Kulturë
Poezi për fëmijë nga Have Lipa - Osmanaj
E diele, 24.01.2010, 07:33 PM
HAVE LIPA-OSMANAJ
U lind në Kamenicë të Burimit në vitin 1969. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje. Fakultetin Flologjik, dega Letërsi dhe GJuhë shqipe në Prishtinë. Punon në bibliotekën publike në burim. Me shkrime ka filluar të merret shumë herët dhe ka botuar në periodikun e kohës. Kohët e fundit i është përkushtuar Letërsisë për fëmijë. Në tetor të këti viti nxori librin e parë për fëmijë; "Peizazh i zemrës sime". Më poshtë po prezentojmë disa poezi nga kjo përmbledhje.
VENDLINDJA
Po shëtite metropolet,
zemra kurrë ty s'te tradhëton,
fjala kthim sa herë dëgjohet,
ty vendlindjen ta kujton.
Po shëtite metropolet,
gjumi qepallën të rëndon,
ëndrra është mike besnike,
te vendlindja ty të çon.
Malli është një shall i ngrohtë
që rreth qafe të shtrëngon,
kurrë, jo kurrë s'të lë të ikësh,
malli kurrë nuk të tradhëton.
Se ngado që botës shkon,
zogu im, pëllumb i bardhë,
nuk harron ti cicërimën,
nuk harron çerdhën e parë.
Ai mendim, mendim i bukur,
s'të lë kurrë të jeshë i qetë,
kthehet prapë në vend të vet,
e merr rrugën si shigjetë.
MOHORE
Pa shkronja nuk shkruhet asnjë emër,
pa numra asnjë datë,
pa dashuri s'pushtohet asnjë zemër,
pa punë gjithmonë je duarthatë.
Epika e kombit nuk shkruhet pa heronj,
pa trima s'ka vlerë lavdia,
pa ruajtur si sytë Atdheun,
mund t'i ndërrohet gjeografia.
Pa ndjenja të dala nga shpirti,
art të vërtë nuk ka,
pa qenë fëmi i prapë,
s'të thotë ndokush qerrata.
Pa provuar flatërimin,
s'do dishë ç'është lartësia,
të rritur s'e sheh kurrë vetën 
pa ditur ç'është fëmijëria.
Pa qenë vetë i uritur,
s'di se sa dhemb varfëria,
pa lexuar vargje poetësh,
s'di kurrë ç'është poezia.
Vargjet që lexove më lartë,
s'janë vargje pa mbarim,
u tha ç'u tha-e qartë,
nga shpirti rrodhi ky 
frymëzim.
Në adresë të nënës
Vetëm ti mund të dish
si gatuhet dashuria,
si shërohet çdo plagë shpirti
nga e cila lëngon fëmija.
T'gjitha dhëmbjet adresohen
n'emrin tënd, veç te ti,
aty gjejnë ilaç shërimi,
sikur gjejnë ndonjë magji.
Ka poet me famë kjo botë,
por kush s'mundi të arrijë
të shpjegojë gjithë kuptimin,
që ngërthen në vete ti.
E as unë që jam e vogël,
një pikë ujë në oqean,
s'do t'arrij të përshkruaj
dashurinë që për ty kam.
Ja dhe sot, për festën tënde,
unë e vogla, bija jote,
të uroj me fjalë zemre:
-rrofsh e qofsh për jetë e mote!
PA TITULL
-fëmijëve të vendindjes sime 
që ranë në luftën e fundit-
Në syprinën e tokës
ju vutë kokat për të pushuar,
engjuj që dremisni.
Në syprinën e tokës
ju ngulitët penat,
ëndrrat e jetës kur ishit
   duke shkruar.
Do të flasim me ju,
aromat e majit kur jemi duke shijuar,
do të rrimë me ju,
saherë të jemi të përmalluar.
Vatani, Nderimi, Mimoza, Leutrimi...
fotografitë tuaja shpesh mbajnë në duar.
Ju ikët...
ne kurrë s'u harruam,
toka mëmë u mori në gji,
plagët për t'ua shëruar.
MELOSI KOMBëTAR
NJë melodi më fle në shpirt,
një fëshfërimë hapash të lehtë,
t'i biesh globit anëpërtej
s'do t'gjesh më t'bukur në këtë jetë.
Melos i kombit më gjallëron,
prandaj e ruaj me besnikëri,
eja dhe ti kapu në valle,
të shijosh këtë begati.
GJeografinë e Atdheut
ta përshkojë vallja shqipëtare,
trashëgiminë tonë kulturore
e kemi pasuri të shtrënjtë
              kombëtare.
Komentoni
					Artikuj te tjere
						Sejdi Berisha: Poezi e ndijimeve rinore dhe e përjetimit të ngrohtë
						Përparim Hysi: Një "politikan" pak ndryshe
						Jusuf Zenunaj: Gatimi i gënjeshtrës
						Fran Buzhala: Duke pritur një mik!
						Cikël poetik nga Elida Buçpapaj
						Cikël poetik nga Engjëll Koliqi
						Cikël poetik nga Ferit Ramadani
						Basri Çapriqi në gjuhën rumune
						Halit Bogaj: Vaclav Havel
						Jorgo Telo: Nëpër kreshpat e fjalës poetike të Dalan Luzajt
						Xhenc Bezhi: Ura shenjtë
						Albert Zholi: Flet Arqile Lipe, aktori i njohur i skenës në varietenë e Fierit
						Gjon Keka: Në krahët e Morfeut
						Julia Gjika: Jemi pjesë e rrënjëve të tua Evropë
						Kalosh Celiku: Poezi për tim at, veten dhe melezët
						Daniel Gàzulli: Kangët e dhimbjes
						Këze Kozeta Zylo: 15-vjecarja nga Shqipëria që synoi të bëhej supermodelja e botës
						Fadil Curri: Risemantizimi i mitologjisë bregdetare joniane
						Anekdota
						Zef Mulaj: Koha
					
				
 Facebook
 Facebook Twitter
 Twitter Google+
 Google+ Digg
 Digg










