E premte, 02.05.2025, 07:23 PM (GMT+1)

Mendime

Rexhep Bunjaku: Përçmimet e Rexhep Qosjes

E enjte, 04.02.2010, 10:57 PM


Përçmimet e Rexhep Qosjes

(Përkitazi me librin “Filozofia e krrokamës” të autorit Sylejman Aliu)

Nga Rexhep BUNJAKU, Prishtinë

Pasi e lexova librin “Filozofia e Krokamës” të autorit z. Sylejman Aliut, u ndala dhe mendova: vallë a bëri mirë z. Sylejman Aliu që doli me këtë vepër? Dhe konkludova se, në fund të fundit, ishte koha të del dikush dhe t’i thotë z. akademik Rexhep Qoses se e teproi me etiketime, fyerje, nënçmime, përçmime, njollosje, diskreditime dhe diskualifikime, jo vetëm të disa krijuesve shqiptarë, por edhe tërë shoqërinë shqiptare që nuk i ka hije një intelektuali dhe një krijuesi me renome aq të larta siç është rasti me z. akademik Rexhep Qosen.

Është për t’u lavdëruar fjalori dinjitoz i autorit pa fyerje, përçmime, degradime e njollosje – fjalor ky, banal dhe vulgar, që e përdor akademiku ynë i nderuar, z. Rexhep Qosja.

Rashomoniada e “Së vërtetës së mirëfilltë vetjake ndërshqiptare”, në dyluftimin e egër e të pacipë ndërintelektual për epërsi dhe renome, nëpërmjet artikujve, analizave, reagimeve dhe deklaratave të publikuara në gazeta ditore, javore dhe në revista mujore e periodike; në libra dhe në Pampasa (pamflet-paskuila) – është aq iracional, i mjerueshëm, i dëmshëm, i pakuptimshëm, shkarzues dhe shkatërrimtar për kauzën kombëtare shqiptare në përgjithësi e për popullatën shqiptare të Kosovës, në veçanti: që ditë më ditë, vit më vit e sa më shumë që po kalon koha – aq më shumë po bindem se inteligjencia shqiptare: akademikët, doktorët dhe magjistrat e shkencave, filozofët, profesorët, gazetarët e publicistët – qerren e kauzës kombëtare shqiptare me ngulm po e shtyjnë në buzë të tehut të humnerës për ta marrë tatëpjetën e theqafës deri në fund, deri në shfaqroje e në gëzim të armiqve tanë shekullor: serbo-greko-rusë.

Këtë e dëshmon, me paraqitjet e tij publike, z. akademik Rexhep Qosja.

Përndryshe, si të kuptohet dhe të arsyetohet kjo luftë e pakompromis, e ndytë dhe arrogante e z. akademik Rexhep Qoses kundër, gati, të gjithë krijuesve shqiptarë dhe kundër edhe tërë shoqërisë shqiptare – ku nuk zgjedh fjalë fyese, zhvlerësuese dhe poshtëruese; ku mungon modestia, mirësjellja dhe fisnikëria elementare njerëzore; ku mungon toleranca elementare e njeriut bujar e kreshnik, të një intelektuali i cili e ka arritur kulminacionin e titullit shkencor – akademik.

Akademik z. Rexhep Qosja i vetëkënaqur dhe tejet sedërhollë të një lazdrani (Enfant terrible), duke i favorizuar, lavdëruar, thurur oda dhe ditirambe “të vërtetave” vetjake; duke e uzurpuar të drejtën për mendimin “e mirëfilltë” vetjak; duke ia imponuar tërë opinionit shqiptar, botëkuptimet dhe shikimet vetjake ndaj jetës dhe shoqërisë shqiptare; duke e identifikuar personazhin e vet me atë të masës së gjerë të popullit shqiptar; duke e mishëruar (personifikuar) veten me popullin shqiptar; duke i vlerësuar vlerat kulturore kombëtare shqiptare me peshojën e vlerave vetjake; duke i mbivlerësuar veprat vetjake e tejzhvlerësuar veprat e të tjerëve në mënyrë më banale – z. akademik Rexhep Qosja e uzurpon të drejtën të veprojë në “emër” të popullit dhe me “mandatin” e popullit. Në këtë mënyrë, z. akademik Rexhep Qosja e imponon individin e vet si diç “sui generis”, si të jashtëzakonshëm, të paprekshëm dhe të gjithëfuqishëm.

Kështu që, duke e imponuar veten përball tërë inteligjencies dhe shoqërisë shqiptare të merremi ne me vetveten tonë; si nxitës, mëkojues dhe shkaktar në luftën tonë verbale ndërintelektuale e në dëm të interesave kombëtare shqiptare për inat, smirë, xhelozi, superioritet dhe hakmarrje, pranuam apo jo – mjerisht po i kontribuojmë kauzës së armiqve tanë: serbo-greko-rusë.

Me zënkat inatçore të z. akademik Rexhep Qoses me tërë inteligjencien shqiptare dhe me tërë shoqërinë shqiptare - të vetmit fitues dhe galdues janë qarqet e errëta naci-raciste dhe shoviniste kundërshqiptare, të cilët mjerisht, nuk janë të pakët.

Mendjemadhësia dhe prepotenca e të një individi janë në përpjesëtim të drejtpërdrejtë me mendjelehtësinë dhe inferioritetin: sa më e madhe është mendjemadhësia dhe prepotenca, aq më e madhe është mendjelehtësia dhe inferioriteti, ndërsa në shpërpjesëtim me modestinë, njerëzoren, burrërinë, maturinë dhe arsyen.

Ç’është edhe më tragjike, z. akademik Rexhep Qosja, me përbuzjen, zhvlerësimin dhe shkarzimin e kulturës dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi, po e radhitë dhe barazon veten me armikun më të përbetuar të kombit shqiptar, me Kapllan Resul Buroviçin, i cili nuk lë gjë prej gjëje pa shkretuar mbi personazhet, historinë, kulturën dhe shoqërinë shqiptare. Një “prodokaka” (pro-fesor, dok-tor dhe aka-demik) i vetemërtuar dhe vetëtitulluar si Kapllan Buroviçi, të barazohet me një akademik të merituar, siç është Rexhep Qosja, është me të vërtetë, tragjike.

Për një shqiptar të edukuar në frymën e edukatës patriarkale, burrërore, bujare e fisnike kombëtare shqiptare – ofendimi i një femre, i një fëmije dhe një të moshuari – është poshtërimi më i madh që një shqiptar mund ta mbijetojë!

Qe se ç’thotë z. akademik Rexhep Qosja për Miranda Haxhinë, për një intelektuale shqiptare, në intervistën e tij “Mjerimi i provincializmit”, të botuar në “Epoka e re” të dt. 4-5 shtator 2009, vetëm pse nuk është pajtuar me mendimin e akademikut tonë “të nderuar”: “Si shembull të këtyre reagimeve dua të përmend reagimin e Kallakanxhës së PD-së, e quajtur Miranda Haxhia, e cila me gjuhë të pistë e të shëmtuar të ushtruar në klanet ku përket, shkruan për çka ia arrin dora, por nuk ia arrin mendja servile”. Domethënien e fjalës kallakanxha, mezi e gjeta në fjalorin turqisht-anglisht që e ka kuptimin “kthetra e zezë” ose “shtriga e zezë”.

Ndërsa për veten vazhdon: “U turrën patriotët e kafeneve ta mbrojnë letërsinë shqipe prej shkrimtarit dhe studiuesit të saj (lexo të Rexhep Qoses) i cili për të ka bërë më shumë se të gjithë ata së bashku me të gjithë paraardhësit e tyre, me të gjithë farefisin e tyre dhe me të gjithë punëdhënësit e tyre!”

Më tutje, i nderuari z. akademik Rexhep Qosja, po në këtë intervistë, vazhdon: “Sikur shoqëria shqiptare të mos ishte e prapambetur siç është; sikur shoqëria shqiptare të mos ishte shoqëri në krizë të rëndë shpirtërore dhe morale ajo – jo, që nuk do të rehabilitonte Ismail Kadarenë dhe të tjerë me jetëshkrim politik të ngjashëm me të tijin (megjithëse me jetëshkrimin e tij nuk krahasohet me jetëshkrimin e asnjë tjetri), por do të kërkonte llogari politike dhe morale prej tij”.

(…) “Inteligjencia shqiptare jo vetëm se nuk do të rehabilitonte Ismail Kadarenë dhe ismailkadarenjtë e tjerë, por do të mënjanonte, njëherë e përgjithmonë, modelin e mendimit dhe të sjelljes së tij të pamoralshme intelektuale, në të cilin model janë të përmbajtura: gatishmëria e shërbimit ndaj çdo regjimi, servilizmi, hipokrizia bizantine, përdorimi i çdo mjeti për të arritur qëllimin; trysnia staliniste ndaj mendimit ndryshe; rrena, mashtrimi, intriga e të këqija të tjera”.

(…) “Sikur demokracia shqiptare të mos ishte e ndotur dhe e korruptuar siç është, sikur kjo demokraci të mos ishte e sunduar prej ish-sekretarit të partisë (mendon të Partisë së Punës Shqiptare), domethënë prej ish-stalinistit – atëherë inteligjencia jonë, e me ta edhe Besnik Mustafaj, Ylljet Liçkaj dhe Behar Gjoka, do ta shihnin gjendjen tonë shoqërore, politike, kulturore, letrare, shkencore, urbane – siç është në të vërtetë dhe nuk do të mashtronin veten e popullin me iluzione mbi nivelet tona të paqena letrare, artistike, shkencore, demokratike e të tjera gjoja evropiane”.

O Zot! Po këtë blasfemi për kulturën shqiptare s’e ka përdorur as shqiptarofobi më i madh serb, Dovrica Qosiçi, emnaku i akademikut tonë Rexhep Qoses.

Është vërtetuar dhe verifikuar se metoda krahasimtare (komparative) është më e arsyeshme, më objektive, më njerëzore dhe më e përshtatshme për të ardhur deri te një “e vërtetë” relative duke qenë se “e vërteta” absolute nuk ekziston. Prandaj edhe po i citoj dy intelektualë serbë se ç’kanë thënë për shqiptarët e pastaj do ta citoj edhe akademikun tonë “të nderuar”.

Vlladan Gjorgjeviç: politikan, shkrimtar, shkencëtar dhe mjek ushtarak; Kryeministër, ministër i Arsimit dhe ambasador serb në Athinë e në Stamboll, shkruan:

“Tipi i mirëfilltë i arnautit është i ligshtë dhe i imtë. Ai ka diç të magjupëve, fenikasve. Fundja, arnautët të kujtojnë jo vetëm fenikasit, por edhe njerëzit më primitivë të kohës parahistorike. Ata njerëz që nga frika e bishave të egra flinin nëpër drunj për të cilët mbaheshin me bishtat e tyre që të mos të rrëzoheshin. Në mijëvjeçaret vijuese, në të cilat boshti i njeriut, sa vete e më pak përdorej, ky organ i trupit të njeriut, gjithnjë e më shumë u fishk, u atrofua gjersa, më në fund, në kohën historike, konsistoi (përbë) vetëm në ato ca eshtra të kërbishtës. Vetëm te arnautët duket se ka jetuar edhe në shekullin XIX, gjithandej ndonjë njeri me bisht. (...) Shqiptarët janë të ndarë në dy lloj: asish me bisht të vogël të kalit dhe asish me bisht dhie. Ata që janë “obdareni” (të prirë – me dhunti) me bisht, janë shumë të fortë dhe veçanërisht këmbësorë të qëndrueshëm” (Marrë nga vepra e tij “Arnautët dhe fuqitë e mëdha”). Ndërsa një tjetër serb:

Mateja Beçkoviç: shkrimtar dhe akademik i ASHAS (Akademisë së Shkencave dhe të Arteve Serbe), në Knesetin (Kuvendin) e Izraelit, thotë:

“Më vjen shumë keq që nuk e kam me vete një kafaz me një shqiptar që të shihni se çfarë egërsirash janë!” (Marrë nga vepra “Studime demografike” të akademikut tonë Hivzi Islami).

Qe se ç’shkruan z. akademik Rexhep Qosja, në veprën e tij “I ringjalluri i penduar” në f. 60-73: “Por, ja, ishte shkruar që para se të mbërrinte në Kryeqytet, Skënderbeu të përjetonte befasinë më të befasishme në këtë udhëtim të këndshëm prej pikës kufitare deri në kryeqytet (Prishtinë – RB). Pikërisht atëherë kur priste që para syve të tij të shpërthente pamja e kryeqytetit e do të shoh çka nuk kishte pritur dhe çka, në asnjë mënyrë, nuk kishte ëndërruar se do të shihte: Fermën e qenve! (…) Qen të dy gjinive: gjinisë mashkullore dhe të gjinisë femërore. Në qoftë se pamja e jashtme është e mjaftueshme për të caktuar gjininë e qenit, atëherë do të mund të thuhej, me siguri të plotë, se numri i qenve meshkuj ishte shumë më i madh se numri i kudrave, i bushtrave, i kuçkave, i qenve! Asgjë e çuditshme: gjithmonë e gjithkund mes qenve duhet të ketë edhe qene. Nuk shumëzohen as nuk frymëzohen pa ta”.

Ç’t’i shtohet këtij mendimi gjenial të një akademiku që nuk i përket kësaj ferme qensh! Vallë cilës fermë i takon? Pasi popullin shqiptar e futi në një fermë qensh, po del se ky akademik po i takoka fermës së qenve sllavë! Masa e gjerë e popullatës shqiptare të Kosovës, dhjetëra mijëra banorë, me një entuziazëm të paparë e të padëgjuar, e priti shtatoren e legjendës kombëtare shqiptare të Skënderbeut në Prishtinë, më 28 nëntor 2001. E sipas akademikut tonë Rexhep Qoses, kjo masa e gjerë e popullit shqiptar të Kosovës, na qenka një fermë qensh, një grumbull i kafshëve endacake, një masë amorfe që nuk i përket racës njerëzore! Vallë, ku po e rendit nënën e tij? Prapë duhet t’i jemi mirënjohës akademikut tonë “të nderuar” që nuk na futi në racën e hienave dhe çakajve!!

Akademikët serbë na bënë majmunë, kuaj e dhi, ndërsa akademiku ynë (“shqiptar”) na bëri qen, kudra, kuçka e qenushë! A s’duhet t’i falënderojmë?

Pasi që e alarmon opinionin shqiptar për “stalinizmin” e Ismail Kadaresë dhe për “servilizmin” e tij – e harron se çka ka shkruar për Titon e tij të madh. Ta citojmë: “Tito e ka udhëhequr dhe e ka sjellë në triumf përfundimtar luftën nacionalçlirimtare të popujve të Jugosllavisë – ja një meritë mjaft historike për të gjitha kohërat. Tito e ka udhëhequr dhe e ka sjellë deri në triumf përfundimtar luftën që ka përmbysur monarkinë – ja një meritë tjetër e mjaftë për historinë. Tito i ka thënë “Jo” Stalinit, në një kohë kur forca e Stalinit sikur nuk njihte kufij – ja një meritë e mjaftë historike për historinë.

Tito na ka udhëhequr shtigjeve të vetëqeverisjes socialiste, vëllazërimit e të bashkimit, bashkëjetesës së kombeve e kombësive – ja një meritë tjetër e jashtëzakonshme historike. Tito i ka prirë idesë së madhe që u reziston fuqive të mëdha – ja një meritë tjetër, aq e madhe, aq vendimtare në historinë e përbotshme” (“Rilindja”, 11 maj 1980).

Mirëpo, z. akademik Rexhep Qosja nuk i përmend masakrat barbare të Titos dhe të bashkëpunëtorëve të tij gjakpirës, mbi 50 mijë shqiptarëve të pafajshëm vetëm se ishin shqiptarë e jo sllavë! Nuk i përmend mbi 600 mijë shqiptarë të përndjekur, në mënyra të ndryshme, në Kosovë që i përmend polici nr. 1 i Kosovës, Rahman Morina. Nuk i përmend mbi 350 mijë shqiptarë të dëbuar për Anadoll. Nuk i përmend, sepse nuk i ka përjetuar.

Kjo është tragjedia jonë kombëtare, duke u marrë me vetveten tonë dhe duke e shkri tërë potencialin tonë të elokuencës dhe të erudicionit intelektual në luftë njëri me tjetrin e jo me armikun. Deri kur?! Kur do të vetëdijesohemi? Kur do të esëllohemi?

Me gjithë nderin dhe respektin që ndiej ndaj intelektualit, z. akademik Rexhep Qoses, por nuk mund e të mos reagoj kundër Rexhep Qoses politikan të dështuar dhe të përbuzur. Po të mos reagoja, do të më brente ndërgjegjja tërë jetën e jetës.

Me paraqitjet e tij gojarisht apo me shkrim, Rexhep Qosja politikan - e degradoi, e përdhosi, e “masakroi” dhe e “vrau” Rexhep Qosen intelektual. Me sjelljet e veta arrogante, nënçmuese dhe përçmuese; me mendjemadhësinë e tij; me qëndrimin e tij autokrat; i padurueshëm dhe jotolerant ndaj të gjithëve që nuk pajtohen me vlerësimet e tij, me mendimet dhe botëkuptimet e tija - e lëçiti, e largoi veten nga masa e gjerë të popullit shqiptar; e izoloi vetveten dhe, në fund, bëri “vetëvrasje”.

Qenia e Rexhep Qoses i pronëson (posedon) dhe i bashkëdyzon dy fuqi demoniane: atë të demonit pozitiv intelektual dhe atë të demonit negativ politikan; atë të demonit konstruktiv dhe kreativ dhe atë të demonit destruktiv dhe shkatërrues; atë të demonit të dashurisë dhe atë të demonit të urrejtjes, inatit, xhelozisë, smirës, lakmisë e të padurimit, jotolerancës patologjike.

Kompleksit të Narcisit: vetëdashurisë, vetëpëlqimit, vetëkënaqësisë dhe vetëmjaftushmërisë, ia shtoi edhe Kompleksin e Cezarit: “Aut Caesar, aut nihil” që do të thotë: “Ose Qosja, ose kurrgjë”!

Zotëri Qosja politikan! “Atdheu është Atdhe edhe kur të vret!” - kështu thotë Mitrush Kuteli – Dhimitër Pasko, ndërsa populli yt është populli yt edhe kur të lëndon – nëse e ndien për popullin tënd!!


(Vota: 10 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx