E enjte, 24.07.2025, 09:55 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Vritet minoritari, "kërcënon" Greqia e Bollano, tensione ne Himare

E shtune, 14.08.2010, 09:57 PM


Nga Tedi Blushi, Gazeta Shqiptare

 

Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë, me anë të një deklarate për shtyp e ka cilësuar dje të motivuar etnikisht vrasjen në Himarë, të 35-vjeçarit, Aristotel Guma. “Sipas informacioneve zyrtare të ofruara nga policia shqiptare për ambasadën greke në Tiranë, Aristotelis Goumas i moshës 35-vjeçare, është sulmuar për vdekje në zonën e Himarës. Sipas informacionit, dhuna ka qenë e motivuar etnikisht kundër minoritetit grek në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e zëdhënësit të MPJ-së greke, Gregoris Delavekouras. Në reagimin e Athinës zyrtare ngjarja konsiderohet kriminale dhe e papranueshme dhe që për pasojë dëmton marrëdhëniet e mira dypalëshe midis Greqisë dhe Shqipërisë. “I shprehim ngushëllime të sinqerta familjes së viktimës. Akte të tilla kriminale janë të papranueshme dhe kanë për qëllim stimulimin e tensioneve etnike që do të sillnin pasoja të paparashikueshme dhe do të dëmtonin marrëdhëniet midis dy vendeve. Akti duhet të dënohet nga e gjitha shoqëria shqiptare dhe përfaqësuesit e saj politikë”, thuhet në këtë deklaratë. Mandej, në të i bëhet thirrje qeverisë shqiptare “të garantojë funksionimin e drejtësisë, e cila duhet të shërbejë si e vetmja përgjigje për kërkesat legjitime të minoritetit kombëtar grek. Ambasada greke në Tiranë, u kërkoi autoriteteve shqiptare të hetojnë imtësisht ngjarjen gjatë, të cilës është kryer krimi dhe të çojnë përgjegjësit para drejtësisë”, citojmë nga deklarata e Athinës zyrtare. Në të theksohet gjithashtu, se: “Ambasada Greke në Tiranë i kërkoi autoriteteve shqiptare të hetojnë plotësisht kushtet nën të cilat ka ndodhur krimi, të kapë keqbërësit dhe t’i nxjerrë ata para drejtësisë”. Në fund të kësaj deklarate publike, Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë sqaron se: “është duke vëzhguar nga afër dhe në vazhdimësi të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me minoritetin etnik grek në Shqipëri dhe thekson se, qeveria e Shqipërisë përveç detyrimit për të respektuar dhe mbrojtur të drejtat dhe sigurinë e anëtarëve të minoritetit, duhet të zbatojë ligjin konvencional ndërkombëtar dhe acquis communautaire, në të cilin Shqipëria po kërkon të integrohet”, përfundon reagimi i Athinës zyrtare. Banorët e Himarës kanë bllokuar dje për rreth 13 orë aksin kombëtar Vlorë-Sarandë, prej orës 22:00 të mbrëmjes së 12 gushtit. Kjo ndodhi një orë pasi një bashkëqytetar i tyre u gjet i vdekur në dalje të Himarës për në drejtim të Vlorës. Viktima Aristotel Guma, 35 vjeç ka qenë duke udhëtuar me motor kur është përplasur nga një makinë tip “Audi 3” me ngjyrë gri dhe pa targa.

 

Bollano: Provokim ndaj grekëve, s’pranojmë turistë pas 15 gushtit

 

HIMARË- Në orët e mbrëmjes së ditës së djeshme, kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano, i shoqëruar nga kreu i PBDNBJ, deputeti Vangjel Dule, në mjediset e partisë së tyre në Himarë, publikuan një deklaratë lidhur me aksidentin tragjik që ndodhi në hyrje të qytetit të Himarës. Siç u konfirmua, deklarata i drejtohet qeverisë shqiptare dhe popullit shqiptar dhe akti vlerësohet “provokim ndaj himariotëve e komunitetit etnik grek”. Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët pas konferencës, Bollano deklaroi se po shihet mundësia e anulimit të të gjitha prenotimeve të turistëve në zonën e Himarës. Ndërsa në deklaratë thuhet se “PBDNJ dhe Omonia, i luten Zotit të lehtësojë sado pak peshën e dhimbjes së prindërve, motrave e vëllait dhe familjes së të ndjerit Aristotelis Gumas”. Më tej, në deklaratë, jepen dhe motivet e krimit. “Krimi i paprecedent i inspituar nga motivet më të errata, përbën një provokim të rëndë ndaj komunitetit himariot dhe minoritetit etnik grek, si dhe mbarë qytetarëve të arsyeshëm dhe civil të vendit”,- thuhet në deklaratë. Më tej, në komunikatë kërkohen. 1- Veprime të menjëhershme dhe rezultative të drejtësisë me gjithë ashpërsinë e drejtësisë dhe ligjit. 2- Marrja e masave drastike dhe sistematike nga qeveria për tu prerë rrugën një herë e përgjithmonë çdo tentative provokimi të pjesëtarëve të komunitetit tonë, të pjesëtarëve të të minoritetit grek, si dhe cdo qytetari të këtij vendi në lidhje me identitetin apo përkatësinë e tij etnike.

 

_______

 

Janullatosi i hodhi benzinë zjarrit

 

Nga ORGEN HASANBEGA, Gazeta Shqiptare

 

Dua ta nis këtë shkrim duke shprehur ngushëllimin tim për familjen e Aristotel Gumës, i cili humbi jetën në Himarë në një aksident rrugor ndoshta të qëllimshëm. Pas vdekjes së të ndjerit në media shohim se banorët e zonës, të afërm të tij kanë bllokuar rrugën kombëtare Sarandë-Vlorë për orë të tëra, jo një orë, as dy por trembëdhjetë orë, një rrugë të mbingarkuar nga turistët me kombësi shqiptare dhe të huaj. Dhe lajmet vazhdojnë nga ora në orë; policia po negocion për hapjen e rrugës me protestuesit!? Në cilin vend të botës do të bllokohej një rrugë kombëtare në kulmin e turizmit për vdekjen e një personi në aksident rrugor të qëllimshëm ose jo, sikur qoftë larg të kishte ndërruar jetë kryeministri ose Presidenti i atij vendi? Policia jonë fatmirësisht, për raste protestash nuk para negocion me protestuesit cilido qoftë qëllimi i protestës, por këtë herë “shpirtmadhësia” e policisë sonë i ka sjellë një goditje tepër të fortë imazhit të vendit tonë në rajon e botë. Kemi patur raste të tjera protestash të të afërmve të viktimave të ndryshëm, por nuk kemi patur kaq zgjatje dhe durim të tyre dhe të policisë. Ndoshta, jam gabim por mendoj që origjina e viktimës në Himarë, që mendohet se është greke, ka ndikuar në amplifikimin e ngjarjes dhe në “urtësinë” e policisë. Jam i bindur që sikur e njëjta ngjarje të ndodhte në Velipojë, Lezhë, Durrës, Divjakë ose diku tjetër, turistët e atjeshëm nuk do kishin pritur me orë të tëra siç pritën në kryeqytetin e turizmit shqiptar, sado të madh ta kishte fisin dhe fshatin viktima. Dhe lajmet vazhdojnë. Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse dërgon një mesazh publik ngushëllimi për familjen e të ndjerit, ku ndër të tjera thotë se “këto veprime dhune përbëjnë kërcënim të bashkëjetesës paqësore” etj,etj. Me fjalët e tij, Urata kërkon qetësi dhe jo hakmarrje, por ne shohim haptas se ky “pikëllim” i këtij njeriu të zotit nuk bën gjë tjetër veç se hedh benzinë në një zjarr të mbuluar paksa kohët e fundit. Si qytetar shqiptar, dua ta pyes kryepeshkopin grek të Kishës Ortodokse Shqiptare: “që nga fillimi i aktivitetit të tij në vendin tonë, sa herë ka reaguar apo është pikëlluar kur nga atdheu i tij Greqia kanë ardhur me dhjetëra pa e ekzagjeruar mund të them me qindra djem nënash shqiptare të vrarë nga ekstremistë antishqiptarë dhe shumë raste nga policia greke? Në të gjitha rastet autorët e paktë që janë kapur kanë dalë me probleme mendore dhe pas dy a tre muajsh burg janë liruar dhe shumica e vrasjeve të shqiptarëve kanë mbetur pa autorë. Si njeri i Zotit, duhet të kishit shprehur keqardhjen tuaj për ngjarjet e shëmtuara që kanë ndodhur në vendin tuaj kundër emigrantëve shqiptarë qofshin ortodoksë, muslimanë ose ateistë. Nuk ishte krim i rëndë vrasja e të riut Edison Jahja në shtëpinë e tij në Kretë? Po vrasja e Gramoz Palushit, Vullnet Bytyçit dhe e shumë shqiptarëve të pafajshëm nuk meritonte ngushëllimin e njeriut të Zotit??? Prandaj, dyshoj se bllokimi i rrugës nuk është thjesht pikëllimi i familjarëve, por kemi të bëjmë me një përdorim të ngjarjes për motive të tjera. Nuk vonon as reagimi i Athinës zyrtare. Sipas tyre kjo ngjarje cënon marrëdhëniet. Po kur vriten shqiptarët nuk cenohen marrëdhëniet? Nejse, është faji qeverisë sonë që nuk reagon kurrë kur vriten, poshtërohen, dhunohen emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi. Për ngjarjen e ndodhur në Himarë, nuk kemi fakte që viktima është vrarë për motive që thuhen si e folura në greqisht apo tjetër motiv etnik, prandaj duke përfituar nga rasti dua t’ju bëj thirrje të gjithë atyre njerëzve qofshin fetarë, politikë, grekë apo shqiptarë që duan të keqpërdorin këtë rast apo motive të tjera të rëndomta, që ta lenë të prehet i qetë i ndjeri ashtu si Edisoni, Gramozi, Vullneti etj,etj.

*Rreth një vit më parë u vu nën akuzë nga Prokuroria për organizimin e një proteste civile në fshatin Toç të Tepelenës kundër veprimeve anti-shqiptare të Vasil Bollanos dhe Spiro Kserës. Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër vendosi pushimin e çështjes ndaj Hasanbegës, duke e shpallur atë të pafajshëm në datën 16.02.2009

 

__________

 

'Himara', Berisha: Krim i shëmtuar. PS: Paaftësi e qeverisë për rendin

Shekulli

 

Kryeministri Sali Berisha ka thyer heshtjen dhe ka komentuar sot ngjarjen në Himarë. Ai e ka cilësuar atë një krim të shëmtuar, ndërkohë që ka kërkuar zbardhjen e saj nga organet e drejtësisë.

 

Reagimi i tij, ka ardhur i pyetur nga mediat teksa ka qenë duke kryer turin e tij të inaugurimeve në zonën bregdetare.

 

"Vrasja e një njeriu në çdo rast, por me qellim është një krim i shëmtuar dhe i dënueshëm. Motivet, në rast se faktohen ato që thuhen janë edhe më të shëmtuara. Qeveria ka kërkuar dhe kërkon nga organet e rendit që të bëjnë çdo përpjekje për të vendosur autorin kryesor të këtij krimi para drejtësisë. E theksoj edhe një herë, në rast se faktohen motivet që njoftojnë mediat, por edhe njerëz të tjerë kjo e bën këtë krim edhe më mizor. Është një gjest i një fanatizmi të verbër ekstrem"- tha ai, duke sqaruar se shqiptarët e dinë se komuniteti në atë qytet është bilingual dhe jo sot, edhe 100 vjet më parë, por edhe 200 vjet më parë.

 

Sipas Berishës, të përgjigjesh në gjuhën që preferon, të përgjigjesh dhe të ndodh kjo, është shumë e rëndë. "Sidoqoftë, këto do ti hetojë dhe saktësojë drejtësia. Organet e rendit duhet që autorin ta vendosin para ligjit. Unë shfrytëzoj edhe këtë rast, pasi jam lidhur edhe me Kryetarin e Bashkisë dhe i kam përcjellë familjes ngushëllimet, ti shpreh sërish familjes ngushëllimet, sepse është një akt i shëmtuar të vrasësh dikë duke u kthyer në shtëpinë e vetë. Është një akt barbar"- tha ai.

___________

 

PS: Paaftesi e qeverise per garantimin e sigurise

Më herët, ka qenë Partia Socialiste ajo që ka kërkuar reagimin e Berishës, duke bërë përgjegjës për ngjarje të tilla qeverinë dhe institucionet përkatëse që nuk janë të afta që sigurinë rendin dhe qetësinë.

 

Gjatë një komunikimi me mediat, deputetja e PS-së, Ermonela Felaj ka kërkuar reagimin e kryeministrit Berisha për këtë ngjarje të rëndë, e cila sipas saj tregon paaftësinë e shtetit për të ndaluar akte të tilla rrugaçërie.

 

"Qeveria ka humbur tërësisht kontrollin mbi territorin duke i lënë terren krimit rrugaçërisë, është dorëzuar para vrasësve dhe rrugaçëve gjithçfarësh! Denoncojmë me ashpërsi këtë situatë dhe kërkojmë drejtësi të shpejtë, efektive, të bazuar mbi fakte e prova! Dhe me paturpësinë më të madhe Berisha inauguron për të disatën herë copa rrugësh gjysmake, sa herë i teket për not"- tha Fela

 

___________

 

S’ka Himarë a rrugë kombëtare që mund t’ia mbajë gjallë Edvinit ëndrrat për kataklizma

 

Nga Ilir Nikolla

Gazeta 55

 

As prishja e sezonit turistik s’ka ndodhur e humbja e qetësisë nga ana e strukturave policore. Është lexuar vetëm padurimi i një opozite hienash, që s’po di ku të kapet, për të konfirmuar se është ende gjallë

 

Ëndrrat e Edvinit me kataklizma politike po bëhen përherë e më të rënda dhe po konfirmojnë jonormaliteti do të jetë edhe në të ardhmen e afërt një vijë sjelljeje tek opozita. Përpjekja për të shpikur probleme atje ku s’ka, për të cenuar pozicionin e shëndoshë që Shqipëria ka në aleancat ndërkombëtare po bashkëshoqërohet me përdorime të vogla të çfarëdolloj incidenti, në mënyrë që të përdhoset disi sezoni spektakolar turistik i shqiptarëve.

Mediat e Edvinit u ndjenë dje të tradhtuara prej padronit, kur morën vesh për mesazhin që sekretarja e DASH-it i kishte dërguar homologut të saj Ilir Meta, ku konfirmonte edhe nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve. Sapo u shfry tullumbacja e “krizës” që qenkësh përvijuar në marrëdhëniet mes dy vendeve (konfirmuar dje edhe nga vetë kanali televiziv i spekulimit, kur në versionin final të letrës së Filip Gordon, u detyrua të hiqte shtojcat e mëhershme për emërimin e gjykatësve apo pavarësinë e institucioneve), mediat e Edvinit, me një sjellje të mirëfilltë hiene, dalluan problematikën që bartte vrasja e një të riu himarjot pas një grindjeje të ngarkuar me problematikën e marrëdhënieve shqiptaro-greke, dhe nxituan t’i jepnin asaj bash bashin e vendit.

Ato s’u interesuan fare as për sjelljen flagrante haxhiqamiliste e antishtetërore që pasoi incidentin, me bllokimin e rrugës kombëtare, s’u interesuan as për dhunën e ushtruar ndaj grupeve mediatike të pavarura që përcillnin ngjarjen, s’u interesuan as për sjelljen ekzemplare të policisë dhe durimin me të cilën ajo po e përballonte situatën, por u përkujdesën për të rikonfirmuar se në Himarë paska një përplasje me sfond etnik, e se pas prishjes së vitit turistik (e raportuar si një e dhënë e sigurt), do të vinte një sezon tjetër destabilizimi.

Ndërhyrjet pa takt të zëdhënësit të Kishës Ortodokse Shqiptare si dhe të zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë ishin veç të dhëna shtesë që opozita e hienave të ndjente se po i vinte një rast tjetër në dorë, për një kalë beteje që do ta mbante politikisht gjallë, të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme vendore.

Gjithçka do të jepte opozita e hienave për të gjetur një seri të dytë, që të vazhdojë fiaskon e kutive.

Dje në darkë entuziazmi kishte rënë disi, kur u mor vesh se 99 përqind e protagonistëve të incidentit fatkeq që shkaktuan humbjen e jetës së Apostol Gumit, ishin prapa hekurave, e se një hetim i hollësishëm po shoqëronte edhe ndodhinë e turpshme të bllokimit të rrugës, gjatë orëve që pasuan aksidentin. Partia Socialiste nuk guxoi të shprehej formalisht, megjithatë struktura jozyrtare përsëritën se prishja e sezonit turistik tashmë ishte një e dhënë e konfirmuar e se destabilizimi i situatës në Himarë veç do t’i përkeqësonte këto të dhëna. Gjithçka zhvillohet në një rrafsh virtual, krejt njëlloj si palo-kriza në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, krejt njëlloj si rrënimi i financave shtetërore dhe ardhja e stadit

të mospagesës së rrogave...

Gjithçka u ngjan deklaratave inflacioniste të palo-kasandrave të Edvinit, të cilat po flasin aq shumë sa ndonjëra prej broçkullave rrezikon sipas probabilitetit të kryqëzohet me të

vërtetë me të dhëna reale.

Por keqpërdorimi i djeshëm ishte një provë se opozita e hienave është e gatshme që nga dëshpërimi të shkojë larg, të kapërcejë kufijtë e zhvillimit të një opozicioni brenda rregullave. Por dje, ne patëm shembullin se edhe strukturat shtetërore ishin në lartësinë  e duhur për të mos u surprizuar nga këto kapërcime kufijsh e për të shfaqur reagimin proporcional, sipas detyrimit që kanë për zbatimin e rendit kushtetues. Është një mesazh që palo-ideologët e opozitës së hienave duhet të dinë ta lexojnë.

 

____________

 

Pse reagojnë grekët?

 

Nga Mentor Nazarko

 

Ngjarja e Himarës është padyshim një ngjarje e rëndë dhe një shoqëri e drejtë, e ekuilibruar si shoqëria shqiptare e dënon atë. Me siguri brenda shoqërisë sonë gjenden individë që nuk e durojnë dot dikë që i referohet një identiteti etnik tjetër në një zone të diskutueshme si Himara, nëse vrasja tragjike e të riut Aristotel Gumi ka ndodhur për arsyet që raporton media. Megjithatë, kjo shoqëri në tërësi, në shumicën më dërrmuese të mundshme ka treguar se kurrë nuk ka refuzuar dikë që është i ndryshëm, aq më tepër ta eliminojë atë fizikisht, qoftë si individ, qoftë si grup.

Për shumë arsye që lidhen pikërisht me këtë të kaluar tolerance, për këtë dënim, Shqipëria nuk merr leksion nga askush dhe aq më shumë nga Greqia. Në gjykimet e...

 

...mëposhtme, do të konsiderojmë si të mirëqenë opsionin që Greqia, një vend anëtar i Bashkimit Europian, në teori ka të drejtë të reagojë për një vrasje qoftë me sfond ordiner, qoftë me sfond etnik, të ndodhur në një vend tjetër.

Reagimi i zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke në lidhje me ngjarjen e Himarës është tërësisht i shpërpjesëtuar, arrogant, i padobishëm, i pavend dhe me prapavijë politike. Le t' i marrim me radhë.

Është i shpërpjesëtuar, sepse kemi të bëjmë me një incident kriminal të izoluar, që nuk ka rrezik degjenerimi, pasi nuk ka prehistori krimesh masive me këtë lloj sfondi siç e quajti zëdhënësi. Nuk ka precedentë të ngjashëm, ta zëmë si në Greqi, ku më i fundit është rasti i një fshati, ku pavarësisht se shkaktarët e parë të problemit janë ca të rinj shqiptarë, mbi gjithë komunitetin shqiptar atje ka një atmosferë presioni për t'jua bërë jetën skëterrë. Nuk po përmendim as dhunën mesjetare, çnjerëzore, të ushtruar mbi një të ri në një fshat të Kretës, lloj dhune zhdukur nga katalogjet e dhunës moderne.

Reagimi i fundit është arrogant, pasi guxon t'i japë urdhra të gjithë klasës politike shqiptare që dënojë sulmin, etj, etj. Nëse në rastin e krimeve të kryera në Greqi ndaj shqiptarëve, diplomacia jonë ka mbajtur profil të ulët ose me sugjerimin grek ka heshtur, është krejtësisht i shpërpjesëtuar reagimi grek ndaj një akti të veçantë, i cili është krejt i rrallë, në mos unik në tipologjinë e krimeve në Shqipëri.

Reagimi i fundit i diplomacisë greke është i padobishëm, pasi nuk zgjidh gjë dhe thjesht kontribuon seriozisht në ushqimin spiralor të një klime diskutimesh apo debatesh ndarëse në shoqërinë shqiptare. Futja në këtë debat e një faktori të huaj me qasje paternaliste nuk ka efekt qetësues, përkundrazi. Por jemi të bindur se vetëm do të ushqejë debatin dhe asgjë tjetër për të cilën mund të ketë frikë Greqia.

Ky reagim është dhe i pavend. Zëdhënësi i diplomacisë greke flet për krim me sfond etnik, ndërkohë kur të paktën nga shteti shqiptar nuk pranohet zyrtarisht se në Himarë ka minoritet grek. Asnjë shtet nuk mund t'i përcaktojë një shteti tjetër ku ka minoritete, aq më shumë kur administratat e Greqisë së gjysmës së parë të shekullit të 20 i kanë përzënë me gjak të gjithë minoritetet më të rëndësishme në tokën e vet, si shqiptarët, sllavo-maqedonasit, hebrenjtë, duke ua shkulur edhe varret, kishat, xhamitë, teqetë dhe objektet e kultit. Një pakicë shqiptare ortodokse në Greqi ekziston, por nën presionin e vazhdueshëm të një shoqërie dhe shteti të njohur për politikat e hershme asimiluese, nuk e shpall identitetin e vet etnik.

Është akoma më i çuditshëm reagimi i kryepeshkopit Janullatos, i cili megjithëse nuk guxonte të përmendte cilësorin "etnik", në reagimin e vet, prapëseprapë paralajmëronte për rreziqe të mëdha që mund të vinin pas këtij akti kriminal dhe bënte thirrje për gjakftohtësi! Ishte ky një reagim që ngjante si dy pika uji me atë të Ministrisë së Jashtme greke, pa folur për sinkronizimin e tyre. Hirësia e tij, që po sulmohet nga njëri prej figurave më eminente të ortodoksisë shqiptare, si At Foti Cici, për ndryshimet e miratuara pa bujë në statutin e kishës sonë, ndryshime që godasin shqiptarësinë e saj, nuk është parë të reagojë në raste të ngjashme për vrasje emigrantësh në Greqi, dhunë etnike ndaj tyre, etj, etj.

Pse ky reagim grek? Pse kjo njëkohshmëri? Pse kjo çështje mund të "cenojë" marrëdhëniet midis dy vendeve dhe jo ngjarje të tjera të ngjashme që verifikohen në Greqi? Pikërisht, këtu qëndron prapavija politike e këtyre reagimeve. Greqia synon ta shndërrojë këtë çështje në kartë politike ndaj Shqipërisë. Kjo çështje nuk do të shërbejë thjesht për të mbushur me lëndë ankesat e sillogjeve vorioepirote, por është ende herët të supozojmë arsyet e vërteta.  Është për të ardhur keq, megjithatë që një administratë greke si kjo e së majtës së njohur për qëndrimet më realiste ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, të përdorë kështu një ngjarje tragjike, për të cilën ne kemi aftësitë tona të dëshmuara ta dënojmë si duhet.

 



(Vota: 2 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx