E merkure, 30.04.2025, 04:00 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Gjon Neçaj: Një ditë në Valbonën turistike mes bukurive natyrore

E hene, 21.06.2010, 09:58 PM


 

NJË DITË NË VALBONËN TURISTIKE MES BUKURIVE NATYRORE

 

Nga Gjon Neçaj

 

Ditë e  shtunë mesqershori, e ne morëm rrugën grykës së Dragobisë,kah Valbona,e cila kohët e fundit ka hyrë në guidat turistike,si një oaz lakmues për turistët mes bjeshkëve në Alpet e veriut.Këtej shtrihet edhe eposi i kreshnikëve.Në hyrje të fshatit Klisyrë,mbeti njëri prej 7 Omerëve të Mujit, e Ajkuna nemi bjeshkët për varrin e pagjetur.

Lugina e Valbonës ,përgjatë së cilës gjarpëron paralel lumi me të njëtin emër,me pamjen e një kanioni,ku zgjerimin e parë e bën në Klisyrë,e ku degëzohet rruga këmbësore që lidh fshatin e Bradozhnicës.Në të majtë shtrihet Shpaniku,shpellë karstike,që në periudhë shirash ose të shkrirjes së dëborës në pranverë,ka prurje ujore sa të lumit Valbona.

Nga hyrja në kanionin e Shoshanit e deri në Valbonë, ( fshati që ka marrë emrin e lumit Valbona),udhëtimi kalon nepërmjet luginës së ngushtë,në të dy anët e së cilës ka shpate malesh shkëmbore,pyje ahu e bredhi,duke u shpalosur pamje të mahnitshme që zevendësojnë njëra tjetrën përgjatë rrugës automobilistike që gjarpëron luginës.

E në njëren prej Shtatë Grykave shtrihet Dragobia,mes maleve,në rrjedhën e sipërme të lumit Valbona.Fshati Dragobi shfaqet me mbi 20 kulla karakteristike prej guri deri 200 vjeçare,me ujëvarën që rrjedh pingul nga shpati i malit.Shtëpitë karakteristike prej guri,me çati të pjerrëta,e ruajnë akoma konstruktin tradicional të krahinës.ndonëse është mesqershori dhe dielli lëshon rrezet e mesditës,fryn një erë e freskët , e cila luhat degët e lisave të moçëm.Një peisazh nga më të rrallët e Shqipërisë veriore,ku malet janë thikë drejt qiellit,thua bien mbi kokat tona.E këto janë vargmalet e Bjeshkëve të Nemuna.

Udhëtimi i fundmë është Valbona,Fusha e Gjesë…Fshati mahnitës turistik shtrihet  25 km larg nga Bajram Curri , i ndodhur 900 m mbi nivelin e detit me 300 banorë,kurse gjatë verës dyfishohet e trefishohet pasi banorët kthehen në kullat e tyre,ku ndiejnë gurgullimat e zgurmshme të lumit,thithin ajrin e pastër të vendlindjes,sodisin gjelbërimin,majat e maleve të thepisura që rrethojnë luginën në formën e një hauzi madh…Lugina e Valbonës shtrihet në lindje të masivit malor të bjeshkëve të Tropojës,duke nisur nga qafa e Valbonës në perëndim e përfundon  në luginën e Drinit,në jugperëndim.Karakteristikë e lumit Valbona është se fill pas burimit fluturon në një ujëvarë mbi 50 m lartësi,humbet në zallishten e Rrogamit 5 km dhe riburon në fshatin Valbonë.herë e qetë,herë e zhurrmshme,e zbret përgjatë luginës,për t’u shtruar përfundimisht  pas kamnionit të Shtrenjtit.Gjatësia e saj është 51 km deri në lumin Drin,e kjo është zona turistike më e vizituar në Tropojë e në krejt Alpet shqiptare pas luginës së Thethit.

Në Kika,në të djathtë ndahet rruga automobilistike e Çeremit,fshat që shtrihet 1800 m lartësi,e në të majtë,në mes pyllit  me ah e pisha,ndodhet shpella e Dragobisë,ku njihet në histori si shpella e Bacë Bajramit.E prej këtu fillon fshati Valbonë.

Valbona ka 40 shtëpi tip alpin dhe shtrihet nga Kikat deri afër Fushës së Gjësë.Ajo ciklohet nga maja që bien pingul mbi luginë, e në qendër të fshatit lugina merr hark në drejtim të jugperëndimit.Kjo paraqet pamjen e një zallishteje të pyllëzuar.Djathtas shtrihen 30 shtëpitë e fshatit Rrogam,nga Fusha e Gjësë deri te ujëvara e Valbonës me ambiente për pushim e argëtim dhe pamje mahnitëse.

 

Banorët tashmë e kanë kuptuar se turizmi malor me krijimin e mundësive në infrastrukturë,është një mrekulli që u ka dhuruar natyra e që duhet shfrytëzuar për të siguruar të ardhura ,thotë për “Shekullin” Lulash Zefi,banor i Rrogamit të Shalës.Çdo vit  numri i vizitorëve vendas dhe të huaj ka pësuar rritje.Shtëpitë e banorëve  janë të hapura për “mysafirët”,siç dëshirojnë t’i quajnë turistë dhe vizitorët, banorët vendasi.Tashmë  kullat janë restauruar dhe akomodohen  vizitorët  e shumtë që shkelin Valbonën në këto ditë të nxehta qershori.

Gastronomia në Valbonë është tradicionale: mish keci,qingji në hell ( ferlig ),troftë Valbone,çorbë,gjizë me speca djegës,qumësht ,mjaltë dhe djathë deleje,mjaltë,maze,bukë misri ( leqenik),kos të kulluar dhe fli,pra janë të gjitha produkte biologjike të zones.Me gjithë bukuritë natyrore,turistët vendas dhe të huaj mbeten të zhgënjyer nga infrastruktura,ndonëse rruga vazhdon të ristruktorhet,por me ritme të ngadalta, e automjetet tip vetura kanë vështirësi të depërtojnë nepër aksin rrugor tepër të amortizuar.Edhe ushqimet ,kryesisht për vendasit janë të larta,sidomos sallatrat,ferligu,flija ( e cila shitet 2500 lekë ),turshitë e deri te kafeja turke dhe pijet .Akomodimi ka ndryshuar dhe banesat janë përshtatur kushteve bashkëkohore.

Banorët që sapo kanë marrë nismën e mundësimit të turizmit familjar,kërkojnë t’u jepet kredi nga shteti për restaurimin e banesave kundrejt projekteve që kanë paraqitur pranë organeve vendore.Krahas infrastructurës,edhe energjia elektrike është e pamjaftueshme dhe me ndërprerje.Për arsye të mungesës së antenave të telefonisë celulare,nuk vijnë valet e asnjë telefoni celular,pa përmendur internetin që nuk funksionon.Organet e qeverisjes vendore,thonë banorët,duhet të marrin masa për përforcuesin televiziv dhe telefonik,pasi edhe sinjali televiziv është i dobtë.

Në shpatet e thepisura të maleve të Kollatës,majës së Bardhë bora qëndron përjetësisht si një qeleshe e bardhë mbi kokën e malësorit,ndërsa ujëvara e Rrogamit pranë fshatit Valbonë,ku buron lumi me të njejtin emër,ku prindërit nxitojnë t’I pagëzojnë vajzat e bulkura kur lindin,është një sfidë për çdo alpinist profesionist.

Valbona është një mrekulli.Banorët e saj janë vëllezërit e Omerit që tash njëmijë vjet motra e tyre kërkon varrin e pagjetur bjeshkëve të Zhaborres e Grykave të Hapuna…

Kjo është Valbona me banorët e saj zemërmirë dhe bujarë,si vetë bjeshkët kreshtëbardha,tashmë të braktisura,veçse  ndoshta një ditë do ta popullojnë vendlindjen si dikur motit.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx