E hene, 29.04.2024, 02:12 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Zhduket në mënyrë misterioze nga misioni diplomatik shqiptar në Nju Jork një pajisje e rëndësishme

E diele, 19.09.2010, 10:59 AM


Aparati përdorej për informacionin e klasifikuar. Kishte telegrame për Tiranën

 

Nga Gazeta SHQIP

 

Zhduket në mënyrë misterioze nga misioni diplomatik shqiptar në Nju Jork një pajisje e rëndësishme, nga ku komunikohej me Tiranën për informacionet “Top sekret”. Gazeta “Shqip” ka arritur të sigurojë një shkresë zyrtare të firmosur nga ambasadori shqiptar në misionin e përhershëm në OKB, ku theksohet se është zhdukur pa lënë gjurmë një kompjuter i rëndësishëm që përdorej për të transmetuar informacionet e cilësuara “të klasifikuara”. Shkresa mban datën 4 mars të këtij viti. Në krye të kësaj shkrese, që mban lëndën “Ngjarje e pazakontë në mision” dhe i adresohet sekretarit të përgjithshme të Ministrisë së Jashtme, ambasadori Ferit Hoxha thekson: “Sot në mëngjes kam konstatuar që kompjuteri i markës ‘Dell’ e që përdorej për komunikimin e klasifikuar është zhdukur”. Rëndësinë e kësaj ngjarje e jep një pjesë e letrës së ambasadorit, e cila thekson se në këtë kompjuter ndodheshin telegrame drejtuar qendrës, që sipas metodës së punës ishin “sekrete”. Por nuk bëhet e ditur përmbajtja e telegrameve. Për ngjarjen është shkruar shkurt, ndërsa  në paragrafin e dytë sqarohen arsyet se ky skandal nuk mund të zbulohet dhe mund të mbetet në arkivin e mistereve të pazgjidhshme. “Misioni nuk ka kasafortë në gjendje pune dhe kompjuteri gjendej mbi tavolinën e punës në zyrën ngjitur me atë të titullarit, një nga tre zyrat e punës që ka misioni dhe që përdoret për komunikimet dhe ku ka gjithnjë një person gjatë kohës së orarit zyrtar”. Ndërkaq, në pjesën vijuese të letrës që ambasadori Hoxha i dërgon MPJ-së, thekson se “në kushte normale në mision ndiqet një rregull, sipas të cilit një prej nëpunësve është i pranishëm në mision, përveç rasteve shumë të veçanta kur dendësia dhe rëndësia e aktivitetit imponon pamundësinë. Dje pasdite duhej të kishte pasur një person në mision. Nuk ka grafik formal, por një marrëveshje mes kolegësh, sipas ngarkesës së gjithsecilit. Nga shqyrtimi i rrethanave nuk është e qartë se çfarë mund të ketë ndodhur dhe kush mund të jetë autori i një vjedhje të tillë”. Në shkresën që mban siglën “I paklasifikuar” theksohet se situata e sigurisë në misionin shqiptar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara është në gjendje të rëndë. “Misioni nuk është i pajisur me kamera dhe asnjë lloj verifikimi i pavarur nuk është i mundur”. Por gjendja rëndohet duke lexuar në vazhdim këtë shkresë zyrtare, në të cilën bëhet e ditur se kompjuteri i informacioneve sekrete është zhdukur në mënyrë misterioze, ndërkohë që asnjëri prej diplomatëve tanë në Nju Jork nuk ndodheshin në mision! “Asnjë prej nëpunësve të misionit me të cilët kam biseduar në detaje sot (më 4 mars) nuk ka konstatuar ndonjë gjë të veçantë dhe askush prej pjesëtarëve të misionit nuk është në gjendje të japë ndonjë indikacion se çfarë mund të ketë ndodhur. Sipas tyre, kanë qenë pak minuta kur në mënyrë rastësore mund të mos ketë pasur njeri në zyrë”, theksohet në letrën që ambasadori Ferit Hoxha i dërgon Ministrisë së Punëve të Jashtme. Por kreu i selisë sonë pranë OKB-së ka dhënë një pistë të mundshme të grabitjes së kompjuterit, e cila është: “Një person nga jashtë është ngjitur në katin e dytë ku janë zyrat. Dyert e zyrave duhet të kenë qenë të hapura dhe personi, pasi ka konstatuar se në atë moment s’ka njeri, duhet të ketë marrë kompjuterin (lap top) i formatit mini, e që mund të fshihej lehtësisht. Personi është larguar menjëherë pa kontaktuar asnjë person tjetër në mision”. Kompjuteri ruhej me dy fjalëkalime, një kryesor për programin Windows dhe një tjetër për dosjen ku gjendeshin telegramet e fundit të dërguar në Tiranë. Fjalëkalimet njiheshin vetëm nga titullari, ndërsa fjalëkalimi për shifrim dhe deshifrim nuk gjendej në ndonjë vend në kompjuter dhe është i ruajtur në një vend të veçantë. Në kompjuter gjendeshin vetëm 5 telegramet e fundit që janë dërguar në Tiranë nga misioni. Për këtë ngjarje që ka ndodhur në mision nuk është njoftuar as personeli i sigurisë së Pallatit të Qelqtë, por as Departamenti i Policisë së Nju Jorkut. Ambasadori Hoxha e mbyll letrën e tij: “Më duhet të theksoj se kushtet e sigurisë në mision janë absolutisht jashtë çdo norme të mendueshme apo të pranueshme sigurie. Kjo situatë është gjerësisht e njohur nga kushdo që ka hyrë të paktën një herë në mision. Në këto kushte misioni nuk mund të marrë apo dërgojë informacione të klasifikuara”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora