E hene, 29.04.2024, 04:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Poetët vijnë me shi. Dhe, ikin me poezi...

E merkure, 11.11.2009, 08:58 PM


KALOSH ÇELIKU

POETËT VIJNË ME SHI
  DHE IKIN ME POEZI

Herën e fundit në Shkup dhe Kërçovë, në Manifestimet Kulturore Tradicinale ndërkombëtare: TAKIME NËN RRAP, në Shkup dhe Ditët e Humorit dhe Satirës: XHA DERALLA, në Kërçovë, që i organizon Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptar, poetët erdhën me shi. Dhe, ikën me poezi. Unë i kuptoj si poet, shenjat e Hyut, që na i dërgojnë të vdekurit nga mesi i varreve. Tyrbja e Babashehut, në Baba Tomorr. Po, nuk e di a i kuptojnë politikanët?! “Burrat” e grave, që janë fundosur bythekrye në kolltuqe. Kabinete të Qeverisë. Ministri.
         E kanë harruar arsimin. E kanë harruar kulturën. Themelet e një shoqërie. Populli. Shteti. Fare nuk e çajnë kokën. Jo, e çajnë kokën, po e çajnë për B-në e madhe të shtypit. Punamadhe, që populli vuan edhe për bukën e gojës. B-ja e madhe e shtypit, nuk e ka këtë problem barku. B-ja e madhe e shtypit e ka problem të shkojë në hale. Aty e ndjen veten më të sigurtë, mes gjirizit.
        E ti, siç do të thoshte poeti i madh shqiptar, Frederik Rreshpja: “me një copë buke në dorë do të kalosh para dyerve të Partisë”. Ndodhë, nën dritaret e tyre me kitarë të këndosh edhe serenadë.
        Vitet vijnë e ikin njëri pas tjetrit. Edhe Frederik Rreshpja, papritmas iku nga mesi ynë një ditë. Shkaku: u lodhë më në mesin e këtij bërlloku, që përditë e më shumë na ka rrokur për fyti, na e zë frymën. Tashti, fillon dyluftimi: poetët qysh moti i kanë hequr kufijt politik në mes të shqiptarëve. Gjatë kohës së komunizmit, librat e tyre kalonin kufirin mbi gomarë ilegalisht me thasë dorë më dorë. Në “demokraci”, erdhi koha edhe vetë poetët ta kalojnë kufirin politk. Edhe pse “demokracia”, përveç kufirit politik që kishin shqiptarët me Shqipërinë, u vuri edhe kufij të rinj politik. I ndau me kufij edhe Shqiptarët e IRJ të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës Lindore, që në Jugosllavi së paku nuk kishin kufij politik në mes vete si popull shqiptar me Kosovën. Poetët, qenë ata të parët që i hoqën qafe kufijt politik. I bashkonte poezia, e jo politika. Erdhën vetë nga të katër anët e botës me librat e tyre nga të gjitha viset e Atdheut: Tirana, Shkupi, Prishtina, Podgorica, Çamëria e Presheva. Politikanët i ndanë shqiptarët me kufij të rinj politik edhe me Kosovën. Që, në kohën e komunizmit ecnin dhe komunikonin lirshëm, shkolloheshin e jetonin në Prishtinë. Megjithatë, poetët qenë ata që kurrë, nuk njohën dhe njohin kufij politik. Edhe pas këtyre kufijve të rinj, që u vunë politikanët, plot rreziqe erdhën nga të gjitha viset e Atdheut në Shkup e Kërçovë: Pano Taçi, Hida Halimi, Bardhyl Londo, Ledia Dushi, Fadil Curri, Radije Hoxha, Gjon Gjergjaj, Irena Gjoni, Xhelal Tosku, Nehas Sopaj, Beatriçe Balliçi, Kristaq Shabani, Ilaz Bobaj, Nuhi Vinca, Llesh Ndoçi, Kujtim Agalliu, Mariana Shkurti, Petro Dudi,  Remzi Salihu, Dashnor Selimi, Dino Çiço, Xhelal Ademi, Agron Shele, Melda Ribaj, Festim Tomorri, Begzat Rrahmani, Rami Kamberi, Nuri Koleci, Rexhep Bajrami, Safet Hyseni, Adem Xheladini etj.
        Në Ditët e Humorit dhe Satirës: XHA DERALLA në Kërçovë, poeti dhe artisti Ali Qerimi do të recitojë poezinë e Ali Asllanit: Hani, pini dhe rrëmbeni. Salla do të dridhet nga vargjet e poetit të rebeluar që në atë kohë. Edhe e sotmja, sa i përngjan asaj të djeshmes të Ali Asllanit! Muret do të shkunden nga pluhuri. Kufijt politik edhe një herë do t’i dyndin, lëvizin nga vendi vetë poetët. Poezia nuk njeh kufij politik. Të pranishmit do t’u bien duarve. I lumtë Ali Asllanit. I lumtë artistit, që na i solli këta vargje në mesin tonë për pak çaste. Edhe pse, politikanët nuk i kanë lexuar në libër, nuk i kanë mësuar përmendësh në shkollë, nuk kanë veshë t’i dëgjojnë edhe gjatë kësaj Nate të Madhe. Punë tjera më të mëdha kanë “burrat” e grave. Natën i vizitojnë Shtëpitë publike, e ditën gërhasin në gjumë në Qeveri. Ëndrra arushe shohin syçelë në mes të ditës. Gjithmonë, mendojnë se do të jetë ditë. Dielli do t’u rri mbi kokë. Po, natën?! Natën, ku do ta fusin kokën të mjerët, kur Hëna do të dalë mbi mal?! E lakuriqi do të turret gjithë natën nëpër errësirë. Zogu i keq do të na këndojë këngë  kobi mbi shtëpi. Dielli, do të zbres një ditë më këmbë nga Çelvjollca. Jo, thuani. E kemi frikë Dexhallin. Xhindet, që natën na hudhin dorë më dorë mbi çatia. Majë lisave të Çukës së Cërvicës të Xha Derallës, në Kërçovë.
       Pajtohem. Mirë, po kush i hedhë potët dorë më dorë?! Përsëri, do të më përgjigjeni: xhindet. Jo, vështirë e keni të më bindëni me këto marrëzira moderne. Prandaj, u përgjigjem: Nusja me pashterkë të kuqe i ka mbështjellë lyrekë. Burrë, që e ka politikanin. Ditënatë i shëtit për dore rrugëve çorre. Herë pas here i nxjerrë edhe te Pazari Grave. Në mes të ditës ua varë për qafe nga një hajmali mos t’i zënë magjitë. Të  shenjtët poetë, që vargjet jua kanë lidhur politikanët nyje për qafe. I kanë rrokur për fyti me të dyja duart.
        E kuptoj: poetët janë gjaku i popullit. Vijnë me shi. Dhe, ikin me poezi. Po, kush janë politikanët?! “Burrat” e grave, që nuk i do shiu, nuk i do poezia, nuk i do populli, nuk i do Atdheu. Jo, do të thoni ju. Edhe ata i do dikushi në këtë botë.
        E vërtetë. Pajtohem. Kush pra, thuajeni?! Partia, ore burrë! Partia i përkund në djep. Edhe gji u jep ajo Kurvë, kur qajnë për tambël lope. Ninula u këndon mbi kokë t’i marrë gjumi. Që, nesër të rriten “burra” mejdani. Shpatën e Skënderbeut, çdo katër vite gjatë zgjedhjeve parlamentare ta nxjerrin nga brezi. Ndonjëri, më guximtari t’i hip në shpinë edhe kalit të Skënderbeut. Zot t’i dalin Atdheut. Edhe nesër të na ndajnë me kufij të ri politik...
        Poetët vijnë me shi. Dhe, ikin me poezi...


(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora