E marte, 30.04.2024, 09:51 AM (GMT+1)

Mendime

Sami Islami: Përvjetori i RTK-së dhe anashkalimi i traditës televizive

E premte, 30.10.2009, 08:57 PM


PËRVJETORI  I RTK-SË  DHE ANASHKALIMI I TRADITËS TELEVIZIVE

Nga Sami ISLAMI

Kohë më parë RTK-ja kremtoi 10-vjetorin e “themelimit”. U publikua bukur gjatë në TV se  do të shfaqet edhe një program enkas për të shenuar  këtë pervjetor.  Dhe programi për “rriten” e RTK-së u dha. Në emision folën shumë redaktorë, gazetarë, punëtorë të tashëm të televizionit për krejt çfarë ishte arritur brenda kohës 1999 dhe vitit 2009! Fort mirë! Edhe unë pajtohem se  vërtetë televizioni publik i Kosovës  ka bërë punë të mirë brenda kësaj kohe.
 Po ajo që më nxiti të shkruaj këtë artikull është fakti se si është e mundur që të shenohet një përvjetor e të injorohet, apo anashkalohet  një traditë aq e gjatë e televizionit  në  Kosovë pa u përmendur fare?
Sipas ish kolegëve të mi RTK-ja  dhe televizioni  në përgjithësi paska filluar  më 1999(!), pra pas mbarimit të luftës së fundit në Kosovë.  Absurde! Po si  s’u kujtuan ish kolegët e mi të nderuar, se RTK-ja në një farë mënyre ishte vazhdimi i asaj që para lufte (ose më mirë të themi para ripushtimit serb të Kosovës)  quhej TVP? Si  mund të injorohet fakti se TVP-ja (atëherë kishim vetëm një television), i  filloi transmetimet e veta  me 26 nëntor të vitit 1976?! Ku shkuan 14 vjet të ekzistencës së TVP-së (nga viti 1976 deri me vitin 1990) pa e llogaritur kohën  kur  Serbia e ripushtoi krejt Kosovën, e në këtë kontekst edhe  televizionin e Prishtinës? Po TVP-ja e kujt qe, që s’u llogarit së ekzistuari, sikur të mos kishte qenë fare? A qe e Kosovës, e Serbisë apo ...?
Nëse ish kolegët e mi do të thonë se ky përvjetor i referohet vetëm emërtimit të quajtur RTK, i cili me këtë emër startoi  pas përfundimit të luftës, mendoj se kjo pasqyron një indiferencë të pakuptimtë të traditës së mëparshme. Kjo madje do të ishte  gabim i dyfishtë, sepse në fakt  RTK-ja s’ishte, apo s’do të duhej të trajtohej ndryshe, pos vazhdim i punës së televizionit të mëparshëm. Sigurisht tani në rrethana krejtësisht të reja nga ato që kishim ne. Fundja  çfarë hendeku paska në mes të këtyre organizimeve të televizioneve, kur  dihet shumë qartë se si njëra, poashtu edhe tjetra i dedikoheshin popullit të Kosovës. Një pjesë e mirë e kuadrit, (të mos themi pjesa dërmuese) ishte ai i përparshmi...
Nëse e kanë parë këtë emision të rinjtë e moshës 15 deri 20 –vjeçare , kanë të drejtë  të mendojnë se  televizioni shqip në Kosovë paska filluar me 1999!. Kështu  kanë të drejtë  të mendojnë  edhe të gjithë ndërkombëtarët që sot i ke në Kosovë, se shqiptarët vërtetë nuk paskan pasur televizion para këtij viti! Pra shqiptarët e Kosovës, deri para luftës,  paskan qenë në nivelin kulturor, mediatik, arsimor etj.  barazi me zero. Prandaj nuk është edhe çudi pse  kur erdhën në Kosovë ata (lexo: UNMIK-u) u kishin shjellë shqiptarëve të Kosovës sapunë për t’u larë  dhe pasta e brusha për t’i larë dhëmbët!
Festimi i këtij përvejtori të  RTK-së (10- vjetori) ma përkujtoj kohën kur Serbia bëri ndryshimet kushtetuese në vitin 1989 dhe fill pas kësaj, në vazhdën e shumë „ndyshimeve“ nisi  edhe fushatën për ndërrimin e plan- programeve shqip (lexo:  të letërsisë shqiptare) duke  tentuar t’i fuste në programet e shkollave fillore , të mesme  etj.,  vetëm disa  shkrimtarë kosovarë dhe vetëm  ata që i takonin periudhës pas vitit 1945, si Sinan Hasanin, Hivzi Sulejmanin, Esad Mekulin e ndonjë tjetër. Me këtë ajo tentonte t’ia mohonte shqiptarëve traditën letrare shumë të begatshme deri në këtë datë. Po kjo nuk ishte aspak çudi për ne pasi që qëllimet e Serbisë tanimë i dinë të gjithë.
Por çfarë të themi  tash  kur këtë e bënë vetë shqiptarët, vetë ish kolegët e mi, të cilët me një potez injoruan punën 14- vjeçare të dhjetra e dhjetra gazetarëve, redaktorëve, bashkëpunëtorëve!

 Ata, me këtë përvjetor,   me vetëdije apo pa të, ia shkurtuan vetes historinë, ia shkurtuan vetes traditën! Çfarë e keqe do të kishte qenë sikur  RTK-ja  të festonte një përvjetor,  ku do të përfshihej tradita, jo vetëm  prej fillimit të emitimit të programeve prej studios së televizionit të Prishtines, siç thamë me 26 nëntor të vitit 1976,  por edhe më heret, kur  emisionet shqip jepeshin prej studios së Televizionit të Beogradit (një herë në javë). Pse jo? Përveç kësaj  po  ta kemi para sysh se RTK-ja  në vetëvete nuk përmban vetëm televizionin, por edhe radion. E radioja  nuk filloi punën e saj pas luftës së fundit me Serbinë, pra më 1999, por pas Luftës së Dytë Botërore, pra pas vitit 1945! Cili përvjetor do të ishte dashur të shenohej sivjet? Me shënimin e një  përvjetori  të tillë do t’i tregonim opinionit si vendës (sidomos gjeneratave të reja, se ato më të moshuarat e dinë të gjithë) por edhe opinionit  ndërkombëtar se ne nuk jemi një popull me traditë vetëm 10-vjeçare në sferën radios apo televizionit, por me traditë disa dekadëshe. E realiteti, pra,  është se vetëm  televizioni  ka jetë rreth apo më shumë se 30-vjeçare, pa e llogaritur kohën prej 1990 deri më 1999, kur televizioni  i Prishtinës (ashtu sikur e gjithë jeta kulturore, mediatike, arsimore…) ishte ngulfatur nga politika hegjemoniste e Millosheviqit dhe kur e vetmja gjë që mund të dëgjohej „shqip“ ishte leximi katastrofal i lajmeve nga Hajrie „spikerica“.

A thua vallë drejtorët dhe kryeredaktorët e tjerë, në rend të parë, por edhe disa nga ish koleget e mi, të cilët punojnë në RTK (që më parë i takonin TVP-së), kanë harruar se sa punë është bërë atëherë? Televizioni atëherë punonte  nën një censurë të paparë,  kur  Beogradi bënte politikën antishqiptare duke i përdorur, pionet e tij, fatkeqësisht, shqiptarë. Kur nuk guxohej të përmendej Shqipëria. Pra ishte kohë shumë e vështirë. Dhe mu në këtë kohë ne ishim të përcaktuar të punonim me vetëmohim për të kultivuar  gjuhën, e për të  përhapur, kulturën, traditën e historinë tonë. Por as kjo kohë nuk u përfshi në përvjetor, se televizioni i Kosovës  paska filluar më 1999!
Unë në atë kohë kam punuar në Programin Arsimor Shkollor dhe brenda viteve 1982-1990 , bashkë me kolegët e mi të nderuar (xhirues, kameramanë, montazherë, organizatorë etj.) i kam  përgatitur mbi 200 emisione për gjuhën shqipe dhe për  shkrimtarët shqiptarë. E  emisionet e mia, por edhe të të gjithë kolegëve të mi që kishin  të bënin me kulturë shqiptare,  në atë kohë „kontrolloheshin“ detajisht me thjerrëz se mos po dilte diçka që po e „prishte“politikën programore dhe po ua „lëkundte“ karrigen shefave tanë?. Bile më kujtohet një rast kur unë e përgatita një emision për Naim Frashërin dhe bashkëpunëtor të jashtëm kisha profesorin tim të  nderuar Akademik Rexhep  Qosjen,   dhe kur e dërgova te redaktori im përgjegjes  Pelivan Zhuri, për ta „kontrolluar“ se a ishte në rregull për t’u emetuar, ai  më bëri për një pare, si thonë,  se unë nuk kisha  qenë „vigjilentë“ sepse i kisha incizu disa sllajde (foto) ku dukej poezia e  njohur e poetit „O ju malet  e Shqipërisë...“  Dhe arsyetimi ishte se po të dilte kjo poezi në televizion krejt Kosova do të çohej në këmbë, pra do të dilte në rrugë (lexo: në demonstrata)!? E në të njëjtën kohë kjo poezi ishte në të gjitha librat e leximit të shkollave fillore dhe të mesme, e të mos flasim për tekste universitare! Kështu si unë ka pasur edhe shumë të tjerë si, Skënder  Blakaj  me serinë e tij shumë të suksesshme në atë kohë për  arbëreshët e Italisë, i cili pastaj u ndëshkua nga politika ditore, Ali Llunji me shumë emisione dokumentare etj.
U inorua një kohë kur shumica e bashkëpunëtorëve dhe gazetarëve,  të cilët  edhe pse ishin të vetëdijshëm se ishin të vëzhguar, sidomos pas demonstratave të vitit 1981, bënin emisione të tilla që shpesh autorët e tyre, ish kolegët e mi,  suspendoheshin nga puna, ose përjashtoheshin fare nga televizioni. Dhe motivi që i shtynte ata për të bërë këto veprime ishte se dëshironin të thoshin të vërtetën për shqiptarët. Shumë nga ata u larguan edhe nga Kosova dhe sot jetojnë nëpër shtetet e Evropes perëndimore, në Amerikë e gjetiu. Pra u harrua ajo kohë kur u transmetuan emisione shumë të bukura që bënë johonë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjitha trevat shqiptare në Shqipëri, Maqedoni etj.
Nuk do mend se shënimi i këtij përvjetori, në këtë formë si doli,  do t’i ketë kënaqur  vetëm  ata që nuk na e duan të mirën, në rend të parë serbët, të cilët gjithnjë kanë dashur të na e shlyjnë historinë, maqedonasit, të cilët edhe pse pa histori te veten, pa identitet të vetin, propagandojnë gënjeshtra për shqiptarët, siç ishte rasti i fundit me enciklopedinë e turpshme të tyre, grekët etj.
Me sa di unë emisionet e para të televizionit të Beogradit kanë filluar të emetoheshin në fillim të viteve të 60-ta, por a thua  do të pranonin ata të bënin një emision për të shenuar një përvjetor se televizioni i tyre paska filluar disa dekada më vonë siç ndodhi me RTK-në? Nuk  besoj! Ata që kanë punuar den baba den për të na e vjedhur historinë neve, nuk e bëjnë një gjë të tillë për vete. Kurse ne po. Pse ndodh kjo tek ne nuk e di. Ndoshta e dinë ata ish kolegët e mi që e menduan dhe e realizuan këtë emision! Fundja sa jemi ne shqiptarët  fanatikë kur është çështja  për ta  mbrojtur kulturën traditën dhe historinë tonë?. Fqinjët tanë serbët, maqedonasit , grtekët etj., madje edhe  me falsifikime  e shtyjnë larg e ma lagr gurin e historisë për të „dëshmuar“ se kanë traditë të  hershme në këtë apo atë fushë, pra  edhe në kulturë (në media), fatkeqësisht ne, edhe të vërtetën po e tkurrim.  Pra po e tkurrim historinë e mediave tona , në këtë rast traditen tonë televizive.
Tani kur Kosova është e pavarur dhe kur i kemi duart e lira për të punuar dhe krijuar politika programore kombëtare, tani kur nuk e kemi censurën serbe mbi kokë, tani kur jemi të lirë të mendojmë, të krijojmë dhe ta çojmë përpara zhvillimin tonë, a ka kuptim  të bëjmë emisione të tilla që na e shkurtojnë historinë, traditën, ekzistencën tonë? A ka kuptim të shenohet 10-vjetori, e të anashkalohet  24 – vjetori (faktik) ndoshta edhe më mirë, 30-vjetori i RTK-së?


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora