E enjte, 01.05.2025, 05:30 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Gjon Neçaj: Në vend të një reportazhi për Nikaj - Merturin

E shtune, 28.11.2009, 07:46 PM




NË VEND TË NJË REPORTAZHI PËR NIKAJ – MERTURIN


Nga Gjon Neçaj

Prej kohësh kisha planifikuar që në faqet e shtypit të përditshëm të botoja një reportazh për një nga zonat më të thella të veriut,e njëherazi më të varfërat,më të braktisurat,por edhe nga më të veçantat.E kjo  më nxiste për të shkruar.
Por duke hulumtuar dhe mësuar më tepër për banorët e kësaj krahine, mësojmë se mbi  70 përqind e tyre  tashmë kanë migruar brenda vendit dhe të tjerë shpërndarë nepër botë,Fise të tëra janë larguar nga viset e tyre për një jetë më të mirë për vete dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre.Mirëpo nuk është e tepërt të shkruajmë se nga kjo krahinë kanë dalë mbi 500 kudro të lartë në fusha të ndryshme,që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në jetën e vendit.Bijtë e kësaj krahine janë shquar si  intelektualë  në arsim,shkencë,kulturë dhe letërsi.Por e veçanta e tyre është se çdo vit nën kujdesin e komunës mblidhen dhe zhvillojnë folkfestën e Nikaj Merturit,dike ruajtur kështu traditat,doket dhe zakonet e saj.Nga kjo krahinë,siç hulumton poeti dhe biri I saj,Anton Papleka,janë ruajtur deri në ditët e sotme këngë mbi 400 vjeçare,si “Duel m’gurit bukuria”,”Kaperceva dy tre male”,etj.
Veçantitë e kësaj zone janë në ritet pagane: të vetmit në Shqipërinë e Veriut që vajtojnë të vdekurin nga kori i burrave, të vetmit në Shqipërinë e veriut që festojnë natën e Buzmit ndryshe nga viset e tjera.Në Nikaj Mertur ndodhet kisha më e  vjetër në veri.E folmja e kësaj zone dhe fjalët e shprehjet e rralla që përdoren nga banorët janë të veçanta,thotë studiuesi Avdyl Sula.
Arkitektura e ndërtimit të kullave me frengji është karakteristike në Nikaj Mertur.Në Curraj Epër ndodhet ,tashmë e vetmuar ,kulla 200 vjeçare e ngujimit. Gjithashtu kisha e Currajve të Epërm  mban mbishkrimin e viteve 1800.

Për të plotësuar më tepër portretin e malësorëve të kësaj krahine,po citojmë shkrimin e Pal Dukagjinit,sekretarit të At Gjergj Fishtës,shkruar një shekull më parë,me titull :”Shqiptari i maleve të veriut-nikajmerturasi”,ku citojmë në original :
“Shtatnaltë, ije-hollë, shpatullgjanë, gjak-kulluet, si vena ne gastare. Synin gacë xixëlluese nën vetullat e zeza, rrashtën karakteristike te maleve dinarike, banori nip i Lekës, paraqet tipin e squet te veriut pa moterzime as kryqëzime race. I pastër në gjuhë, me nji gjallësi lumenjsh që rrëzohen shkëmbinjësh, ma i pastern ne doke. I kadalëshem në kuvend dhe i matun në urti, i peshuem në gjykime, i prem në vendime, i shpejtë në veprim, Lakonik në shprehje, i pasun në fytyrzime e shembëlltyrë të përshtatuna..

Gojtar ne log burrash, ulun përreth, kur rendi ti takojë me folë dhe të ndreqet në gjuj për të përshtatun kanunin ndër pleqni të fisit a por kur janë për tu marrë vendime me randësi për të mbaren dhe të mirën e Bajrakut.
Bujar dhe fisnik në shtëpi, qi deri natën vonë rrinë çilë për të pritun miq, të njoftuem e te panjoftuem, e deri anmikun, udhëtarin që i bjen për shteg t’oborrit a drumit, qi kalon asajt, të vorfën e lypsa, qi erren jashtë pa ditë se kujt me i msyme. Kulla shumë katëshe e kasolla përdhese në mal marrin ngjyrë feste, kur Zoti i harton me kambën e mikut përherë të deshiruem.
Besnik në fjalë e premtime të dhanuna, të cilat vetëm deka i pezullon, dheu i zi shban. Përfjale, qi del ka del shpirti, e beset e shtërngueme, ep jetën, shkrin robi rob, djeg kullë e fortesë, shkretnon mal e vrri. Asht burrë e jo ka zgjedhë, lidhet për fjale e jo për brienash.
Nuk njeh parime ditunore politike shoqnore, por zbaton me përpikmenin e përshtatshme të natyres njerzore atë shka botës sot i mungon: nderimi dhe cmimi anasjelltas, legaliteti vendosmëria. S’din dredhi përse s’don të gënjejnë , s’mrrinë me u paraqitë shka s’asht, përse s’pranon të jetë fletë, qi luen era, as pendël qi ban fryma.
Trim i pafrigueshëm ku do të jetë puna me ruejt dy gishta ndere qi Zoti i madh na fali në lule të ballit a por me la ballin e vruguem. U edukue qysh në fëmini me e que jetën nën prizmën e nderit pa të cilin njeriu asht i dekun. Para erzit vehtjak a familjar kanuni i mësoi vetem dy rrugë: gjakun, faljen por jo ligshtin.”
Ky ishte malësori i  Nikaj Merturit skalitur prej  Pal Dukagjinit para një shekulli.
A thua brezi i sotëm i ikur nga vendlindja do t’i ruaj këto virtyte të mrekullueshme ?!...


(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx