Speciale
Milazim Kadriu: Përkujtohen të ekzekutuarit e familjeve Duriqi, Bogujevci ...
E hene, 29.03.2010, 09:59 PM
Lapidari te varrezat e familjes Duriçi
Në 11 vjetorin e masakrës së 28 marsit 1999 në Besianë
Saranda Bogujevci
Përkujtohen të ekzekutuarit e familjeve Duriqi, Bogujevci ...
Nga Milazim KADRIU
Në Besianë (Podujevë) u përkujtua masakra e 28 marsit të vitit 1999 që u bë nga paramilitarët serb ndaj familjes Duriqi, Bogujevci... Edhe një herë u përkujtua dhembja e madhe të pranverës së vitit 1999, e mbytur në tmerret, vajet e fëmijëve, klithjet e nënave dhe lotët e pashtershëm të shumë familjeve shqiptare në Llap e Kosovë. Një ngjarje për një jetë që vazhdon të ribëhet dhe të bëhet bashkë me dhembjen e natyrshme, mallin për fëmijët dhe prindërit... Kështu në 11 vjetorin e masakrës serbe mbi civil shqiptarë në Besianë kur u ekzekutuan disa qytetarë, u përkujtuan nga familjarët dhe qytetarët tjerë të Besianës. 11 vite më parë, pjesëtarë të njësisë speciale të forcave paramilitare serbe të njohur me emrin, "Shkorpionët" në oborrin e shtëpisë së Halim Gashit, në afërsi të stacionit të policisë në Besianë në ditën e tretë të bombardimeve të pozicioneve serbe nga ana e NATO-së, ditën e festës fetare të Bajramit kanë ekzekutuar pa gjyq paraprak në Besianë civil të pafajshëm shqiptarë.
Më 28 mars 1999, në oborrin e shtëpisë së Halim Gashit nga Podujeva u vranë 14 njerëz, për një kohë të shkurtër e në të njëjtin vend. Familja Bogujevci humbën anëtarët e familjes: Shehiden (67), Shefkaten (43), Salën (39), fëmijët: Norën (15), Shpendin (13) dhe Shpëtimin (15), kurse nga familja Duriqi u vranë: Hamdiu (71), Isma (65), Fitnetja (36), Dafina (10), Arbëri (8), Mimoza (5) dhe Albioni (2). Bashkë me këto dy familje u vranë edhe Nefise Llugaliu (54) dhe Fezdrie Llugaliu (21). Në një lokal afër u vranë edhe Selman Gashi dhe Idriz e Selim Tahiri (babë e birë nga Dumnica ). Ndërsa kësaj masakre i kanë shpëtuar pesë fëmijë të familjes Bogujefci. Nga 19 civilët, sa ishin mbështetur për muri në shtëpinë e Halim Gashit, kryesisht gra e fëmijë (më i riu fëmija dyvjeçar), masakrës i mbijetuan pesë fëmijë të familjes Bogujevci, Jehona, Saranda, Liria, Genci dhe Fatosi të cilët pas përfundimit të luftës në Kosovë u dërguan për shërim në Manchester të Anglisë ku ndodhen edhe aktualisht. Njëra nga fëmijët e mbijetuar është Saranda Bogujefci që asokohe ishte 13 vjeç, ishte qëlluar me 16 plumba në këmbën e djathtë dhe dorën e majtë, nga gjithsej 97 gëzhoja plumbash sa u gjetën në vendin e ngjarjes.
Përvjetorët e përkujtimeve gjithmonë sjellin dhembje e mall për më të dashurit. Mirëpo kujtesa për asnjë moment nuk duhet të na ligështojë, por bashkërisht të punojmë në të mirë të qytetarëve, sepse kështu nderojmë edhe kujtimin për fëmijët, nënat, baballarët, motrat dhe vëllezërit që na i vranë. Andaj dhembjen e natyrshme ta shndërrojnë në përpjekje të përbashkëta për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për fëmijët e Llapit dhe tërë Kosovës. Me familjet Bogujevci e Duriqi dhe të gjitha familjet e viktimave civile dhe familjet e dëshmorëve dhe invalidëve, duhet të kemi të gjithë mirëkuptim dhe takime jo vetëm në raste përkujtimi a përvjetorësh. Edhe në këto raste nuk duhet harruar që të falënderojmë miqtë nga Mançesteri i Anglisë që janë përkujdesur për familjen Bogujevci dhe sidomos për fëmijët e mbijetuar që u janë nënshtruar tretmanit mjekësor. Pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, familja Bogujevci me ndihmën e mjekut Dejvid Vasallo qe transferuar në Angli për të vazhduar tretmanin mjekësor të fëmijëve të mbijetuar. Tashmë ata atje kanë filluar një jetë të re. Ndërsa për nderë të tyre me iniciativën e OJQ "MAK" në Besianë është ndërtua Parku i Paqes së Manqesterit, ku janë mbëltuar lloj-lloj drunjtësh dekorativ dhe lule të shumta.
Më vonë në
U EKZEKUTUAN NJË NGA NJË
Pranvera erdhi
Lulet nuk lulëzuan
Si të lulëzonin
Kokën shovinistët ua shkurtuan.
28 mars 1999
Ditë që s’harrohet assesi
Anëtarë të katër-pesë familjeve
U ekzekutuan një nga një.
Në rresht burrat, gra e fëmijë
Ekzekutoheshin nga barbarët e zi
Dafina, Arbëri, Mimoza…
Dhe dyvjeçari Albioni.
Në këtë ditë të kobshme
Që ndodhi në Besianë
S’do të harrohet ndër brezni
U ekzekutuan gra, pleq e fëmijë.
Shpëtoi Saranda 13 vjeçare,
16 plumba i ranë
Edhe Fatosi, Jehona, Liria dhe Genci
Vdekjes i shpëtuan.
Ç’ faj pati Albioni
Ai ishte vetëm dyvjeçar
Ende s’dinte të flasë mirë
E ekzekutuan ata barbar.
Gjaku i njomë i tij
Tokën e ka skuqur
Aty tani mbin një lule
Me kurorë të bukur.
Se kërkonin liri
Por atë ditë në Besianë
U ekzekutuan gra, pleq e fëmijë.
Lapidari te varrezat e familjes Bogujevci