Shtesë » Lajme
Anila Dushi & Gjergj Marku: Gjakmarrja vazhdon..
E enjte, 12.08.2010, 09:58 PM
Gjakmarrja vazhdon..
Nga Anila Dushi/Gjergj Marku
I ridalë në skenë pas vitit 1990, fenomeni i trishtë i së kaluarës, që në të vërtetë është deformuar e degjeneruar sa duket si të jetë fenomen i ri, vazhdon të godasë diku me plumba, diku me ngujime, diku me vuajtje. Në statistikat zyrtare të policisë, në çdo analizë njëvjeçare, të bën përshtypje se vitet e fundit, vrasjet për gjakmarrje kanë cilësim më vete.
Më ka ndodhur të jem e pranishme në skena krimi për gjakmarrje, të takoj të ngujuar (ata prej së vërteti pasi ka dhe shumë të tjerë që deklarohen të tillë për qëllime të ndryshme, por realisht nuk janë të ngujuar), të shoh gra që me vështirësi përballojnë jetën se burrat duhet të fshihen nga gjakësi, fëmijë të privuar nga shkolla e gëzimet e moshës pasi kanë frikë nga plumbat.
Ka dhe prej tyre që nuk e durojnë më varfërinë e ngujimin dhe vendosin të dalin duke sfiduar jo gjakësin, por edhe shtetin që nuk i mbron dot. Madje, ka raste kur plumbin e pret me vetëdije të plotë, pasi çon fjalë se do dal, dhe po deshte hajde më vrit, siç ndodhi në dhjetor të 2003 -shit në Shkodër.
Gjakmarrja e ka folenë e saj në veri të vendit, edhe pse krime për gjakmarrje apo hakmarrje ndodhin dhe në zona të tjera. Me ose pa qëllim shpesh ngatërrohet gjakmarrja me hakmarrjen, që në fakt janë të ndryshme. Gjakmarrja është krim me paramendim, ka mundësi të parandalohet po qe se shumë faktorë bashkërendojnë punën me një qëllim të përbashkët e pa përfitime.
Kur ndodh një vrasje, familja e autorit apo dhe fisi i tij nuk
Është e qartë se policia nuk mundet të kontrollojë lëvizjet e gjithë meshkujve të rritur të familjes së viktimës, të cilët mund të vrasin, por nga informacionet që ka, mund të parandalojë vrasje të tilla. Nuk është se kjo nuk ka ndodhur, madje ka raste që persona të përfshirë në gjak në bashkëpunim me policinë kanë mundur të ndalojnë krime të pritshme.
Fenomeni i gjakmarrjes ka ndryshuar nga ai i mëparshmi, pasi ai nuk përjashton fëmijët meshkuj apo dhe femra që nuk është se rrezikohen nga plumbi, por nuk dalin dot të pambrojtura.
Në disa raste ngujohet e merret gjak vetëm tek familja e vrasësit, në të tjerë harta shtrihet më tej. Fëmijët në vitet e fundit nuk janë kursyer nga plumbi i gjaksit dhe raste të tilla në Shkodër ka pasur në vitin 2001, 2002, 2004 , ashtu si nuk kursehen as femrat që rastësisht janë bashkë me të afërmit e tyre meshkuj, dhe vriten edhe ato.
Për gjakmarrjen është folur e vazhdon të flitet, janë mbajtur konferenca mbarëkombëtare e rajonale, tubime e takime edhe të nivelit të lartë, të cilat nuk kanë bërë gjë tjetër vetëm i kanë shtuar publicitetin e padëshiruar këtij fenomeni, i cili fatkeqësisht na identifikon edhe në vendet e tjera.
Mjafton të kujtoj se më ka ndodhur që thuajse çdo vit, gazetarë të huaj të vijnë në Shkodër dhe të kërkojnë ndihmë se duan të bëjnë reportazhe apo dokumentarë për gjakmarrjen. Është për të ardhur keq që shqiptarët shpesh indentifikohen në botë me anët e tyre më të këqija.
Dhe gjakmarrjet vazhdojnë. Shoqatat e pajtimit kujdesen më shumë për projekte e organizim konferencash, shteti edhe kur ndodh të marrë në mbrojtje familjen e autorit, këtë e bën vetëm për 1 apo 2 ditë, njerëzit rrinë indiferentë dhe nuk duan të përfshihen në probleme të tilla, pasi dhe pasojat e prerjes në besë apo mosmbajtjes së fjalës ka pasur raste që kanë qenë të rënda.
Krimi për gjakmarrje ka një dispozitë të veçantë në Kodin Penal shqiptar dhe dënohet me burgim jo më pak se 25 vjet ose burgim të përjetshëm. Duke parë rastet e ndodhura, krimet për gjakmarrje të shqyrtuara nga gjykata,
Gjakmarrja dhe fëmijët
Deri në muajin maj numëroheshin të paktën 52 fëmijë në moshën shkollore të cilët ishin të ngujuar për shkak se familjet e tyre ishin në gjak. Ende nuk ka statistika të sakta në këtë drejtim, gjithsesi qendra e Poliçanit e cila ishte përcaktuar për fëmijët që vuajnë nga gjakmarrja ende nuk është hapur dhe fëmijë të tillë vijojnë të rriten të mbyllur brenda banesave të tyre
*************************************************************
Vrasja kishte ndodhur para viteve '40 dhe dy familjet kishin kohë që komunikonin me njëra-tjetrën, pasi gjaku pretendohej të ishte mbyllur
MIRDITË - Shpagimi i gjakut duket se ka ndenjur gjatë në kokën e një 80-vjeçari nga një fshat i bashkisë Rrëshen, i cili dje me paramendim të plotë, sipas policisë, ka qëlluar mbi një 47-vjeçar duke e vrarë atë me katër plumba pistolete. Shkak për këtë ka qenë një vrasje e rreth 70 viteve më parë, ku stërgjyshi i viktimës ka vrarë gjyshin e autorit.
Ngjarja e rëndë ndodhi afër orës 10:30 pak metra larg autostradës Rrëshen-Kalimash tek një nënkalim i fshatit Gëziq që të çon për në lagjen Shterrë të Ndërfandës së bashkisë Rrëshen, afër një vendi me dushqe ku kishte zënë pritë 80-vjeçari Ndue Gj. Çupi dhe që kur ka parë të kalonte 47-vjeçarin Ndue Lleshi, banor i po këtij fshati, ka qëlluar mbi të me pistoletë duke e lënë të vdekur në vend.
Më pas ai i është drejtuar shtëpisë në lagjen Shterrë, pa u thënë asgjë njerëzve të shtëpisë. Kalimtarë të rastit kanë njoftuar policinë për këtë vrasje, ndërsa uniformat blu janë gjendur menjëherë në vendin e ngarjes.
Ndërkohë, vrasja është mësuar dhe në fshat dhe në familjen Çupi, dhe sipas burimeve nga policia, djemtë e autorit kanë qenë të habitur nga kjo ngjarje e rëndë, ndërsa plaku i shtëpisë, u ka thënë se vrasjen e kishte bërë në emër të një gjaku të para afro 70 viteve.
Më pas njëri prej tyre e ka marrë 80-vjeçarin për krahu dhe e ka nisur në drejtim të vendit të vrasjes, për ta dorëzuar tek policia që po bënte këqyrjen e vendit ku ishte kryer krimi. Djali i tij u ka thënë policëve se vrasjen e kishte kryer i ati, ndaj mund ta merrnin. Edhe i moshuari e ka pohuar vrasjen, si dhe motivin që e kishte çuar deri në këtë akt të pashembullt.
Hasmëria e vjetër
Sipas njerëzve që janë të njohur me këtë histori në mes dy familjeve, kjo vrasje ishte e panevojshme pasi familjet kanë qenë të pajtuara për dekada të tëra. Para vitit 1944 ka ndodhur vrasja e parë nga familja Nikolli, por gjaku është marrë nga familja tjetër pas një muaji,dhe gjithçka u mbyll, madje familjet kaluan në raporte të mira familjare mbështetur dhe në parimet e paqtimit që motivonte dhe Kanuni i Maleve, i cili ishte ligj për malësorët e atyre viteve.
Dhe marrja e gjakut asokohe është bërë pikërisht tek doraci dhe gjithçka është mbyllur dhe familjet kanë pasur marrëdhënie shumë të mira familjare për vite e vite, duke përfituar dhe elemente miqësore siç është kumaria (të bërit nun, kumbar).
Ndaj dhe vrasja e djeshme për fëmijët e 80-vjeçarit ka qenë fare e pajustifikuar. Ata janë shprehur të shtangur kur kanë dëgjuar nga goja e të atit se ai ishte vrasësi i 47-vjeçarit dhe aq më tepër kur si motiv është përmendur gjakmarrja kur diçka e tillë nuk duhej të ekzistonte në mes familjeve. Ndaj ata nuk kanë hezituar ta dorëzojnë të atin e tyre në polici, ndërsa vetë ata, sipas zakonit të hershëm, janë mbyllur brenda.
Hetimet policore
Policia pas arrestimit të 80-vjeçarit dhe marrjes në pyetje të tij nga oficerët e policisë gjyqësore, ku është pohuar autorësia e vrasjes. Mësohet se i moshuari ka deklaruar se kishte kohë që po e bluante në kokë vrasjen dhe se nuk mund ta treste toka nëse nuk do të merrte gjakun.
Ndërkohë është mësuar gjithë mekanizmi i pritës së bërë që në orët e para të mëngjesit, kur 80-vjeçari kishte zënë pritë aty ndanë autostradës derisa ka parë Ndue Lleshin të afrohej aty për të qëlluar mbi të. Ky i fundit është parë në qytetin e Rrëshenit për disa orë në mëngjes, ndërsa është nisur për në shtëpi në fshat.
Por ka hasur në pritën e 80-vjeçarit pa pritur dhe pa kujtuar për t'u gjendur nën breshërinë e plumbave mbi të. Babai i dy fëmijëve, ka punuar për disa vite si furrtar në Rrëshen, ndërsa prej kohësh ishte i papunë.
Policia po heton tërë shkaqet e kësaj vrasjeje e ndërkohë që ka marrë masa për të mos lejuar rëndimin e gjendjes në mes këtyre familjeve që gjenden në të njëjtën lagje. Ndërkaq, policia ka sekuestruar dhe armën e krimit tip pistoletë si dhe gëzhojat e nxjerra nga arma në vendin e ngjarjes.
Duhet shënuar se kjo është vrasja e dytë që kryhet në Rrëshen në harkun e një muaji, njëra prej të cilave ishte vrasja e një të riu pak metra larg komisariatit dhe tjetra në fshatin e sipërpërmendur, ndërkohë që ka dalë në pah rrudhja drastike e policisë në këtë rajon si dhe moseficenca e plotë e strukturave policore për t'i parandaluar këto vrasje që në këtë zonë jo vetëm marrin jetë njerëzish por dhe hapin gjaqe të reja që nuk shuhen lehtë nga kujtesa e banorëve të këtyre anëve, ashtu siç ndodhi me "kujtesën 70-vjeçare" të këtij 80- vjecari.
Familja e autorit largohet nga banesa
Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur mësohet se nga ana e policisë është larguar familja e 80-vjeçarit e cila është dërguar në një vend tjetër. Një gjë e tillë ka ndodhur për shkak se familja Çupi dhe Lleshi janë fqinje me njëra tjetër dhe si rrjedhojë mund të ndodhë ndonjë gjakmarrje e mundshme, sidomos brenda 24 orëve të para të kësaj vrasjeje.
* Autoret Anila Dushi dhe Gjergj Marku jane korrespodente te gazetes Shekulli ne