E enjte, 24.07.2025, 08:52 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Përplasje tek muslimanët, shkarkojnë njëri-tjetrin

E enjte, 16.09.2010, 09:21 PM


Nga Gerti Xhaja

 

Përplasje në Komunitetin Musliman Shqiptar. Në dy mbledhje paralele pezullohet; e para pezullon kryetarin e KMSH-së, Hafiz Selim Muça e komandon myftiun Ilir Vokshi, kurse në të dytën, myftiu i Tiranës e Durrësit urdhërohet të lërë Myftininë e kryeqytetit dhe të kthehet në Myftininë e Durrësit. Kundërshtarët e Muçës duken më “të fortë” në vendimmarrje, pasi e kanë lënë kryetarin me vetëm dy aleatë në kryesinë e KMSH-së dhe kryesinë e Këshillit të Përgjithshëm të Myftinjve. Në fakt, vendimi për pezullimin e kryetarit Muça është firmosur nga 8 anëtarë të dy kryesive të mbledhur në një mbledhje të përbashkët dhe që sipas kryetarit të komanduar në mbledhjen e djeshme, vetëm 3 persona nuk e kanë firmosur vendimin dhe njëri prej këtyre është vetë Muça. Ilir Vokshi, myftiu që drejtoi edhe faljen e Fiter Bajramit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ka sqaruar për Gazetën motivet që shtynë në realizimin e një mbledhjeje të tillë dhe arsyet pse Selim Muça nuk duhet të jetë më kryetar i KMSH-së. 
Pse kjo mbledhje dhe pse pikërisht për shkarkimin e kryetarit Selim Muça? 
Zhvillimet erdhën për shkak të mosfunksionimit dhe daljen jashtë kontrollit të KMSH-së, dhe në veçanti të kryesisë, e cila u përball me fenomenet dhe incidentet e përsëritura në aspekte të ndryshme. Kryesia nuk mori asnjë iniciativë për t’u mbledhur dhe për të dalë me vendimet e duhura. Ky mosfunksionim i adresohet paaftësisë në menaxhimin dhe administrimin e Selim Muçës, që për më se një vit e ka atakuar veprimtarinë e KMSH-së dhe ka përfaqësuar një situatë të dobët përfaqësimi. 
Ku rezulton dobësia e vendimmarrjes së Muçës? 
Menaxhim i dobët i incidentit të myftiut të Lushnjës, i cili akuzohej për transferta parash të padeklaruara. Krijimi i lidhjes së hoxhallarëve të Shqipërisë me iniciativë të disa imamëve dhe që në fakt, kanë krijuar një institucion paralel me KMSH-në. Muça nuk luajti një rol për unifikimin e besimtarëve muslimanë dhe injorimin e një strukture tjetër paralele. Po kështu edhe incidenti me imamin e Cërrikut, i cili ndryshon me kokën e tij ditën e festimit të Fiter Bajramit, dhe për këtë nuk ka pasur asnjë reagim nga kryetari. Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm kërkoi masa, por ata i kanë dalë në mbrojtje dhe s’kanë votuar në favor. Organizimi i iftarëve nga imamët e Tiranës pa njoftuar në kryesi ishte një tjetër shkelje që u aprovua nga Selim Muça, që bëri edhe hapjen e këtij aktiviteti. Kjo ishte situatë kaotike që na çoi në thirrjen e mbledhjeve gjatë Ramazanit, para dhe pas Fiter Bajramit. 
Në faqen zyrtare të KMSH-së nuk është e shënuar kjo mbledhje dhe vendimet e saj? 
Lajmërimet në faqe janë bërë nga drejtori i Burimeve Njerëzore në KMSH, i cili ishte shkarkuar para Bajramit. 
Cilat ishin vendimet që u morën në mbledhjen e dy kryesive? 
Vendimi më i rëndësishëm ishte pezullimi i Selim Muçës nga kryetar dhe komandimi i kryetarit të Këshillit të Përgjithshëm të Myftinisë në postin e kreut të KMSH-së deri në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm për zgjedhje të reja. 
Si u zhvillua mbledhja? 
Ne vumë në dijeni kryetarin Selim Muça para se të niste mbledhja, për të qenë i pranishëm. Ai na injoroi, ndërsa gjatë zhvillimit të mbledhjes ka hyrë duke na kërcënuar dhe duke thënë se do na çonte në polici. Mbledhja u zhvillua e rregullt, madje pati edhe myftinj dhe përfaqësues të KMSH-së si vëzhgues.
----------------------------------------------

Muça: Vendime ilegale, vazhdoj të jem kryetar

 

Gazeta Shqiptare,16/09/2010 

 

 

 

Gerti Xhaja

Do të vazhdoj detyrën time, pavarësisht presioneve dhe tentativave për të paralizuar punën e institucionit”. Kështu është shprehur dje kryetari i Komunitetit Musliman Shqiptar, lidhur me një njoftim për shkarkimin e tij në një mbledhje të kryesive. Selim Muça ka vijuar të qëndronte në zyrën e tij gjatë gjithë pasdites së djeshme. Në faqen zyrtare të KMSH-së janë shënuar edhe disa vendime të marra dje nga kryesia dhe që nuk kanë asnjë lidhje me mbledhjen që e deklaroi të pezulluar kryetarin Muça. Në vendimet e faqes bie në sy rikthimi i myftiut Ilir Vokshi në Myftininë e Durrësit, duke i hequr Myftininë e Tiranës. “Personat janë mbledhur ilegalisht dhe morën vendime antistatutore dhe antiligjore”, - ka thënë kryetari në detyrë i KMSH-së, Hafiz Selim Muça, i cili ka “kërcënuar” me masa ndaj tyre. “Nuk do e braktis detyrën time”, - ka thënë Muça i vendosur për të mos hequr dorë nga drejtimi i KMSH-së. Muça ka shpjeguar versionin e tij për mbledhjen që deklaroi pezullimin, si dhe për marrëdhëniet me bashkëpunëtorët në KMSH. 
Çfarë mund të na thoni për mbledhjen e zhvilluar, në fund të së cilës kërkohet pezullimi juaj? 
Nuk kam marrë pjesë në këtë mbledhje, e cila është kryekëput jashtë rregullave dhe statutit. Pjesëmarrësit janë të gënjyer nga organizatorët dhe nuk kishin dijeni për sa do ndodhte në atë mbledhje. 
Në mbledhje deklarohet se janë marrë firmat e duhura për të deklaruar pezullimin tuaj nga detyra, ju do e dorëzoni këtë post? 
I vetmi institucion që mund të marrë një vendim të tillë është Këshilli i Përgjithshëm i Myftinisë. Në mungesë të një mbledhjeje të këtillë nuk mund të kërkohet shkarkimi i kryetarit, veç rasteve të ndonjë krimi në flagrancë. Unë kam një mandat 5-vjeçar si kryetar, nga i cili kam kryer vetëm çerekun. 
Po për sa u përket akuzave për neglizhencë? 
Nuk është e vërtetë, në rastin e myftiut të Lushnjës është dhënë masa e pezullimit nga detyra fill pasi u mësua incidenti dhe diskutimi me vendim të plotë ishte thjesht çështje kohe që në mbledhjen e parë. Për sa i përket Lidhjes së Hoxhallarëve, unë e kam ngritur vetë si problematikë në pranverë dhe nuk e kuptoj pse u la kaq kohë në heshtje për t’u kujtuar tani. Madje, personat që na akuzojnë për neglizhencë, kanë gati 3 javë që bëjnë vetëm zhurmë, duke mos na lënë të organizojmë asnjë mbledhje.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx