E diele, 28.04.2024, 08:21 PM (GMT+1)

Mendime

Eshref Ymeri: Ka shumë të drejtë zoti ambasador

E diele, 07.02.2010, 09:56 PM


Ka shumë të drejtë zoti ambasador

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri
eymeri@yahoo.com  

Lexova me shumë interes artikullin me titull “Zëri i kolegëve të huaj ambasadorë në Tiranë” të zotit Zef Mazi, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Republikën e Irlandës, të botuar  në“Panorama” (30 dhjetor 2009), në “Fjala e Lirë” (31 dhjetor 2009) dhe në “Albanian Mail” (08 janar 2010). Artikulli përshkohet fund e krye nga një etikë e admirueshme diplomatike. Prandaj, edhe çdokënd që ndodhet jashtë sferës së diplomacisë apo të politikës, e vë në mendime të thella. Madje edhe një lexues të thjeshtë. Dhe kjo ka arsyet e veta. Të gjithë e dimë se në kohën e sistemit komunist, ambasadorëve të huaj në Tiranë fytyrën ua shikonim veç kur dorëzonin letrat kredenciale ose kur bëhej kremtimi i festave kombëtare të vendeve të tyre. Por, me vendosjen e sitemit pluralist, natyra e punës së ambasadorëve të huaj në vendin tonë erdhi e mori një tjetër pamje. Daljet e tyre shumë të shpeshta nëpër konferenca shtypi, takimet me politikanë të të gjitha ngjyrave, por kryesisht të krahut të majtë, ndërhyrjet në probleme nga më të ndryshmet në jetën e mbarë popullit, pjesëmarrjet në përurime objektesh të gjithfarëllojshme etj. janë bërë kaq të shpeshta, saqë qytetarit të thjeshtë herë-herë i krijohet përshtypja sikur në këtë mes kemi të bëjmë jo me ambasadorë, por me ca këshilltarë apo specialistë të huaj që kanë ardhur për të dhënë ndihmë të drejtpërdrejtë në vendin tonë. Duke u marrë me kësisoj veprimtarish, ambasadorët e huaj vijnë e i largohen karakterit të misionit të tyre diplomatik dhe, vetvetiu, fillojnë të shndërrohen në objekt bisedash, humori, anekdotash, madje edhe thashethemesh.
       Një problem kyç për mbarë vendin tonë gjatë këtyre gati njëzet vjetëve, ka qenë dhe vazhdon të mbetet ai i kodit zgjedhor. Të gjitha kodet zgjedhore, të diskutuara dhe të aprovuara deri tani, kanë kaluar nëpër duart e të gjithë misionarëve të Bashkimit Evropian, të cilët, në njërën ose tjetrën mënyrë, mund të vlerësohen edhe si ambasadorë të tij në këtë lloj sfere të veprimtarisë. Por megjithatë, çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë ka të drejtë të shtrojë një pyetje të thjeshtë: si është e mundur që sa mbaron një palë zgjedhje, kodi i mëparshëm zgjedhor del jashtë përdorimit dhe për zgjedhjet që pasojnë lind nevoja e hartimit të një tjetër kodi zgjedhor? Kësisoj ky kodi zgjedhor në vendin tonë ka ardhur e është shndërruar në “perin e Penellopës”, pikërisht me bekimin e këtyre misionarëve-ambasadorë të Bashkimit Evropian.
       Meqenëse vetë nuk i përkas as sferës së diplomacisë dhe as sferës së politikës, besoj se më lejohet të sjell ca fakte konkrete nga sfera e veprimtarisë së ca ambasadorëve të huaj gjatë kohës së qëndrimit në vendin tonë.
       Fakti i parë: Një javë pas përfundimit të zgjedhjeve vendore të 12 tetorit 2003,  shefi i zyrës së ODIHR-it në Tiranë, zoti Robert Berry, më 20 tetor 2003 dha një konferencë shtypi në mjediset e Hotelit “Rogner”, ku ai iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve. Pyetjes së një gazetareje se si i vlerësonte ai zgjedhjet në fjalë, zoti  Berry, pasi u rrëgjua paksa në ndenjësen ku ishte ulur dhe duke dashur që të bënte një vlerësim “pozitiv” të tyre, pa harruar të vinte në dukje edhe ndonjë të metë, tha: “Mendoj se këto zgjedhje, po të citojmë titullin e një vepre të Leninit, mund të themi se ishin dy hapa para, një hap mbrapa”.  
       Kjo përgjigje e papërgjegjshme e këtij nëpunësi të lartë të Evropës, e këtij  “kryeambasadori” të ODIHR-it, të bën të shtrosh disa pyetje: 1. Zoti Berry a e kishte nivelin e duhur kulturor në krye të ODIHR-it?  2. Në qoftë se zoti Berry e kishte nivelin e duhur kulturor, atëherë pse tallej me shqiptarët me përgjigjen që dha?  3. Në qoftë se zoti Berry nuk e kishte nivelin e duhur kulturor, atëherë pse kishte pranuar të vihej në krye të ODIHR-it? Se kësisoj vinte ai në pozitë të vështirë Bashkimin Evropian, duke zbuluar mungesën e seriozitetit të tij në qëndrimin ndaj Shqipërisë në komandimin drejt Tiranës të “kuadrove” me përgatitje kulturore gjysmake?!
       Po pse e quaj përgjigjen e zotit Berry të papërgjegjshme dhe pse i shtrova tri pyetjet e mësipërme?
       Sepse deri më sot askush nuk e di se ekzistuaka ndonjë vepër e Leninit me titull “Dy hapa para, një hap mbrapa”. Ekziston një vepër e Leninit me titull “Një hap para, dy hapa mbrapa”, por jo me titull “Dy hapa para, një hap mbrapa”, siç kërkonte të bënte shaka me shqiptarët zoti Berry në mjediset e Hotelit “Rogner”. Për fatkeqësinë e gazetarëve të pranishëm , asnjëri prej tyre nuk e dinte se ekziston një vepër e Leninit me titull “Një hap para, dy hapa mbrapa” dhe prandaj ishte e pamundur që ndokush të ngrihej e ta kundërshtonte zotin Berry duke, i thënë: “More zotëri i ardhur nga Bashkimi Evropian! Çfarë po flisni? Ne s’dimë që Lenini të ketë shkruar ndonjë vepër me këtë titull që po na citoni ju! Titulli i veprës së Leninit është “Një hap para, dy hapa mbrapa”. Por, fatkeqësisht, brezi i gazetarëve tanë të rinj ka një horizont kulturor me të vërtetë të palakmueshëm, prandaj edhe diplomatët e huaj s’e kanë për gjë t’i bëjnë objekt të qesëndive të tyre sa herë t’u teket. Se atë ditë, në konferencën e shtypit të zotit Robert Berry, po të ndodhej ndonjë gazetar me horizont të gjerë kulturor, me siguri që do të kishte mundur të nxirrte në shesh se cila ishte e vërteta: ose zoti Berry bënte shaka me gazetarët shqiptarë dhe me procesin zgjedhor në Shqipëri, ose ai vetë ishte gjysmak dhe i thoshte këmbës dorë kur citonte titullin e veprës së Leninit! Por në qoftë se zoti Berry ka dashur të bënte me të vërtetë një shaka në intervistën e tij në Hotel “Rogner”, kjo nuk do të thotë se ai nuk duhej t’u thoshte të vërtetën gazetarëve të pranishëm.  
“Shakatë e mia, - thotë Bernard Shou, -përmblidhen në faktin se unë njerëzve u them të vërtetën. Kjo është shakaja më e lezetshme në botë”. Sa do të kishim pasur dëshirë që  ajo shakaja e zotit Berry gjatë përcjelljes të “së vërtetës”, t’u ngjante sadopak shakave të Bernard Shout. 
Tani hajde të vrasësh  mendjen e ta zbulosh se cila është e vërteta në këtë mes: ose zoti Berry kishte një formim të mangët kulturor, ose ai ka bërë një shaka të hidhur me gazetarët shqiptarë. Se, po të hamendësojmë të kundërtën, ai duhej t’u thoshte gazetarëve: “Mendoj se këto zgjedhje, po ta citojmë ndryshe titullin e veprës së Leninit, mund të themi se ishin dy hapa para, një hap mbrapa”
       Ajo “shakaja” e zotit Robert Berry me gazetaren që i shtroi pyetjen e mësipërme, me të gjithë gazetarët e pranishëm dhe, përgjithësisht, me mbarë procesin zgjedhor të 12 tetorit 2003 në Shqipëri, dy ditë më vonë u bë objekt humori edhe nga dy humoristët e emisionit “Fiks fare”. Por edhe nga humori i tyre nuk u mor vesh nëse zoti Robert Berry tallej me shqiptarët, duke cituar titullin e një vepre të paqenë të Leninit, ose ai vetë kishte një formim gjysmak  dhe kërkonte t’ua shiste shqiptarëve shkumën për ajkë! Ç’e do! Humoristët e “Fiksit”, sikur ta dinin se cili është titulli i vërtetë i veprës së Leninit, me  siguri që do të kishin arsye edhe shumë më të forta për ta bërë satirën edhe më therëse në adresë të zotit Robert Berry!
       Fakti i dytë: Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, zoti Lutz Salzman, në një intervistë që dha për gazetarët më 5 gusht 2004 tha se “qeveria nuk po çon para drejtësisë të korruptuarit, ndërsa paralajmëroi se nëse nuk do të ketë zgjedhje të lira e të ndershme, nuk do të ketë firmosje të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në në vitin e ardhshëm”. Madje ai deklaroi:“I dimë politikanët e korruptuar” (Gazeta Shqiptare, 6 gusht 2004, f.4).
       Çudi! Bashkimi Evropian e paska ditur se kush paskan qenë politikanët e korruptuar, por jo vetëm që emrat nuk ua përmendkej, por nuk ndërmerrkej as sanksione kundër qeverisë shqiptare që s’kishte marrë masa për ndjekjen e tyre penale!
       Tani lind pyetja: ku synonte të dilte ambasadori Salzman kur deklaronte se i dinte politikanët e korruptuar dhe çfarë qëllimi kërkonte të arrinte? Mos vallë donte të bëhej i pëlqyeshëm për publikun shqiptar dhe deklarata e tij për një të vërtetë të hidhur që ai po e bënte publike  të bëhej e kuptueshme për këtë publik?
       Mendoj se ambasadori Mazi, me shumë të drejtë, bën një vlerësim me vlera fort përgjithësuese  për një rast të tillë në qëndrimin e ambasadorëve të huaj në Tiranë. Ai thotë:“?shtë mirë për diplomatët kur ata pëlqehen. Kjo ua lehtëson punën, u jep akses te funksionarët dhe zyrtarët në vendet ku janë akredituar, dhe i bën jehonë reputacionit të tyre (u shton pikët, si thuhet) në kryeqytetet e tyre. E rëndësishme në këtëprofesion është që të jesh i besueshëm, jo i pëlqyeshëm”.  
Një përcaktim ky bukur i shkëlqyer:ambasadorët e huaj në Tiranë duhet të jenë të besueshëm, jo të pëlqyeshëm.
       Por, për çudi, Kryetari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, zoti Van der Linden, në një intervistë, të botuar të plotë në shtypin e Tiranës më shumë se një vit më vonë, e shtronte “prerazi” çështjen e qëndrimit ndaj korrupsionit në Shqipëri. Kështu, në emër të Këshillit të Evropës, ai shtronte kërkesën: “Duam emrat e të korruptuarve” (“Ekspres”, 25 tetor 2005).
       Tani, hajde ta merrnin vesh shqiptarët e shkretë se kush i biente gozhdës dhe kush i binte patkoit në deklaratat e një ambasadori dhe të një funksionari të lartë evropianë kur ishte fjala për luftën kundër korrupsionit në Shqipëri! Njëri deklaronte: “I dimë politikanë e korruptuar”! Kurse tjetri shtronte kërkesën: “Duam emrat e të korruptuarve”!Gjithsesi, kërkesa e zotit Van der Linden e zhvlerësonte tërësisht deklaratën e ambasadorit Salzman, i cili, me sa duket, paska kumtuar një të vërtetë as të kuptueshme, as të besueshme. 
Poeti dhe piktori i njohur anglez, Uilliam Blejk(William Blake - 1757-1827) thotë: “E vërteta nuk mund të kallëzohet asisoj, që njerëzit ta kuptojnë. Rëndësi ka që njerëzit të vërtetën ta besojnë.”
Fakti i tretë: Në një material të vitit 2006, të botuar në gazetën “Panorama” thuhet:
“Dje, mediat kanë shpërndarë një lajm… mbi një takim me dyer të mbyllura të ambasadorëve të akredituar në Tiranë. Në këtë takim me përfaqësues të lëvizjes "Mjaft", -citon lajmi, - "diskutuan për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit dhe qetësimin e situatës politike". Ndër pyetjet e shumta që mund të shtrohen me këtë rast, është ajo që ka të bëjë me statusin e përfaqësimit të diplomatëve. A mundet që një diplomat që përfaqëson një shtet të huaj, të ndërhyjë në një çështje kushtetuese të një shteti tjetër? Themi kështu, pasi për vetë momentin në të cilin ndodhemi, është e qartë, se Presidentin e Republikës së Shqipërisë do ta zgjedhë Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, siç sanksionon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë!” (Gazeta “Panorama”, 21 qershor 2006).
Nga materiali i sipërcituar rezulton se diplomatët e huaj në Tiranë kanë shkelur haptas statusin e përfaqësimit të vendit të tyre në Republikën e Shqipërisë dhe janë shndërruar në pjesë të politikës shqiptare. Kësisoj ata kanë shkelur rëndë dinjitetin dhe integritetin e vendit tonë. Në artikullin e vet, ambasadori Zef Mazi, si një diplomat i sukseshëm i karrierës, lë të kuptohet për ambasadorët e huaj se këta nuk duhet të dalin përtej caqeve të misionit të tyre diplomatik.
 “Unë, - thotë ai, -  kurrë nuk kam lexuar komente apo sugjerime mësimdhënëse në media nga ambasadorët e akredituar diku gjatë 19 viteve që jam në të tilla poste jashtë vendit. Reagimi publik, veçanërisht kur përsëritet, dhe me ton e takt jo të zakonshëm për këtë profesion, nuk jam i sigurt sa i shëndetshëm është. Për të gjitha palët, ambasadorët në përgjithësi e kanë një kufi, tej të cilit pushteti i deklaratës së tyre shfuqizohet, veçanërisht kur dhe nëse merr ngjyra politike”.
Fakti i katërt: Në një tjetër të përditshme shqiptare jepet një tjetër e dhënë, jo më pak revoltuese, për qëndrimin e ambasadorëve të huaj në Tiranë. Ja se çfarë shkruhet në të:
       “Nëse politika shqiptare do të vazhdojë të funksionojë me deklarata ambasadorësh, të cilët hanë e pinë gjithë ditën me kryesocialistin Rama, atëherë kjo do të jetë fatkeqësi kombëtare për një komb të tërë. Gjithsesi deklaratat e djeshme të një grupi ambasadorësh kundër ligjit të dosjeve, duket qartë se janë lojë e stisur më së mirë nga qeveria në hije e diplomatëve të huaj në Shqipëri. Tashmë populli shqiptar duhet të jetë “i lumtur” që fatin e tij e kanë marrë në dorë një grup zyrtarësh të huaj, të cilët, mesa duket, kërkojnë të marrin në duart e tyre edhe kompetencat e parlamentit shqiptar”(Gazeta “Sot”, 13 shkurt 2009).
       Mendoj se do të ishin të tepërta komentet rreth këtij njoftimi për qëndrimin me të vërtetë skandaloz të diplomatëve të huaj ndaj një problemi aq të mprehtë, siç ishte ligji i dosjeve, pa zbatimin e të cilit mbarë shoqëria shqiptare nuk do të shpëtojë dot kurrë nga makthi i së kaluarës komuniste. Me deklaratat  tyre kundër këtij ligji, ambasadorët e huaj u rreshtuan përkrah Partisë Socialiste dhe gjithë atyre individëve që kanë mbrojtur dhe vazhdojnë të mbrojnë krimet e rënda të komunizmit kundër popullit shqiptar.
Fakti i pestë: Sipas një të dhëne tjetër të shtypit shqiptar, ambasadorët e huaj në Tiranë kanë marrë publikisht anën e njërit krah të politikës shqiptare dhe pikërisht anën e krahut të majtë të saj. Ja ç’shkruhet për këtë rast:
“Ambasadorë të disa vendeve te Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara te Amerikes, dy ditë më parë u gjendën papritur e papandehur, në dyert e gjykatës zgjedhore (Kolegjit Zgjedhor). Përmes një komunikate të lëshuar, u tha se “Presidenca Evropiane, shefi i Delegacionit Evropian dhe ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar, Republikës Federale të Gjermanisë dhe të Shteteve te Bashkuara te Amerikës, takuan Kolegjin Zgjedhor për të sinjalizuar mbështetjen e vazhdueshme dhe interesin për nje proces të besueshëm elektoral”.
Kjo lëvizje erdhi vetëm pak orë pasi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, hodhi dyshime ndaj Kolegjit Zgjedhor. Në këtë mënyrë, vajtja e ambasadorëve të huaj në gjykatën zgjedhore, krijoi përshtypjen se ata u gjendën atje, për të mbështetur dyshimet e Ramës. Për më tepër, vajtja e ambasadorëve të huaj në gjykatën zgjedhore, në ditët e gjykimit të ankesave të partive, la të kuptohej në qarqet mediatike dhe ato politike, se ky grup diplomatësh shkoi në Kolegj, për të mbështetur Edi Ramën... ?shtëkrejt e papranueshme dhe duhet te jete precedent i rrallënë Evropë, që ambasadorë të vendeve te huaja, shkojnë për të takuar gjyqtarët e një gjykate të pavarur, të cilët po merren me shqyrtimin e ankesave që partitë politike kanë depozituar për rezultatet e zgjedhjeve në zona të caktuara elektorale. Kjo lëvizje la nje shije te hidhur edhe për faktin e rëndësishëm se këta gjyqtarë janë zgjedhur me konsensusin e plotë të të dy partive kryesore në vend, PD dhe PS. Nuk është hera e parë që ambasadorë te vendeve te ndryshme, të akredituar në Shqiperi, bëjnë lëvizje te tilla.., duke u sjellë kështu, sikur te ishim në vitin 1991”(“Koha Jonë”, 23 korrik 2009).
Pikërisht kjo ndërhyrje e ambasadorëve të huaj në Kolegjin Zgjedhor, e bëri me flatra zotin Edi Rama për të kërkuar rinumërimin e votave në kutitë e votimit, paçka se krejt procesverbalet janë të firmosura nga të gjithë komisionerët e Partisë Socialiste. Kjo ndërhyrje e palejueshme, për të mos thënë e dënueshme, nga ana e ambasadorëve të huaj, u bë shkaku kryesor i lindjes së ngërçit politik në Republikën e Shqipërisë pas zgjedhjeve të 28 qershorit, ngërç ky që u konkretizua me bojkotimin e parlamentit nga ana e deputetëve të Partisë Socialiste. Me fjalë të tjera, ambasadorët e huaj janë fajtorët kryesorë për tensionimin e situatës politike në vendin tonë. Kurse tani së fundi, mësojmë se Bashkimi Evropian, autori i tragjikomedisë shqiptare, me aktorë kryesorë ambasadorët e vet në Tiranë, po menduaka të nisë një dërgatë në Shqipëri, që do të ndihmuaka, demek, për kapërcimin e krizës politike. Nuk mendoj se ky do të jetë një ogur i mirë për Shqipërinë, përderisa “kandari” i Bashkimit Evropian, gjatë gjithë këtyre 20 vjetëve, në Shqipëri gjithmonë ka prerë majtas. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, krahut të djathtë të politikës shqiptare iu grabitën votat në mënyrën më skandaloze, por nuk u vu re kund që Bashkimi Evropian, përmes ambasadorëve të vet në Tiranë, të ndërmerrte ndofarë hapash konkrete në përkrahje të tij.
       Kur njihesh me fakte të tilla rreth qëndrimit indinjues të ambasadorëve të huaj në Tiranë, nuk mund të mos vrasësh mendjen dhe t’i shtrosh vetes pyetjen e mëposhtme:“po cilat na qenkan vallë arsyet e qëndrimeve të tyre ndaj problemeve të brendshme të vendit tonë, qëndrime këto që janë shndërruar në pjesë të politikës shqiptare, por që nuk përputhen aspak me statusin e tyre si diplomat të huaj?”
       Së pari, shtetet kryesore të Bashkimit Evropian, zyrtarisht, e kanë të kristalizuar qëndrimin e vet ndaj Republikës së Shqipërisë, qëndrim ky që, sipas hamendësimeve të mia, është dashamirës dhe përkrahës i saj, i zhveshur nga parapëlqimet për njërin ose tjetrin krah të politikës shqiptare. Me të vetmin qëllim, që në vendin tonë të vijnë e të bëhen më të forta themelet e demokracisë. Kurse qëndrimi i ambasadorëve të tyre në Tiranë vjen e i largohet këtij pozicioni zyrtar dhe merr ngjyrime të njëanshme, duke dalë haptas në përkrahje të forcave të majta politike në vendin tonë. Tani si duhet kuptuar kjo mospërputhje? Ky realitet i padëshirueshëm të bën të dyshosh se shtetet kryesore të Bashkimit Evropian praktikojnë dy standarde në qëndrimin ndaj Republikës së Shqipërisë. Standadi i parë mishërohet në qëndrimin zyrtar, në atë që, konvencionalisht, mund ta quajmë“mejdanpolitika” apo politika e “mbitavolinës”, që, realisht, nuk është politika e vërtetë. Kurse standardi i dytë përfaqëson “realpolitikën” ose politikën e “nëntavolinës”, pra, politikën e fshehtë, që, faktikisht, është politika e vërtetë. Dhe kjo politikë e vërtetë e shteteve kryesore të Bashkimit Evropian, gjen zbatimin e vet në qëndrimin e ambasadorëve të tyre ndaj problemeve të brendshme të vendit tonë.
       Po atëherë cili është shkaku më domëthënës që, gjatë këtyre njëzet viteve, “realpolitika” e shteteve kryesore të Bashkimit Evropian radhitet përkrah forcave të majta në Republikën e Shqipërisë? Madje edhe tani, kur në pjesën dërrmuese të atyre shteteve, në pushtet janë forcat e djathta? Mendoj se shkaku i një qëndrimi të tillë duhet gjetur në vendimet e Konferencës së Londrës të vitit 1913 për copëtimin e trojeve etnike shqiptare dhe hallakatjen e kombit shqiptar nëpër pesë shtete të Evropës Juglindore. Me ardhjen në pushtet të komunistëve shqiptarë në vitin 1944, zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare iu vu përsipër një “kapak i rëndë”, çka u sanksionua fare shkoqur në kushtetutën e tyre të vitit 1946 dhe 1976, ku nuk figuronte as edhe një fjalë e vetme për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare. Kjo i vinte shumë në osh politikës së shteteve kryesore evropiane, të cilat, në veprimtarinë e komunistëve shqiptarë, nuk vërenin kurrfarë shqetësimi për rrezikimin e veprës kriminale që kryen kundër vendit tonë në vitin 1913. Por edhe pas shembjes së komunizmit, forcat e majta shqiptare, besnike ndaj trashëgimisë së vet komuniste, nuk e kanë ngritur zërin kurrë për domosdoshmërinë e bashkimit të trojeve etnike shqiptare në një shtet kombëtar, çka është në përputhje të plotë me politikën zyrtare të shteteve kryesore evropiane. Por dikush mund të më kundërshtojë me rastin e Kosovës që fitoi pavarësinë, pas 95 vjetësh sundimi te egër nga ana e shovinizmit serbomadh dhe e kishës shoviniste serbe. Por, për këdo, duhet të jetë e qartë se pavarësia e Kosovës është vepër e drejtpërdrejtë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përkrahura fuqimisht edhe nga Mbretëria e Bashkuar.
       Së dyti, fajtore kryesore për qëndrimet flagrante të ambasadorëve të huaj në Tiranë, ka qenë dhe vazhdon të jetë klasa politike shqiptare, një klasë kjo pa bosht dhe pa taban kombëtar. Kjo ka bërë që ambasadorët e huaj, duke e gjetur Republikën e Shqipërisë si një vend pa zot, të marrin në dorë rolin e “të zotit të shtëpisë” dhe të livadhisin nga të duan dhe si të duan. Ky është një qëndrim i turpshëm i klasës politike të Tiranës që qytetarëve shqiptarë ua ka nxirë faqen para botës dhe ka bërë që ata ta ndiejnë veten kokulur në sytë e saj. Ky qëndrim i padenjë i klasës politike shqiptare, ka nxjerrë në skenë protagonizmin e ambasadorëve të huaj dhe ka bërë që ata të shndërrohen në “bajraktarë” të politikës shqiptare. Rrjedhojë e këtij qëndrimi është sjellja e shenguar e ambasadorëve të huaj dhe mungesa e theksuar e respektit të tyre ndaj shqiptarëve. Kjo mungesë respekti u konkretizua vetëm me pesë faktet e sipërpërmenduara që përfaqësojnë vetëm majën e ajsbergut në Tiranë. Por mungesa e respektit të përfaqësuesve të huaj ndaj shqiptarëve manifestohet po me të njëjtin intensitet edhe në Prishtinë, edhe në Shkup. Le të kujtojmë për një çast qëndrimin e EULEX-it në Kosovë ndaj udhëheqësit të “Lëvizjes Vetëvendosja”, zotit Albin Kurti, i cili sot përfaqëson krenarinë e mbarë kombit shqiptar. Me sa jam njohur përmes internetit, EULEX-i kërkuaka ringritjen e procesit gjyqësor kundër zotit Albin Kurti, me rastin e parapërgatitjeve për kremtimin e dyvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Sipas mendësisë evropiane të EULEX-it, zoti Albin Kurti, në krye të “Lëvizjes Vetëvendosja”, s’paska të drejtë të protestojë në mbrojtje të dinjitetit të popullit shqiptar të Kosovës dhe kundër EULEX-it, i cili në Kosovë ka marrë përsipër rolin e dados së pakicës serbe, duke fyer ndjenjat kombëtare të shumicës dërrmuese shqiptare. Dhe, domosdo, rrjedhojë e një qëndrimi të tillë fyes të EULEX-it ndaj zotit Albin Kurti dhe “Lëvizjes Vetëvendosja”, është qëndrimi prej servili të pështirë i klasës politike kosovare në marrëdhëniet me përfaqësuesit e huaj në Prishtinë.
Po të njëjtin qëndrim fyes ndaj shqiptarëve kanë mbajtur dhe vazhdojnë të mbajnë përfaqësuesit perëndimorë edhe ndaj popullit shqiptar të Maqedonisë. Shprehjen më të koncentruar të këtij qëndrimi shpërfillës, madje përbuzës, të përfaqësuesve të Evropës Perëndimore ndaj mbarë shqiptarëve, na e ka zbuluar zoti Ahmet Qeriqi, drejtor i Radios Kosova e Lirë. Kështu, në artikullin me titull “I robëruari nuk ka ç’humb  në luftë, përveç këmishës së zezë të robërisë”, të botuar në faqen e internetit “albaniapress.com” më 16 dhjetor 2009, ai shkruan:  “…para nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit më 13 gusht 2001, në Shkup kishte shkuar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, admirali Gregori Xhonson dhe i kishte bindur autoritetet e Qeverisë së Shkupit se nuk mund ta fitonin luftën kundër shqiptarëve, por mund ta ruanin shtetin e tyre, nëse do të nënshkruanin një marrëveshje, e cila do t’i joshte shqiptarët mendjelehtë dhe do të ruhej statukuoja edhe për një kohë të gjatë në këtë shtet të krijuar si Republikë jugosllave në vitin 1945”.
Dhe nënteksti i këshillës së admiralit evropian Xhonson për maqedonasit është fare i qartë: nënshkruajeni marrëveshjen e Ohrit me shqiptarët se kjo nuk do të thotë se ajo do të zbatohet në praktikë. Dhe kështu ka ndodhur vërtetë. Marrëveshja e Ohrit vazhdon të mos zbatohet edhe sot e gjithë ditën se zoti Ali Ahmeti dhe krejt klasa politike shqiptare në Maqedoni i ka braktisur interesat kombëtare të popullit shqiptar të Maqedonisë, u bën temena politikanëve maqedonas dhe tërhiqet zvarrë para përfaqësuesve të diplomacisë evropiane.
       Ambasadori Mazi thotë: “Unë kam besim të madh te vendi im, te populli im, edhe te politika jonë, e mbi të gjitha, tek e ardhmja jonë. Atë të gjithë e duam njëlloj. Kam më shumë besim te këto vlera e asete, që i kemi brenda Shqipërisë, se tek qëndrimet dhe këshillat ndoshta shpesh personale që na vijnë nga jashtë. Vendin tonë nuk e do njeri më shumë se ne”.
         Nuk e besoj se shqiptarët duhet të presin që këto fjalë të arta të ambasadorit Mazi, të shprehura me shumë diplomaci, t’i bëjnë “fajde” klasës politike të Tiranës. Kjo për faktin se shqiptarët, siç thekson me shumë të drejtë zoti Besnik Mustafaj, “duhet të jenë më të shqetësuar nga jargavitja që politikanët shqiptarë u  kanë bërë gjithë kohën të huajve, pasi është - përveç të tjerave - edhe kjo gjë që u jep legjitimitet e autoritet ndërhyrjeve ambasadoriale; duhet të jenë më të shqetësuar, kur shohin që ambasadorët priten nëpër zyra me pompa mediatike, kur shohin që politikanët shqiptarë shpërndajnë nëpër redaksi gazetash foto të bëra me shtetarë të huaj nëpër korridore forumesh e samitesh, kur shohin që bëjnë çmos për të publikuar e transmetuar telegrame banale të mbërritura në adresat e tyre postare, të cilat në fakt nuk janë gjë tjetër, veçse pjesë e praktikës dhe e rutinës së burokracive të ngeshme diplomatike; duhet të jenë më të shqetësuar, kur shohin që politikanët shqiptarë, ndërsa janë arrogantë me zgjedhësit e institucionet sovrane lokale, janë krejt të zgërlaqur përballë të huajsh;duhet të jenë më të shqetësuar, kur shohin që politikanët shqiptarë,ndërsa alarmohen nga opinioni i një diplomati, nuk duan t‘ia dinë për mijëra opinione e qëndrime të faktorëve lokalë” (Besnik Mustafaj, faqja e internetit, 23 qershor 2008).
Kjo klasë politike shqiptare, në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup, është e padenjë të qëndrojë në krye të kombit shqiptar, sepse i ka braktisur interesat tona mbarëkombëtare, se vuan nga komlekset e inferioritetit në marrëdhëniet me të huajt, siç theksoi me të drejtë zoti Neritan Ceka në emisionin e lajmeve të TV “ALSAT” në mbrëmjen e 01 shkurtit 2010. Prandaj, me kalimin e kohës, ajo duhet të zëvendësohet nga një tjetër klasë politike, me vetëdije të lartë kombëtare. Është kjo arsyeja që “Lëvizja Vetëvendosja”, me në krye zotin Albin Kurti, duhet të ketë “simotrat” e veta edhe në Tiranë, edhe në Shkup. Kur në të tre këndet e këtij trekëndëshi të vijë në pushtet një klasë politike me dinjitet, me integritet kombëtar, atëherë, me siguri, ambasadorët e huaj do ta mësojnë përfundimisht se si duhet respektuar statusi i diplomatit në trojet etnike shqiptare, atëherë ata do të binden me të vërtetë se duhet të jenë tepër të kujdeshëm, para se të vendosin t’i tregojnë përralla popullit shqiptar se si u dashka luftuar korrupsioni andej nga anët tona. E them këtë  për faktin se ato llomotitjet kaq e kaq vite të ambasadorëve evropianoperëndimorë për luftën kundër korrupsionit, më bënë që të shfletoj ca “defterë” të vjetër që atyre ua nxjerrin bojën keq si demagogë të kulluar.
Le të marrim si shembull “shqetësimin” tash sa vjet të Bashkimit Evropian për luftën që duhet të bëjë shteti shqiptar kundër një lloj trafiku të shemtuar, siç është ai i “mallit të gjallë” apo, thënë ndryshe, i “mishit të bardhë”. Interesante! Po kush është, në të vërtetë, konsumatori më  i madh i këtij “malli të gjallë”? Le të ndalemi në disa fakte që janë tepër demaskuese për vetë Evropën “e qytetëruar”.
       Prostitucioni në Evropën Perëndimore pati një lulëzim të jashtëzakonshëm fill pas shembjes së Murit të Berlinit. Sipas të dhënave të Zyrës për Migrime Ndërkombëtare (Office for InternationalMigrations), që punon me përkrahjen e OKB-së, në vendet e Evropës Perëndimore çdo vit hyjnë ilegalisht 120 000 femra për t’u marrë me prostitucion (citohet sipas revistës ruse “Profil”, nr.38, 14 tetor 2002, f.64). Po në këtë faqe kjo revistë boton edhe një pasqyrë tronditëse që paraqet numrin e prostitutave që qarkullojnë në tregun evropianoperëndimor të seksit me pagesë. Kështu, në vitin 2002, në Gjermani numëroheshin 200 000 prostituta, nga të cilat 75% ishin të huaja; në Britaninë e madhe numëroheshin 80 000 prostituta, nga të cilat 50% ishin të huaja; në Itali numëroheshin 50 000 prostituta, nga të cilat 90% ishin të huaja; në Francë numëroheshin 30 000 prostituta, nga të cilat 60% ishin të huaja; në Hollandë numëroheshin 25 000 prostituta, nga të cilat 60% ishin të huaja (të dhënat e kësaj reviste janë marrë nga Europian Commission - Business Week, 2002).
       Pra, në gjashtë vende të Evropë Perëndimore, sipas të dhënave të revistës së lartpërmendur, për vitin 2002, numëroheshin 375 000 prostituta.
       Tani që ndodhemi në fillim të muajit të dytë të vitit 2010, numri i prostitutave në Bashkimin Evropian me siguri që do të ketë bërë goxha përpjetë.
       Tani hajde t’i marrim për të vërteta përrallat që ambasadorët e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, për vite me radhë, kanë kërkuar të na i shesin për muhabete serioze se si u dashka luftuar korrupsioni përmes trafikut të “mallit të gjallë”, ndërkohë që vetë ato vende janë konsumatore “të hatashme” të këtij lloj “malli” kaq të parapëlqyer për to!
       Mirw do të ishte që ambasadorët e huaj në Tiranë të kishin parasysh një thënie të artë të Hegelit: “Mes gjithë detyrimeve që kemi në raport me të tjerët, e para e të parave është vërtetësia në fjalët dhe në veprat tona”.
 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora