Shtesë » Lajme
Plakat zhvarrosin greket, shkelet Kodi Penal
E diele, 29.08.2010, 02:21 PM
Gazeta Shqiptare,
Tedi Blushi
Në shkelje të hapur të Kodit Penal, në fshatin Panarit të Përmetit janë kryer zhvarrime eshtrash, që pretendohet se u përkasin ushtarëve grekë, të rënë në territorin shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore. "Gazeta Shqiptare" ka arritur të sigurojë ekskluzivisht pamje filmike nga këto procese zhvarrimi, që i serviren për herë të parë opinionit publik shqiptar. Në to faktohet qartësisht sesi, në mënyrë anti-ligjore, joprofesionale dhe makabre, disa gra të moshuara nga fshati Panarit, hapin varre dhe nxjerrin prej andej me duar, skelete të vdekurish, që i vendosin më pas mbi një flamur grek. Ky proces, referuar pamjeve filmike, nuk është ndjekur nga afër as nga prokurorë dhe as nga ekspertë mjeko-ligjorë. Ndërkohë që për kryerjen e zhvarrimeve të kësaj natyre është e detyruar me ligj lajmërimi i tyre. Neni 118 i Kodit Penal, sanksionon se "Dhunimi i varrezave, varreve, nxjerrja e kufomës, si dhe vjedhja e sendeve që mund të ndodhen në to, si dhe çdo veprim tjetër që ul respektin ndaj të vdekurve, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet". Kurse neni 18 i ligjit Nr.9220, datë 15.4.2004 "Për shërbimin publik" sanksionon në pikën 3 të tij se "të tilla zhvarrime duhet të kryhen në prani të grupit të mjekëve ligjorë, përfaqësues të organeve që e kanë kërkuar zhvarrimin dhe të të ngarkuarit me shërbimin e varrezave". Ndërsa neni 17 i të njëjtit ligj thotë, në pikën 4 të tij se "Kryetari i bashkisë ose komunës lëshon lejet për zhvarrimet e zakonshme nga nëntoka, të cilat kryhen nga ndërmarrja që administron varrezat". Por zhvarrimet në fshatin Panarit nuk janë kryer nga punonjësit e ndërmarrjes që administron varrezat por nga plaka të moshës rreth 70 vjeç, të cilat në mungesë të theksuar të kushteve higjenike kapin pa doreza eshtrat e zbuluara. Në këtë proces kanë marrë pjesë gjithashtu edhe disa banorë të fshatit, që duket se janë të moshës rreth 40-45 vjeç. Pamjet filmike të zhvarrimeve në Panarit të Përmetit janë filmuar nga televizioni grek ET1, që ka përgatitur një dokumentar për çështjen e ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941. Periudha kur janë xhiruar këto pamje nuk saktësohet, sikundër as vendi ekzakt i zhvarrimeve në Panarit. Në mungesë të këtyre fakteve, ngrihen pikëpyetje nëse eshtrat e zhvarrosura dhe të mbështjella me flamurin grek u përkasin me të vërtetë ushtarëve grekë të rënë në këtë zonë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Tre vjet më parë, prokuroria shqiptare ndërmori një hetim të gjerë mbi të ashtuquajturin skandali i Kosinës. Aso kohe u faktua me prova se në këtë fshat të Përmetit u zhvarrosën eshtra fëmijësh, femrash, madje edhe skelete pleqsh nga mosha 60 deri në moshën 80 vjeç, për të cilat u pretendua se iu përkisnin ushtarëve grekë të rënë në këtë zonë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
tedi.blushi@gazetashqiptare.com