E enjte, 24.07.2025, 09:04 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Sllavizimi i shqiptarëve katolikë

E shtune, 04.09.2010, 01:50 PM


Për dekada dhe qetësisht vazhdon zhdukja e pranisë së shqiptarëve katolikë në Maqedoni, përkundër faktit se ky komunitet shquhet me vlera të larta kombëtare.

 

Për vite me radhë në Shkup u zhvillua qetë sllavizimi i shqiptarëve katolikë. Në Argjipeshkvinë e dikurshme Shkup-Ohër, e më vonë Shkup–Prizren (deri në vitin 1989), meshat dikur janë mbajtur në shqip, dhe në krye të grigjës katolike ishin Andrea Bogdani, Pjetër Bogdani, Gjon Nikollë Kazazi, Lazër Mjeda. Madje, dikur si motër nderi në Letnicë (të Karadakut) ka shërbyer edhe Nënë Tereza. Gaspër Gjini, ishte shqiptari i fundit që i priu Kishës Katolike të Shkupit.

 

“Pas zhbërjes së Argjipeshkvisë Shkup-Prizren nga ana e Vatikanit, më 1991, “me bekimin e Vatikanit”ulet shesh prifti i rremë katolik maqedon, Pero Stojanov, i cili hoqi meshat në shqip dhe zëvendësoi ritet katolike të meshimit me rite sllavo-ortodokse. Fati i shqiptarisë katolike në Shkup, pas asaj që ndodhej gjithandej në Montenegro di Scupia (Karadakun e Shkupit), siç e gjejmë nëpër enciklopeditë mbi krishterimin shqiptar në këto vise, mori fund - disa shekuj pas thirrjes “Salva nos, perimus” (shpëtona o Zot, se po zhdukemi!) të Pjetër Bogdanit drejtuar Romës asokohe”, pohon analisti Nijazi Muhamedi.

 

Sipas tij, Vatikani tani,me lotimin e masonëve maqedonë, po bën përpjekje që qendrën metropolike katolike nga Shkupi (si qendër e dikurshme dhe aktuale e katolicizmit shqiptar) ta zhvendos diku në Strumicë.

 

“Dhe kjo po ndodh në kohën e shënimit të 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, shenjtores katolike që e dha krishterimi shqiptar”, pohon Muhamedi, që është një njohës i evoluimit dhe zhdukjes së shqiptarisë katolike në Maqedoni.

 

Gjendja aktuale e Kishës

 

Deri në vitin 1999 Vatikani e njihte Ipeshkvinë Shkup-Prizren, e cila funksionoi gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë. Në maj të vitit 2000 u bë ndarja e kësaj kishe, dhe u themelua Ipeshkvia e Shkupit.

 

Sipas statistikave aktuale, në Maqedoni janë të regjistruar vetëm rreth 4,000 besimtarë katolikë, me dy famulli katolike, në Shkup dhe Manastir. Janë të njohur edhe katolikët e ritit bizantin, të cilët përbëjnë një pakicë të shtrirë në pesë famulli: Bogdanci, Gjevgejli, Radovë dhe Strumicë. Të dy ritet përbëjnë 1.2 përqind të numrit të përgjithshëm i popullatës së Maqedonisë.

 

Kohëve të fundit janë shfaqur disa iniciativa për zhdukjen e Kishës Katolike me seli në Shkup, në krye të së cilës është ipeshkvin Kiro Stojanov. Pikërisht nga kjo kishë po planifikohet që selia e Kishës Katolike në Maqedoni të zhvendoset në qytetin e Strumicës. Një ide kjo që buron nga tendencat historike, sipas të cilave në periudhën e mesjetës funksiononte Ipeshkvia e Strumicës, së bashku me atë të Manastirit, Ohrit, Lipjanit dhe Prizrenit.

 

Si jeton komuniteti i vogël katolik

 

Komuniteti katolik përbëhet kryesisht nga shqiptarët. Nënkryetari i Komisionit për Marrëdhënie Ndërfetare, Anton Sereçi, konstaton me keqardhje se numri i besimtarëve katolikë në Maqedoni po bie vazhdimisht, derisa kujton me nostalgji familjet Jaku, Gulia, Sereçi, Mirdita, Seba, Prenku e Gjini. Sipas Sereçit, komuniteti katolik shqiptar në Maqedoni po e përjeton periudhën më të vështirë, ngase tani kanë mbetur vetëm edhe 250 familje.

 

“Mirëpo, problemi më i madh i katolikëve shqiptare në Shkup ka të bëjë me mungesën e priftërinjve dhe me mosmbajtjen e meshës në gjuhën shqipe. Mesha e fundit në shqip është mbajtur para plot 20 vitesh. Prej atëherë mbetëm disi anash, pa predikues, pa një bari të vërtetë. Na merr malli kur shkojmë në Ferizaj, Prizren e Letnicë”, deklaroi Sereçi.

 

Ipeshkvia e Shkupit njihet si seli kryeipeshkvore e Pjetër Bogdanit (1677-1689), Gjon Nikollë Kazazit (1743-1752), Ndre Logorecit (1888-1892), Lazër Mjedës (1909-1921), dhe si vendlindje e nobelistes shqiptare, Nënë Terezës (1910-1997).

 

Kush i prinë Kishën Katolike në Shkup

 

Ipeshkv i Kishës Katolike në Shkup është monsinjor Kiro Stojanov, një maqedon ky nga komuna e Bosilovës. Ai është edhe administrator apostolik dhe eksark i Kishës maqedonaso-greke. Stojanov është peshkopi i parë katolik i nacionalitetit maqedon pas 104 vjetëve. Ai u shugurua si prift në vitin 1986, ndërsa mes viteve 1999-2005 ishte ndihmës dhe titullar peshkopi në Dioqezën e Shkupit, e cila asokohe udhëhiqej nga imzot Joakim Herbut. (INA)

 



(Vota: 5 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx