Udhëpërshkrim
Sabit Idrizi: Po e lëshuan Ceraja, u shemb Shala
E marte, 06.10.2009, 07:39 PM

PO E LËSHUAN CERAJA, U ZBRAZ SHALA
Nga Sabit IDRIZI
Tollovisë frymëmarrëse të gjysmëqytetit, të ditës së premte, pesë tetor dymijë e..., i ikim me autobusin e parë të orës 8 e 15 minuta të mëngjesit.
Pas njëzetë minutash rrugëtim, zbresim në Stantërg. Aty, siç ishim marrë vesh më parë, na priste Sejdiu, një kushëri yni - punëtor i Minierës së Stantërgut. Bashkë me të dhe me Jetishin, po ashtu kushëri dhe punëtor shumëvjeçar i Minierës, si dhe me Idrizin, djalin e vëllait tim - punëtor i Shërbimit Policor të Kosovës, i rrekemi përpjetë bjeshkës për ta arritur qafën e Pretenit të Melenicës.
Rrugën deri në Preten e bëjmë me mund të madh. As fresku i këndshëm i kësaj dite të bukur të vjeshtës së hershme, as ajri i pastër i bjeshkës, që na i befason për të mirë mushkëritë tona të vyshkura, sikur nuk na e lehtësojnë barrën e madhe të rezervave ushqimore që morëm me veti. Ecim ngadalë, këmbë pas këmbe, siç i thonë një fjale. Dy djem nga Maxhera, që na takojnë rrugës, të cilët po nguteshin, ngase i kishin paralajmëruar se do t’u arrinte materiali për ndërtimin e shtëpive të shkatërruara gjatë luftës, sikur u liruan kur u thamë të ecnin e të mos na shoqëronin më.
Nga qafëlarta e Pretenit, rrëzë bjeshkës vigane të Majdanit, ku ulemi për të pushuar dhe për ta pirë nga një gotë raki të fortë rrushi dhe nga një cigare duhan, vështrojmë vargmalet e Shalës, që shkojnë valë-valë derisa treten diku në horizontin e pafund, andej nga veriu. Atje diku kah fundi, deri ku arrin shikimi ynë, duken kodrinat gjysmë të zhveshura të fshatit tonë të lindjes, Cerajës, për ku jemi nisur.
Tashmë pas shpine lëmë fshatin e parë nga Stantërgu, Melenicën, një fshat i shkapërderdhur e gjysmëmalor, por me rrugë të rindërtuara mirë, me shkollë të re e të bukur, me shtëpi të reja, me një fond të mirë bagëtish, që gati kishte arritur gjallërinë e mëparshme.
Për të arritur në Cerajë duhet ta kalojmë edhe Maxherën, Dedinë, Batahirin dhe Bistricën, ndërsa anash (nga e majta) duhet ta lëmë Zhazhën, Zjaqën, Vllahinë dhe Koshtovën e Vllahisë, kurse nga e djathta Vidishiqin, Zabërgjën, Selacin dhe Ofqarin.
Ne që jemi lindur dhe jemi rritur nëpër këta shkrepa malorë, kur ballafaqohemi sërish me këtë egërsi të mrekullueshme, sidomos tash pas gjithë kësaj katrahure që ndodhi në Kosovë, se si na ngërthejnë pushtueshëm do ndjenja të çuditshme e të pashpjegueshme, që nuk na lëshojnë për një kohë të gjatë.
I zhytur thellë në këtë det ndjenjash dhe mendimesh, më vonë mora vesh se realisht nuk kisha ndjerë dhe praktikisht nuk kisha menduar pothuajse asgjë konkrete, ngase ndjenjat nuk po mund t’i artikuloja, ndërsa mendimin nuk po mund t’i profilizoja kurrsesi. E mora me mend se diçka e tillë u kishte ndodhur edhe tre bashkudhëtarëve të mi, sado që për këtë nuk i pyeta fare. Ndoshta përjashtim bënte vetëm Idrizi, i cili kishte qenë ushtar aktiv i UÇK-së që nga fillimi i luftës në Kosovë dhe pikërisht në këto vise ishte përleshur shpeshherë me armikun në beteja të ashpra. Pak më tej, as 200 metra larg nesh, në vijë ajrore, është vendi ku ra heroikisht njëri nga komandantët e shquar të Shalës, Shemsi Ahmet (Shemi), me disa ushtarë të tij.
Istikami i Idrizit, ku bashkë me shokët e tij kishte qëndruar heroikisht për muaj të tërë, është pak më poshtë fshatit, në një shkëmb të thepisur.
- Nisemi, djema! – na përmend përnjëherë të gjithëve urdhri i prerë i Jetishit, të cilin, si më i moshuari ndër ne, e zgjodhëm udhëheqës të ekspeditës.
Lëshohemi tatëpjetë rrugës së gjerë e zigzage, përmes një ahishte të dendur. Para shkollës së rindërtuar të Maxherës takojmë 4 fëmijë moshash të ndryshme, që po prisnin fillimin e mësimit. Pas një përshëndetjeje të zakonshme me ta, kureshtja nuk na lë pa i pyetur se sa nxënës kishte gjithsej në këtë shkollë.
- Jemi gjithsej dhjetë, në klasë të ndryshme,- na përgjigjen gati njëzëri, duke na pyetur se për ku ishim nisur kështu.
- Për Cerajë,- ua kthejmë ne dhe nisemi duke u përshëndetur ngrohtësisht me ta.
Kafjallin e hamë ngeshëm, duke i hapur rrugë oreksit, edhe ashtu të ngritur, me raki të kthjelltë rrushi, te një gurrë në dalje të Maxherës. Në fund pimë nga një kafe, nga një gotë ujë të ftohtë bjeshke dhe nisemi për Dedi.
Gjithë kjo hapësirë dhe, për çudi, përveç nesh nuk dëgjohet e as nuk lëviz gjë e gjallë. As njeri, as shtazë, as shpezë...Ku janë tingujt e ëmbël të kambanave që shoqëronin blegërimat, palljet, hingëllimat... e tufave të shumta të deleve, lopëve, dhive, kuajve, gomarëve..., që kullosnin nëpër këto livadhe të pjerrëta të këtyre fshatrave të shkapërderdhura shaljane?! Nuk është thënë kot se aty ku nuk jeton njeriu, përveç djallit nuk jeton gjallesë tjetër. Vetëm ca gëzhoja arrash, të hedhura aty-këtu nëpër rrugë, janë shenja që tregojnë se dikush, kush e di se cilën ditë, kishte kaluar këndejpari.
Dedinë e gjejmë të shëruar pjesërisht nga plagët shkatërruese të luftës, sa i përket rindërtimit të shtëpive, mirëpo të boshatisur tërësisht. Hyjmë në oborrin e shkollës së porsandërtuar dhe përulemi me respekt përpara pllakës përkujtimore të dëshmorit Avni Shabani, ish-ushtar i UÇK-së nga ky fshat, i cili kishte rënë heroikisht në betejën e njohur të Mazhiqit. Fotografia e tij, e gdhendur bukur në pllakën e mermertë, sikur shikon hutueshëm drejt këtij tempulli drite të dryjuar dhe çuditet me qetësinë mortore që ka pllakosur fshatin. Sikur dëgjohet zëri i tij kushtrues, që thërret e pyet njëkohësisht: “Dedias, ku jeni?!”
Derisa zdirgjemi ngadalë për në Batahir të Epërm, duke qëruar dhe duke përtypur ngeshëm arra, që i morëm në Dedi, disa re të zeza zhvilloheshin me shpejtësi të madhe matanë mbi malet e Rogoznës. Duke e ditur se shiu në këto anë më së shpeshti vjen nga andej, i shpejtojmë hapat.
Ende pa arritur në Batahir, veshi na i zë ca tinguj të bukur të një kënge folklorike, që vijnë andej nga lugina.
- Atje poshtë janë shullatë e Dedisë,- na sqaron Jetishi.
Shohim edhe shtëpinë e tyre që tymon. Andej, përtej lumit, edhe dy shtëpi të tjera që dhënë shenja jete. Edhe ato janë të Dedisë.
Këto shenja jete na bëjnë që mos ta ndjejmë edhe aq peshën e shiut që po na rëndonte përherë e më shumë.
Përthahemi në një plevicë në Batahir, pran një zjarri bubulak, që e ndezim me krande të thata që i gjejmë aty brenda. Derisa pimë nga një kafe dhe nga dy gota raki, pushon shiu dhe nisemi për Bistricë.
Batahirin e kalojmë shpejt. Edhe ashtu është një fshat i vogël, me ca shtëpi të vjetra e të shkapërderdhura, pa asnjë banor të vetëm. Përndryshe, edhe para lufte ishte gati krejtësisht i boshatisur. Këto 20-30 vitet e fundit kurrë s’i ka pasur mbi 3-4 familje që kanë banuar përherë aty. Është ndoshta i vetmi fshat në Kosovë që nuk është prekur fare nga flakët shkatërruese të luftës. Shtëpitë janë të dëmtuara vetëm nga dhëmbi i pamëshirshëm i kohës, ngase kaherë janë të boshatisura. Mbase kjo ka qenë edhe arsyeja që serbët nuk ua vunë flakën.
Pas nja 15-20 minutash mbërrijmë në lagjen e zekajve të Bistricës, lagje kjo e boshatisur prej kohësh. Nga këtu i gjithë fshati Bistricë, matanë lumit, duket si në shuplakë të dorës. Shtëpi të reja zbukurojnë edhe më peizazhin edhe ashtu të mrekullueshëm të këtij fshati luginor. Lumi Bistrica, që administrativisht ndan komunën e Mitrovicës nga ajo e Leposaviqit, është një pasuri e paçmueshme për bistricasit. Mbase kjo pasuri ka qenë edhe shkaku kryesor që i ka tërhequr këto 8 familje të përgjysmuara që të kthehen e të jetojnë këtu.
Me kërkesë të Jetishit zbresim te Mulliri i Rexhës së Muharremit, që është në fund të Përroit të Dejkocit, përrua ky që, gjatë kohës së luftës së fundit, me javë të tëra kishte strehuar me qindra e qindra banorë të këtyre anëve. Tani këtij vendi, përveçse Përroi i Dejkocit, do t’i thonë edhe “Te Varri i Behramit”, ngase gjatë luftës këtu vdiq dhe u varros plaku 80-vjeçar nga Ceraja, Behrami i Sylejmanit.
Te Mulliri i Rexhës i bëjmë disa fotografi. Jetishi na tregon se ky mulli ka qenë i vetmi që ka bluar vazhdimisht gjatë kohës së luftës dhe u ka siguruar bukë të gjithë banorëve të Përroit të Dejkocit.
Në urën e vetme mbi lumin Bistricë takojmë një djalosh afër 20 vjeçar, i cili po e shikonte në heshtje rrjedhën e pandalshme të lumit. Ishte i biri i Halit Poturit nga Bistrica.
Te shkolla pata emocione të veçanta. Këtu, në këtë shkollë, e kam filluar rrugën e dritës. Këtu, në këtë shkollë, e kam kryer tetëvjeçaren (ishim brezi i parë). Këtu, në këtë shkollë, ia kam filluar për herë të parë punës si arsimtar. Se si gumëzhinte asokohe ky oborr! Serbët e dogjën gjatë luftës, mirëpo tash, me ndihmën e miqve, u rindërtua dhe u bë një shkollë e bukur e moderne, por, fatkeqësisht, pa asnjë nxënës të vetëm.
Në Cerajë mbërrijmë përnjëherë me perëndimin e dielli. Meqë jemi të djersitur e të lodhur shumë nga përpjeta e madhe prej Bistrice e këtu dhe meqë ende është dritë, mbledhim ca krënde të thata dhe e ndezim zjarrin përpara tendës së Ismetit të Ganës, ku edhe do ta bëjmë gjumin për dy net me radhë.
Në Cerajë e gjejmë vetëm Beqën e Shaqirit, i cili banon në një tendë tjetër, diku 50-60 metra larg tendës së Ismetit. As ai nuk është banor i përhershëm, por herë rrinë këtu e herë në shtëpinë e të vëllait në Mitrovicë, ku rrinë edhe anëtarët tjerë të familjes së tij. Posa na dëgjon zdirgjet dhe ia shtrojmë muhabetit me bukë e raki rrushi, aty afër zjarrit, deri në orët e vona të natës.
Sado që jemi të lodhur e të këputur nga rruga e gjatë e e mundimshme, gjumë bëjmë fare pak.
Të shtunën, gjithë ditën e lume sorollatemi poshtë e përpjetë fshatit. Është hera e parë që jemi këtu pas mbarimit të luftës. Nuk lëmë vend pa shkuar. Dalim në Kodër, te Kërshi i Madh, në Qukë të Shavarinës, në Lug të Leprit, në Arë t’Miftarit, te Kroi i Fshatit, në Beglluqa, në Log të Qarrit, te Livadhi i Zekës, në Shavarina, në Rreze t’Mirë, në Logishtë, në Rreze t’Ademit...
Në bazë të shtëpive dhe rrugicave, nuk njihet se është Ceraja. Gjithkund shkrumb e hi. Rrugët dhe rrugicat nuk dihen. Janë mbushur përplot pipa të bagremit, fshesa të egra, thera, manaferra, kaça, dëllinja, bari...Të krijohet përshtypja se këtu koha ka ecur vetëm prapa. Edhe mbishkrimet në varre të duket se janë të parakohshëm, madje shumë të parakohshëm. Arat dhe livadhet, që nuk janë punuar me vite, janë mbushur përplot bar dhe gropa të thella, që i kanë hapur derrat e egjër me turinjtë e tyre të fuqishëm, të cilët e kanë pushtuar gati krejt Shalën. Çdo gjë të duket ndryshe, krejtësisht ndryshe, përveç konfiguracionit që të çmallë paksa.
Me Beqën e Shaqirit fotografohemi në Kodër, te pllaka përkujtimore e fëmijëve të tij - Blerimit e Sherifes, të cilët u masakruan barbarisht, më 17 qershor 1999, nga bandat kriminele serbe.
Ushtarët belgë të KFOR-it na gjejnë nën hijen e lisave shekullorë, afër varrezave të Lagjes së Epërme, prej ku, si në pëllëmbë të dorës, shihen fshatrat serbe të komunës së Leposaviqit: Kamenica, Vuça, Sllatina, Soçanica, Stanet e Brestovës..., që duket sikur rrahin gjoks dhe na përqeshin që ende s’po gjejmë mundësi e forcë për t’u kthyer e për t’i gjallëruar këto fshatra. Pas një legjitimimi të zakonshëm, meqë këtu është zonë sigurie, duke na përshëndetur përzemërsisht dhe duke na kërkuar falje për shqetësimin, kthehen në bazën e tyre në Istikam, siç i themi ne asaj kodrine, që është në tre-kufirin e fshatrave: Cerajë, Bistricë dhe Koshtovë e Vllahisë.
Po ngryset edhe nata e dytë në mbretërinë fatale të kësaj heshtjeje mortore. Asnjë zë njeriu, as shpendi, as shtaze...Shkretëtirë! Përveç një drite të largët që, siç duket, është në fshatin Vidishiq, kund dritë tjetër në gjithë këto fshatra shaljane që duken nga këtu. Atje larg nga Maja e Mprehtë shihen dritat e një automjeti, sigurisht të ndonjë traktori a kamioni që bart dru nga malet e largëta të Orzhanës.
- Hedh sa të mundesh dru në zjarr! – i them Idrizit dhe e di se ky është një reagim imi kryengritës ndaj kësaj errësire që ka pushtuar Shalën time të dashur.
“Dolën Ceraja, u zbraz Shala!”- kaherë kanë thënë të parët tanë. Fatkeqësisht, kjo profeci e tyre po del e qëlluar. A s’ka qenë ky edhe qëllimi afatgjatë i Serbisë!? Dhe mendoj: A ka atdhedashuri më të madhe sot se të kthehesh për të jetuar në Cerajë?
Të dielën, me agun e parë të ditës, nisemi për në shtëpi. Shenjat janë të mira edhe për një ditë të bukur e me diell.
Te Zeqiri i Abazit në Bistricë, babai i dëshmores Fatime Hetemi, e cila ra heroikisht në Drenicë, bashkë me Fehmi e Xhevë Lladrovcin, i pimë kafetë e mëngjesit.
Rrugës s’lëmë pemë pa kontrolluar mos i ka mbetur ndonjë kokërr, por kot. Ato ose i ka prishur bora e vonshme që u ra sivjet në lule, ose nuk kanë lidh në shenjë revolte ndaj banorëve që nuk po kthehen. Diçka po.
Etjen e shuajmë rrallë e tek me ndonjë kokërr thane, me ndonjë manaferrë të vonuar, apo me ndonjë dardhë a mollë të egër.
Kafjall e sillë i hamë përnjëherë në një rrasë të madhe guri, si sofër, në mes të lumit të Maxherës.
Në Stantërg mbërrijmë diku kah ora 4 pasdite. E zëmë një furgon dhe nisemi për në Mitrovicë. Derisa zdirgjemi, meditoj: E lamë pothuajse shkret gjithë këtë pasuri natyrore dhe erdhëm e u grumbulluam si peshqit këtu në këtë gjysmëqytet të zhurmshëm.
Në shtëpi mbërrij në ora 5 pasdite, me një grusht arra në çantë, që ia solla gruas dhe fëmijëve si dhuratë nga ky udhëtim dhe me nga tre ekzemplarë të librave të mi, që nuk pata kujt t’ia jap për t’i lexuar...
Qershia që i piqte e para
Muaji qershor, i 1999-ës, po i piqte ngadalë kokrrat e ëmbla. Bashkë me rrezet e ngrohta të diellit, tokën e gjakosur e të shkrumbuar të Kosovës po e shndrisnin edhe rrezet e para të lirisë.
Ishte 17 qershori. Në gjithë Kosovën u përhap lajmi i gëzueshëm se trupat aleate të NATO-s kishin hyrë gjithkund në Kosovë. Kriminelët serbë po tërhiqeshin turpshëm nga Kosova. Me duar të përgjakura po iknin andej nga veriu.
Një qershi, në arat e Avdylajve, ishte e njohur në gjithë Cerajën si e para që i piqte përherë frutat.
Blerimi e Sherifja u nisën të parët atë ditë për në Cerajë. I tërhiqte, si me magji, vendlindja. Ecnin sa mundnin e u dukej se nuk po bënin hap. I kishte marrë malli shumë për shtëpinë, për arat, për rrugicat, për livadhet, për lëndinat, për pemët, për qershinë që i piqte e para..., sado që e dinin mirë se barbarët e kishin bërë shkrumb e hi fshatin. Një ndjenjë e përzier gëzimi e pikëllimi po i përcillte gjatë gjithë rrugës. Ishin të gëzuar, ngase për herë të parë në jetën e tyre po i shihnin në horizont rrezet e para të lirisë, ndërsa të pikëlluar – ngase në shpirt po u rëndonte si gur dhembja për gjithë ato plagë që kishte marrë në shtat Kosova e tyre e dashur.
Kjo ndjenjë e përzier gëzimi e pikëllimi i përcolli edhe në amshim. Bisha karpatiane ende s’ishte ngopur me gjak. Ua zuri pritën afër qershisë që i piqte e para dhe...
Qershia që i piqte e para nuk është më vetëm qershi. Ajo është edhe diçka tjetër. Ajo është legjendë. Është filli i një legjende. Filli i një legjende për një motër dhe një vëlla. Për një motër dhe një vëlla që s’arritën t’ia shijojnë kokrrat e ëmbla në pragun e praruar të lirisë.
Që nga 17 qershori i 1999-ës, kjo është qershia e Blerimit dhe e Sherifes.
Vetëm dora e ndonjë të pashpirti mund të ngrihet drejt saj për të këputur ndonjë kalavesh të kuq...
Komentoni
Artikuj te tjere
Milazim Kadriu: Fshati në të cilin u ngrit Flamuri kombëtar...
Fatos Baxhaku: Në Shpatin e Poshtëm
Blerim Rrecaj: Disa orë në Pejë
Fatos Baxhaku: N‘Bajrak të Rrjollit
Tefik Selimi: Artisti që po e pushton botën...
Edval Zoto: Izraeli, një portë e hapur për shqiptarët
Rozi Theohari: Në përvjetorin e parë të Shoqatës Mjekësore Shqiptaro-Amerikane
Vullnetarizmi, ky gjest fisnik i shoqërive të civilizuara...
Reportazh nga Beqir Cikaqi - Ilironi
Llemadeo: Emocione te Artistes shqiptare ne skenat Gjermane…!
Milazim Kadriu: Reportazh nga Liqeni i Batllavës
Këze (Kozeta) Zylo: Në Bronx të New Yorkut, një rrugë merr emrin e Nënë Terezës
Ilir Sefaj: Dhe u nisëm…!
Nga jehona e xhirimeve të TV të Kosovës në Bukuresht
Albert Zholi: Një dasëm e rrallë çame në Xhafzotaj
Blerim Rrecaj: Marashi një kënd i freskët i Prizrenit
Asllan Dibrani: Perspektiva gjeostrategjike e bregdetit shqiptar për turistet e huaj
Anton Marku: Shënime nga Auschwitz-i
Zef Ndrecaj: Fqinjët e mallkuar
Suela Furriku: Tallava në plazh