E shtune, 27.07.2024, 03:08 AM (GMT+1)

Mendime

Arben Llalla: Gjashtëmujori shterp për zgjidhjen e çështjeve midis Maqedonisë dhe Greqisë

E shtune, 26.12.2009, 08:38 PM


GJASHTËMUJORI SHTERP PËR ZGJIDHJEN E ÇËSHTJEVE MIDIS MAQEDONISË DHE GREQISË

Nga Arben LLALLA

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2010 në politikën e jashtme të Maqedonisë në lidhje me çështjen rreth konfliktit me Greqisë për emrin e Republikës FYROM, identitetit dhe gjuhës nuk do të ketë asnjë të re. Shpresat që dikush mban tek kryesimi i BE nga përfaqësuesit spanjoll se do ketë përparime është e gabueshme. Sepse Spanja është mike e ngushtë e Greqisë dhe nuk do të prishi krushqinë me Greqinë për hatër të Maqedonisë. Edhe propozimi i liderit të BDI z.Ali Ahmeti që spanjolli z.Havier Solana të jetë ndërmjetësues midis Greqisë dhe Maqedonisë është një gafë trashanike politike. Siç duket shumë politikanë dhe analist shqiptar në Maqedoni nuk njohin mirë politikën greke dhe lidhjet e saja të ngushta me disa vende të fuqishme Evropiane dhe botërore. Vetë z.Solana nuk do të pranonte një propozim të tillë si ndërmjetësues sepse ai e di që do të dështojë në këtë detyrë. Por z.Ahmeti më shumë shikon interesat e tij personale se sa ato kolektive dhe shtetërore. Të gjithë e dimë që z.Ali Ahmeti ka marrëveshje me z.Solana më 2001 për ndaljen e luftës, dorëzimin e armëve të UÇK dhe izolimin e çështje kombëtare dhe sociale që lidhen direkt me interesat e ish-ushtarëve të UÇK. (Pas fitores në zgjedhjet e 2002, BDI dhe lideri i saj kishin premtua që në fillim do të ishin të privilegjuar që të punësoheshin të parët ish-ushtarët e UÇK se sa kategoritë e tjera të shoqërisë, por siç doli pas kaq vitesh ish-ushtarët e UÇK mbetën rrugëve dhe në disa raste janë kthyer në lypsarë). Të gjithë politikanët, analistët dhe historianët që merren me çështjen e konfliktit të 2001, e dinë se politikani Ali Ahmeti është prodhim Made in Solana dhe me daljen në pension të Havier Solanës del edhe Ali Ahmet në pension politik. Prandaj që në start dëshira e z.Ali Ahmeti që z.Solana të jetë ndërmjetësues për zgjidhjen e çështjeve midis Greqisë dhe Maqedonisë është e dënuar të dështojë si një ide pa të ardhme edhe pse z.Ahmeti mund te ketë ndonjë plan në mendjen e tij se mund ti bëj presion Gruevskit për të ndërruar emrin Kushtetues. Kryesuesja e presidencës së BE-es Spanja, ka krushqi të fortë me Greqinë sepse mbretëresha spanjolle Sofia është motra e mbreti të Greqisë Kostandinit II, i cili në dhjetor të vitit 1967, u përzu nga Greqia duke humbur frontin mbretëror në vitin 1973. Mbretëresha Sofia para se të martohej me mbretin e Spanjës më 14 maj 1962 gëzonte titull Princesha e Greqisë dhe e Danimarkës. Ajo është e lindur në Athinë dhe gëzon respekt tek populli spanjoll sepse për hatër të shumicës katolike spanjolle, ajo u konvertua nga ortodokse në katolike duke treguar respekt për katolikët spanjoll. Dhe mendoj që politika spanjolle nuk do ti prishi qejfin mbretëreshës së saj të dashur për hatër të maqedonasve që duan të privatizojnë historinë antik me Lekën e Madh. Historikisht Spanja ka qenë gjithnjë në krah të politikës greke në ditë të vështira, por edhe Greqia kur mbreti i Spanjës ishte në vështirësi gjatë diktaturës së Frankos e ka mbështetur atë. Midis dy vendeve ekzistojnë lidhje shumë të ngushta vëllazërore.
Për gjashtë muajt e parë të vitit 2010 çështja e emrit nuk do të zgjidhet, ajo do mbetet aty ku është, do jenë gjashtë mujori shterp i politikës së jashtme të Maqedonisë në lidhje me çështjet e pazgjidhura me Greqinë. Kryeministri Gruevski ka vendosur të mos të jetë ai që do ta çojë Maqedoninë drejtë anëtarësimit në NATO dhe BE. Kryeministri i Maqedonisë jo vetëm që nuk do të pranoj emër tjetër, por do të bëj përpjekje që brenda vitit 2010 të mbajë zgjedhje të parakohshme me qëllim që të fitoj një mandat tjetër dhe kohë që të zgjasë për disa vite karrierën e tij politike, paçka që vendi dhe populli fyromast do ketë probleme ekonomike dhe politike. Botërisht duhet pranuar se Maqedonia është futur në një qorrsokak. Ajo nuk ka vetëm problemet e pazgjidhura me Greqinë, por pritet të hapen edhe çështje delikate me Bullgarinë si dhe detyrat e shtëpisë që Evropa i ka dhënë vite më parë politikanëve në Maqedoni dhe ato detyra ende nuk janë plotësuar. Njëra nga këto detyra është realizimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe mos përfundimi me sukses i kësaj marrëveshje do ketë një çmim të lartë për ata politikanë që pengojnë këtë investim të BE. Dihet që BE është garantuesja për realizimin e kësaj marrëveshje paqësore dhe dështimi i realizimit të Marrëveshjes së Ohrit është dështimi politik i BE..

Pse z.Gruevski nuk do të ndërrojë emrin e Maqedonisë!

Kryeministri i Maqedonisë z.Gruevski asnjëherë nuk do të pranojë të ndërrojë emrin e Republikës së Maqedonisë. Ka shumë shkaqe pse nuk do të pranojë një gjë të tillë si:
a). Ai e sheh si sfidë personale çështjet të pazgjidhura me Greqinë duke kërkuar të marri hak për të shkuarën historike që grekët u kanë bërë egecëve dhe familjes së Gruevskit gjatë luftës qytetare greke më 1946-1949. Rezistencën politike të Maqedonisë ndaj Greqisë z.Gruevski e sheh si fitore personale.
b). Z.Gruevski kërkon të hyjë në histori si patrioti dhe themeluesi i FYROM, trashëgimtare e Maqedonisë Antike, i shtetit Unit me një gjuhë dhe histori maqedonase. Nuk janë të rastësishme vënia e figurave antike nëpër sheshet e Maqedonisë dhe injorimi i gjuhës, kulturës shqipe dhe i minoriteteve të tjera që janë themelues të Republikës së Maqedonisë.
c). Për sa kohë që z.Gruevski nuk ka presione serioze nga partitë shqiptare për ndërrimin e emrit, ai nuk do të ndryshojë kursin e tij politik të deritanishëm.
d). Për sa kohë që pjesa më e madhe popullsisë në Maqedoni do të jetë në nivelin e varfërisë ekonomike, z.Gruevski do gjejë mënyra të lehta për të fituar votat e shumicës varfanjake si dhe për ti manipuluar në emër të patriotizmit maqedonas antik.

Presidencia spanjolle nuk ka prioritet Ballkanin

Kryesuesja e radhës e BE Spanja për gjashtëmujorin e parë të vitit 2010 nuk ka prioritet në programin e saj çështjet e Ballkanit siç janë njohja e pavarësisë së Kosovës nga Spanja, çështjet e mosmarrëveshjeve midis Greqisë dhe Maqedonisë, heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinës etj. Si një vend i fuqishëm Evropian ajo do ti kushtoj më shumë vëmendje marrëdhënieve Ndërkombëtare të niveleve më të larta të BE me SHBA, Kanadanë, Rusinë, Mesdheun, me vendet e Amerikës Latine ku gjuha dhe kultura spanjolle është dominuese. Spanja do ti kushtojë vëmendje edhe organizimeve të Samiteve Ndërkombëtare, gjë që për 6 muaj do një angazhim të madh për të siguruar një mbarësi të suksesshme. Ajo do të ndeshet edhe me problemin e kalimit të disa kompetencave nga sistemi i vjetër në sistemin e ri të marrëveshjes së Lisbonës. Në përfundim për gjashtëmujorin e parë të 2010, çështjet e Ballkanit do mbeten pezull, të ngrira për tu riaktivizuar në gjashtëmujorin e dytë të vitit. Deri atëherë serbët, maqedonasit dhe malazezët le të jetojnë me emocionet e lëvizjes së lirë në Evropë. Ndërsa Shqipëria dhe Bosnja-Hercegovina me ëndrrën se në gjashtëmujorin dytë të vitit 2010 do të lëvizin pa viza konsullore nëpër Evropë duke ju ofruar edhe më shumë anëtarësimit për në BE.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora