E diele, 28.04.2024, 11:36 PM (GMT+1)

Kulturë

Demir Krasniqi: Këngët e dhëndurëve në Malësinë e Gollakut

E merkure, 11.11.2009, 08:38 PM


Nga folklori ynë:

KËNGËT E DHËNDURËVE NË MALËSINË E GOLLAKUT

    Në thesarin e pasur të folklorit muzikor burimor të Malësisë së Gollakut, në veçanti në lirikën popullore të femrave të kësaj Malësie, vend të rëndësishëm në krijimtarinë amatore të këngëve dasmore, kanë zënë edhe këngët të cilat u janë kushtuar dhëndurëve me rastin e martesave të tyre.
    Sikur edhe në të gjitha gjinitë e këngëve dasmore të krijuara dhe të kënduara nga bota femërore e kësaj Malësie, sidomos nga vajzat, edhe këngët e dhëndurëve janë thurur e kënduar në mënyrë kronologjike , në bazë të rrjedhave të dasmës që nga fillimi e deri tek përfundimi i saj.
    Kështu që në ditën e parë kur i qitet shamia vajzës e cila do të bëhet nuse, për ta bërë atë me vaj, apo siç quhet ndryshe :”Dita e qitjes së shamisë”, që sipas traditës , kjo ceremoni bëhej  ekskluzivisht ditën e Hëne, ose ditën e  Enjte, në momentet kur atmosfera në mesin e grave dhe vajzave të pranishme , merr përmasa të rënda malli e vaji, sidomos atëherë kur hetohet se vajza që do të shkojë nuse, vërtetë është duke qarë me zemër e me lot, atëherë vajzat këngëtare me qëllim që ta zbusin situatën dhe t’ia qetësojnë pikëllimin vajzës – shoqes së tyre, e cila do të shkojë nuse, do t’ ia këndojnë këngën , përmes vargjeve të së cilës do t’ a  thumbojnë dhëndrin (burrin e saj), por edhe do ta kurrajojnë vajzën që ta ndalin vajin, nga se dhëndri (burri i saj) nuk do ta ndajë asnjëherë nga traditat e të parnit (ashtu si që është zakoni në vjeshtë e në pranverë) dhe se kurrë nuk do ta rrahë , as nuk do ta shajë!
    Përmes nëntekstit të vargjeve të kësaj kënge, mund të kuptojmë fare lehtë realitetin primitiv të kohërave të kaluara, kur meshkujt ua kanë privuar shumë të drejta grave të tyre, fill pas martesës, duke ushtruar dhunë të pa parë mbi to, duke i privuar ato nga e drejta për të qenë e pranishme në rrethin familjarë e shoqëror, madje edhe duke ushtruar mbi to dhunë fizike , sharje dhe ofendime banale!
Por, të shohim se çka na thonë vargjet e kësaj kënge:

Na i ra dhandrri nëpër mahallë ,
Na i la qeni , nja dy- tri fjalë :
“Mos ma bani Lulijën , me vajë –
Kurrë prej t’ parnit nuk ja u ndajë !
Thujmi nuses , hiq mos kajë –
Kurrë s’e rrehi, as s’e  shajë !”

    Njëra ndër këngët që i këndohet dhëndrit mu në ditën kur krushqit shkojnë për ta marrë nusen në familjen e saj, është edhe kënga me titull:”Sa e ka burri i Lules rrogën?”
    Këtë këngë ua këndojnë vajzat (të afërmet e vajzës që do të shkojë nuse) , grave të kerrit të nuses , gjatë kohës sa ato qëndrojnë në familjen e vajzërisë së nuses, përkatësisht derisa të përgatitet nusja për rrugëtim me krushqit dasmorë.
    Gratë e kerrit të nuses në Malësinë e Gollakut, quhen “bulla”, kurse djali i kerrit të nuses që i shoqëron “bullat”, quhet “bullan”. Po ashtu, në këngët e dasmave të Malësisë së Gollakut, shumë rrallë përmendet emërtimi “nuse”, por ky emërtim gjithmonë zëvendësohet me emërtimin “Lule”, ose “Lulije”. Pra, gjithë ku përdoret emërtimi “Lule”, ose “Lulije”, aludohet tek nusja, ose tek vajza që do të shkojë nuse!
    Përmes këndimit të vargjeve të kësaj kënge, vajzat që ua këndojnë bullave të kerrit, duan që përmes këngës ta vënë në tallje dhëndrin, duke e nënçmuar atë nga mllefi që po ua merr motrën, kushërirën, shoqen ... dhe po e ndanë nga shoqërimi me to!
    Vajzat këngëtare, përmes vargjeve satirike të këngës, do ta përshkruajnë dhëndrin si një rrogëtar që ua heq plehun lopëve, që i ruan pelat, gomarët dhe që nuk di asgjë tjetër, pos që t’i  bie fyellit dhe surles nëpër pyje e kullosa të bagëtive:

Sa e ka burri i Lules , rrogën ?
-E hjek plehin, e lëshon lopën !
Ati , ja japin rrogën ma t’ parit –
I lëshon pelat, i qet magarit !
Kah t’ shkon udhës n’ mjedis t’ pyllit –
I bjen surles , i bjen fyellit !

    Natën kur merret nusja, pasi të jetë shtruar darka e krushqve dasmorë, femrat dasmore dhe fëmijët, atëherë fillojnë përgatitjet për shtirjen e dhëndrit në xherdek (pra te nusja). Për ta shpejtuar procedurën e shtirjes së dhëndrit në xherdek dhe për t’ua bërë me dije familjarëve dhe burrave të dasmës , se çdo gjë është gati për ta kryer edhe këtë ceremoni, të parat prijnë vajzat këngëtare të cilat përmes këngës ua bëjnë me dije atyre që të mos vonohen më shumë, por ta përcjellin dhëndrin sa më shpejt për të hyrë te nusja, nga se çdo vonesë e tepërt, mund të sjell edhe pasoja të pa parashikueshme!
    Përmes figurave të cilat përmendën në një këngë të këtillë, si: kazani, kusia,  kënata, ibriku , verigu, legeni, pehari...etj. këngëtaret me defe , përveç që duan t’ ua përkujtojnë burrave se është koha për ta shtirë dhëndrin te nusja, nga se ka kaluar koha e jacisë dhe një pjesë e mirë e natës, ato na i  përkujtojnë kohërat e vjetra dhe të vështira, kur sipas traditës dhe zakoneve, dhëndri dhe nusja pos të tjerash, duhet edhe të pastrohen me ujë, të cilin ua kanë përgatitur nëpër kazanë , kusia, kënata, ibrikë, legenë... dhe po qe se do të vonohej procedura më gjatë, atëherë mund të këputen edhe verigat e oxhakut nga pesha, zjarri dhe vlimi i ujit! Përmes figurës së peharit, nënkuptohet koha kur njerëzit janë pastruar duke e përdorë peharin, leken, tasin , apo ndonjë mjet tjetër për përdorimin e ujit.
    Në anën tjetër, çdo vonesë e tepërt e shtirjes së dhëndrit në xherdek, do të krijonte pakënaqësi tek nusja e cila është duke e pritur në divan dhe pastaj do të prishen edhe qejfet e këndimit dhe lojës me defe :

Rrang e dang po banë  kazani –
Bjerne dhandrrin , se u ba akshami !
Rrang e dang, po banë kusija –
Bjerne dhandrrin se u ba jacija !
Gy, gy, gy, po banë kënata –
Bjerne dhendrrin , se shkoj nata !
Gy, gy, gy, po banë ibrigu –
Bjerne dhandrrin, se u këput verigu !
Rrang e dang , po banë legeni –
Bjerne dhandrrin, se u ba veremi !
Rrang e dang , po banë pehari –
Bjerne dhandrrin, se u ba bezari !
Rring e zhing po banë xhemparja –
Bjerne dhandrrin , se u ba belaja !
Rram e bam , po kërset defi –
Bjerne dhandrrin, se u prish qefi !

    Para se të hyjë dhëndri në xherdek (në dhomën ku e pret nusja e paluar) , është zakon që të gjitha gratë dhe femrat dasmore të dalin përjashta dhomës së nuses për t’ ia liruar vendin dhëndrit. E fundit nga dhoma e nuses do të del nëna e dhëndrit, ndonjë hallë e vjetër, apo motër e vjetër, në mënyrë që nusja në asnjë moment nuk guxon të mbetet e vetmuar .
    Sipas zakonit dhe traditës, që nga momenti i hyrjes së dhëndrit në xherdek e deri në momentin kur atë e nxjerrin nga dhoma herët në mëngjes, para derës së dhomës ku është dhëndri dhe nusja, si dhe para dritares së asaj dhome, gjatë tërë natës ruajnë dhe përgjojnë se çfarë po ndodhë brenda në mes nuses dhe dhëndrit !?
    Këto përgjime të fshehta i bëjnë kryesisht motrat, hallat, nëna dhe anëtarët më të afërm të familjes së ngushtë duke i përfshirë këtu edhe babanë dhe vëllezërit e dhëndrit.
    Ky përgjim bëhej për shumë arsye. Por më kryesoret janë dy motive: frika se ndoshta nusja  është martuar pa dëshirën dhe vullnetin e saj dhe anasjelltas. Në rastet e këtilla mund të ndodhin skena të pa parashikueshme në mes të çiftit të ri, ku nga pakënaqësia mund të tentojë nusja që të del e të ikë nga dhoma , qoftë përmes derës, apo edhe kërcimit përmes dritares. Në anën tjetër, mund të ndodhë që edhe dhëndri i pakënaqur me pamjen dhe bukurinë e nuses, ta braktisë atë dhe të del përjashta dhomës së martesës .
    Motivi i dytë dhe më i rëndësishmi për të cilin përgjohet dhoma e martesës, është akti moral i nuses, nga se ajo me çdo kusht duhet të jetë e virgjër ! Po qe se do të ndodhte që nusja do ta kishte humbur më parë virgjërinë , atëherë do të pasonin skena të tmerrshme në raportet mes dhëndrit dhe nuses, ku përveç që dhëndri do të dilte menjëherë përjashta dhomës dhe do t’i njoftonte familjarët e tij, nusja menjëherë do të përcillej për në shtëpinë e saj prej nga ka ardhur. Në rastet e këtilla, përveç përzënies së menjëhershme të nuses, kanë ndodhur edhe ndëshkime të rënda fizike nga ana e dhëndrit ndaj nuses, ku pos të tjerash, në shenj turpërimi dhe çnjerëzimi për nderin dhe moralin e humbur, asaj i janë shkurtuar flokët deri në rrënjë me qëllim që ta shoh  mbarë familja dhe rrethi i saj se ka bërë turp të madh moral.
    Me lirimin e dhomës së nuses dhe daljes së bijave, motrave, grave dasmore përjashta, vajzat këngëtare menjëherë do ta përshkruajnë këtë atmosferë përmes vargjeve të këngëve të tyre. Ato në rend të parë, ia lënë fajin nuses e cila gjoja është shkaktarja më e pa mëshirshme e cila po i përzë ato përjashta dhomës së saj, me ç’ rast do të mërdhitën gjatë tërë natës, pa pasur vend se ku të hyjnë brenda!
    Një mllef të këtillë, vajzat këngëtare madje e shprehin edhe duke e ofenduar nusen , si një “bijë qeni” e cila e bënë këtë hap, duke luajtur me “djalin e huaj”(dhëndrin).
    Vargjet e këngëve në vijim, na e përshkruajnë edhe kohën e lashtësisë, kur me rastin e hyrjes së dhëndrit në xherdek, mbyllej dera e dhomës me mjetet më të forta , në mënyrë që të mos mund të hapet në asnjë mënyrë, si p.sh. dera e përpunuar me bujashka, dërrasa e cila është mbyllur me kushak, (shul druri), ose me zinxhirë të hekurt :

Bylbyl në bujashka, në bujashka ,
Po na qet Lula përjashta !
Lujë Lulije, lujë,
Me djalin e hujë!

Bylbyl sharavina, sharavina,
Çilma derën, Luli, se u mërdhina !
Lujë Lulije, lujë,
Me djalin e hujë !

Bylbyl sharavina, sharavina,
Çilma derën, o vëlla, se u mërdhina !
Lujë, vëllavi i jem, lujë,
Me çikën e hujë!

Vëllavi i jem në krye t’ venit –
S’po m’ len me çelë derën, kjo e bija e qenit!
Lujë, Lulije, lujë,
Me vëllavin e hujë!
    II.
Dera me bujashka, me bujashka,
Na ke qitë, o vëlla, përjashta !
Dera me kushak, me kushak ,
Na ke qitë, o vëlla, n’ sokak !
Dera me shinra, me shinra,
Çilma , o vëlla, derën se u mërdhina!
Dera me zinxhirë , me zinxhirë,
A po t’ doket , o vëlla, nusja e mirë?

    Se sa i është kushtuar rëndësi virgjërisë së nuses gjatë natës së parë të martesës edhe nga ana e femrave dasmore, më së miri do ta dëshmojnë vargjet e këngës vijuese.
    Duke pasur parasysh faktin se djali(dhëndri) dhe nusja që sa po janë bashkuar për në martesë, kurrë njëherë nuk janë parë , biseduar, as kontaktuar në mes veti dhe duke pasur parasysh moshën e re të djalit (dhëndrit) , pa ndonjë përvojë paraprake, vajzat këngëtare përmes vargjeve të këngës, do ta këshillojnë mirë dhëndrin që të jetë vigjilent, i kujdesshëm ndaj veprimeve të nuses, nga se ajo po qe se nuk do të jetë e virgjër , do të sprovojë që ta mashtroj djalin përmes metodave të ndryshme!
    Pra, ato përmes këngës i sugjerojnë që të jetë syçelë, të verifikojë mirë gjendjen reale, nga se një nuse e pa moralshme , mund ta mashtrojë atë dhe ta bind përmes metodave të ndryshme, gjoja se ajo është e virgjër!
    Analizojeni mirë vargjet dhe figurat e kësaj kënge dhe do të bindeni se çka e porosisin ato dhëndrin:

Ore dhandërr, djalë i ri –
Kqyre mier , ku kie me hi!
Rueju mier, se po t’ mashtron –
Derën me çivi ta ngujon !
Ta mshelë derën me çivi –
E nuk t’ len mrena me hi !
Kqyre mier derën me sy –
Se do t’ keshin hallki me ty !

    Njëra ndër këngët që u këndohen dhëndurëve naiv, të papjekur dhe të papërgatitur për martesë, e që në rastet e tilla shumë lehtë mund të mashtrohen nga nuset e tyre, të cilat me një mjeshtri dhe dinakëri të rrallë, arrijnë që t’ i  vënë në gjumë dhëndurët duke e bërë sabah pa e prekur nusen fare, është edhe kënga në vazhdim .
    Një këngë me tematikë të këtillë, vajzat këngëtare ia këndojnë dhëndrit në mëngjes, po sa të nxirret nga dhoma e martesës, ku vajzat përmes vargjeve të këngës dhe bisedave provokative që i bëjnë me dhëndrin , me një mjeshtri të rrallë do t’ia zbulojnë të gjitha sekretet e përjetuara gjatë natës së parë të martesës me nusen .
    Kështu, në rastin konkret, ato e kanë zbulua faktin se dhëndrin e kishte mashtruar nusja dhe e kishte vu në gjumë menjëherë pas hyrjes së tij në xherdek. Ato, pastaj do ta pyesin se a ka parë ndonjë ëndërr gjatë atij gjumi të rëndë?!
    Dhëndri naiv, do t’iu tregojë atyre se e paska ëndërruar nusen e palosur pranë murit, të cilën sa po paska tentuar që ta prekë me dorë, ajo e paska refuzuar  dhe ia paska kthyer shpinën , gjoja me motivacion se na qenka hidhëruar për faktin se dhëndri nuk ia paska blerë “pesëlirëshin” (dabllon prej arit) që në atë kohë kushtonte shumë para!
    Ky është vetëm njëri nga shembujt me të cilët jo rrallë, nuset i kanë mashtruar dhëndurët gjatë natës së parë të martesës dhe kanë kaluar pa asnjë therë në këmbë:

Ore Ukë, ore dhandërr,
A e ke pa ndo ni anërr?
-E kam pa, mu ka diftue –
Nusja n’ strehë , mu kish palue !
Zgata dorën për me çplue –
Ma kthej krahin, ish idhnue !
Ish idhnue , s’ foli me mue –
Për pesëlirëshin qi nuk ja kam vnue !

    Ditën e parë të martesës, që zakonisht ishte dita e Hëne, ose dita e Premte, sipas traditës dhe zakoneve, shtrohej dreka e përbashkët e cila quhej “Kulaçi i nuses”. Kulaçi i nuses do të fillojë që të gatuhet në familjen e djalit që do të martohet, pikërisht në ditën kur vajza që do të bëhet nuse, do të nisë vajin në familjen e saj. Pra, në ditën e parë të fillimit të dasmës, që mund të ishte dita e Hënë, ose dita e Enjte.
    Dreka në “Kulaçin e nuses” shtrohet për të gjithë rrethin më të ngushtë familjarë dhe të afërmit dasmorë, duke përfshirë këtu edhe miqtë, dajallarët dhe të tjerë.
    “Kulaçi i nuses” është simbolikë që dëshmon se nusja ka dalë e ndershme dhe e virgjër dhe nga ky “kulaç” duhet të marrinë secili pjesëmarrës i drekës nga një copë.
Pas kësaj ceremonie, është zakon që të gjithë pjesëmarrësve   të  “Drekës së kulaçit” , nusja t’ ua merr dorën në shenj përshëndetje dhe nderimi për ta. Por, marrja e dorës nga ana e nuses dhe pjesëmarrja në “Drekën e kulaçit të nuses”, i obligon të gjithë pjesëmarrësit e drekës, që t’ i  dhurojnë nuses dhurata në vlerë të parave.
Në këtë rast, pjesëmarrësit që janë më të varfër prej xhepit, do të ndihen të ngushtuar, të skuqur dhe të turpëruar para nuses dhe masës së pranishme, nga se secili prej tyre do të bëjë gara se kush do t’ i dhurojë nuses vlerë më të madhe parash?!
Për t’ ua lehtësuar turpin atyre që e kanë xhepin më të hollë, vajzat këngëtare përmes vargjeve satirike të këngës, do ta gjykojnë nusen duke e trajtuar atë si një “Bijë e qenit”,”Bijë e presnjakut”, apo edhe figura të tjera nënçmuese:

U ungjë agaj – baba, n’ krye t’ venit –
Qitja pesë mijë banka , t’ bijës  s’ qenit !
U ungjë Rrustem- aga, n’ krye t’ venit –
Qitja dy mijë banka , t’ bijës  s’ qenit !
U ungjë babagjysh-daja, n’ ballë t’ oxhakut –
Qitja ni lirë t’ kuqe, t’ bisë s’ presnjakut !

    Pas dy javë martese, sipas traditës dhe zakonit, familja e vajzës (nuses), do të shkojë për të parën herë tek miku i ri, ku e kanë martuar vajzën dhe kjo shkuarje quhet:”Miq së pari”. Atje do të bujnë një natë dhe të nesërmen do ta marrin bijën e tyre për të pushuar dy javë ditë në gjirin e saj familjarë, që kjo ceremoni quhet:”Marrja e vajzës së pari”.
    Pasi që të ketë pushuar vajza dy javë ditë në gjirin e saj familjarë, sipas traditës dhe zakonit, tani do të shkojnë “Miq së pari” familjarët e dhëndrit , bashkë me dhëndrin , ku do të bujnë një natë dhe të nesërmen do ta marrin nusen nga familja e saj .
    Aktin e ardhjes së dhëndrit së pari në familjen e vajzës e cila është bërë nuse, vajzat këngëtare dhe bijat e shtëpisë, do ta presin me dhembje, mall dhe mllef të madh, nga se  bija, motra, apo  kushërira e tyre, do të ndahet sërish prej tyre dhe nga rrethi familjarë.
Për ta shprehur këtë mall ndaj bijës së tyre dhe mllefin ndaj dhëndrit i cili do të vjen për t’ ua marrë bijën, motrën, apo kushërirën, ato do t’i këndojnë këngë satirike dhëndrit, duke e përqeshur e nënçmuar atë, me figurat dhe krahasimet më banale , si që janë: qeni, zagari, maçorri, gomari...etj.

Kur t’ na vinë dhandrri s’ pari –
Do ta lidhum si qen për gardhi !
Do ta ungjum te duvari ,
Do t’i qesim mish zagari !

Kur t’ na vinë , moj, dhandrri s’ dyti –
Do ta lidhum si qen për fyti !
Do ta qesim te oborri –
Le t’ ja lëpijnë gojën maçorri !


Kur t’ na vinë, moj, dhandrri s’ treti –
Do t’ i  qesim gjellë për s’ nxehti !
Do t’ ia qesim me koritë –
Mos t’ i  jesin gjella n’ fyt !

Kur t’ bajnë dhandrri për me shkue –
Ni samar kem me ja vnue !
Do ta çojmë në mal për dru –
S’ i  lamë kijet me u mundue !
    II.
Kur t’ na vjen dhandrri i ri –
Do t’ ja prejmë qenin e zi !
Se kur t’ shkojnë në odë me hi –
Ja shtrojmë lëkurën – postaçi !
Si n’ ju doktë postaçia e keqe –
Do t’ ja bajmë bishtin – musteqe !

    Në ceremoninë e ardhjes së dhëndrit për së pari herë në familjen e nuses së tij, pasi të ketë bujtur një natë tek miqtë e rinj, të nesërmen në mëngjes pasi që të jetë ngrënë kafjalli, ose dreka e hershme, menjëherë fillojnë përgatitjet për ta marrë nusen dhe për të udhëtuar për në shtëpinë e dhëndrit .
    Edhe këtë akt të përgatitjes për udhëtim, vajzat apo bijat e shtëpisë nuk e lëshojnë që të kalojnë për pa e vu në thumb të kritikës dhe në tallje figurën e dhëndrit, duke e kënduar dhe krahasuar atë me figurat më nënçmuese, me qëllim që t’ia përulin dinjitetin dhe personalitetin e tij, para masës së pranishme. Atë, përmes vargjeve të këngës, e përshkruajnë si një njeri budalla, i cili nuk mund ta ruaj as plisin e vet, nuk mund t’i njohë as opingat e veta dhe që humbë kohë duke i kërkuar opingat e veta nëpër lamë, apo oborrin e shtëpisë së miqve të tij!
    Përmes vargjeve satirike të këngës, dhëndri përshkruhet edhe si një njeri shumë i varfër, i cili gjoja paska ardhur për ta marrë nusen e vet nga së pari, me gomar, por që ai është aq i marrë sa nuk mund ta ruaj e ta njoh as gomarin e vet! Kështu që , duke e kërkuar gomarin nëpër lagje të fshatit, atij i kalon edhe dita dhe e kapë frika se do t’i mbes nusja pa e marrë !
    Këto këngë me vargje të këtilla satirike dhe tallëse, vajzat ia këndojnë dhëndrit me qëllim që të ndikojnë tek familjarët e vajzës (nuses) që të mos mërziten shumë me rastin e daljes së vajzës nga shtëpia e prindërve, që të mos mërzitet vajza për faktin se po ndahet nga shtëpia, prindërit, vëllezërit, motrat dhe nga familja e gjerë !
Por në anën tjetër, këto këngë i këndohen vajzave që shkojnë pas burrit (dhëndrit) edhe në rastet kur vërehet se ato janë tepër të dashuruara ndaj burrit (dhëndrit), të dhëna pas pispillosjes së tepruar, veshmbathjeve luksoze të nusërisë , të cilat mezi presin daljen nga shtëpia e familjes së tyre dhe shkuarja tek shtëpia e burrit :

Sillet dhandrri nëpër lamë –
I kish hupë njana apangë !
-Hajt, more dhandërr, mos ki dert,
Se apanga t’ blejnë apet !
Sillet dhandrri rreth mullari –
Kuku nanë , m’ ka hupë magari !
-Hajt , more dhandërr, mos ki dert,
Se magari t’ vjen apet !
Sillet dhandrri , nëpër mahallë –
Do me m’ metë nusja pa e marrë !
Sillet dhandrri, nëpër mal –
I ka çue Lulës , fjalë:
“Hajt, moj Lule, ti mos kajë,
Se magarin s’ mun po e gjajë !
N’ koftë kismet, magarin me e gjetë –
Unë kthehna e  t’ marr apet !”
    II.
U dalë dhandrri e po kanë tu lisi –
Kuku nane, m’ ka hupë plisi !
-Shujë qyqan , se po t’ niejnë katuni,
Se ta maron nana, ty, ni plis pej zhguni !
U dalë dhandrri e po kanë te  lama –
Kuku nane, m’ paska hupë apanga !
-Shujë qyqan, se na lëmerove,
Se ta maron nana, ni apangë pej love !
-Shujë qyqan, mos t’ niejnë katuni,
Se ta  maron nana, ni apangë prej druni !
Shujë qyqan, mos t’ niejnë mahalla ,
Se t’i maron nana, ty, ni parë sandalla !

    Në rastet kur vërehet se dhëndri gjatë qëndrimit  të tij , si mysafir në familjen e nuses së vet, pra tek miqtë e tij, nuk rrinë serioz para miqve , del orë e çast përjashta odës së burrave dhe hulumton objektet e shtëpisë brenda oborrit, me qëllim që ta shohë nusen e vet, por edhe që të fryhet e krekoset para grave e vajzave tjera të familjes së nuses së tij, atëherë ai do të llogaritet si njeri i pa moralshëm dhe rrugaç.
    Për këto sjellje, vajzat apo bijat e shtëpisë nuk do të hezitojnë që t’i marrin defet dhe t’i këndojnë këngë, duke i thurë vargje shumë të ashpra satirike, përmes të cilave do ta trajtojnë karakterin e tij, si një budalla, si gomar, si surlaxhinj , si baraba , si një pishpirik dhe shumë fyerje të tjera:

Fryni era e na e rrëzoi tallën –
Na e ka nxanë dhandërr – budallën !
Fryni era e na e rrëzoi hambarin –
Na e ka nxanë dhandërr – magarin !
Fryni era e na e rrëzoi avlijen –
Na e ka nxanë dhandërr – surlaxhijen !
Fryni era e na e rrëzoi tarabën –
Na e ka nxanë dhandërr – barabën !
Fryni era e na e rrëzoi kapixhikun –
Na e ka nxanë dhandërr – pishpirikun !
    Për shkuarjen e dhëndrit për së pari herë si mysafir në familjen e nuses së tij, janë thurë shumë këngë humori e satire, mahi, lojëra e anekdota ndër më të ndryshmet.
    Në rastet e ceremonive të shkuarjes së dhëndrit së pari ndër miq, tradicionalisht në shënjestër të talljeve, lojërave dhe mahive të ndryshme nga ana e mikpritësve të familjes së nuses, kanë qenë dhëndurët të cilët nuk janë kursyer as me fjalë, as me gjeste për t’i shndërruar ata në objekt talljeje dhe nënçmimi para masës së mysafirëve tjerë të pranishëm në odën e burrave.
    Këto tallje, lojëra dhe humore në llogari të dhëndrit, i kanë bërë zakonisht të rinjtë për shumë qëllime të caktuara.
Së pari, përmes lojërave , talljeve dhe humoreve , në një mënyrë ata kanë dashur ta shfryjnë mllefin ndaj dhëndrit , në shenj hakmarrjeje se ai është personi i cili ua ka marrë motrën, bijën, kushërirën të cilën ua ka nda përgjithmonë nga gjiri i dashur familjarë!
Së dyti, përmes këtyre talljeve dhe lojërave humoristike, ata kanë dashur që t’i verifikojnë aftësitë psiko- fizike të dhëndrit, mençurinë, gjeturinë, largpamësinë dhe qëndrueshmërinë e tij ndaj provokimeve të ndryshme .
Dhëndri i cili ka qenë strateg largpamës dhe i përgatitur mirë, në asnjë mënyrë nuk ka rënë pre e këtyre lojërave dhe provokimeve . Por edhe në rastet kur nuk kanë ditë të gjenden mirë nëpër këto situata, asnjëherë nuk janë hidhëruar , nga se loja me dhëndurë ka qenë përherë tradicionale në Malësinë e Gollakut.
Ndër lojërat dhe provokimet të cilat më së shumti u janë bërë dhëndurëve nëpër odat e miqve , ku ata kanë ardhur për të parën herë, më së tepërmi është sprovuar qepja tinëzare e rrobave të dhëndrit për ndonjë pjesë të shtrojave , apo mbulojave të odës, me ç’ rast ata po sa janë zgjuar për të dalë përjashta odës, i kanë ngrehur zvarrë pas vetit edhe ato shtroja e mbuloja !
Thyerja e vezëve në vendin ku ata qëndronin ulur, u është bërë me qëllim që ata të tregohen para masës se gjoja e paskan kryer edhe nevojën e madhe përmbi shtrojat e odave ! Thyerje të vezëve iu kanë bërë shpesh edhe nëpër këpuca, me qëllim që kur t’i mbathin ato për të shkuar tek shtëpia e vet, të iu lagen dhe ndoten këmbët !
Ndër lojërat që janë bërë me dhëndurët, janë edhe rastet kur ata i kanë lidhur për rrote të kerrit, me qëllim që t’ iu  plotësohet dëshira dhe kërkesa e tyre ndaj babës së vajzës, apo nënës së vajzës (nuses), ku zakonisht kanë kërkuar ndonjë specialitet të rrallë ushqimi, apo pemë të ndryshme, ku deri në plotësimin e kërkesave – dhëndri nuk është liruar nga lidhja për rrote !
Kënga në vijim, do të pasqyrojë një realitet të kësaj natyre, por që e kanë thurë e kënduar femrat me defe . Në këtë rast, përmes vargjeve satirike të kësaj kënge, vajzat këngëtare përveç që do t’ na e përshkruajnë atmosferën e lojërave tradicionale në mes të burrave të odës dhe dhëndrit, ato nuk e lëshojnë pa e përshkruar dhëndrin edhe si një njeri të pangopur, i cili hanë ushqime pa kontroll  nga të cilat më pastaj do të ketë pasoja me barkun dhe jashtëqitjen e pakontrolluar:

Ka shkue dhandrri s’ pari nër miq –
Ja kanë rrehë bothën me çekiç !
U ungjë dhandrri te xhygymi –
Ja kanë kepë bothtë për qylymi !

U ungjë dhandrri te takami –
Ja kanë kepë bothën për jani !
Ka shkue dhandrri me e pa vjehrrën –
N’ prapanicë ja kanë kepë çergën !
Ka shkue dhandrri me e krye nevojën –
Ja kanë mushë kundrat me voe !
Po rrin dhandrri me krye ulë –
Çka ki dhandërr, mos je çkulë?!
Ka shkue dhandrri mas ni lisi –
Ja ka çkye bothën orizi !
Ka shkue dhandrri te pojata –
Ja ka çkye bothën sallata !

    U munduam kështu , që së paku t’ua pasqyrojmë dhe rikujtomë traditat tona të vjetra të dasmës në trevat e Malësisë së Gollakut, në veçanti ato të pritjes dhe përcjelljes së dhëndurëve, për të cilat janë thurë e kënduar me mijëra këngë e variante të ndryshme, por që më këto tradita nuk praktikohen në dasmat e sotme dhe që të gjitha këto i takojnë vetëm të së kaluarës sonë jo fortë të largët.

Gjilan, më 10 Nëntor 2009.                   

Mblodhi dhe analizoi :
Demir KRASNIQI


(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora