Shtesë » Lajme
Hoxhallarët “rrëmbejnë” femijët nga spitali
E premte, 06.08.2010, 09:23 PM
Nga Bardhyl Berberi
Dy hoxhallarë së bashku me katër mësues të Kuranit, në orët e vona të ditës së mërkurë kanë “rrëmbyer” nga spitali pediatrik i Korçës 6 fëmijët e helmuar në Voskopojë dhe me një furgon i kanë nisur drejt Elbasanit. Ndërkohë, zbardhet misioni i ekskursionit në Voskopojë të mbi 70 fëmijëve besimtarë të Islamit. Sipas Agim Dukës, Myftiut të Elbasanit, “ai ishte një ekskursion legal, që u organizua nga Myftinia e Elbasanit me djem e vajza të moshës mbi 13 vjeç, besimtarë të Islamit, që gjatë vitit kanë ndjekur kursin e mësimit të Kuranit”. Ndërkohë që prokuroria e Korçës ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe është në pritje të konfirmimit zyrtar të helmimit të 38 fëmijëve në kompleksin “Akademia” në Voskopojë, dje në këtë lokal (që u bllokua pas incidentit) ka vazhduar puna normalisht. Çuditërisht, inspektorët e qendrës sanitare të Korçës, edhe pse konfirmojnë se “për të përcaktuar shkaqet e intoksikimit masiv pritet përgjigja e analizave laboratorike në Tiranë”, kanë deklaruar se ushqimi që kishin konsumuar fëmijët ishte brenda standarteve. Ky deklarim, më tepër sesa konkluzion specialistësh i ngjan një përkujdesjeje për të “larguar” helmimin në lokalin e Voskopojës. Burime zyrtare për “Gazeta Shqiptare” konfirmuan se përgjigja nga laboratori në Tiranë vjen pas tri ditësh. Burime të policisë së Korçës dhe mjekë të Pediatrisë konfirmojnë “nxitimin e klerikëve për të marrë sa më shpejt nxënësit e helmuar nga spitali” dhe përkujdesjen, për ta mbuluar me sa më shumë heshtje atë që ndodhi. Mjeku Luan Belortaja, njëkohësisht shefi i Pediatrisë në spital, rrëfen “rrëmbimin” e 6 të helmuarve të fundit nga spitali në orët e vona të ditës së mërkurë.
Çfarë ndodhi me fëmijët e helmuar gjatë orëve të vona të mbrëmjes së mërkurë?
- Që nga mesdita, ne ishim të gjithë në gatishmëri dhe u afruam ndihmën e duhur mjekësore 38 djemve e vajzave të intoksikuara në Voskopojë. Një pjesë e mirë e kaluan shpejt shqetësimin dhe u lanë të lirë për t’iu bashkuar grupit. Mbetën vetëm 6 prej tyre që ende kishin probleme, por jo shqetësuese për jetën.
Si i “rrëmbyen” 6 fëmijët e fundit nga pavijoni?
- Ishte ora 22:30 e natës. Thashë, edhe 6 fëmijët e fundit e kaluan situatën kritike. Erdhën me ngut dy hoxhallarë nga Elbasani dhe nja 4 të tjerë që thanë se ishin mësues, e pasi u interesuan, këmbëngulën t’i merrnin fëmijët.
Po më pas?
- Fëmijët ishin drejt përmirësimit të plotë. Por, ata këmbëngulën që t’i merrnin në Elbasan të helmuarit e fundit.
Me çfarë u larguan?
Ne bëmë veprimet tona dokumentare sipas ligjit, duke filluar që nga pritja në urgjencë, trajtimin mjekësor, duke evidentuar gjithçka në kartelat përkatëse. Ndërsa për të ikur, 6 fëmijët, dy hoxhallarët dhe 6 pacientët e fundit të intoksikuar, u larguan me një furgon drejt Elbasanit.
Policia dhe Prokuroria e Korçës kanë nisur hetimet për ngjarjen. Ju jeni kontaktuar prej tyre?
- Ata bëjnë punën e tyre, pasi dhe ngjarja nuk qe e lehtë, qe një helmim masiv, e sigurisht shkaqet do të dalin. Ne bëmë punën tonë si mjekë, të shpëtonim fëmijët nga rreziku për jetën dhe të arrinim në një rehabilitim sa më të shpejtë shëndetësor të tyre. Çdo gjë është bërë kolegjialisht, e dokumentuar dhe gjithçka është në dispozicion të drejtësisë, të zbardhjes së të vërtetës.