 |
... mes Shkodrës dhe Rennes në Francë... |
Eva Hila u lind në Shkodër më 2 nëntor 1963. Qysh e vogël mëton të rreshtojë vargjet e para, e më pas merr pjesë në konkurset e poezisë ne Shkodër si dhe përfaqëson Shkodrën në konkurset kombëtare të poezisë për pesë vjet me radhë. Në vitin 1991, largohet nga Shqipëria për në Francë. Ndjek studimet për Letërsinë Moderne në Universitetin “Victor Segalen” në Brest. Më pas punon si përkthyese në tre gjuhë shqip, italisht, frëngjisht, në fushën e drejtësisë, letërsisë dhe biznesit. Aktualisht jeton në Francë, në Rennes, kryeqytet i krahinës Bretagne.
Babës tim
Me duart që të dridhen si flakë qiriu
Me njërën ma shtrëngon dorën
Me tjetrën me përqafë,
O baba im!
E buzën e vë mbi ballin tim
Ku rrudhat ende nuk duken
Megjithëse i “moçëm”
Fjalët e urta mi thua në vesh
Unë qesh
dhe trajektoren e rrudhave të tua
Përkëdhel.
Lotit i reziston me sy
Kur sheh të bardhën e syve të mi
Arnuar me të kuqen e kohës
Që si e jotja, e zbehtë,
Shpreson të bëhet.
Agimesh fle
Në melankolinë e diellit të natës,
kur portokallia ndez lëkurën tënde të zbehtë
Bëhem lot.
Përhumbur në një shqetësim fisnik
Në pyllin e drunjëve të pa pushtuar,
ku degët lëshojnë rrënjët e tyre në qiell.
Zjarri në tokë nuk mund të shuhet.
Nga dielli i natës që dashuri përqafon.
Lumturia…!?
Të jetë kjo vashë e shurdhët?
Era do të sulet,
Çdo gjë do të shfaqet si bisht fazani
Dalë nga qafa e mjellmës.
Anima (1)
Në dehjen time apatike
Gotën ndesh me kufomat
Eternale
Labirinteve të tyre anatomike
Zvarritem
Në kërkim të ekzistencës
Së ashtuquajturit shpirt
Që feja shpallë.
Zemrat e tyre
Sëmbojnë si të ishin gjallë
Ndërsa zhgënjimi im zë vend
Në epigastrën
E relikave që heshtin
Mjerisht...
Anima (2)
Katedralja që jam
Mban dy shpirtra
Njëri vdes në butësinë e heshtjes
Tjetri jeton me mortin e të parit
Nxitohuni ngadalë o shpirtra!
Në kërkim të frikës
Ky terror i zhurmshëm
Që shpirtit i shpon shpirtin.
Anima (3) – Shëmti e bukur
Nganjëherë bëhem vdekja, për ti qeshur jetës
E petkun e bardhë në të zi e shndërroj ,
Makjazhoj syrin me të zezë terri
E gojën e mbyll me një çelës të madh,
Netët e zeza i martoj me të bardhat,
E në unazën e tyre shpresat dhunoj,
Blasfemit e djallit i bëj lutje të mia
E pasqyrave të dhomës veten shikoj…
Anima( 4) – Eterna
Kur do të shtrihem nën hënën e zbehtë
Me trupin mbuluar nga një çarçaf avulli,
Kur do të shtrihem në një shtrat çfarëdo,
Do të fshihen për mua, yjet që më thërrasin.
E shpirti im, përkundur nga kënga e vjeshtës
Do të djegë ditët në të ftohtat errësira
Dhe në të zezën oqeanike të hijeve monotone,
Derisa harresa me fytyrë funebre
Të kapë mendjen time në akullin që kafshon
Dhe të më shtyjë me të dyja duart
Pa më të zbehtën hije të pendimit...
Anima (5)
E lirë më dukej vetja,
E megjithatë e burgosur isha
Më shumë se kurrë.
E gjallë,
Por tashmë e vdekur mes të vdekurve
Qielli kishte mbetur i errët
Dhe refuzonte të ndriçonte
Dështimin tim.
Fytyrat prej guri më shikonin
Ndërsa këmbët më çonin në vendin
ku trupi im kishte rënë
Ecja drejt tij
Me kokën kthyer nga ti...
Anima (6)
Në shtratin që akuzon praninë time
Shtrihen mijëra imazhe
Të tua
Të mia
Të atyre
Që lakuriqësitë tona
Mbështollën
Dëbuan
Përfytyruan
Nën spektrin fantazmagorik të dermit
Qëndisur me alegori arteriesh
Që sot janë
Plasur
Hapur
Shndërruar
Në lëng veshtullor
Ngjitës parantezash
Faqesh të shqyera nga klithmat histerike
Të zemrave të asfiksuara
Po ti nuk do t’ia dish
Mbi kokë ke vendosur legjendat e mitomanit
Që hijshëm ornojnë mbretërinë që nuk ke,
E hapa të sigurt hedh mbi të ardhmen
E sotmja,
Dje...