Shtesë » Lajme
Myslimanët, Muça ruan KMSH me policë
E premte, 17.09.2010, 09:29 PM
Nga Gerti Xhaja
Zhvillimet
Nëntë firmëtarët kanë shkuar edhe dje sikurse çdo ditë në zyrat e tyre në Kryesinë e KMSH-së në bulevardin Xhorxh Ë.Bush në Tiranë. Sipas vetë "grupimit" kundër Muçës, ata janë ndaluar nga roja i godinës të futen brenda. Gjatë debateve që kanë kryer me rojën, në hyrjen e kryesisë së KMSH-së ka shkuar fillimisht një patrullë e Komisariatit numër 1 të Policisë së Tiranës. Nëntë firmëtarët kanë qëndruar jashtë në formë proteste, ndërsa policia ka rritur masat në hyrjen e godinës. Aty kishte shkuar edhe zëvendësdrejtori i policisë së Tiranës, Gjergj Jorgo për të vëzhguar zhvillimet e situatës. Fatmirësisht gjatë zhvillimeve nuk janë raportuar përplasje me policinë apo të jetë nevojitur ndërhyrje fizike. Ndërkaq, në sheshin përballë Kryesisë së KMSH-së janë afruar një grup imamësh dhe besimtarësh myslimanë, të cilët mbështetnin Selim Muçën. Mbërritja e imamëve të Tiranës ka "larguar" prej sheshit firmëtarët e pezullimit të Selim Muçës. Gjithsesi, postet në kryesinë e Këshillit të Përgjithshëm të Myftinisë dhe Kryesisë së KMSH-së, lejonin qëndrimin e kundërshtarëve të kryetarit të qëndronin në godinë. Ata kanë qëndruar gjatë pjesës tjetër të ditës në zyrat e Myftinisë në katin e parë.
Selim Muça
Në orën 11:00 të mesditës së djeshme kur kundërshtarët vazhdonin të deklaronin se kishin zgjedhur një kryetar të ri për KMSH-në, Selim Muça, shfaqet në një deklaratë publike në lidhje me krijimin e një Universitetit të Shkencave Islame në Shqipëri. Në lidhje me situatën Muça, është shprehur se "ditën e djeshme (e mërkurë) në institucionin tonë kanë ndodhur disa situata të pakëndshme, por me gjithë tentativën e dështuar për uzurpimin e institucionit, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i është kthyer normalitetit dhe do të vazhdojë të jetë një përfaqësues i denjë i mbarë myslimanëve shqiptarë". Muça është përqendruar te hapja e universitetit që sipas tij do të synojë dhënien e një arsimi të lartë të përshtatshëm me kulturën, traditat dhe karakteristikat e shoqërisë shqiptare, duke mbajtur në bazat e tij, themelet dhe kushtet e besimit dhe fesë islame. Duke shmangur nevojën e studimeve teologjike të të rinjtë shqiptarë në vendet e huaja.