E enjte, 01.05.2025, 01:58 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Rozi Theohari: Në përvjetorin e parë të Shoqatës Mjekësore Shqiptaro-Amerikane

E premte, 18.09.2009, 03:06 PM


NË PËRVJETORIN E PARË TË SHOQATËS MJEKËSORE SHQIPTARO-AMERIKANE
 
Nga  Rozi THEOHARI- Boston
rtheohar01@northshore.edu

Në një nga sallat e Qendrës Spitalore të Universitetit të Bostonit,  më 19 korrik 2009 u organizua festimi i përvjetorit të parë të Shoqatës Mjekësore Shqiptaro-Amerikane. Tribuna ishte zbukuruar me flamurin kombëtar shqiptar, atë amerikan dhe kosovar. Në ceremoni merrnin pjesë mjekë, dentistë, farmacistë, ndihmësmjekë, infermierë, kërkues shkencorë dhe dy studentë kolegji. Shoqata Mjekësore Shqiptaro-Amerikane, e krijuar një vit më parë, më 20 korrik 2008, në Boston, MA, sot është bërë një shoqatë dinjitoze profesionale, e krijuar plotësisht mbi bazat e standarteve bashkëkohore amerikane.
Sapo hyn në hollin e katit të parë të Fakultetit të Mjekesise të Universitetit të Bostonit, të përshëndesin nga muri obelisket e mermerta në bazoreliev të personaliteteve të shquara mjekësore botërore gjatë gjithe fazave te historisë së njerëzimit. I afrohem statujës së Lui Pasterit dhe lexoj postulatin e tij: “E ardhmja u takon atyre që kanë sakrifikuar më shumë për humanizmin.”
Pikërisht këtë ide zhvilloi në sesionin e parë të takimit edhe presidentja e shoqatës dr. Lindita Çoku, e cila, pasi falënderoi të ftuarit për pjesëmarrjen, pranoi me krenari se detyra e punonjësit shëndetësor është e lidhur me punën e vështirë dhe me sakrifica të panumërta gjatë gjithë jetës, një jetë e përkushtuar për të shpëtuar jetët e të tjerëve.
Ndër pjesëmarrësit përmendim presidenten, dr. Lindita Çoku, dr. Sulejman Çelaj, dr. Manjola Ujkaj, infermiere Juliana  Mertiri, dr. Linda Ciu, dr. Edlira Duro, dr. Fatos Rugova, dr. Florian Koçi, farmaciste Mariana Krasnic, dr. Zana Nikolla, dr. Irida Hasalla, dr. Shadie Bajrami, infermiere Edlira Gjerasi, dr. Blerina Rista, dr. stomatologe Ema Bimbli, ndihmësmjeket motra Iliriana dhe Sihana Sela, dr. Sonila dhe Pluen Ziu. Te ftuar ishin znj. Filloreta Korça dhe znj. Rudina Ereqi, punonjese ne Qendren Mjekesore te Bostonit ; Arian Sela dhe Deborah Afezolli, studente ne kolegj, te cilet kane deshire te vazhdojne studimet e larta ne mjekesi.
I përshëndes me radhë e s’ngopem së pari mjekun model te punonjësit të shëndetësisë, por dhe model i racës shqiptare. Një nga detyrat e Shoqatës Mjekësore është dhe ruajtja e mbrojtja e racës shqiptare, siç e ka dëshiruar Fan Noli i madh afërsisht para një shekulli.
Sipas traditës së mjekësisë amerikane, pjesemarresit te ardhur nga shteti i Nju-Jorkut dhe Massachusettsit, bënë prezantimin e vetes dhe të veprimtarisë së tyre mjekësore në SHBA. Shumë prej tyre kanë marrë grada shkencore dhe ushtrojnë profesionin në qendra prestigjioze amerikane. Ekipi qe formoi shoqatën vitin e kaluar përbëhet nga dr. Çelaj e dr. Sinanaj, që janë zgjedhur bashkëkryetarë, dr. Ujkaj që është zgjedhur drejtoreshë ekzekutive, dr. Çoku qe luan rolin e presidentes. Ne funksionin e kryetarit te nderit eshte zgjedhur Dr. Ferid Murad,  i cili e pranoi titullin me nder dhe kenaqesi. Personat e mesiperm perbejne bordin drejtues, qe drejton dhe monitorizon nga afer aktivitetin e shoqates.
Kjo shoqatë ka të veçantat  e saj. E themeluar sipas kritereve shkencore amerikane dhe e integruar në mjekësinë amerikane, ajo është e para shoqatë e krijuar në nivele të tilla profesionale në mbarë komunitetin shqiptar te Amerikes. E veçanta e dytë: ajo është e nderuar të ketë një nobelist për Kryetar Nderi, dr. Ferid Muradin, nder që do ta dëshironte çdo komunitet në botë.
Një nga vetitë dalluese të kësaj shoqate me shoqatat e tjera shqiptaro-amerikane është fakti se në të marrin pjese mjekë dhe personel shëndetësor nga të gjitha trojet etnike, Shqiperia, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia.
Diaspora jonë e kishte të nevojshme një shoqatë të tillë për mjekët shqiptarë, për të shkëmbyer këshilla dhe përvoja profesionale, si dhe për të dhënë një kontribut më të fuqishëm në token amtare.
Shoqata Mjekësore u krijua një vit më parë falë iniciativës dhe bashkëpunimit serioz të disa mjekëve shqiptarë këtu në SHBA dhe mbështetjes së një pjese të madhe punonjësish shëndetësorë dashamirës. Brenda vitit, me aktivizimin dhe interesimin e bordit drejtues, radhët e shoqatës janë plotësuar me pjesëmarrjen e anetareve të rinj shëndetësorë. Këtij qëllimi i kanë shërbyer edhe  aktivitetet e ndyshme në komunitetin shqiptaro-amerikan.
Kur u zhvillua festivali i shqiptarëve në Uster, MA, në qershor 2009, dr. Lindita Çoku dhe dr. Edlira Duro organizuan “Këndin e Shoqatës Mjekësore”. Nëpërmjet paketave dhe informacionit shëndetësor doktoreshat tërhoqën vemendjen e komunitetit shqiptar dhe organizatave te tjera te cilat kane ofruar mundesine te bashkepunojne me kete shoqate. Kështu është vepruar në Nju-Jork e në qytete të tjera të SHBA. Shoqata u bën thirrje për anetaresim te gjithë shqiptarëve që punojnë në fushën e mjekësisë në SHBA, që janë trainuar në shkolla dhe programe të akredituara amerikane, si dhe atyre që punojnë në fushën e kërkimeve shkencore në institucionet mjekësore amerikane. Faqja e internetit e kësaj shoqate mund të vizitohet në adresën:
www.albamedsociety.org, e cila është në kompletim e sipër.
Duke u rikthyer në takimin e pervjetorit të parë të kësaj shoqate, presidentja dr. Lindita Çoku e vazhdoi fjalimin me paraqitjen e pamjeve filmike të kompjuterizuara e të projektuara në ekran, pamje nga aktivitetet e shoqatës dhe të anëtarëve, gjate vitit te pare te krijimit te saj. Me shkronja të mëdha renditet “Misioni i shoqatës”:
-Të inkurajojë dhe të aftësojë zhvillimin profesional të shqiptarëve mjekë dhe punonjës të fushës së shëndetit në SHBA.
-Të nxitë marrëdhëniet profesionale ndërmjet tyre në SHBA dhe atyre në territoret me popullsi shqiptare (Shqipëri, Kosove, Maqedoni dhe Mal i Zi).
- Të përkrahë një ambient mbështetës për shqiptarët që synojnë të integrohen në sistemin shëndetësor në SHBA.
-Të ofrojë ndihmë teknike për qendrat akademike mjekësore joprivate në territoret me popullsi shqiptare.
-Të kontribuojë për kujdesin shëndetësor të pacientëve emigrantë shqiptarë.
 
Më 21 mars 2009 në një ceremoni nderimi në Houston, Teksas, dr. Ferid Muradi pranoi zyrtarisht titullin “Kryetar Nderi” të Shoqatës Mjekësore Shqiptaro-Amerikane, i cili iu dorëzua nga presidentja e shoqatës dr.Lindita Çoku dhe bashkëkryetari dr. Sulejman Çela. Dr.Muradi firmosi certifikatat e anëtarësimit për drejtuesit e bordit  dhe për anëtarët e komitetit drejtues të shoqatës si dhe certifikatat e anëtarëve të nderit.
Më 16 maj 2009 në qytetin e Nju- Jorkut Shoqata Mjekësore  organizoi ceremoninë presidenciale të dorëzimit të  certifikatave të anëtarësimit tek anëtarët e nderit dhe tek anëtarët e “Trupit qeveritar”. Dr. Agim Leka dhe dr. Anna Kohen e vlerësuan dhe e pranuan me respekt certifikatën e “Anëtarit të Nderit.”
 
Më tej,  në monitor jepen pamje nga puna e mjekëve shqiptaro-amerikanë në spitalet e ndryshme të SHBA: dr.Lindita Çoku kirurgia e talentuar shqiptare, ka kryer me shumë sukses operacione të ndërlikuara në organin e zemrës për pacientë amerikanë dhe shqiptarë. Ajo i shpëtoi jetën dhe krahun djaloshit të aksidentuar shqiptar Anton Shkreli, duke ia njohur bashkëkombësinë nga tatuja me shqiponjën dykrerëshe në krah. Dr. Çoku është femra e parë kirurge që punon ne departamentin e kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore të Universitetit të Bostonit. Ajo është anëtare e elitës së kardiokirurgjisë amerikane, një nder që nuk e kanë merituar as vetë mjekët amerikanë. Dr.Çoku ka dhënë një kontribut të madh edhe në trajtimin e pacienteve shqiptarë  pranë Qendrës Spitalore Univeristare të Bostonit.
 
Dr. Edlira Duro, që punon në Saint Vincent Hospital në Uster, MA,  ndien gëzim që ka mjekuar shumë pacientë shqiptarë të Usterit.  Dr. Duro është drejtoreshe e “ preadmission testing”. Ajo drejton repartin e përgatitjes dhe kontrollit mjekësor të pacientëve para se të operohen. Në Shqipëri nuk ekziston një repart i tillë. Mjeku Fatos Rugova e ndjen veten entuziast per trajtimin e nje pacienti nga Elbasani ne spitalin ku ai po specializohet. Dr. Manjola Ujkaj, e cila po specializohet ne psikiatri, punon pa u lodhur  duke sakrifikuar dhe orët e pushimit…Të njëjtën gjë mund të përsëritësh edhe për mjekët e tjerë shqiptaro-amerikanë, që punojnë me pasion e devotshmëri, duke ia ngritur nderin shoqatës dhe vendlindjes.
Po atë ditë, në Qendrën Spitalore të Universitetit të Bostonit, si pjesë e këtij aktiviteti,  u zhvillua dhe promovimi i librit “Më shumë se një jetë” i R.Theoharit, kushtuar kujtimit të doktor Viktor Theoharit.  Presidentja, dr.Çoku nëpërmjet monitorimit të filmit bëri një ekspoze të jetës e të veprimtarisë së gjinekologut të dëgjuar Theohari, i cili tërë jetën punoi me ndershmëri, përkushtim e sakrifica. Në emër të pjesëmarrësve ajo nderoi kujtimin e dr. Theoharit, i cili ushtroi profesionin e kirurgut në fushën e tij për më tepër se tri dekada. Komentin mbi librin “Më shumë se një jetë” e bëri dr. Linda Ciu, mjeke pediatre, një nga ish- koleget e dr.Viktorit në Spitalin Obstetër-Gjinekologjik të Tiranës. Ajo përshkroi me fjale prekëse profesionalizmin dhe humanizmin e dr. Viktorit, si dhe respektin e mirënjohjen  e pacientëve të tij. Dr. Florian Koçi përshëndeti në emër të kolegëve dhe studentëve të dr. Theoharit. Duke falënderuar për vlerësimin e librit, R.Theohari falënderoi gjithashtu për nderimin e bashkëshortit të saj të ndjerë. Ajo i dhuroi disa nga librat e saj bibliotekës së shoqatës (dhe nga nje kopje te librit qe u promovua dr. Çokut, dr. Bimblit, dr. Bajramit,  znj. Korca dhe znj. Ereqi).
Për të festuar përvjetorin e parë të Shoqatës Mjekësore, u shtrua një drekë ceremoniale në restorantin tradicional me ushqime nga lindja e mesme,“The Red Fez” ne Boston. Shpenzimet e drekës ishin dhuratë nga kompania  “Precision Therapeutics”. Torta e festës , zbukuruar me stemën e shoqatës përsipër, u përgatit me finese nga pasticeria shqiptare e familjes Plluska në Boston.
I urojmë Shoqatës Mjekësore Shqiptaro-Amerikane përvjetorë të tjerë të suksesshëm.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx