Kulturë
Janaq Pani: Për miun që desh humba sigurinë
E diele, 19.09.2010, 09:48 AM
Janaq Pani
PËR MIUN QË DESH HUMBA SIGURIN
Dhe në qofsh mi apo miushe
pjellë gërmadhe a pjellë fushe,
me djallëzitë kupën e mbushe
kur si një horr
të gjitha sendet ti m'i përpushe
rreth në oborr.
Isha në paqe gjer kur të pashë,
mes sëkëlldisë mëndjen e lashë,
me mllef e dhunë nga pas të rrashë
por ti më ike.
"S'di kush më shumë, - me vete thashë,
ka ndjenjë frike."
Kush njeri - tjetrit i hapëm punë,
e kujt në shpirt iu ngre furtunë,
kush nga të dy do rrijë pa gjumë
e në përgjim,
kush është i keqi, ti apo unë
që pret shpagim.
E marr me mend, ke botën tënde,
kur e gjen shtruar ti ha e dënde,
po pse kaq shumë hallkut i rënde
e s'të ka qejf,
se ti qenefet, pa vrarë mendje
të gjithë i bredh.
Ndaj, mor miush, ashtu më kot
nuk të urrejnë, se ti veç ndot,
i përkushtuar si dje, si sot
na prish qetësinë,
me nervat tona si djalli lot
rrit neverinë.