E enjte, 01.05.2025, 02:09 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Pierre-Pandeli Simsia: Në festën e madhe të Letërsisë Shqipe në Michigan

E enjte, 29.10.2009, 03:54 PM


Zoti Ekrem Bardha, duke i dorëzuar çmimin
Zoti Ekrem Bardha, duke i dorëzuar çmimin "Petro Marko" autorit Pierre-Pandeli Simsia
Në festën e madhe të Letërsisë Shqipe në Michigan

 
(Mbresa nga takimi i Ditëve të Letërsisë Shqipe në Michigan, Tetor, 24-25, 2009)
 
Nga Pierre-Pandeli Simsia
 
Për të 9-in vit radhazi, Revista "KUVENDI" dhe botuesi i saj, poeti dhe shkrimtari i mirënjohur, zotëria i nderuar Pjetër Jaku, më datat 24 dhe 25 Tetor, 2009, organizuan aktivitetin më të rëndësishëm të vitit në Diasporën Shqiptare, në Detroid, Michigan: "Ditët e Letërsisë Shqipe".
Ftesës për të marrë pjesë sivjet në konkursin e përvitshëm të letërsisë iu përgjigja edhe unë me një krijimin tim letrar në prozë, të pabotuar dhe të palexuar ndonjëherë, sipas regullave të konkursit.
Përveç pjesëmarjes në konkurs me krijimtarinë time, kisha edhe një dëshirë të madhe, të shkoja edhe unë në Michigan, për të jetuar nga afër atë aktivitet kaq të rëndësishëm kulturor letrar, sepse, siç edhe jemi informuar vitet e tjera, ai aktivitet i rëndësishëm ka lenë mbresa tek çdo pjesëmarrës për larminë dhe mënyrën e organizimit të tij.
Edhe pse dy ditët e fundjavës, në të cilat do të organizohej ai aktivitet, nuk korrespondojnë me ditët e pushimit tim, e vendosa të shkoj në Detroid, sigurisht, pa prishur punë edhe me punën.
Pas dy ditëve të ftohta që kaloi Nju Jorku në fillimin e javës, ndryshimi i menjëhershëm i klimës në ditët në vazhdim, mot pranveror në këtë fund tetori, nga shërbimi sinoptik mësuam se të shtunën dhe të dielën, 24 dhe 25 tetor do të ketë shi gjithë ditën. Dhe ashtu ndodhi vërtet; shiu filloi të bjerë shtruar që të premten në mbrëmje, pa u ndërprerë edhe ditën e shtunë. Pra, moti për të fluturuar me avion ditën e shtunë nuk ishte i kënaqshëm.
.....
Në atë mot me rreshje shiu, avioni i linjës Nju Jork - Detroid, bashkë me zhurmën e tij, pasi u shkëput nga toka, hyri midis reve të murma për t'i lënë ato poshtë dhe për të fluturuar në qiellin tjetër pa re, ku rrezet e diellit,  të përshëndesnin, kur hynin midis xhamav të dritareve.
Ndërsa avioni fluturonte nga Nju Jorku për në Detroid, gjatë një ore e pesëdhjetë minutave, retë poshtë tij, do të na shoqëronin gjithë kohën, që do të thoshte, se edhe moti në Michigan ishte i njëjtë me atë të Nju Jorkut.
Dukej sikur avioni fluturonte sipër një fushe të madhe me pambuk me forma dhe madhësi të ndryshme, që kishin krijuar retë e dendura.
.............
Ndërsa na njoftuan, se edhe pak minuta mbërrinim në aeroportin DTW, Detroid, pamë avionin të ulej poshtë, të hyjë në "fushën e madhe të pambuktë".
Nuk zgjati shumë, që ne, brenda avionit, ta shikonim veten tonë midis reve të murme dhe, më pas, u shfaq Detroidi.
Si çdo pasagjer, kur shkon për herë të parë në ndonjë shtet apo qytet të huaj, e shtyn kurreshtja për të parë të panjohurën. Edhe unë e hodha shikimin poshtë dritareve.
Në një gjelbërim të pafund, shtrihej Detroidi gjigand, ku vjeshta e magjishme kishte krijuar mozaikë ngjyrash gjetheve të pemëve të llojeve të ndryshme.
Brenda atij mozaiku ngjyrash vjeshtorë "fshiheshin" shtëpitë, shtriheshin rrugët e gjata dhe të shumta, herë të drejta e herë të kryqëzuara...
Ishte kjo mrekullia e parë mahnitëse që po më jepte ai qytet i parë nga lart, pa e shkelur ende; gjelbërimi.
.......
Anëtarët e Jurisë: Nga e majta në të djathtë: Redin Hafizi, Aida Dismondy, Brunilda Liço, Nexhip Ejupi
Anëtarët e Jurisë: Nga e majta në të djathtë: Redin Hafizi, Aida Dismondy, Brunilda Liço, Nexhip Ejupi
Duke ecur korridoreve të aeroportit DTW, dëgjoj tingullin e ziles së telefonit tim celular. I përgjigjem thirrjes, pa e ditur se kush ishte, vetëm numrat lexoheshin. Ishte zotëria i nderuar Pjetër Jaku, organizatori kryesor i atij aktiviteti të rëndësishëm dhe botuesi i "KUVENDI"-it.

... Mbërrite? - më pyeti. - Po! - i them. - Sapo mbërrita dhe jam drejt daljes nga aeroporti...
Nuk vonoi as tre minuta, përsëri dëgjoj tingullin e ziles së telefonit.
 - Pierre-Pandeli Simsia?
 - Po - iu përgjigja.
 - Jam Zefi, Zef Lleshi. Sapo më njoftoi Pjetri (Jaku) për mbërritjen tënde; po të presim tek dalja Nr 1.
 - Nuk do ta keni të vështirë të më dalloni, nga shtati im i lartë... - i them.
Zefi kishte dalë për të më pritur, bashkë me një bashkatdhetar tjetër, Çim Legisi.
I njëjti gjak shqiptar që kemi, na bën, që edhe pse të panjohur, të takohemi e përqafohemi me njëri tjetrin si vëllai me vëllanë, si miku me mikun.
Ashtu u takova edhe unë me Zefin dhe Çimin.
Biseda e këndëshme dhe vëllazërore, bëri që të mos e ndjenim fare rrugën prej 30 minutash nga aeroporti për në hotel.
Rrugës, duke shkuar në hotel, Zefi më thotë, se pak orë përpara meje, kishte mbërritur zoti Naum Prifti.
U gëzova shumë, qesha, por edhe njëfarë "pengu" më ngacmoi në ato çaste. Si nuk munda të komunikoja me zotin Naum këtu në Nju Jork, të shkonim bashkë në Michigan?
Nuk është hera e parë që me zotin Naum Prifti të kemi qenë bashkpjesëmarrës në disa aktivitete të ndryshme jashtë Nju Jorkut, ku ato kënaqësi dhe mbresa të mëdha nuk do t'i harrojmë kurrë. Kujtoj këtu, vajtjen tonë bashkë, në Virginia, ku ishim të ftuar nga zoti Petraq Pali të merrnin pjesë në ceremoninë e martesës së djalit të tij, Skerdilajdit.
Vajtjen tonë bashkë në Chicago, ku ishim të ftuar nga Familja Seitaj, për të marrë pjesë në promovimin e librave të poetes prozatore të talentuarës, Diana Seitaj, vajtjen tonë bashkë në një aktivitet të rëndësishëm në Boston... Dhe ja, prapë tani bashkë me shkrimtarin Naum Prifti në Detroid...
......
Pjetër Jaku
Pjetër Jaku
Pas shlodhjes disa orëshe në hotel, përsëri dëgjoj tingullin e telefonit. Ishte prap Zefi, i cili më njoftonte, të ishim gati për 10-të minuta, unë dhe zoti Naum, se do të vinte të na merrte me makinë. (Dhoma ime e fjetjes dhe dhoma e zotit Naum, ishin përballë) Në atë kohë kishte ardhur Prof. Teodor Karreco për t'u takuar me z. Naum.

I thashë se jemi me Prof. Karrecon.Të tre u nisëm për tek kafeneja... Vendi i takimit ishte tek "Kafja Shqiptare" me pronar Benin nga Korça.
Atje na prisnin bashkatdhetarë të tjerë, të njohur e të panjohur; poeti i mirënjohur Nexhip Ejupi, Zefi... Nuk vonoi shumë, kur hyjnë në kafe dhe vijnë drejt nesh, zoti Pjetër Jaku, i shoqëruar nga Elinda Marku, Monela Jaku, Mara Jaku, Nevruz Nazarko, Gjovalin Lumaj, Albert Arapi, Kastriot Nikolla, Pavlin Gjoni...
Përsëri takime emocionante kur takohesh dhe përqafohesh me bashkatdhetarët si vëllai me vëllanë, si motra me vëllanë, pavarësisht njohjeve.
Në atë kafene, takova për herë të parë edhe një bashkatdhetar tjetër, krijuesin Ndue Hila.
Në raste të tilla takimesh, koha ecën shumë shpejt, pa e ndjerë, dhe çdo gjë ishte e programuar. Nuk duhet të vonoheshim shumë në kafene, organizatorët kishin përgatitur darkën e mirëseardhjes për nder të miqve të ftuar dhe të ardhur.
Siç ishim të gjithë së bashku, u çuam dhe zumë vend në disa makina për të shkuar në restorantin ku do darkonim, "Royal Coffee", me pronar bashkatdhetarin Fran Lleshi.
Edhe pse shiheshim për herë të parë, në atë darkë ne ishim të gjithë si një familje e madhe, vëllezër e motra për të gëzuar së bashku. Njerëz të mrekullueshëm. Midis bisedave të ndryshme, Elinda shprehu dëshirën, duke më thënë se, do ishte kënaqësi të kishte ardhur edhe bashkëshortja ime. Do të na gëzonte shumë pjesëmarrja e saj... Të njëjtën dëshirë e shprehën edhe disa bashkatdhetare të tjera më vonë.
Atë "peng", po e jetoja edhe unë vetë në ato çaste; doja të kisha pranë bashkëshorten time të nderuar, ta përjetonte edhe ajo nga afër atë gëzim dhe kënaqësi që po e përjetoja edhe unë, por, mosardhja e saj, nuk varej nga unë, sepse ajo bashkë me dy djemtë e mi ndodhen përkohësisht në Shqipëri
Është tjetër ta përshkruash dhe tjetër ta jetosh, atë kënaqësi dhe emiocione gëzimi që përjetuam të gjithë së bashku në atë darkë. Biseduam, kënduam, kërcyem, recituam bashkarisht.
Poetja Elinda Marku dhe shkrimtari Naum Prifti
Poetja Elinda Marku dhe shkrimtari Naum Prifti
Menuja e ushqimit shumë e pasur. Por nuk ishte menuja ajo që po na kënaqte; ne, që kur u njohëm me bashkatdhetarët tanë, po ushqeheshim me ngrohtësi, me mikpritjen, çiltërsinë, humorin dhe bisedat e këndëshme që na shoqornin gjatë gjithë kohës.

Për nderin tonë dhe të gjithë pjesëmarrësve në atë darkë, të "zotët" e shtëpisë, pritësat, kishin ftuar këngëtaren, "Kanarina e Michiganit" siç e quanin ata këngëtaren e talentuar Afërdita Gashi, të cilën e shoqëronte në organo, Bilbili, bashkëshorti i saj, muzikant tepër i talentuar dhe me kulturë muzikore edhe ai.
Afërdita Gashi udhëtoi në të gjitha krahinat shqiptare me këngët e saja që interpretoi.
Pas këngëve të kënduara nga kanarina Afërditë, emocione të shumta na dha edhe Pavlin Gjoni, mirditori, i cili interpretoi dy këngë për kurbetin, të shoqëruara nga ai vetë në çifteli. Eh! Këngët për kurbetin sa mallëngjyese janë, veçanërisht, kur interpretohen nga mjeshtërit e këngëve, siç ishte Pavlini.
Dukej, se vetë Zoti i madh na e kishte sjellë atë gëzim dhe kënaqësi që po jetonim atyre orëve.
Gjithmonë, ne miqtë e ardhur, kishim në dispozicion makinat dhe shoferat që na shoqëronin, Zef Lleshi, Albert Arapi...
Nuk donin të ngriheshim e të iknim nga ajo darkë e bukur, festive dhe familjare.
Përsëri, koha ecën shumë shpejt në raste të tilla dhe, na duhej të ktheheshim në hotel në orët o vona të mbrëmjes, për të qenë gati të nesërmen, ditën e Diel.
Edhe pse ishim të lodhur gjatë gjithë ditës, gjumi nuk mund të na zinte. Ishin mbresat e shkëlqyera, gëzimi që ndjenim në shpirt për ç'do gjë kaluam atë ditë me ata njerëz të mirë e bujarë, mikpritësa dhe të dashur, që po e mposhtin gjumin. E megjithatë, i bëmë pak orë gjumë, për të qenë të shlodhur në ditën e madhe, të dielën, kur edhe do të mbahej aktiviteti i rëndësishëm.
...
Zef Lleshi
Zef Lleshi
Përsëri mëgjesin e së dielës, Zefi, Alberti, do të na njoftonin të ishim gati për 10-të minuta se do vinin të na merrnin me makinë nga hoteli, për të pirë kafen e mëngjesit.

Kafja atë të diel, ishte menduar të pihej në një kafene tjetër shqiptare, me pronar, bashkatdhetarin e njohur, Rush Dragu.
Ambientë dhe klienta shqiptarë na prisnin në kafene. Njëri, nga dy ekranet e televizorit në kafenenë e Rushit, transmetonte programe shqiptare. Për një çast, e harroje se ndodheshe në Detroid, të dukej vetja si në Shqipëri.
Midis bashkatdhetarëve të tjerë të panjohur, u njoha edhe me një djalë shkodran, heroin e demokracisë shqiptare, ai, që u përlesh dhëmbë për dhëmbë me policinë komuniste në fillimvitet 90-të për përmbysjen e komunizmit dhe që respektohej nga të gjithë, Alfons Grizha.
Menjëherë më tingëlloi mbiemri i tij, për t'iu rikthyer 25 viteve të shkuara, për një ish shokun tim të atyre viteve kur unë isha në Shkodër, Aleksandër Grizha.
Kur Alfonsi më thotë, se Aleksandri ishte vëllai i tij, nuk doja ta besoja, për atë rastësi që ma solli vetë fati. E takoj edhe njëherë dhe fytyra e Alfonsit m'u shndërua në fytyrën e Aleksandrit. Zot! Ç'farë rastësi dhe mrekulli të papritura të sjellë fati.
Në bisedë e sipër, drejt tavolinës sonë vjen një djalë i qeshur rreth të 38-tave. - Ja ku erdhi edhe Redini, u dëgjuan zëra.
Ishte Redin Hafizi, emër i njohur i gazetarisë shqiptare në Shqipëri dhe në Diasporë
Përsëri, biseda e ngrohtë dhe miqësore, bëri që orët të kalonin shumë shpejt dhe ne duhet të çoheshim nga tavolina për të shkuar në një restorant tjetër për të drekuar.
Më ka mbetur në mendje dhe më ka shoqëruar për të mos e harruar kurrë, qetësia, inteligjenca, e fjalëpakut dhe mëndjendriturit, poetit të shkëlqyer Nexhip Ejupi, që, siç u shprehën edhe ata që e njohin, shpirti i Nexhipit, vetëm poezi dhe mirësi buron...
Në bisedë e sipër në tavolinën drekore, folëm dhe kujtuam pjesë të ndryshme nga jeta jonë, kujtuam njerëzit e mëdhenj të letrave shqipe, poetë dhe shkrimtarë të ndryshëm...
Zef Lleshi dhe Pjetër Jaku
Zef Lleshi dhe Pjetër Jaku
Sa të këndëshme bëheshin bisedat e na dukej se njiheshim me njëri tjetrin për vite me radhë. Nuk doja ta kujtoja se të nesërmen do largohesha nga ai vend, nga ata vëllezër, motra, miq të mrekullueshëm dhe, kush e di se kur do takohemi dhe shihemi përsëri.

Zef Lleshi i kujton Pjetrit nëse kishte shkuar ndonjëri në aeroport për të pritur të ardhurit e tjerë, apo të nisej vetë ai. (Në të njëjtën ditë, Zef Lleshi, kishte shkuar pesë herë në aeroport bashkë me Albert Arapin dhe shokë të tjerë, për të pritur miqtë e ardhur.)
Pjetri i buzëqeshi dhe tundi kokën, duke i lënë të kuptohej se ishin marrë masta dhe njerëzit ishin nisur në aeroport.
Përsëri një pushim i shkurtër në hotel, për të marrë pjesë në mbrëmjen e madhe të aktivitetit.
..........
Salla e madhe e restorantit "The Wellington Pub, 1129 E.Long Lake Rd - Troy, MI" me pronar shqiptarin Gjeto Ivezaj, ishte zbukuruar si për festë.
Sigurisht, s'kishte si të ndodhte ndryshe për një aktivitet kaq të rëndësishëm, siç ishte ai i Ditëve të Letërsisë Shqipe në Michigan.
Midis të pranishmëve në sallë dhe të tjerëve që hynin, të binin në sy lëvizjet e organizatorit Pjetër Paku, Zef Lleshi, Rush Dragu, Nevruz Nazarko, Elinda Marku, Alfons Grizha.
Edhe pse çdo gjë dukej se po shkonte mbarë, Pjetri ishte i vëmendshëm dhe i kujdesshëm, por kishte të drejtë të kishte edhe ai merakun e tij.
Pamë të hynin në sallë At Pashko Gojçaj, Kryetari i Shoqatës "DUKAGJINI" z. Ndue Ftoni. Kryetari i Shoqatës "KELMENDI", z. Mark Rexha, ish Botuesi i Gazetës shqiptaro amerikane "ILLYRIA", z. Ekrem Bardha, ish Drejtori i Festivalit të Vitout që zhvillohet në Ulqin, matematicieni z. Anton Laçaj, Prof. Teodor Karreco, Piktori Luan Isufi, Eduard Aliko, Ilirian Myftiu dhe bashkëshortja e tij, Xhafer Caho, Salvator Grishaj, Pjerin Deda, Franz Grishaj dhe bashkëshortja e tij, Luan Isufi nga Nju Jorku, Fejzullah Abdullai, Vladimir Hysa dhe vëllai i tij...
Zoti Nevruz Nazarko
Zoti Nevruz Nazarko
Kishin ardhur edhe qytetarë të tjerë amerikanë me kombësi të ndryshme për t'u njohur me Kulturën dhe Letërsinë Shqiptare.

Në sfond të sallës, ishte ulur Juria, personalitete të njohur të Letërsisë dhe Gazetarisë Shqiptare: Poeti i mirënjohur Nexhip Ejupi, Përkthyesja e njohur Aida Dismondy, Gazetari i mirënjohur Redin Hafizi, Poetja Brunilda Liço.
Pak më tutje, kishte zënë vend orkestra e Grupit Artistik "EMIGRANTI" nën drejtimin e muzikantit Bedri Rukaj dhe këngëtarit Mark, Markgjeka, të cilëve do t'u shtoheshin edhe çifti Afërdita dhe Bilbil Gashi. Këngëtarët Margjeka, Gashi, vërtetë të talentuar dhe të zgjedhur tamam për atë festë të madhe.
Fjalën e hapjes e mbajti zoti Zef Lleshi, i cili me diksionin e zërit të tij dhe me një mënyrë të shkëlqyer prezantimi, foli për rëndësinë e madhe që ka ai aktivitet për të 9-tin vit radhazi, duke falenderuar edhe të gjithë pjesëmarrësit dhe krijuesit e ndryshëm letrarë që, me krijimtarinë e tyre letrare morrën pjesë në konkursin e Ditëve të Letërsisë Shqipe në Michigan.
Zoti Lleshi, foli gjithashtu edhe për rëndësinë e madhe që ka botimi i Revistës Kuvendi, revistë e mirëpritur dhe e pëlqyer, jo vetëm për bashkatdhetarët që jetojnë në Michigan, por edhe në shtete të tjera të Amerikës.
Me emocione dhe duartrokitje u prit edhe fjala përshëndetëse e Ministrit të Shtetit, zotit Genc Pollo dhe veçanërisht, përshëndetja e Kryeministrit, zotit Sali Berisha, drejtuar atij aktiviteti, duke falenderuar organizatorët, pjesëmarrësit, krijuesit letrarë... Përshëndetja u lexua nga z. Pjetër Jaku.
Përshëndetën gjithashtu edhe At Pashko Gojçaj.
Z. Lulash Palushaj, mbajti kumtesën për At Gjergj Fishtën, duke cituar edhe disa vargje nga krijimtaria e Fishtës.
Përshëndetën edhe Konsulli i Nderit i shqiptarëve të Michiganit, z. Ekrem Bardha, Ndue Ftoni, Mark Rexha, Naum Prifti, P-P. Simsia...
Me emocione u prit edhe recituesja Nilda Dervishaj, e cila recitoi poezi nga poeti Pjetër Jaku: "Më bëni qytetar nderi", poezia "Sot" nga poetja Elinda Marku, dhe poezi nga Alfons Grishaj.
Ndue Gjekaj, recitoi vargje nga poezia e poetit Gjovalin Lumaj.
Me duartrokitje u prit edhe poezia "Sa shumë më mungon" e autorit Nevruz Nazarko.
......
Këngëtari Pavlin Gjoni
Këngëtari Pavlin Gjoni
Nën tingujt e ritmeve të muzikës dhe këngëve e valleve të ndryshme nga të gjitha krahinat shqiptare, interpretuar nga këngëtarët e talentuar Mark Margegaj dhe Afërdita Gashi, u çuam për të kërcyer dhe kënduar së bashku, të gëzonim ashtu si e meriton Letërsia Shqipe.

Të gjithë u bëmë një, këngëtarë, muzikantë, pjesëmarrës.
Ambient tepër i këndshëm, i gëzueshëm, emocionant, për t'u mbajtur mend e për të mos u harruar kurrë. Dalje në fotografi, shkëmbim numrash telefoni dhe adresë e-mail-esh për ta ruajtur miqësinë dhe njohjen tonë.
Kur muzika dhe këngët pushuan për t'i lënë vend edhe pjatave me ushqim që kishim përpara tavolinës, nga njëri cep i sallës u dëgjuan tingujt e kitarës dhe më pas zëra burrash, duke kënduar serenatat e korçare.
E si mund të rrije indiferent, ndërsa dëgjoje ato perla korçare muzikore e të mos merrje pjesë bashkë me grupin korçar në serenata?!
Serenatat janë lindur vërtetë në Korçë, por ato nuk janë vetëm të korçarëve. Pjesëmarrës nga krahinat e ndryshme shqiptare u bashkuam në një grup të vetëm dhe nga ai cep i sallës ku nisi interpretimi i tyre, ecëm, për të qendruam në mes të sallës, për t'i kënduar të gjithë së bashku.
Në mes të kënaqësisë që po kalonim, shkrimtari Naum Prifti, të cilin gjatë gjithë kohës e kisha pranë, më afrohet dhe më thotë: "Kam qenë edhe vitin e kaluar këtu në Michigan për të njëjtin aktivitet, por ky i sivjetmi, qenka shumë shumë herë më ndryshe..."
Në bisedat që patëm me bashkatdhetarë të ndryshëm, mësuam për z. Pjetër Jaku, njeri intelektual, i respektuar dhe i vlerësuar, punëtor në aktivitete të ndryshme në Komunitetin e Michiganit, një botues serioz i Revistës "KUVENDI", njeri me shpirt të pastër, që vetëm të mira di të bëjë.
Meritojnë vlerësimin maksimal të gjithë ata organizatorë dhe në veçanti zoti Jaku, për atë organizim të përsosur dhe arritje të suksesshme.
Aktivitetin e ndihmoi biznesmeni dhe aktivisti i njohur, Astrit Turrabi ish bashkëpronar me TVA2, një nga televizionet e njohur të shqiptarëve të Michiganit. Zoti Turabi kishte ardhur posaçërisht nga Florida për këtë aktivitet.
"Ditët e Letërsisë Shqiptare në Michigan" u përcollën nga televizionet lokale, si edhe nga gazetarë të ndryshëm të shtypit.
Me këto mbresa të paharuara, me atë gëzim dhe kënaqësi që kaluam ato dy ditë në Michigan, u takuam me njëri tjetrin, duke i dhënë dorën e miqësisë me urimin "Mirutakofshim përsëri..."
Faleminderit gjithë organizatorëve të aktivitetit më të rëndësishëm të vitit "Ditët e Letërsisë Shqipe" në Michigan, për atë arritje dhe sukses të madh, për të vlerësuar dhe lartësuar Artin, Kulturën, Letërsinë Shqipe, për mundësinë që na krijuan, për të qenë pjesëmarrës në të...
Ju faleminderit!
 
Vlerësimi i Jurisë së Konkursit:
 
Poezi:
Çmimi i pare: Pader Pashko Gojçaj, për poezinë më të realizuar,
paraqitur në këtë konkurs
 
Çmimi “ Gjergj Fishta”: Kostaq Duka, për poezinë përmbajtësore me te realizuar, paraqitur në këtë konkurs.
 
Çmimi “ Migjeni”: Zeqir Gervalla, për poezinë më të realiauar artistikisht, paraqitur në këtë konkurs.

Prozë:
Çmimi i parë : Rakip Babqorri, për prozën më të realizuar në formë dhe përmbajtje.
 
Çmimi “ Petro Marko”: Pierre-Pandeli Simsia për prozën më të realizuar në tematikë.

Çmimi “ Anton Pashko”: Vlash Fili, për prozën më të realizuar artistikisht.

Publicistikë:
Çmimi i pare : Dalip Greca, për publicistikën studimore më të
realizuar, paraqitur në këtë konkurs.

Çmimi “ Faik Konica”: Naum Prifti për publicistikën tematike më
të realizuar, paraqitur në këtë konkurs.

Çmimi “ Arshi Pipa”: Ahmet Çollaku për publicistikën problemore,
paraqitur në këtë konkurs.

Satirë:
 Çmimi “Tefë Palushi”: Bardhyl Mezini për ciklin me fabulat mëtë mira, paraqitur në këtë konkurs.

Çmime speciale te Keshillit Botues:
Nevrus Nazarko, për poezinë më të mirë me tematikën e vendlindjes, botuar në revisten “ Kuvendi”, në numrin 9-2009
Nilda Dervishaj, për interpretimin më të mirë të poezisë dhe prozës, në takimin final të Ditëve të Letërsisë Shqipe në Michigan
Këngëtari Mark Margjeka
Këngëtari Mark Margjeka
Shkrimtari Naum Prifti uron Pierre-Pandeli Simsinë për marrjen e çmimit
Shkrimtari Naum Prifti uron Pierre-Pandeli Simsinë për marrjen e çmimit "Petro Marko"
Elinda Marku, Pierre-Pandeli Simsia, Aida Dismondy, Ekrem Bardha, Pjetër Jaku
Elinda Marku, Pierre-Pandeli Simsia, Aida Dismondy, Ekrem Bardha, Pjetër Jaku
Këngëtarja Afërdita Gashi dhe bashkëshorti i saj Bilbil Gashi
Këngëtarja Afërdita Gashi dhe bashkëshorti i saj Bilbil Gashi






(Vota: 14 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx