E hene, 29.04.2024, 05:01 AM (GMT+1)

Mendime

Nard Ndoka: Pse të kemi frikë nga regjistrimi i fesë dhe etnisë!

E diele, 07.02.2010, 09:55 PM


Pse të kemi frikë nga regjistrimi i fesë dhe etnisë!

Nga Nard Ndoka

Regjistrimi i Popullsisë dhe Banesave, që sipas një vendimi të Qeverisë, parashikohet të realizohet në vitin 2011, edhe pse proces i natyrshëm për çdo vend ka ngjallur një debat të nxehtë publik, ka ngjallur reagime të shumta dhe për fat te keq, ka hasur edhe në kundërshtime që shpesh vijnë nga autoritete publike. Arsyeja e këtyre debateve, reagimeve dhe kundërshtimeve, duket se ka të bëjë me frikën tonë të paarsyeshme për atë çka në të vërtetë jemi dhe atë se çfarë ne do të dëshironim të ishim. Shkaku kryesor i debateve dhe kundërshtimeve të nxehta është regjistrimi etnik dhe fetar, që pritet të përmbysë disa statistika, që lobe ekstremiste dhe qarqe jodashamirëse i kanë përdorur kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve, si në Shqipëri ka 500 mijë minoritarë, ose Shqipëria është vend islamik.  Është e qartë se një regjistrim korrekt, i realizuar me metodologjinë dhe teknologjinë shkencore të kohës, do t'i rrëzojë këto supozime, trillime dhe statistika të keqpërdorura dhe të fryra me objektiva të caktuar dhe do të tregojë se çfarë në të vërtetë jemi ne shqiptarët, por edhe do të provojnë se jo rastësisht shqiptarët në vitin 1991 e filluan lëvizjen për përmbysjen e diktaturës me thirrjen e fuqishme që vinte nga shpirti i ndrydhur: "E duam Shqipërinë si gjithë Evropa". Në këtë thirrje, që u shqiptua me besim dhe shpresë nga shumica absolute e shqiptarëve, janë të sintetizuara tri veçori themelore të kombit tonë: së pari vetëdija për identitetin tonë evropian; së dyti, vlerat tona shpirtërore si komb janë vlera evropiane dhe së treti, ne shqiptarët duam t'i bashkohemi Evropës, nga e cila ishim shkëputur përdhunshëm, njëherë nga pushtimi i gjatë dhe tragjik i Perandorisë osmane dhe, së fundmi, edhe nga diktatura komuniste, që e izoloi pesëdhjetë vjet Shqipërinë nga Evropa e vlerave. Asnjëherë dhe në asnjë rast shqiptarët e viteve nëntëdhjetë nuk iu drejtuan Lindjes. 
Nëse sot, bëhet një debat, për identitetin, vlerat apo përcaktimin tonë në të ardhmen, atëherë ky debat nuk mund të përjashtojë këtë aspiratë të madhe të shqiptarëve, që u shpreh në lëvizjen e Dhjetorit dhe që u mbështet nga shumica absolute e shqiptarëve. Dhe të bësh një debat me një vizion të tillë, së pari do të thotë, të evidentosh identitetin tonë evropian, të evidentosh vlerat tona evropiane dhe së treti, të hartosh dhe të zbatosh strategji, që jo vetëm e integrojnë Shqipërinë në Evropë, por edhe të çlirosh vetveten nga ngarkesa të dëmshme, që ne na janë imponuar nga historia.
Në këto 20 vite, ne kemi bërë një progres të pjesshëm në rrugën tonë të integrimit evropian, vendi është anëtarësuar në NATO, kemi aplikuar tashmë si vend kandidat për t'u anëtarësuar në BE dhe presim që për shqiptarët të liberalizohen vizat, edhe pse këto procese, kanë ecur në përgjithësi ngadalë e me shumë vështirësi. Sot nëse vërtetë duam të bëjmë një debat, atëherë këtë debat duhet ta përqendrojmë në faktin, se përse ne kemi kaq shumë probleme në rrugën tonë drejt Evropës, kur shqiptarët më shumë se asnjë popull tjetër në Ballkan e kërkojnë integrimin dhe anëtarësimin?
Ne dëgjuam të tronditur deklaratat se BE po u bënte dhuratë për Krishtlindje liberalizimin e vizave vendeve si Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia, ndërkohë  që shumë analistë, opinionistë, por edhe politikanë, shpreheshin se u lanë jashtë procesit të liberalizimit të vizave vendet islamike si Bosnja, Shqipëria dhe Turqia. A mos vallë shqiptarët shikohen me dyshim në Evropë, për shkak të besimit të tyre të marrë gjatë pushtimit osman?
Nëse po, atëherë mund të them, se një qëndrim i tillë, vjen edhe për shkak të statistikave që janë dhënë për përkatësinë fetare të qytetarëve të Shqipërisë, statistika që jam i bindur që do t'i korrigjojë ndjeshëm regjistrimi fetar i popullsisë. E them këtë duke u mbështetur në një sondazh të realizuar nën kujdesin e ish presidentit Meidani para pak vitesh.
Sipas këtij sondazhi, 39 % e qytetarëve shqiptarë janë të besimit islam, të ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë në sunitë dhe bektashinj, 38 % të besimit kristian, këta të ndarë pothuajse të barabartë në ortodoksë dhe katolike. Pjesa tjetër, pra 33 % janë ateiste. 
Regjistrimi i parashikuar i qytetarëve, ku ata do të deklarojnë besimin fetar, do të tregojë edhe tendencat fetare të shqiptarëve në këto 20 vjet të tranzicionit, pas rikthimit të lirisë fetare, e ndaluar nga diktatura me Kushtetutë, si në asnjë vend tjetër të botës. Në këto njëzet vjet, me mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë kanë zgjedhur lirisht besimin kristian, jo thjeshtë pse ky besim është pjesë thelbësore e qytetërimit evropian, por edhe prej një vetëdijeje më të hershme se shqiptarët janë ndër popujt e parë në Evropë, që përqafuan Krishtërimin si fe të tyre dhe se ky besim u shpërnda ndër shqiptar nëpërmjet apostujve dhe misionarëve të krishterë dhe jo nëpërmjet ushtrive pushtuese. 
Besimi islam i rimarrë shumë shekuj më vonë nga një pjesë e shqiptarëve, ndodhi kur trojet shqiptare u pushtuan nga Perandoria Osmane, pas një rezistence historike që i bënë perandorisë osmane shqiptarët e udhëhequr nga Gjergj Kastrioti, duke u shndërruar në një barrierë mbrojtëse të krishterimit dhe të qytetërimit evropian, në ato vite kur Perandoria gjendej në kulmin e fuqive të saj dhe ushtritë e saj barbare përbënin një kërcënim serioz për qytetërimin evropian.
Fakti që shqiptaret kanë pasur gjithmonë harmoni fetare midis tyre, lidhet edhe me këtë vetëdije të hershme të tyre, se të gjithë njëherë e një kohë ishin të krishterë dhe kishin një qytetërim unik evropian, që kishte ekzistuar e zhvilluar krahas qytetërimeve që qëndrojnë në themel të Evropës së sotme, atij helen dhe romak. 
Edhe në përpjekjet për rilindjen kombëtare, për krijimin e ndërgjegjes kombëtare, ajo që i bashkoi shqiptarët për të krijuar kombin e tyre ishte emri emblematik i Gjergj Kastriotit dhe luftërat e tij fitimtare me ushtritë osmane. Fakt është se siç shkruan me të drejtë, At Zef Pëllumi, bashkëpunimi midis myslimanëve shqiptarë dhe kristianëve, qe e para shkëndi  e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ky bashkëpunim u vendos nga pashallarët Bushatli të Shkodrës, të cilët edhe pse kishin marrë besimin islam, ruanin në vetëdije prejardhjen e atyre nga fisnikë shqiptarë kristianë.
Përballë këtyre realiteteve historike, deklarimi i besimit fetar të cilit i përket çdo qytetar, mendoj se duhet të jetë një moment reflektimi jo vetëm për historinë, bashkëjetesën, por edhe për të ardhmen. 
Nëse sot, bëhen debate, është normale që këto debate të përqendrohen në ato shqetësime dhe probleme që ne hasim në rrugën tonë, për ta bërë Shqipërinë "si e gjithë Evropa", ashtu sikurse e kërkuan studentët e dhjetorit "90 dhe pjesë të Evropës së bashkuar, siç e dëshirojnë të paktën 95 për qind e shqiptarëve sot.
Shqipëria ka intelektualë, personalitete të shquar, të cilët mund t'i orientojnë këto debate në zgjedhjet që janë  më të mira për shqiptarët. Shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare, por edhe Presidenti i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova, kanë folur e shkruar për identitetin evropian të shqiptarëve, por edhe për kulturën e tyre evropiane. Këta dy burra të shquar të kombit shqiptar edhe janë kundërshtuar, por në të gjitha rastet, qëndrimet kundër kanë pasur një platformë lindore, jo evropiane dhe jo në interes të shqiptarëve. 
Është momenti që këta intelektualë dhe personalitete të shprehen, të bëhen pjesë e debatit që nxiti regjistrimi fetar dhe etnik, përtej frikërave dhe komplekseve të së shkuarës. Ne jo vetëm duhet të shikojmë drejt së ardhmes me guxim, por edhe historinë duhet ta shohim me kurajo, për të kuptuar me të vërtetë se çfarë jemi ne, qytetarët shqiptarë. Personalisht kam bindjen se si regjistrimi fetar, ashtu edhe debatet dhe reflektimet rreth këtij momenti, në asnjë rast nuk do ta dëmtojnë identitetin shqiptar. Përkundrazi do ta afirmojnë atë.

* Autori është kryetar i Partisë Demokristiane të Shqipërisë




(Vota: 10 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora