E hene, 29.04.2024, 03:24 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Edval Zoto: Izraeli, një portë e hapur për shqiptarët

E hene, 21.09.2009, 01:53 PM


Tel Aviv
Izraeli, një portë e hapur për shqiptarët


Shënime modeste udhëtimi nga Toka e Zotit

Nga Edval Zoto

"Ky djali duhet të jetë shqiptar!". Edhe pse kisha përshëndetur në heshtje Nënë Terezën, "krahëhapur", para 11 orësh dhe kisha pritur këmbëkryq, pa tymosur për më tepër, për pjesën më të madhe të kohës në havalimanin e Ataturkut, këto fjalë shqip të dëgjuara pranë aeroportit izraelit "Ben Gurion", nuk ishin fryt i imagjinatës sime. I ndikuar nga shkrime të ndryshme nëpër internet, ku shqiptarët shpreheshin të lumtur për thjeshtësinë e kalimit të kufirit izraelit, si dhe nga kontaktet me disa miq të mi, që promovonin historinë e marrëdhënieve izraelito-shqiptare, besoja se ky shtet, dashur pa dashur, do kishte një koloni të zgjeruar shqiptarësh.

Me siguri, ato fjalë do kishin dalë nga goja e ndonjë prej këtyre "të shumtëve", mendova. Kështu që, me një buzëqeshje "patriotike", u ktheva të shkëmbeja dy fjalë me ta. Ishin nënë e bijë, e ndërsa nëna i përmbushte plotësisht karakteristikat e femrave vlonjate, Amarisa ("Dhurata e Zotit" në hebraisht), e qeshur, ishte një engjëll i vogël ngjyrë çokollatë dhe me kaçurrela që i mbulonin sytë e mëdhenj të zinj. Ishte fëmija i vetëm i ardhur në jetë pas një martese të gjatë që kishte nisur në brigjet shqiptare të Mesdheut e kish vazhduar, me kërkesë të kryefamiljarit, në brigjet izraelite. Një histori e bukur që nuk më la aq pa fjalë sa përgjigjja e vlonjates: "Është shumë e rrallë të gjesh shqiptarë në Izrael. Jemi rreth 300 vetë dhe pothuaj njihemi të gjithë. Disa, ‘veteranët‘, kanë që në fillim këtu; shumë pak kanë ardhur kohët e fundit".

‘Në fillim‘ ishte një përcaktim kohor që nënkuptonte fillesat e shtetit izraelit, nga 14 maji i vitit 1946, kur David Ben Gurion dhe sionistë të tjerë shpallën krijimin e Izraelit në një shtëpizë të betonuar në bulevardin "Rothschild" të Tel Avivit. Ndërsa "kohët e fundit" kishte një prejardhje shqiptare dhe nënkuptonte dy dekadat e fundit, pas hapjes së "vendit të shqipeve", pra, nga viti 1990 e këndej. Pasi falënderova për ftesën për një vizitë në shtëpinë e Amarisës dhe mora përshëndetjen "Kalofsh mirë, vëlla!" nga "Doruntina" vlonjate, u nisa drejt hotelit, duke medituar rrugës për lidhjet e çuditshme mes shqiptarëve dhe hebrenjve.

Secili nga shtetet mund t‘u paraqesë popujve përkatës motivet e tij për të pasur një mendim pozitiv për tjetrin. Për Izraelin, shqiptarët janë populli që kanë shpëtuar me qindra jetë hebrenjsh përgjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, duke fshehur dhe mbrojtur nga forcat naziste edhe familje të ardhura nga vende të ndryshme të Ballkanit. Populli shqiptar është cilësuar nga autoritetet më të larta izraelite "më fisniku ndër fisnikët". Për këto arsye, ndoshta, qeveria izraelite hoqi regjimin e vizave për shqiptarët. Nga ana tjetër, njohja e shpejtë diplomatike të shtetit izraelit nga shteti shqiptar. Dy dekadat e fundit, Shqipëria, edhe pse shtet anëtar i Konferencës Islamike, me një popullsi me shumicë myslimane, asnjëherë zyrtarisht, madje as publiku dhe mediat e tij nuk i janë kundërvënë politikave të zbatuara nga Izraeli për konfliktin me palestinezët. Ndërkaq, Izraeli është shteti që ka njohur, parimisht, pavarësinë e Kosovës, duke iu bashkuar familjes së popujve që kanë treguar mirëkuptim për çështjen shqiptare.

Mes këtyre motiveve dhe argumenteve e vërtisja mendjen, derisa mbërrita në dhomën e hotelit, kur, duke rregulluar plaçkat, u kujtova se kisha marrë me vete në "laptop"-in tim edhe një kopje elektronike të librit në proces botimi "Hebrenjtë në Shqipëri - Prania dhe shpëtimi", të prof. Shaban Sinanit. Do ta lexoja këtë libër të jashtëzakonshëm për të zbuluar aty detaje dhe fakte fantastike për lidhjet shqiptaro-hebraike. Prej autorit të këtij libri do të merrja vesh se paska pasur një plan ndërkombëtar në prag të Luftës së Dytë Botërore, mbështetur nga OKB dhe USA, që e projektonte Shqipërinë si "atdhe të hebrenjve", pra, si Izraelin e ardhshëm! Në monografinë, që pritet të publikohet brenda pak ditësh, gjenden dëshmi, dokumente, foto, letra që e verifikojnë një plan të tillë... Kur u zgjova të nesërmen në mëngjes konstatova se truri im ishte "fikur" me këtë mendim në buzë: "Sikur Izrael të ishim ne". Nuk e di pse, por kjo ide mua më trembte.

Jerusalem
Jerusalem
Në Izrael gjendesha për shkak të një ftese për konferencën ndërkombëtare "Mediat në Konflikte" të organizuar nga Qendra Ndërdisiplinore ‘Herzliya‘, një nga universitet private më të njohura të Lindjes së Mesme, Shoqata "Stand With Us", një shoqatë që ka si objektiv promovimin e Izraelit në mediat botërore dhe Ministria e Diplomacisë Publike dhe Diasporës. Në program përfshiheshin leksione të mbajtura nga oratorë të njohur dhe, gjithashtu, natyrisht, një udhëtim në qytetin e shenjtë, Jerusalem. Pjesëmarrësit do të njiheshin me rolin dhe sjelljen e mediave gjatë zhvillimeve të konflikteve, bazuar në kontekstin izraelit. Që nga nisja e operacionit "Cast Lead" (27 dhjetor 2008-21 janar 2009), në opinionin ndërkombëtar imazhi i shtetit izraelit konsiderohet tejet negativ.


Nga ana tjetër, edhe publiku i thjeshtë, i ndikuar nga situata e shfaqur në media, protestonte në shenjë solidariteti rrugëve të qyteteve kryesorë të Perëndimit. Nyja lidhëse midis ngjarjeve në Izrael dhe qëndrimit të publikut perëndimor janë mediat që mbulojnë situatën në Lindjen e Mesme. Mënyra e prezantimit të ngjarjeve nga ana e tyre është e një interesi të pallogaritshëm për autoritetet izraelite. Për këtë arsye ishin ftuar në konferencë gazetarë të rinj, studentë dhe studiues të fushave të ndryshme nga shumë shtete perëndimore. Pikat më interesante të seminarit do të ishin takimi me kreun e Shërbimit të Marrëdhënieve me Shtypin Ndërkombëtar të Forcave Mbrojtëse të Izraelit, N. Kol Avital Leibovich dhe z. Amir Ofek, këshilltar për Europën Perëndimore në Ministrinë e Jashtme. I gjithë aktiviteti do të zhvillohej në Tel Aviv, kryeqytetin ekonomik të shtetit të Izraelit.

Tel Aviv nga hebraishtja mund të përkthehet në shqip, "kodra e pranverës", por edhe "qyteti i vjetër i ri" sipas Teodor Herzlit. Shumë njerëz të njohur i kanë vënë me efektivitet emra të ndryshëm si p.sh: "kryeqyteti mesdhetar i hijeshisë", "qyteti që nuk ndalon kurrë" apo "New York-u i Lindjes së Mesme". Nofka e fundit ishte më e parapëlqyera nga rinia izraelite. Në fakt vetëm në ditët në vijim, krahas ngjashmërisë arkitekturore, me qiellgërvishtëse dhe ndërtesa shumë të mëdha të xhamta, do zbuloja që edhe stili i jetesës në Tel Aviv ngjasonte shumë me stilin amerikan. Kafenetë e shumta, që kanë bërë Tel Avivin të quhet "kryeqyteti i kapuçinos", ofronin kafe që mund t‘i mbartje nëpër zyra, makina ose në shëtitje në parqet e shumta, fast-food - e të mëdha dhe të vogla që ofronin trekëndësha picash italiane, rrole sushi japonez dhe sigurisht hamburgerët dhe hot dog-et e famshëm amerikanë në kutiza shumëngjyrëshe shtrëngoheshin me kujdes ndër duart e njerëzve që bridhnin me nxitim rrugët e Tel Avivit, duke folur në telefon ose duke pritur dritat jeshile të semaforëve. Në Tel Aviv nuk ndjehesh i huaj si qytete të tjera, ku zhvillimi ekonomik paraqitet në nivele po aq të larta. Nëse në Paris duhet të shfaqësh hapur keqardhjen tënde që nuk flet frëngjisht, në mënyrë që t‘i ngjallësh mëshirë cigareshitësit, taksistit ose kamerierit, për të të kthyer një përgjigje minimale në anglisht ose në Romë, ku të duhet të mësosh patjetër faqet e para të fjalorëve edhe me intonacionin më të saktë, në mënyrë që të shfaqesh si "i rrahur me vaj e me uthull" me Italinë, në qoftë se nuk do që çmimi i një suveniri të kalojë disa herë vlerën e tregut, në Tel Aviv nuk has në "rreziqe të tilla".

Kamerierët, pas shalom-it të njohur, të flasin në anglisht, taksistët të japin vlerën e shërbimit në shekel, monedha kombëtare izraelite që njihet prej disa mijë vjetësh me këtë emër, euro dhe dollarë, dhe ç‘është më e rëndësishmja ndezin menjëherë taksimetrin, ndërsa artizanët afishojnë çmimet e suvenirëve dhe të prodhimeve të tjera karakteristike. Gjithashtu, mund të shijosh kuzhinën e larmishme të çdo vendi me çmime konkurruese, si në asnjë vend tjetër. "Të rinjtë izraelitë që studiojnë ose udhëtojnë në vende të ndryshme kur kthehen në atdhe sjellin një pjesë të atij vendi ku kanë jetuar", do më thoshin mikpritësit e mi izraelitë. Por, shumë pak qytetarë, nga tre milionë e gjysmë që ka Tel Avivi, kanë jetuar aty pa lëvizur asnjëherë jashtë shtetit. Krahas tërheqjes së popullit hebre në tokën e ëndërruar, arkitektët e këtij aksioni e bënë këtë tokë dhe më të bukur, duke e ngjyrosur me qindra kultura të përfituara. Kështu mund të gjeje kuzhinën, antikuariatet, artin, muzikën dhe modën e çdo vendi edhe në cepat ku tabelat në anglisht mungonin dhe shkrimi hebraik të bënte të ndiheshe si një fëmijë që sheh abetaren për herë të parë.

Moda e fundit në Tel Aviv ishin lokalet ku konsumoheshin hamburgerë dhe ushqim japonez. Të parat nuk ishin fast food-e të mirëfillta; ngjanin më shumë me restorante gjysmë luksoze dhe shumë të mëdha, ku të rinjtë shkonin në pritje të festave të çmendura në diskoteka ose pas dollive të njëpasnjëshme në ndonjërin prej pub-eve të shumtë karakteristikë buzë brigjeve të Mesdheut. Të dytat ishin restorante tejet luksoze, por çmimet ishin të krahasueshme me restorante japonezë më pak të sofistikuar si ato në Berlin apo në Vjenë. Për kualitetin sigurisht gjithkush do përgjigjej pasi të lëpinte mirë gishtat. Këto restorante japoneze ishin shumë të frekuentuara sidomos në oraret e pushimit të zyrave sidomos në zonat e biznesit, që ishin të shumta në Tel Aviv. Tel Avivi vlerësohet edhe si qytet "gay friendly". Shumë organizata të të drejtave të njeriut dhe mbrojtës të të drejtave të komunitetit "gay" kanë vlerësuar maksimalisht shkallën e tolerancës qytetarë në këtë pikëpamje. Gjatë muajit shtator, nëpër rrugët e Tel Avivit, do zhvillohej manifestimi "Gay Pride", dhe kudo të zinte syri pankarta që lajmëronin për këtë zhvillim që do sillte në qytet mijëra vizitorë. Për fat të keq, parapërgatitjet e këtij evenimenti kishin nisur me një krim të shëmtuar pasional. Në një qendër këshillimore për të rinjtë "gay" ishte kryer një vrasje e dyfishtë nga një i panjohur.

Policia po punonte për të zbardhur ngjarjen dhe ndërkohë gazetat mbushnin faqet e para me deklarata të familjarëve dhe të miqve të viktimave. Në shtator dhe këngëtarja Madonna do jepte një koncert në Tel Aviv dhe të gjithë të rinjtë izraelite që takoja më këshillonin që të qëndroja dhe disa ditë në mënyrë që të shihja shfaqjen e mahnitshme të mbretëreshës së popit. Por notën më të lartë për aktivitetet e kohës së lirë në Izrael e mban jeta e natës. Diskot, pubet, festivalet e hapura të muzikës elektronike dhe performancat e DJ-ve në to bëjnë çdo vizitor të ketë zili këtë qytet. Lagjet Rivat Gam, lagjja e artisteve dhe White City, me ndërtime të stilit bauhaus, si dhe godinat më të sofistikuara shumëkatëshe, përveç vlerave arkitektonike, janë simbol i arritjeve njerëzore në një kohë relativisht të shkurtër dhe nën presionin konstant të luftës. Një dukuri tjetër që tek një shqiptar do shkaktonte habi është sistemi i mirëmbajtjes së jeshillëkut në rrugët, oborret e pallateve dhe për më tepër në parqet natyrore në Tel Aviv. Ato tuba të shumtë bojë kafe me vrima të vogla dhe që dallgëzojnë çdo metër kub bar janë një shpikje e tëra izraelite për të kursyer ujin e pakët dhe për të ruajtur gjelbërimin në një zonë që deri para 60 vjetësh ka qenë një copë toke, që parapërgatiste beduinët arabë dhe gamilet e tyre me kushtet e shkretëtirës. Nga eksporti i kësaj teknologjie, por edhe të të tjerave, Izraeli përfiton jo pak, duke qenë se të ardhurat vjetore për frymë në Izrael janë më të larta se në çdo shtet tjetër të Lindjes së Mesme dhe rrogat mesatare në Tel Aviv kapin shifrën e 1800-2000 eurove.

Për qytetin e shenjtë, Jerusalemin janë shkruar më shumë faqe dhe janë thënë më shumë fjalë se mund të lexojë dhe të thotë një njeri gjatë gjithë jetës së vet. Çdo gur i Jerusalemit zë vend në murin e lartë të historisë së këtij qyteti që është pikënisja e tre besimeve fetare monoteiste më të mëdha në botë, krishterimit, islamizmit dhe judaizmit. Jerusalemi, ndryshe nga ç‘prisja të shihja ishte një qytet me dy fytyra në kuptimin e mirë të fjalës. Njëra pjesë ishte Qyteti i Vjetër, me të gjitha simbolet fetare dhe barrën e rëndë të historisë mbi shpatulla që i kishte ngulur thellë e më thellë njëri mbi tjetrin themelet e ndërtesave të gurta, ndërsa pjesa tjetër ishte pjesa moderne e ndërtuar në 50-vjeçarin e fundit, e cila përveç vlerës monetare për metër katror, nuk kishte asnjë tjetër vlerë të shprehur me shifra të larta. "Për historianët", më thoshte me shaka guida që na njohu me qytetin, "çdo send i gjetur në Jerusalem që daton pas shekullit XIV nuk ka vlerë dhe groposet sërish me shpresën se nuk do prishë më punë për kërkime të mëtejshme. Në Jerusalem nuk duhet të dish vetëm çfarë po shikon, por edhe kur po shikon". Nga Jerusalemi mora me vete tre kujtime interesante. E para ka të bëjë me Murin e Madh, i ndërtuar me gurët e marrë nga maja e kodrës që do sheshohej për të ndërtuar tempullin e parë të dedikuar Qenies hyjnore shumë kohë përpara se fjala e Tij të predikohej. Në rrënojat e tij, hebrenjtë por edhe besimtarë të tjerë fusnin copëza të vogla letre me lutjet e tyre.

"Në fund të çdo lutjeje personale", tregonte Uri, guida jonë, "është gjë e mirë të shtohet edhe lutja për paqe në Jerusalem dhe në Botë". Dhe sigurisht atë ditë, djem e vajza të ardhur nga vende të ndryshme futen në të çarat e mureve shekullorë të paktën 22 lutje paqeje. Më të devotshmit ndaj Murit ishin besimtarët hebrenj që me filin-ët, copat e drurit të lidhura me rripa lëkure afër zemrës dhe në kokë luteshin duke u tundur para e mbrapa përballë tij. Ajo që vura re dhe më bëri përshtypje ishin hyrjet e ndara si dhe pjesët e caktuara për t‘u falur për femrat dhe për meshkujt, të cilët ishin të detyruar edhe të mbulonin çaçkën e kokës, nëse donin të kalonin postbllokun e krijuar nga besimtarë hebrenj ultraortodoksë. Gjithsesi, edhe unë bëra si bëra dhe gjeta një të çarë të vogël të lirë dhe futa një copë letër me lutjen time personale, edhe pse si pjesa më e madhe e shqiptarëve nuk dallohem për fetarizëm të lartë. Kujtimi i dytë ka të bëjë me Kishën e Varrit të Shenjtë, ku besimtarët e krishterë mund të shihnin gurin mbi të cilin u la trupi i Krishtit pas kryqëzimit dhe Guvën e Ringjalljes. Nuk besoj se do shoh më në jetën time një shprehje aq të madhe të fetarizmit dhe gjithë ata njerëz, që puthnin me radhë gurët e lyer me vajra aromatike, nuk më lanë më pak të shtangur sesa rregullat strikte të ultraortodoksëve hebrenj që me mure gipsi dhe rrjeta teli kishin ndarë zonat e lutjes përballë Murit shkëmbor.

Kisha e Varrit të Shenjtë kishte dhe një karakteristikë shumë të veçantë, ndarjen e përgjegjësive për administrimin e aktiviteteve të saja. Që nga muaji maj, kur Papa Benedikti XVI vizitoi kishën, përgjegjësia për ruajtjen e qetësisë publike dhe sigurisë në kishë iu caktua autoriteteve policore izraelite, kryerja e shërbimeve fetare priftërinjve katolike të caktuar nga Vatikani dhe detyra për hapjen e portës së kishës në mëngjes, ashtu siç ishte zakon të bëhej që nga ndërtimi i saj, do të vazhdonte t‘u besohej dy familjeve myslimane që banonin në shtëpitë përballë saj. Kështu, dy myslimanë të mirë, përfaqësues nga secila shtëpi çdo mëngjes në 5 e 30, niseshin drejt portës së rëndë të kishës dhe njëri kthente çelësin ndërsa tjetri shtynte derën, duke i hapur rrugën besimtarëve katolikë për të bërë faljet e para të ditës. Me myslimanët lidhet dhe kujtimi im i tretë nga Jerusalemi. Ashtu dhe si çdo vend tjetër ku jetojnë myslimanë dhe pjesa e vjetër e qytetit kishte "baazar"-in, pazarin në shqip, ku shiteshin suvenirë, rroba, parfume, bizhuteri, ushqime, riprodhime të firmave më të njohura por edhe prodhime vendase. Ndryshe nga Pazari Karmel, në Tel Aviv, i menaxhuar nga tregtarë izraelitë hebrenj ku çmimi ishte fiks dhe i afishuar nëpër tezga, tregtarët myslimanë në Pazarin e Vjetër të Jerusalemit preferonin të diskutonin zellshëm me blerësin e mundshëm.

Në varësi të durimit dhe të aktrimit tënd çmimi mund të ulej disa herë nga vlera fillestare që jepte tregtari dhe diskutimi nuk është aspak i bezdisshëm, pasi e gjithë biseda shoqërohet në sfond me muzikë arabe dhe asnjëherë tregtari arab nuk dëshiron që klienti të largohet pa blerë gjë kështu që kompromisi arrihet pa humbur shumë kohë. Në atë treg, bleva dhe disa suvenirë i shoqëruar nga miqtë e mi italianë Ricardo dhe Alessandro, reporterë që punonin respektivisht në Gjermani dhe në Sicili të Italisë. Pasi përfunduam blerjet e rastit nxituam të arrinim grupin tonë, por fati s‘e deshi që ta kishim mendjen në vend. Syçkat e një myslimaneje të bukur, të mbuluar me veshjen karakteristike myslimane, na bënë të humbnim çdo interes për historinë dhe reliket e saj të vdekura. Kësisoj humbën kontaktin me grupin. E ndoqëm me sy myslimankën derisa cepat e shamisë u zhdukën pas tezgës së një mustaqelliu arab që shiste perde dhe nxituam të tre në drejtim të kundërt, për të arritur autobusin që do na çonte në kufirin që ndante Jerusalemin me territoret e West Bank-ut, një nga tre territoret e banuara nga popullsia palestineze.

Kufiri, tejet i diskutuar dhe i kritikuar në mediat ndërkombëtare arabe dhe perëndimore, konsistonte në një barrierë që në disa zona përbëhet nga një mur i lartë disa metra dhe në pjesën më të madhe nga një rrjetë teli e lidhur me një sistem përgjimi dhe alarmi në rast prekjeje. Siç na thoshte N. Kol Leibovich, arsyet e rrethimit të zonave të banuara nga palestinezët lidhen me sigurinë. Lagjet izraelite të gjendura shpesh nën sulmet terroriste me shpërthime ose nën zjarrin e qitjeve me snajper ndaheshin vetëm disa metra nga ato palestineze. Muri, siç përmendet në mediat ndërkombëtare, në gjuhën zyrtare izraelite quhet "Gardhi i Sigurisë" dhe me gjithë kritikat që kishte marrë nga organizatat e të drejtave të njeriut kishte reduktuar me rreth 80% sulmet terroriste në qytetet izraelite. Funksioni i tij është thjesht alarmues dhe aspak ndalues. Në të vërtetë përbëhet nga disa breza sinjalizuesish që përfshinin një brez rreth 40 metra të gjerë që shtrihej në të tërë gjatësinë e Gardhit. "Rrjeta", ajo që shfaqet përherë në ekranet e televizorëve në shërbimet informative, është një rrjetë hekuri normale si ato që përdoret nga kopshtarët në të gjithë Izraelin, e lidhur me një impuls elektronik. Në rast se prekej, qoftë nga njerëz, qoftë nga kafshë të egra, dërgonte një sinjal në qendrat e vëzhgimit të policisë izraelite, të cilët nisnin në zonë për pak minuta një patrullë me forca të gatshme për të ndërhyrë me profesionalizëm kundrejt çdo rreziku. N. Kol Leibovich thoshte se "kushdo që do të kalojë Gardhin mund ta bëjë sa herë të dojë, ai nuk ka një efekt ndalues ose limitues, siç propagandohet në media, roli i tij është sinjalizues, për ne, forcat e sigurisë, dhe shkurajues, për ata individë që duan të kryejnë vepra terroriste në dëm të qytetarëve të Izraelit".

Gardhi ishte ndërtuar nga vetë punëtorë palestinezë dhe disa herë kishte ndryshuar drejtim pasi qytetarë palestinezë ankoheshin në Gjykatën e Lartë për të drejtat e tyre të pronësisë. Personalisht krijova opinionin se koncepti i sigurisë që ekziston në Izrael është shumë i ndryshëm nga ai që ekziston në vendet perëndimore dhe sigurisht shumë më i ndryshëm se ai që ekziston në Shqipëri. Mjafton të kujtohen sulmet terroriste të 11 shtatorin në Amerikë dhe sulmet e Madridit dhe Londrës për të marrë me mend panikun që shkaktuan dhe pasojat që kanë mbetur akoma në mendjet e viktimave të tyre. Ato skena, që në Perëndim janë përjetuar jashtëzakonisht shumë pak herë, për fat të keq, në Izrael deri para disa kohësh, kanë qenë në rendin e ditës, dhe ndoshta, sikur gjithkush të dallonte shqetësimin në fytyrat e qytetarëve izraelitë dhe atyre arabë që kanë shpëtuar për një fije, vetëm se atë ditë kur shpërtheu xhihadist në autobus apo në kafene, ata gjendeshin në stacionin tjetër apo në kafenenë ngjitur ndoshta "kryqëzimi" i autoriteteve izraelite në mediat ndërkombëtare do ishte më pak i njëanshëm.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora