E hene, 29.04.2024, 12:58 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Libofshë, çelet shkolla e parë serbe

E diele, 19.09.2010, 12:05 PM


Nga Matilda Troka, Gazeta Shqip

 

Fillimisht mësimi do të zhvillohet gjatë ditëve të shtuna dhe të diela. Mësuesit do të vijnë nga Shkodra

Hapet shkollë për komunitetin serb në Myzeqe. Shkolla e parë serbe do të ngrihet në fshatin Rrethlibofshë të Komunës Libofshë, ku jeton një komunitet me mbi 2500 banorë me origjinë serbe. Fillimisht për mjedise shkolle do të përdoret shtëpia e një banori të zonës, ndërkohë që inaugurimi i punimeve për godinën e re pritet të bëhet nesër nga ambasadori serb në Tiranë, Miroljub Zaric. 65 fëmijë do të ulen të parët në shkollën e re, ndërkohë që pritet një rritje e numrit të nxënësve gjatë muajve në vazhdim. Çelja e një shkolle në gjuhën serbe ka ardhur si rrjedhojë e kërkesës së bërë nga komuniteti serb që jeton në Komunën e Libofshës. Mbi 5 fise me afro 200 banorë kanë firmosur kërkesën për arsimimin në gjuhën serbe, e cila i ka shkuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave, si dhe ambasadës serbe në Tiranë. Mësohet se ministria është shprehur e gatshme për hapjen e shkollës, ndërkohë që ambasada ka marrë përsipër financimin për ndërtimin e një godine të re shkollore. Eqerem Duleviç quhet banori që ka hapur shtëpinë e tij për nxënësit e parë. Ai shprehet për gazetën “Shqip” se po vë në vend dëshirën e paraardhësve të tij, që donin ruajtjen e gjuhës dhe të traditave të tyre. “Deri në moshën 7-vjeçare unë nuk dija shqip. Gjyshja në shtëpi me fliste vetëm serbisht. M’u desh të shkoja në shkollë për të mësuar shqip. Kam mbaruar arsimin e mesëm, por pse jo mos ta trashëgoj si gjuhë edhe te fëmijët e mi. Jo vetëm shtëpinë, por edhe prona të tjera jam gati t’i jap për origjinën time”, shprehet Eqerem Duleviç, banori që ka lënë shtëpinë në dispozicion të shkollës serbe. Shkolla fillimisht do të funksionojë gjatë ditëve të shtuna dhe të diela, e më pas deri nga muaji dhjetor do të vijojë mësimin normalisht. Lidhur me programin mësimor që do të zhvillohet në këtë shkollë, mësohet se do të sigurohet nga ambasada serbe në Tiranë. Tashmë janë bërë gati edhe librat, që janë marrë nga shkollat serbe dhe shpërndarja e tyre do të bëhet ditën e shtunë. Mësuesit e parë do të jenë nga Shkodra dhe vitin e ardhshëm do të merren mësues të zonës, pjesëtarë të komunitetit, të cilët do të trajnohen gjatë këtij viti. “Pikërisht kategoria e nxënësve që nuk kanë preferuar shkollën shqipe pretendohet të thithet me shkollën e re që po hapet. Mendohet që brenda një viti numri i nxënësve të shkojë në më shumë se 200. Kjo do të varet edhe nga shkolla e re që pritet të përfundojë brenda vitit”, ka thënë Duleviç. Ndërkaq, autoritetet arsimore në rreth dhe në vend kanë dijeni për çeljen e shkollës, por jo për veçori të saj. Në Komunën e Libofshës jeton një komunitet serb i përbërë nga më shumë se 2500 banorë dhe mbi 500 familje. Fshatrat ku është përqendruar komuniteti serb janë Rrethlibofsha, Hamili, Petova dhe Libofsha. Familjet e para kanë ardhur në vitin 1924 dhe pjesa më e madhe e tyre e kanë origjinën nga zona e Novipazarit, në Serbi, ku jeton komuniteti boshnjak. Disa nga mbiemrat serb të zonës janë Duleviç, Maniç, Makliç, Kërliç, Javllaniçar etj. Ata i përkasin besimit mysliman dhe vijnë nga zonat myslimane serbe.

 

______

 

Fier, hap dyert shkolla serbe. Ambasadori Zariç: Do hapim edhe të tjera

 

Shekulli Online
 
FIER - Integrimi i Shqipërisë nënkupton edhe hapjen e shkollave për pakicat. Kështu u shpreh ambasadori serb Miroeljub Zariç, teksa ndodhej në fshatin e Rrethlibofshës ku dje u zhvillua dita e parë e mësimit në gjuhën serbe. Duke u kapur, si të gjithë të huajt në integrimin që pretendon vendi ynë, Zariç ta se "Shqipëria duhet të regjistrojë shembuj të tillë".

Në fshatin Rrethlibofshë prej vitit 1924 është vendosur një komunitet i gjerë serbësh, fëmijët e të cilëve dje ishin mbledhur përpara godinës ku që nga e shtuna do të mësojnë gjuhën amtare. Ata kanë thënë se ndjekin shkollën 9-vjeçare dhe të mesme të bashkuar në Libofshë, ndërsa shumë prej tyre, entuziastë për hapjen e shkollës serbe janë shprehur se arsimin e lartë do ta vijojnë në Serbi. Madje, edhe punësimin shpresojnë ta realizojnë atje. Teksa i pyet lidhur me vendimin e vazhdimit të kësaj shkolle, fëmijët shprehen njëzëri se e kanë marrë vetë si një detyrim familjar, pasi në shtëpitë dhe miqësitë e tyre flitet vetëm serbisht.

Zilja e parë ka rënë në orën 10:00 dhe pas hyrjes së fëmijëve në shkollë, ka qenë ambasadori serb Miroeljub Zariç ai që ka përshëndetur i pari serbët e vegjël. Pasi u ka uruar suksese ambasadori Zariç nuk ka ngurruar të japë edhe leksionin e parë, atë të mësimit të alfabetit. Në dërrasë ai ka shkruar shkronjën e parë të alfabetit, A. Duke qeshur Zariç e ka komentuar shkronjën e parë me shprehjen A, si Albania.

Bashkë me ambasadorin në këtë ditë të parë të shkollës serbe është prezantuar edhe stafi pedagogjik. Zoran Hajkoja është mësuesi i gjuhës serbe. Ai ka udhëtuar nga Shkodra për të dhënë mësim në Rrethlibofshë. Hajkoja pohon se e ka vitin e tretë që jep mësim për gjuhën serbe. Mësuesi ka shpjeguar se do të përdorë një metodikë, e cila në Serbi përdoret nga të huajt. Sipas tij kjo metodikë është zgjedhur pasi "është metodika më e lehtë, ndërkohë që në të ardhmen programi do të jetë edhe më i avancuar". Tek të gjitha bankat ndodheshin libra në gjuhën serbe. Me to janë pajisur pothuaj të gjithë nxënësit. Edhe në raftet e klasës, si dhe bazën materiale të vendosur në mure dallohen gërmat sllave.

Ndërkohë, asnjë nga titullarët e arsimit në rreth nuk ka qenë i pranishëm gjatë përurimit të kryer të shtunën në Rrethlibofshë. Vetëm kryetari i komunës, Nikolla Zaka, dhe drejtoresha e shkollës Libofshë kanë përshëndetur këtë nismë të komunitetit serb në zonë. Duke thënë disa fjalë serbisht, kryekomunari ka përqafuar ambasadorin, i cili nga ana e tij tha se "Shqipëria që pretendon integrimin, duhet të regjistrojë shembuj të tillë, të respektimit të të drejtave të pakicave".

Pyetjes se a do të lejohen shkolla shqip në territoret serbe ku jetojnë shqiptarë, ambasadori Zariç iu përgjigj se "ashtu siç edhe konstatoi në vizitën e fundit që kreu në Serbi zëvendëskryeminsitri dhe ish-ministri i Jashtëm Ilir Meta, ne si shtet kemi lejuar dhe do të vijojmë të lejojmë shkolla për mësimin e shqipes". Me një shqipe të vlerësueshme ambasadori Zariç ka përmendur edhe zonat serbe ku është lejuar një fakt i tillë. Teksa ka premtuar investim për një shkollë të re, ambasadori tha se "mjafton që u hodh hapi i pare. Të tjera investime do të kryhen në një të ardhme të afët". Në shumicën e kohës ambasadori foli shqip. I shoqëruar nga një staf i gjerë, Zariç ka vizituar edhe ndërtimin e themeleve të para për një godinë të re shkollore.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora