E hene, 29.04.2024, 12:00 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Anton Marku: Shënime nga Auschwitz-i

E marte, 18.08.2009, 09:26 PM


Auschwitz
Auschwitz
Shënime nga Auschwitz-i


Nga Anton Marku

Pak para mesditës grupi ynë u nis drejt vendit ku 55 vite më parë barbaria njerëzore kishte dëshmuar se se e pavlerë mund të jetë jeta e njeriut. Treni përshkruante vijën gjarpërore, e cila si destinacion të fundit kishte fshatin Birkenau në Poloninë veriore i cili ëndërronte të bëhej i njohur për verën e kuqe dhe veshjet tradicionale kombëtare. Por jo. Fati i keq e deshi që bota ta njoh si Auschwitz, vendi ku u shkruan faqet më të errta të historisë së luftës së dytë botërore. Luftës së absurdit, çmendurisë, dhembjes dhe vuajtjes së madhe. Dy nga koleget tona austriake tashmë kishin vizituar vendin e tmerrit dhe thonin se i janë bashkangjitur grupit tonë vetëm e vetëm për të qenë me ne deri afër cakut, por nuk dëshironin që dhe një herë të shkelnin atë vend. Preferonin të qëndronin pak më larg, dhe ne nuk po arrinim dot të kuptonim esencën e kësaj ndjenje. Sidoqoftë, të gjithë premtuam të respektonim atë vendim.

Pohimi

Ish-kampi më i madh i përqendrimit në botë shtrihej në një hapësirë të rrafshtë prej disa dhjetra hektarësh. Në hyrje, mbi portën e hekurt shkruante “Arbeit macht frei’’ (,,puna të bën të lirë’’). Ciceroni na prin drejt së parës nga shtatë ndërtesat trekatëshe me tulla të kuqe. Që në hyrje zymtësi. Në koridor kalojmë pranë fotografive të meshkujve dhe femrave nga të gjitha nacionalitetet. Në trup mbanin uniformat e burgut vija-vija. Në to secili kishte të gavruar nga një numër. Ata ishin emrat e tyre. Jetë e vdekje bashkë. Fillim e mbarim. Dhomat dukeshin të errta. Në shtetërit nga druri dhe mbuluar vetëm me kashtë, kishin bërë gjumin nga 4-5 persona, përderisa batanijet e baltosuar nuk mbulonin as gjysmat e trupave. Racioni ditor i ushqimit përbëhej nga një copë e hollë buke të fortë dhe një filgjan uji të zier që ngjante në çaj të mykur. Me qindra mijëra fëmijë, gra, burra e pleq,  nga e tërë Europa, më së shumti hebrenj, polakë dhe romë, por dhe të tjerë kundërshtarë potencial të naziztëve ishin sjellur aty  për të pasur këtë adresë të përbashkët. Përgjatë 4 viteve më se 1, 1 milion njerëz gjetën vdekjen në këtë vend. Më pas vizituam dhomat e gazit dhe mbetjet e Zyklon B, pamë thasë të mbushur me flokë grash, sasi të mëdha të krehërve, çantave të dorës dhe një grumbull të madh këpucësh të fëmijëve: numër 17, 22, 25 …Ishte e pamundur që para kësaj skene të qëndroje indifferent. Kësaj radhe të gjithëve na tradhëtuan lotët. Nga goja e ciceronit vazhdonin tregimet e tmerrit: për doktorin gjerman Josef Menglel të quajtur edhe ,,enjulli i vdekjes’’, i cili ndante të ardhurit majtas: ata që do vriteshin po atë ditë, dhe djathtas: ata që do jetonin dhe punonin dhe pak kohë, por që do vdisnin ca javë më vonë; për eksperimentet e kryera në foshnja në kërkim të ,,racës së pastër’’, për udhëheqësin e kampit, Rudolf Höss,  i cili u zu, u gjykua dhe u var mu në hyrje të krematoriumit kryesor.

Mohimi
     
Kur në pranverën e këtij viti në Gjenevë u mbajt konferenca ndërkombëtare mbi anti-racizim, ishte rast i mirë për presidentin e Iranit, Ahmadinejad, që të ngritet në foltore, dhe për të satën herë me radhë, të mohoj vuajtjet gjatë Holokaustit dhe minimozojë vdekjet e gjithë atyre që të vetmin faj kishin faktin se i përkisinin popujve që aq shumë e deshën lirinë. Më shumë se dhe vet jetën. Intelektualët dhe burrshtetasit i dolën përballë diktatorit mjekërrgri, por nuk arritën ta ndalnin dot të mohoj të mësoj nga historia dhe të luaj shah me vetveten, duke i ngritur himne krimit. Është e pafalshme që kjo ndodhë në këtë shekull, i cili do të duhej të ishte shekulli i paqes. Për më tëpër, në kohën kur ende jetojnë të mbijetuarit e fundit të Auschwitz-it. Ata që tejkaluan vetveten dhe mbijetuan për të dëshmuar. Fjala e gjallë e njerëzve të vdekur.
     Dolëm nga Auschwitz-i më të trishtuar se sa kur hymë. Të gjithë u pajtuam se më asgjë nuk të ishte si më parë. Se tani e tutje në jetë do kemi dhe një mision më tepër: kudo që jemi dhe çfarëdo që bëjmë, të mos lejojmë kurrë më që të përsëritet Auschwitz-i. Me asnjë çmim. Në emër të jetës, lirisë, solidaritetit dhe humanizmit. Në emër të njeriut. Këtë betejë nuk guxojmë ta humbim. Në dalje lexuam mbishkrimin ,,e keqja më e madhe pas Auschwitz-it është që të harrohet ai’’. Vetëm pas këtij reflektimi, kuptuam se sa i vështirë do të jetë rikthimi në këtë vend për të dytën herë.


(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora