E premte, 02.05.2025, 09:38 PM (GMT+1)

Mendime

Fehmi Ramadani: Kahet e zgjidhjes së problemit të Luginës

E marte, 02.02.2010, 10:55 PM


Kahet e zgjidhjes së problemit të Luginës  

Problemi i Luginës së Preshevës ka dy rrugë të zgjidhjes së saj: integruese shtetërore serbe dhe integruese kombëtare shqiptare. Rruga e parë e zgjidhjes së këtij problemi do të prodhonte konflikt dhe krizë të vazhdueshme në rajon, ndërsa zgjidhja e dytë do të ishte e drejtë, dhe do të krijonte stabilitet, paqe, perspektivë dhe integrime euroatlantike

Shkruan: Fehmi Ramadani

Që nga periudha e konfliktit të vitit 2001 dhe Marrëveshjes së Konçulit, procesi politik në Luginën e Preshevës ka shënuar një degradim total, si me fajin e Beogradit, të indiferencës së politikës ndërkombëtare, por edhe të politikës pasive dhe jo frytdhënëse të faktorit politik shqiptar.
Padyshim se, Beogradi është fajtori kryesor i neglizhencës së këtij procesi, i cili në vend që zbatojë obligimet e Marrëveshjeve të nënshkruara, ajo këtë rajon e ka shndërruar në militarizues duke hapur baza të reja ushtarake, duke angazhuar forca të ndryshme të xhandarmërisë e policisë serbe, dhe kështu është duke e mbajtur rajonin në tension të vazhdueshëm. Rastet e fundit, sidomos arrestimi i 10 të rinjve shqiptar kohë më parë dhe mbajtjen e tyre në burg pa fakte relevante, por edhe rasti i largimit të shqiptarëve nga institucionet publike të komunës si, gjyqësi, prokurori, kundërvajtje dhe gjeodezi, qarkullimi jo i lirshëm i njerëzve dhe i mallrave me Republikën e Kosovës dhe Maqedoninë, mos hapja e kalimeve kufitare me Maqedoninë, sidomos atij ndërmjet fshatit Miratoc dhe Lojan, grumbullimi i forcave të ndryshme ushtarako e policore dhe të xhandarmërisë serbe nëpër pika të ndryshme të rajonit, problemi i moslejimit të simboleve kombëtare, arsimimi i degraduar kombëtar, mos hapja e ndonjë shkolle të lartë apo Fakulteti në gjuhën shqipe, por edhe mosnjohja e dokumenteve zyrtare dhe diplomave të Republikës së Kosovës janë argumente të bollshme për politikën diskriminuese që udhëheq Beogradi në raport me popullatën shqiptare të Luginës. Kursi politik i Beogradit pak ka ndryshuar nga ai i regjimit të Milosheviqit, dhe sipas tyre problemi i Luginës së Preshevës mund të zgjidhet vetëm me përdorimin e forcës. Tani, ky është plani i vetëm i Beogradit për zgjidhjen e këtij problemi, ndërsa zotimet e tyre ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare aspak nuk janë në agjendën e tyre politike.  
Pas Marrëveshjes së Konçulit të vitit 2001, Beogradi nuk kishte ofruar asnjë opsion demokratik e serioz për zgjidhjen e krizës së Luginës. Ndërsa, faktori politik shqiptar pas kalimit të këtyre viteve ka argumentin e madh për ndryshimin e strategjisë së saj politike dhe hartimin e një plani të ri, duke ia bërë të qartë faktorit ndërkombëtar, por edhe Beogradit. Mirëpo, para se të hartohet ky plan duhet marrë në konsideratë këto teori, apo drejtime politike:
1)-Drejtimi integrues, apo shtetëror serb, i cili Luginën e Preshevës e trajton si çështje e mbyllur në kuadër të shtetit serb. Sipas këtij koncepti të gjitha problemet e pakicave në shtetin serb do të zgjidhen sipas standardeve të konceptit të tyre, por edhe të standardeve evropiane. Këtë koncept politik e mbështet Rusia dhe disa vende evropiane që janë mike të Serbisë. Pra, me problemin e Luginës duhet të merret kryesisht Beogradi duke i mbyllur dyert për interesimin e Tiranës dhe Prishtinës. Kjo shkollë serbe e rregullimit të brendshëm të marrëdhënieve të shtetit serb me pakicat është e njohur qysh nga koha Andriqit, Garashaninit, Rankoviqit, Titos, Milosheviqit, ndërsa tani këtë kurs politik është duke e vazhduar kryetari i tanishëm serb Boris Tadiq.  
2)-Drejtimi evropian, apo zgjidhja sipas standardeve evropiane për pakicat kombëtare. Kjo shkollë politike ka mbështetësit e saj nëpër disa grupe progresiste evropiane, Parlamentit Evropian, Këshillit të Evropës, Komitetit të Helsinkit, të drejtave të njeriut, OJQ-të e ndryshme të këtyre vendeve, por edhe të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare. Sipas këtij koncepti dy komunat shqiptare, Bujanoci dhe Presheva duhet të bëhen njësi autonome në kuadër të rajonit të decentralizuar serb, që këto njësi autonome të kenë një administratë efikase, të udhëhiqen nga vendorët dhe të kenë kompetenca të ndryshme në lëmit komunale, duke përjashtuar plotësisht kompetencat në sferën e sigurisë. Këto komuna do të  kenë buxhetin e tyre, por edhe ndihma nga donatorët ndërkombëtar në rregullimin e mirëqenies së tyre. Ndërsa, Medvegja është e përjashtuar krejtësisht si rast shqyrtues. Rasti i liberalizimit të vizave për këtë shtet tregon se Evropa është kundër zgjidhjes së drejtë të problemit të shqiptarëve të Luginës, sepse këtë çështje e trajton si çështje të lirive individuale e jo të drejtës kolektive. Metoda perfide e politikës evropiane, sidomos me zbrazjen e rajonit nga të rinjtë dhe largimit tyre nëpër vendet e ndryshme është dëshmia më e mirë e politikës burokratike të Brukselit dhe kjo politikë është në kundërshtim me parimet e vetë proklamuara të Brukselit mbi mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të kolektivitetit.  
3)-Drejtimi anglosakson(anglo-amerikan), e cila merë për bazë parimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe kolektivit, realitetin e krijuar në terren dhe propozon zgjidhjet politike. Një koncept të tillë e kishte proklamuar përfaqësuesi i politikës së jashtme amerikane z.Dana Rorabaher duke propozuar një shkëmbimi territoresh në mes Luginës dhe dy komunave të pjesës veriore të Kosovës, Leposaviqit dhe Zubin Potokut. Ky opsion kishte has në kundërshtime të mëdha në Kosovë, ndërsa Tirana zyrtare nuk kishte shfaqur ndonjë qëndrim serioz. Po ashtu, në mbështetje të këtij plani ishte prononcuar edhe Daniel Server, drejtor i Institutit për paqe në Uashington, i cili disa herë ka paralajmëruar politikanët shqiptarë në Tiranë dhe Prishtinë mbi mundësinë e zgjidhjes së këtyre problemeve në bazë të shkëmbim territoresh. Sipas kësaj shkolle, kjo do të ishte zgjidhja kompromisi me Beogradin, por edhe me mbështetësit e tyre politik. 
4)-Drejtimi për integrime kombëtare, apo vetë përcaktues, i garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare të njeriut dhe të popujve të diskriminuar e të shtypur. Ky opsion merë për bazë deklarimin e popullatës shqiptare të Luginës, se në cilin shtet do të jetojnë. Ky drejtim është i drejt dhe vizionar, sepse mundëson integrime ndër shqiptare dhe është një zgjidhje demokratike dhe paqësore. Këtë opsion e mbështesin forcat më progresiste si në Shqipëri, Kosovë, Evropë dhe Amerikë. Kjo shkollë në zgjidhjen e problemit të Luginës ka për bazë parimin Wilsonian të vetëvendosjes së popujve, e cila mundëson integrimin se në cilin shtet duan të jetojnë ata. Kjo politikë në zgjidhjen e krizës së Luginës është më e lirë, sepse kursen konfliktin dhe shkatërrimin njerëzor e material. Ky opsion do të vjen në shprehje vetëm me ngritjen e nivelit të lartë të politikës shqiptare, organizimin e tyre serioz, përkushtimin e njëmendët për zgjidhjen e problemeve kombëtare, si dhe të një uniteti mbarëkombëtar. Për të realizuar këtë drejtim, Lugina e Preshevës ka disa argumente mjaftë të fuqishme, të cilat mundësojnë zgjidhjen e drejt të problemit të tyre:
a)-Dokumentacioni kadastral i viteve 1941-1947, atëherë kur Lugina e Preshevës ishte pjesë e Republikës së Kosovës, por padrejtësisht nga komunistët jugosllavë ishte ndarë nga Kosova, 
b)-Referendumi i 1 dhe 2 marsit 1990 për bashkëngjitje të sërishme të Luginës së Preshevës me trungun e vet, Republikën e Kosovës.
c)-Marrëveshja e Konçulit e vitit 2001, ndërprerja e luftës, demilitarizimi i rajonit dhe zgjidhja e problemit të Luginës së Preshevës me mjete demokratike e paqësore,
d)-Platforma politike e tri Kuvendeve komunale të Luginës së Preshevës (PMB) në vitin 2006, ripërsëritja e kërkesave të shqiptarëve të Luginës për zgjidhjen e çështjes së tyre kolektive me mjete demokratike.
Duke marrë parasysh drejtimet e lartshënuara politike, por edhe këto katër shtylla kryesore kombëtare, sidomos duke pasur parasysh vulën e luftës së fundit të UÇPMB-së dhe të gjakut të derdhur për lirinë e Luginës, duhet të projektohet plani i ri, i cili do t’i bënte që faktori ndërkombëtar dhe Beogradi, përfundimisht të pranojnë një zgjidhje të drejtë të këtij problemi. Vetë qytetarët e Luginës të deklarohen se cilin opsion do të zgjedhin, mirëpo këtë të drejtë duhet t’ia mundësojë faktori ndërkombëtar. Ndërsa, çdo përpjekje për integrim nën administrimin e Beogradit, në kundërshtim me integrimet kombëtare do të ishte fatale për Luginën, do të prodhonte krizë permanente në rajonin, si dhe do të ishte dështim i politikës kombëtare e ndërkombëtare. Prandaj, faktori politik në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Preshevë dhe Ulqin duhet të ketë një qasje të përbashkët për problemet e pa zgjidhura kombëtare, sepse historia do të ishte kundër të tyre, ndërsa gjeneratave të ardhshme nuk guxon t’u mbeten dilema për të ardhmen e vendit të tyre.




(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx