Kulturë
Cikël poetik nga Eva Hila
E merkure, 20.01.2010, 09:56 PM
|  | 
| ... mes Shkodrës dhe Rennes në Francë... | 
Babës tim
Me duart që të dridhen si flakë qiriu
Me njërën ma shtrëngon dorën
Me tjetrën me përqafë,
O baba im!
E buzën e vë mbi ballin tim 
Ku rrudhat ende nuk duken
Megjithëse i “moçëm”
Fjalët e urta mi thua në vesh
Unë qesh 
dhe trajektoren e rrudhave të tua
Përkëdhel. 
Lotit i reziston me sy
Kur sheh të bardhën e syve të mi
Arnuar me të kuqen e kohës
Që si e jotja, e zbehtë,
Shpreson të bëhet.
Agimesh fle
Në melankolinë e diellit të natës,
kur portokallia ndez lëkurën tënde të zbehtë
Bëhem lot. 
Përhumbur në një shqetësim fisnik
Në pyllin e drunjëve të pa pushtuar,
ku degët lëshojnë rrënjët e tyre në qiell.
Zjarri në tokë nuk mund të shuhet.
Nga dielli i natës që dashuri përqafon.
Lumturia…!?
Të jetë kjo vashë e shurdhët?
Era do të sulet,
Çdo gjë do të shfaqet si bisht fazani
Dalë nga qafa e mjellmës.
Anima  (1)
Në dehjen time apatike
Gotën ndesh me kufomat 
Eternale
Labirinteve të tyre anatomike
Zvarritem
Në kërkim të ekzistencës 
Së ashtuquajturit shpirt
Që feja shpallë.
Zemrat e tyre 
Sëmbojnë si të ishin gjallë
Ndërsa zhgënjimi im zë vend 
Në epigastrën
E relikave që heshtin
Mjerisht...
Anima (2)
Katedralja që jam
Mban dy shpirtra 
Njëri vdes në butësinë e heshtjes
Tjetri jeton me mortin e të parit
Nxitohuni ngadalë o shpirtra!
Në kërkim të frikës
Ky terror i zhurmshëm
Që shpirtit i shpon shpirtin.
Anima (3) – Shëmti e bukur
Nganjëherë bëhem vdekja, për ti qeshur jetës
E petkun e bardhë në të zi e shndërroj ,
Makjazhoj syrin me të zezë terri 
E gojën e mbyll me një çelës të madh,
Netët e zeza i martoj me të bardhat,
E në unazën e tyre shpresat dhunoj,
Blasfemit e djallit i bëj lutje të mia
E pasqyrave të dhomës veten shikoj…
Anima( 4) – Eterna
Kur do të shtrihem nën hënën e zbehtë
Me trupin mbuluar nga një çarçaf avulli,
Kur do të shtrihem në një shtrat çfarëdo,
Do të fshihen për mua, yjet që më thërrasin.
E shpirti im, përkundur nga kënga e vjeshtës 
Do të djegë ditët në të ftohtat errësira
Dhe në të zezën oqeanike të hijeve monotone,
Derisa harresa me fytyrë funebre
Të kapë mendjen time në akullin që kafshon
Dhe të më shtyjë me të dyja duart
Pa më të zbehtën hije të pendimit...
Anima (5) 
E lirë më dukej vetja,
E megjithatë e burgosur isha
Më shumë se kurrë.
E gjallë,
Por tashmë e vdekur mes të vdekurve
Qielli kishte mbetur i errët
Dhe refuzonte të ndriçonte
Dështimin tim.
Fytyrat prej guri më shikonin
Ndërsa këmbët më çonin në vendin 
ku trupi im kishte rënë
Ecja drejt tij
Me kokën kthyer nga ti...
Anima (6)
Në shtratin që akuzon praninë time
Shtrihen mijëra imazhe 
Të tua 
Të mia 
Të atyre
Që lakuriqësitë tona 
Mbështollën 
Dëbuan
Përfytyruan
Nën spektrin fantazmagorik të dermit 
Qëndisur me alegori  arteriesh
Që sot janë 
Plasur
Hapur
Shndërruar 
Në lëng veshtullor 
Ngjitës parantezash
Faqesh të shqyera nga klithmat histerike
Të zemrave të asfiksuara
Po ti nuk do t’ia dish
Mbi kokë ke vendosur legjendat e mitomanit
Që hijshëm ornojnë  mbretërinë që nuk ke,
E hapa të sigurt hedh mbi të ardhmen
E sotmja, 
Dje...
Komentoni
					Artikuj te tjere
						Ziko Ll. Kapurani: Vonesa
						Përparim Hysi: Mozaik me vargje
						Sokol Demaku: Video klip promovues - Qyteti Trollhättan në Suedi nga sytë e një mergimtari shqiptar?
						Halit Bogaj: Geri Kuper (1901-1961)
						Demir Krasniqi: S’ka n’Gjilan vend Car Llazari
						Luan Tetaj: Idetë iluministe të filozofit francez, Pjer Beli (Pierre Bayle 1647-1706)
						Halit Bogaj: ”Skënderbeu”
						Kalosh Çeliku: Patrioti i arratisur dhe parulla e ''v?llaz?rim - bashkimit''
						Sami Islami: Jetoi në kohë të gabuar
						Cikël poetik nga Hajdin Morina
						Neki Lulaj: Barbarëve të karpateve
						Luan Çipi: Vasillaq Ndoni / Nëpër vite
						Cikël poetik nga Engjëll Koliqi
						Përparim Hysi: Ah,ai valc!
						Këze Kozeta Zylo: Libri, dhurata më e çmuar
						Sami Islami: Gëzimi i fëmijëve apo fëmijët e gëzuar?
						Ahmet Selmani: Universi i mistershëm poetik
						Kalosh Çeliku: Pabesia
						Jusuf Zenunaj: Në ditën e drejtësisë
						Julia Gjika: Apokalipsi në Haiti
					
				
 Facebook
 Facebook Twitter
 Twitter Google+
 Google+ Digg
 Digg










