E merkure, 30.04.2025, 03:52 PM (GMT+1)

Kulturë

Skënder R. Hoxha: Kompozitat në vargje të një poeti

E enjte, 11.11.2010, 10:28 PM


(Këndvështrime)

             

KOMPOZITAT

NË VARGJE TË NJË POETI

 

/Përkitazi me kompozitat e përdorura në përmbledhjet e vjershave të Hasan HASANIT: “Gurëkala”, (1981); “Unazëforta”, (1984); “Përkolajt”, (1988), botoi Rilindja, Prishtinë./

    

Nga Prof. Skënder R. HOXHA

 

Në çdo vepër letrare, shkencore, filozofike etj., përveç domethënies së planit të parë të saj, mund të gjenden elemente me interes për të folur për to, po edhe për t’u analizuar e studiuar, si çështje, e pse jo për t’i shtruar e ngritur ato edhe në nivel temash. Në një vepër poetike, bie fjala, dominon motivi, frymëzimi, çasja e shprehjes së atij frymëzimi me retorikë poetike, shoqëruar e brumosur me mjetete të shumta poetike, figura stilistike etj., ku të gjitha së bashku, të bashkërenditura mirë, jepin një realizim letrar-poetik me vlera të qëndrueshme. Përkrah këtyre, poeti, për t’ia dalë që të arrijë semantikën sa më të fuqishme e të qëlluar të vargut të tij, përdor edhe fjalë dhe shprehje të cilat shpeshherë janë si formime të reja – neologjizma. Domethënë, përveç funksionit të tyre për çka i përdor autori, formimet e tilla, begatojnë fondin e fjalëve të gjuhës, gjegjësisht shtresa të leksikut. Ky fenomen ndodh në të gjitha gjuhët e gjalla të botës, sikundër edhe në gjuhën shqipe.

    Në këtë rrafsh, jemi ndalur në përmbledhjet me poezi të Hasan Hasanit: “Gurëkala”, “Unazëforta”, “Përkolajt”, ku do të vëmë në spikamë përdorimin e kompozitave (fjalëve të përngjitura), që e bëjnë edhe më të veçantë gjuhën e këtyre librave poetikë. Në gjuhën poetike të përdorur, veçanërisht, në këto përmbledhje, vërehet se autori sjell një numër kompozitash të cilat i përdor, herë si simbole e herë si nocione metaforash, për të arritur fuqinë e mendimit poetik.

     1.   

     Të nisemi nga e para: Gurëkala e poetit Hasan Hasani, e botuar 25 vjet më parë (1981). Vetë titulli i librit Gurëkala është një kompozitë e formuar nga: gurë dhe kala, nga dy emra konkretë, të lëndët, që poetikisht dhe kuptimisht shprehin fortësi, qëndresë, traditë etj., siç vërejmë edhe te titulli i ciklit Lumëbjeshkë, kompozitë kjo e formuar nga hidronimi lumë dhe oronimi bjeshkë, të cilat poeti i përdor në funksion të figuracionit, në një anë, por në anë tjetër fondit të gjuhës shqipe i dhuron fjalë të rralla, fjalë të reja që kanë rëndësi gjuhësore, në një fazë të caktuar të zhvillimit të saj.

    Përdorimin e theksuar të kompozitave lexuesi e sheh që në vjershat e ciklit të parë të këtij libri, si: Atë pasdreke (nga fjalët: pas dhe drekë)…, kompozitë që tregon rrethanë kohore,  shikimekur (nga: shikim dhe mekur)…, që do të thotë një shikim i lodhur, i këputur, melankolik, shallbardhë (nga: shall dhe bardhë)…, për të treguar pjesë të veshjes tradicionale karakteristike, pulëbardhë (nga: pulë dhe bardhë)…, shumkë (nga: shumë dhe )… (vj. Buthroti, f. 9), me kuptim: shumëkush etj.; apo: gjuhëheshtur…, për ata që nuk flasin apo figurativisht: ata që nuk kanë guxuar të flasin, ëndër-zhgjëndrra… (vj. Apollonia, f.11), e …mjkërrbardhë…, …këngë-frymëzim (vj. Rozafa, f. 12), kompozita këto të hyra më herët në gjuhë e të përdorura nga autorë të ndryshëm por edhe në të folmen bisedore. Të tilla janë edhe kompozitat: …

nëntokësore…, … gjakftohtë…, (vj. Kruja, f. 14); apo te vargu: Kalamajve në sy ua lexoj këngë-kushtrimin (vj. Varri në Lezhë). Ndërkaq, në vjershën Gurëkala, në vargun: E qëndresa n’ballë t’Gurëbardhës ndrit ar, kompozita Gurëbardhës, mëton dhe arrin që t’i përmbush të dy qëllimet: atë artistik-poetik, si dhe atë gjuhësor-fjalëformues. Po ashtu, të fuqishme janë edhe kompozitat: … fjalëzjarrti … (vj. Shkëlzeni), Me kuptim për atë që flet guximshëm, që flet mirë etj., si dhe … krismë-rrufe, ku kjo e fundit evokon krismën vrastare, si rrufeja, që vrau L. Gurakuqin, shih vargu: “M’bëhet që nga Bari dëgjoj një krismë-rrufe (vj. Në shtëpinë e Luigj Gurakuqit), që vërtet kjo kompozitë thellon, veç të tjerash, imagjinatën sinonimike.

     Kompozitat e tjera që i gjejmë në vargje të vjershave të këtij libri: … breglumë (nga: breg + lumë); keqardhje (nga: keq + ardhje); … vargmaleve …,(nga: varg + male), … frymëmarrje …, (nga: frymë + marrje), janë formime të drejta gjuhësisht, të natyrës së shqipes dhe të vëna në funksion poetik. Janë me interes formimet kompozitore që na i sjell poeti Hasani në këtë libër vjershash, si: kujtim-trishtimi …(vj. Ndarja), për të edokuar me të kujtime të trishta, si dhe ato të ciklit me titull Kuror (kurorë tingëllimash I – XV): majebjeshkëve, gurshkrepat, fjalëzjarreve, gurëkështjellës, vdekjepruese, mendjeartë, jelëbardhë, mendjendritur, mespërmes, besëvëllezërve, të cilat u jepin vargjeve kolorit, shtrirje më të gjerë të mendimit poetik, janë shprehje e figuracioneve e sentencave.

     2.

     Gjithashtu edhe përmbledhja me poezi “Unazëforta” e H. Hasanit, e botuar në vitin 1984, është e pasur me  kompozita. Shihet se për titull të librit autori ka zgjedhur një kompozitë të ndërtuar nga: emri unazë + një trajtë e mbiemrit (i,e) fortë, ku përveç si neologjizëm ka edhe tingëllimën e fuqishme poetike e semantike. Nga kjo përmbledhje do të venerojmë edhe disa kompozita të cilat janë më karakteristike, ndonjë prej të cilave janë përdorur në disa vende. Në vargje të faqes 13 të këtij libri gjejmë kompozitat: Pasmalet…, për të treguar rrethanë vendore, gushëbardhën…, për vashën me gushë të bardhë, gjibardhë …, për gjibardhën e fjalëdashuria në f. 14, që ka për qëllim t’i referohet fjalëve të fjalorit të dashurisë etj., të cilat janë të vëna këtu për të brumosur poetikisht skena idilike, e në anë tjetër zgjerojnë fushën fjalëformuese. Ndërkaq, fjalët e përngjitura – kompozitat: vdekjetrishtim (f. 17), lulefshamjet (f. 21), gjakkënga …, gushëkuqin (f. 22), … lulegjaku…, … luledielli (f. 23), kompozita të formuara nga dy fjalë, si: vdekje + trishtim, lule + fshamje (ofshamë), gjak + këngë, gush + kuq-in, lule + gjak, lule + dielli, kanë funksionin e shenjimit të dhembjes e të qëndresës. Kompozitat: … flokëthinjurit (f. 24), që autori e përdor për të moshuarit, …fjalëzjarrtët (f. 25) – për poetët, fjalamshimin (f. 27), për lirinë etj. janë, veç të tjerash, edhe sinonime të qëlluara. Në vargje të kësaj përmbledhjeje hasim edhe në kompozita të tipit: … këmbëzbathur, Fatbardhi…, zemërdiell …, mespërmes …, Pulëbardhat, e ndonjë tjetër, që kanë qenë të përdorshme edhe më herët, por gjithsesi vlen të përmenden. Kanë rëndësi edhe kompozitat e tipit emër + emër të cilat i ka përdorur poeti, si: Ëndërr-zhgjëndërr (f. 38), nga ëndërr + zhgjëndërr, gjyshstërgjyshërve …, nga gjysh + stërgjysh, fytyrdiell (f. 44), nga fytyrë + diell, gjakharrimit …, nga gjak + harrim, …këngëdritës (f. 56), nga këngë + dritë, sikundër edhe ato të tipit emër + rrethanor: krahshtrirë …, sqepplasuri… (f. 49), …fjalëmortoret, zemërhapur, flokëshprishur etj.

     Në faqen 62 të përmbledhes “Unzëforta” titulli i një vjershe është MIKE E PËRTEJDETIT. Në këtë titull gjejmë kompozitën përtejdetit, e sajuar nga rrethanori i vendit përtej dhe emrit det. Natyrisht, kjo kompozitë ëshë edhe si toponim. Në një varg, në faqe 68, janë përdorur dy kompozita: … shpendmali dhe krahhapur, e para nga: shpend + mali dhe e dyta nga: krah + hapur. Janë me interes po ashtu edhe kompozitat në vargun: “Kur ndodhem pranë teje sytymosur e dua harrimgjakimin (f. 70), si dhe buzëzjarret (f. 88) e puthjezjarret …, pastaj ato në vargun “Dogje kroje-lisat, dogje guri-eshkën (f. 89), të cilat janë prurje të reja në leksikun e shqipes e, patjetër, edhe në retorikën e artit të vjershërimit.

     3.

     Përmbledhjen me poezi “Përkolajt” ky autor e boti më 1988, libër që për recensues kishte pasur Ali Aliun e Anton Berishën. Vetë titulli i këtij libri është një kompozitë - patronim me prejardhje antroponimike nga emrat: Pren dhe Kolë, apo nga një Pren Kola i dikurshëm. (Këtë patronim edhe sot e mbajnë (jozyrtar) një familje e gjerë në Shqiponjë (ish-Jabllanicë) të Dushkajës, rrethinë e Gjakovës, familje nga e cila rrjedh edhe vetë shkrimtari H. Hasani. Sipas këtij patronimi edhe lagjja e tyre quhet Mahalla e Përkolve.)

     Në strukturën e shumë vargjeve të vjershave të këtij libri gjejmë të jenë ndërthurur kompozita, disa prej të cilave, tashmë, ishin bërë karakteristike për gjuhën poetike të Hasan Hasanit. Përveç disa kompozitave, nëse mund t’i quajmë tradicionale, si: porsalindur, keqardhje, bashkëkohësve, lulekuqeve, bukëpërmystë, flokëgjata, pastaj te vargu:zemërmadhja bjeshkë - zemërgjeri deti” etj., autori, edhe në këtë vëllim poetik, shquhet për ndërtimin e një varg kompozitash – fjalë të reja dhe përdorimin e tyre në kontekste poetike, si: akullborën (f. 24), - nga: akull + borë, me të cilën poetikisht do të simbolizojë ftohtësi, gurzjarrin (f. 33), nga: gur + zjarr, (për: gurët e zjarrit, gurin e votrës), majëthikën (f.53), pastaj me fjalën bazë gjak: gjakkobit (f. 57), gjaklotin f. 58), që kanë vlera gjuhësore – fjalëformuese. Mandej gjejmë këtu kompozitën trigjymtyrëshe … shpirthelmplaguar (f. 54), nga: shpirt + helm + plaguar, si dhe: helmpërbuzjen (f. 58), Emiradiell (f. 59), kobjetën (f. 62), fjalë që figurativisht e metaforikisht do të thotë jetë e kobshme, kobet që sjell jeta etj., …Lumçmenduri (f. 63), këngëjeta (f. 64), për të vazhduar me kompozitat e vargjeve në faqen 70 të librit: besëdashurinë, … sofërbardha, – neologjizma këto me ndërtim nga fjalë të gurrës shqipe, por edhe si konstrukte tingëllojnë të fuqishme e të përdorshme.              

     Në vargun “Breglumit i lodhur më kujtohet” (f. 71), poeti përdor kompoztën Breglumit, e formuar nga: breg + lum-it, që njëherit racionalizon togfjalëshin: bregut të lumit, apo: në breg të lumit, apo: përgjatë lumit. Me interes, jo vetëm poetik, por edhe për gjuhësinë, janë edhe shumë kompozita të tjera të cilat autori i ka funksionalizuar në vargjet e këtij libri: këngëhelmosuren, shpirtpoetit, gjuhëheshtur (f.72), rebardhat, rrugëfshisësve (f.73), ëndërrblerta (f. 76), rebardhoshe (f.77), mirakëndës, korrikgushti, erëmirë (f.79), rrezehënës (f.86), thirrakëngë (f.89), kështjellëshembura (f.92) etj. si dhe janë shembuj të bollshëm për të zbardhur kontributin e Hasan Hasanit në përdorimin e kompozitave si dhe në formimin e kompozitave të reja në vargjet e vjershave të tij.

     Për fund, vlen të përmendet se nga ky krijues kemi edhe një vepër, titulli i së cilës është kompozitë. Është fjala për përmbledhjen me vjersha “Gurdurimi” (1992), ku në këtë titull gjejmë neologjizmin – kompozitë të formuar nga: gur + durim-i, që bashkë me të tjerat flasin për atë se ky poet e kishte preferuar dhe kultivuar kompozitën në vargëzimet poetike. Në anën tjetër, përdorimi i këtyre kompozitave, ndonjë prej të cilave, siç thamë më sipër, janë formime të reja, begatojnë fjalorin e shqipes, veçmas fushën e leksikologjisë e të fjalëformimit dhe kulturën e gjuhës përgjithësisht. Ndaj, vepra të ndryshme e të fushave të ndryshme, për arsyena e qëllime të ndryshme, duhet të kundrohen e të hedhet dritë nga kënde të ndryshme të strukturës së tyre.



(Vota: 22 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx