me numra, paraqitje tabelore, me përqindje, dhe figura të cilat janë prezantuar në fund të këtij Libri si shtojca statistikore. Janë bërë edhe përllogaritje tjera në formë të tabelave dhe figurave të kryqëzuara. Ndërsa në tekstin kryesor, janë paraqitur vetëm disa të dhëna të natyrës së përgjithshme, si për shembull: Shpërndarja e përmbledhjeve të pranueshme dhe të papranueshme; Pjesëmarrja e përmbledhjeve të pranueshme sipas seksioneve; Përmbledhje të punimeve të mëhershme ose realizuara; Punime në proces ose ende të parealizuara, e të tjera. Dorëshkrimi i këtij Libri, sidomos në pjesën e përmbledhjes, i përmbahet shabllonit të thirrjes për punime të IASH-së për Takimin e IV-të.
* * *
Pjesa tjetër nuk do të jetë në dispozicion për publikun në versionin elektronik, por vetëm në formë të librit i cili ende është në proces të dorëshkrimit.