E diele, 10.11.2024, 06:08 PM (GMT)

Kulturë

Bashkim Saliasi: “Një udhëtim i çuditshëm” i shkrimtarit Viron Kona

E enjte, 24.09.2009, 06:02 PM


“Një udhëtim i çuditshëm” i shkrimtarit Viron Kona 

                 

Risi të librit ''Një udhëtim i çuditshëm''

 

Nga Bashkim SALIASI

 

Të vendosësh një libër për fëmijë në bibliotekën tënde të familjes, do të thotë që fëmijës, prindit dhe edukatorit i ke dhënë një këshilltarë të zotin, që veç argëtimit artistik, do të ndihmojë të zgjidhë probleme që  dalin gjatë rrugës së të nxënit dhe formimit të botëkuptimit shoqëror dhe shkencor të fëmijëve, të cilët, përpara se të jenë e ardhmja, janë e sotmja. Nisur nga ky këndvështrim, gjithnjë kam blerë shumë libra për fëmijët, ndër të cilët, edhe ciklin prej 10 vëllimesh, ku përshkruhen bukur dhe në mënyrë mbresëlënëse historitë dhe aventurat e Bubulinos, vepra këto të shkrimtarit tashmë të mirënjohur Viron Kona. Dhe, pikërisht për këtë cikël vëllimesh e, veçanërisht për librin “Një udhëtim i çuditshëm”, i 10 - ti i ciklit të Bubulinos, desha të shprehesha në këtë shkrim.

 

                                                      x                x                      x

 

Që në fillim, dëshiroj të them se lexuesit e vegjël marrin  në këtë libër një sërë mesazhesh dhe episodesh  me një gjuhë dhe fjalor të pasur e plotë kolor; ata njihen me portrete dhe tipa të këndshëm e simpatik për botën e tyre, ku spikat  profilizimi i karaktereve nëpërmjet metaforës dhe gërshetimit të një mori figurash të tjera letrare. Sapo fillon të lexosh librin, ndjen dashuri dhe respekt më të madh për gjithçka të bukur në vendin tënd, respekton botën dhe dëshirat e fëmijëve, interesat dhe kureshtjet e tyre, ndërkohë që të lind dëshira për eksplorimin e natyrës shqiptare. Dhe, kjo ndodh sepse fantazia dhe imagjinata krijuese e Viron Konës, shpreh episode dhe ngjarje që mbeten në kujtesë, ato e  rrëmbejnë lexuesin e vogël në aventurat e këtij “Udhëtimi të çuditshëm”, ku, ekspedita që drejtohet nga kapiten Liku, nis fluturimin me helikopterin “Kaltërsia e qiellit” mbi “Rrugën e Arbërit”, drejt Gurit të Bardhë të Matit (Petralbës), drejt Bulqizës, Peshkopisë, mbi liqenet e Lurës, Korabit...Personazhi kryesor është Bubulinoja, fëmija që synon përparimin, dijen dhe shkencën, por që ka edhe një botë mjaft të pasur dhe të bukur fëminore, që i tërheq si me magji dhe pëlqehet shumë nga lexuesit e vegjël, të cilët, në një anketim të vitit 2006, e zgjodhën personazhin e Bubulinos  si librin më të mirë për fëmijë.

 

                                                            x                      x                      x

 

I lauruar gjashtë herë me çmime kombëtare dhe një herë me çmimin ndërkombëtar nga UNICEF, Viron Kona është tepër modest. Si një nga shkrimtarët më të mirë të letërsisë për fëmijë, në librin ''Një udhëtim i çuditshëm'' ai e njeh lexuesin e vogël edhe me mjaft të reja shkencore nga fusha e biologjisë, historisë, arkeologjisë, gjeografisë dhe kozmosit. Fantazia e  këtij autori arrin deri atje sa,  futet krejt në botën e fëmijëve dhe  flet me gjuhën e tyre, por edhe i tërheq ata atje ku ai synon dhe zhvillon idenë dhe mesazhin veprës. Shkrimtari i fton fëmijët në botën e tij të mrekullueshme, i merr për dore dhe i shëtit ata në bukuritë dhe veçantitë e kësaj bote, i vë përballë problemeve dhe të panjohurave që duhen hulumtuar e zbuluar, nxit kureshtjen, fantazinë dhe imagjinatën  tyre, por edhe u mëson gjëra që u vlejnë për jetën dhe për të vijuar rrugën e dijes, shkencës  dhe përparimit. Stili dhe gjuha e pastër që përdor  Viron Kona në serinë e mbi 25 librave, shumica për fëmijë, tregon se botimet e tij u përmbahen të gjitha standardeve gjuhësore e letrare, gjë që e vënë në dukje profesor dhe studiues të njohur  si Gjovalin Shkurtaj, Shefik Osmani, Murat Gecaj, Koço Bihiku, Lule Shameti, Gëzim Tushi, Fatmir Minguli etj.. Këto cilësi tregojnë përkushtimin e shkrimtarit që të edukojë tek lexuesi i vogël drejtshkrimin dhe gjuhën e pasur shqipe. Fjalori që ai përdor në ndërtimin e fjalive, nuk përmban huazime, por mbështetet në tabanin kombëtar. Me një gjuhë të thjeshtë, që ia përshtat moshës së fëmijëve, me mjaftë mjeshtëri, ai arrin të profilizojë karaktere të spikatur dhe interesant  në realizimin e tregimeve, por dhe   t`i portretizojë me dinjitet e mjeshtëri. Kështu, ai, nga njëri libër në tjetrin, sjell risi tipash dhe karakteresh që nuk shlyhen nga kujtesa. Nëpërmjet figurave letrare, shprehjeve frazeologjike dhe mendimeve të urta popullore, që autori i përdor në kohën dhe vendin e duhur,  arrin  të konfirmojë artistikisht madhështinë e bukurisë dhe të vërë në lojë e satirizojë disa vese njerëzore që janë të papranueshme për botën e fëmijëve.

-Ja tek po vjen, ngadalë-ngadalë dhe i krekosur, si dashi që prinë kopenë,- tha Baxhuli duke nënqeshur me krekosjen e Këmbëgjatit. - Mirëmëngjesi, Këmbëgjatë! Mirë se na erdhe! - iu përgjigjën të tjerët, thuajse në një zë. Mjekërverdhi iu afrua dhe e qortoi me zë të ulët: -Pse u vonove kaq shumë?Këta u mërzitën me vonesën tënde!

Këmbëgjati, duke u krekosur akoma më shumë, iu përgjigj: -Mbretërit apo njerëzit e mëdhenj e të fuqishëm, siç jam unë, vijnë gjithnjë me vonesë në takime, kurse të tjerët, duan apo s`duan, janë të detyruar t`i presin me durim e respekt... Metafora  dhe krahasimi që përdor autori në ndërtimin e dialogut është më se i arrirë dhe  i përshtatet moshës së fëmijëve, ndërkohë që, autori arrin të transmetojë te lexuesi mesazhin e pjekurisë së personazheve. Bubulinoja simbolizon tiparet e urtësisë, të njeriut me karakter të fortë dhe këmbëngulës që arrin  të finalizojë nismën e nisur dhe të ëndërruar. Ai ka shprehur dëshirën që të jetë i pari njeri që do të shkelë në planetin Mars, por tani  ka dalë në plan të parë ngrohja globale, dhe, ai, krahas përgatitjeve drejt planetit të Kuq,  ka marrë nismën të bëj sa më të ndjeshëm njerëzit e, sidomos fëmijët, për ta shpëtuar planetin e Kaltër, “Shtëpinë e Njerëzimit” nga kërcënimi i ngrohjes globale. Te fëmijët është shumë e zhvilluar fantazia, por është e vështirë që të futesh në botën e tyre, kurse z Kona e zotëron këtë aftësi të një njeriu – akademik, duke  skalitur e portretizuar përkrah Bubulinos edhe shoqet dhe shokët e tij  më të afërt si Dardi, Fluturushja, Kokëgjembi, Shqipja, Lisiana, Kristi, Lura, Korabi, Lindita, por edhe më të rriturit kapiten Liku, Gjyshi Ambasador, Baxhuli, Mareshalli, Diellori, si dhe personazhet që shigjetohen si, i ashtuquajturi Shkencëtari Këmbëgjatë dhe Mjekërverdhi, për të cilët (këta dy të fundit), siç kanë pohuar edhe studiues të letërsisë, konfigurojnë Don Kishotin dhe Sançon shqiptar. -Zoti pilot, - ngriti zërin Shkencëtari Këmbëgjatë, - ai që do komandojë këtë mjetë fluturues modern dhe të gjithë ekspeditën, jam unë, Shkencëtari Këmbëgjatë. - Zotëri, - iu drejtua piloti, - unë nuk bëjë shaka. Të komandosh fluturimin e një helikopteri modern është një punë shumë serioze. - Ju mendoni se unë , Shkencëtari i famshëm Këmbëgjatë , nuk jam në gjendje të drejtojë këtë helikopter!? -Ju lutem zoti Këmbëgjatë , ju po e teproni, - iu kthye toger Nardi. - Ti pretendon të drejtosh helikopterin, kurse ke disa muaj që nuk po mëson dot as biçikletën me tri rrota, o Këmbëgjatë, - i tha Baxhuli. - Sapo hipën në biçikletë, i ndihmuar nga trajneri, ti zë e bërtet i frikësuar. Të duket sikur ke hipur majë një shkëmbi të lartë dhe po rrëzohesh prej andej...Zhvillimi i debatit dhe dialogut  ndërmjet moshatarëve fletë për përvojën shumë të mirë që ka fituar shkrimtari, i cili  fokuson dhe fshikullon artistikisht tipa dhe karaktere me vese. Ai përcjell te fëmijët mesazhin, se ata nuk duhet të jetojnë me ndjenjën e hakmarrjes, por me ndjenjën e tolerancës  dhe mirëkuptimit dhe, i mëson që misioni i tyre është të bëhen të ditur dhe të mençur, njohës të mirë të marrëdhënieve dhe rrethanave të botës ku jetojnë, por edhe mbrojtës të të drejtave të tyre. Zëri i fëmijëve të vegjël, duke qenë të bashkuar, nuk do bjerë në vesh të shurdhër, por do të bëj sa më të ndjeshëm dhe të ndërgjegjshëm opinionin e njerëzve në luftën kundër ngrohjes globale. Veçanërisht në tregimin: “Bubulinoja ndez flak zemrat e  gurabardhësve të vegjël”, vogëlushi Bubulino shpërthen me thirrjen drejtuar fëmijëve të Gurit të Bardhë, të Shqipërisë dhe të gjithë botës: -Po, zotërinj, - iu përgjigj Bubulinoja, - ne të vegjël jemi, por zëri ynë i bashkuar do të bëhet më i fuqishëm, ai do të shndërrohet në mijëra e miliona kambana për jetën...Ne nuk do të lejojmë që mjedisi, natyra dhe hapësirat e gjera ku banojmë të deformohen dhe të dëmtohen nga bloza e fabrikave dhe uzinave, nga mbeturinat industrisë dhe gazrat e  dyoksidit të karbonit... Do mbajmë të pastra ujërat, liqenet, lumenjtë dhe burimet, që në to rrjedhë vazhdimisht uji i pastër dhe i ftohtë si Kroi i Gjeneralit, pranë Vakëfit këtu në Gur të Bardhë...E shikoni këtë bredh? Që të bëhej i tillë, kaq i gjatë dhe i bukur, këtij bredhi i janë dashur mbi 30 vjet, kurse sëpata dhe sharra e druprerësit të paligjshëm e rrëzon atë në tokë vetëm për pak minuta. A duhet ta lejojmë ne një veprim të tillë?

 Që në tregimin e parë dhe deri te i fundit, gjen episode tepër interesante që të krijojnë ndjesinë e gjallërisë së jetës dhe sidomos të luftës kundër ngrohjes globale që është shqetësim i gjithë popujve të rruzullit tokësor. Është  mjeshtëria e Viron Konës, që  arrin të  zgjidh konfliktet midis moshatarëve me tolerancë dhe mirëkuptim, - mesazh, që te fëmijët lexues të këtij libri, ndihmon fuqishëm në formimin e karakterit dhe të sjelljes në shoqëri.

-Zoti polic, - ndërhyri Bubulinoja me një zë të qetë dhe të ëmbël, - ju lutemi, faleni zotërinë me këmbë të gjata për tonin e zërit të tij...

 Ngrohja globale, një fenomen i njohur mbas viteve 1960, trajtohet me mjaftë kompetencë dhe mjeshtëri artistike nga shkrimtari dhe bëhet për lexuesit vegjël mjaft e  kuptueshme. Duke qenë, autori, një njohës i mirë i shkencave biologjike, gjeografike dhe historike, në libër gjejmë të shpjeguara mjaft dukuri që iu shërbejnë jo vetëm shkollarëve por, pse jo, dhe moshave të rritura. Të shkruash për moshat fëminore është një virtyt që rrallë kush e gëzon. Zoti Kona, mesa arrijë unë të vlerësojë letërsinë për fëmijë, e bënë më së miri dhe me një pasion që rrallë e bëjnë shkrimtarë të tjerë, sepse të hysh në botën e fëmijëve nuk është aq e lehtë, por kërkon të njohësh veçoritë e moshës, prirjet dhe interesat, gjë që shkrimtari i përkushtuar dhe i pasionuar e realizon më së miri.

“Asgjë nuk mbetet në mendjen tonë, po nuk kaloi më parë nëpër organet e shqisave”, - ka  thënë Aristoteli.  Viron Kona, ''jeton'' në botën e fëmijëve, duke qëndruar afër tyre dhe duke i njohur nga tipat dhe karakteret, nga sjelljet dhe qëndrimet, nga pëlqimet dhe pakënaqësitë, nga shijet dhe kureshtjet. Ai, i përshkruan fëmijët në librat e tij me një stil që, ashtu sikundër piktori shpreh mjeshtërinë e tij me penel nëpërmjet bojërave në një pikturë, shkrimtari skalit me një penë të hollë tipare, veçori, mënyra sjelljeje dhe interesa   që orientojnë për dije dhe progres. Leximi i këtij libri, më krijoi plotë ndjesi dhe gjendje emocionale, aq sa më dukej vetja sikur, edhe unë si lexues i rritur, jam një  pjesëtar i asaj ekspedite fëmijësh.

 

                                                      x                x                      x

 

 

E përmenda dhe më lartë, se Viron Kona çdo ngjarje që përshkruan e lidh me realitetin dhe ajo bëhet pjesë e tij. Ai ka shkuar vetë në Gur të Bardhë të Matit, ka fotografuar dhjetëra pamje e peizazhe nga ajo trevë historike, ku Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, kishte një nga kalatë më të fuqishme dhe më të famshme, Petralbën. Por, autori ka vizituar edhe shtëpinë e Pjetër Budit dhe monumentet e natyrës së Matit, sikurse, ai ka shkuar dhe ka ndenjur për ta bërë sa më realist librin, edhe në Bulqizë, Lurë, Korab...Nga një bisedë me Viron Konën, jam entuziazmuar kur kam mësuar se ai i shkel vetë të gjitha vendet ku zhvillon ngjarjet dhe aventurat për fëmijë. Ai shkruan librin “Dardi në gadishullin e vetëtimave”, por ama e ka njohur dhe e ka shkelur me këmbë  disa herë gadishullin e Karaburunit, njeh me hollësi relievin dhe shpellat e tij të famshme. Ai shkruan librin “Delfini i dy deteve drejt aventurave të reja”, por ama ka shkuar disa herë dhe e njeh mirë  ishullin e Sazanit, pozicionin gjeografik, faunën dhe florën e tij. Sikurse, ka shkuar në lagunat e Nartës, Orikut, Karavastasë, Patokut, Kune,Vainit..., në kalatë e Kaninës, Amantias, Beratit, Lezhës, Krujës, Rozafës.., në qytetet antike të Apolonisë, Butrintit, Orikut, Albanopulit, Antigonesë, Bylisit... Vetë kurba e jetës së  Viron Konës, nga një mësues i thjeshtë fshati e, deri drejtor në shkollat më të mëdha të kryeqytetit; nga njeri me pushtet të lartë - në një punonjës të thjeshtë, - deri në emigrant, hamall - shkarkues makinash dhe vjelës ullinjsh në Greqi; nga një qytetar i thjeshtë në Shqipëri, që lëvizë në këmbë apo me  biçikletë, - deri ka fluturuar me disa tipa aeroplanësh dhe helikopterësh; nga një notar i rritur në bregdetin e Vlorës, njohës i thellë i bregdetit të Jonit dhe Adriatikut, - deri  ka lundruar me disa tipa anijesh të flotës tregtare, të peshkimit dhe ato luftarake detare – deri, edhe me nëndetëse ka lundruar. Një njeri që ka eksploruar Shqipërinë si rrallë kush, që ka shkruar reportazhe të mrekullueshme për malësitë e Krujës, për Tepelenën dhe Tropojën, për Belshin dhe Gjirokastrën...,që disponon qindra fotografi të vendeve që viziton, që studion gjithçka që, nga materialet e vjetra historike e deri tek hartat dhe të dhënat shkencore të kozmosit dhe, sidomos, të planetit Mars ku ai kërkon të shpjerë në mënyrë imagjinare personazhin e tij Bubulinon. Viron Kona shkon në Budapest për një operacion të rëndë për jetën e tij dhe kur kthehet shkruan  romanin mjaft të bukur dhe të pëlqyer: “Dëgjoma zemrën Budapest!”, roman, i cili deri u shpërnda nga vetë hungarezët edhe në linjat e avionëve të Malevit; Vironi caktohet si kryetar i Ansamblit “Labëria” për të dhënë shfaqje në Turqi dhe, kur kthehet shkruan librin e mrekullueshëm “Yje mbi Bosfor”; shkon si emigrant në Greqi dhe, kur kthehet, shkruan   romanin tashmë të  njohur dhe të botuar disa herë  “Drithërimat e yjeve”... Mund të them me siguri se ky njeri punëtor dhe i palodhur, i çiltër dhe human, i ka “provuar” të gjitha, ndaj dhe është mjaft i dashur dhe i besueshëm për lexuesit, qofshin të rritur, por sidomos për të vegjlit, të cilët i zgjedhin librat që lexojnë, ashtu sikurse zgjedhin edhe lodrat që pëlqejnë më shumë.

Duke qenë një vëzhgues i mprehtë dhe i hollë i dukurive dhe fenomeneve fizike, kimike, biologjike dhe sociale që ndodhin në rruzullin tokësor, në shumë nga librat e tij Viron Kona e ngreh me forcë problemin e mbajtjes së një mjedisi sa më të pastër e jetësor. Janë bimët ato që rregullojnë baraspeshën natyrore dhe i takon njeriut që jo vetëm mos t'i dëmtojë, por dhe t'i  shtojë. Eksperimenti i Pristilit, të cilin  autori e përshkruan me mjaft zotësi shkencore, është një mesazh që merr lexuesi i vogël në mënyrë që të kujdeset për bimët, por dhe t`i kultivojë ato. -Unë e di përfundimin, pse të dëgjojë, -ia bëri Këmbëgjati. Miu i Pristilit do të ngordhë, dhe, e gjithë bota, pas disa shekujve, do shkumëzohet e tëra nga zjarret, vullkanet, cunamet, tërmetet, tornadot... Me një fjalë, ngrohja globale do e kthej në iç gjithçka....

-Është e vërtetë se, kur Pristili kreu eksperimentin me miun dhe bimën e mentes përpara akademikëve, eksperimenti dështoi. Dhe, ne e dimë shkakun e dështimit. Eksperimenti u krye në kohën kur Dielli kishte perënduar. Përsëritja e eksperimentit në ditë me Diell vërtetoi suksesin e Pristilit.

Më krijohet përshtypja se Viron Kona, tashmë, është në kulmin e krijimtarisë së tij, ku krahas gjinisë së romanit lëvron me mjaftë mjeshtëri tregimin, që nuk është aq i lehtë, sepse kërkon durim dhe këmbëngulje që të kujdesesh për kompozicionin, profilizimin, tipizimin dhe portretizimin e plotë të personazheve, që të arrish të alternosh ngjarjet dhe episodet me detaje dhe figuracion artistik. Autori nëpërmjet tregimit zbulon konfliktet që ekzistojnë nga njëri brez në tjetrin, por dialogjet që ndërton çojnë në zgjidhjen e konflikteve me mirëkuptim dhe tolerancë. Bashkohem plotësisht me mendimin e gjuhëtarit dhe studiuesit të shquar Gjovalin Shkurtaj, i cili kur flet për krijimtarinë e Z. Kona, shprehet se, “ befasia më e këndshme e lexuesit në librat e Viron Konës është dialogu midis personazheve. Aty ai është mjeshtër i vërtetë.” Një ndër veçoritë e librit “Një udhëtim i çuditshëm”, është fokusimi i njerëzve naiv që e kuptojnë diturinë  si një rrugë formale. Me një sarkazëm dhe satirë therëse dhe me një gjuhë shigjetuese, shkrimtari godet veset e njerëzve egoistë, mburravec dhe frikacak, sikundër janë Këmbëgjati dhe Mjekërverdhi. I ashtuquajturi Shkencëtari Këmbëgjatë, mbanë gjithnjë një libër të madh me vete dhe, “bombardon” fëmijët me pyetje nga më të ndryshmet, por vet ai nuk di asgjë, gjithçka që thotë e pyet, e  lexon në librin e tij. Mund të them pa frikë se Shkencëtari Këmbëgjatë është një tip mjaft origjinal, një krijim që tregon mjeshtërinë dhe aftësinë krijuese të shkrimtarit, dhe, më e rëndësishmja është se, këtë figurë dhe personazh artistik,Viron Kona po  lëvron dhe po e thellon më tej, duke i dhënë vlera dhe përmasa të tjera artistike. Në libër, shkrimtari e ndërkombëtarizon problemin, duke futur edhe dy personazhe të huaj, Alfonson nga Italia dhe Vladislavin nga Hungaria. Alfonsoja, që nuk e zotëron ende mirë gjuhën shqipe,  krijon situata të këndshme humori në libër, sidomos kur i drejtohet jo pa ironi  Shkencëtarit Këmbëgjatë.

-Ti, zonja Këmbëgjata, je plojektuesi dhe alkiktekti më injorant që kam njohur, ti je flikacaku dhe mbulaveci më i madh i historisë botërore. Këmbëgjati u xhindos nga zemërimi......- Ju lutem, zoti Shkencëtar i madh Këmbëgjatë! Faleni mikun tonë për ngatërresat që shkaktuan fjalët e tij,  - ndërhyri Vladislavi. Konfliktin dhe skenat që autori  krijon bukur dhe me humor, i shuan dhe i zgjidh  me mjaftë mjeshtëri dhe, mendoj se,  ky është një mesazh mjaft interesant që duhet të përcillet te fëmijët dhe adoleshentët. Ndjesia që të krijohet kur lexon ''Një udhëtim i çuditshëm'', që nga tregimi i parë deri te i fundit, e bën lexuesin, të jetojë me rrjedhën e ngjarjeve dhe të ndihet si një pjesëmarrës aktiv në to. Shpjegimi në fund të faqeve i datave historike, toponimeve, emërtimi i kafshëve, etj, tregon se z Viron është një njohës dhe shfletues i literaturës, ku gjenden informacione që tek brezi i ri  përcillen të sakta dhe të mbështetura në argumente. Nga këto burime, nëpërmjet një tuneli, merret uji që përdoret për hidrocentralin e Lanabregasit, i cili furnizon qytetin e Tiranës me ujë të pijshëm. Viron Kona zgjedh një gjuhë me një fjalor të pasur shkencor të kuptueshëm, që i ndihmon fëmijët të rrisin kulturën dhe të njohin mirë vlerat e vendit të tyre, me qëllim që të jenë të ndërgjegjësuar që ta ruajnë të pastër gjuhën shqipe dhe mjedisin. Përdorimi i fjalive të shkurtra dhe i pasurisë frazeologjike që përdor shkrimtari tregojnë për shkallën e lartë të intelektit që zotëron. Tregimet rrjedhin natyrshëm dhe, ''herë-herë me bubullima'' që shoqërohen nga një ''stuhi e lehtë'', që shprehin mendimin e një populli të qytetëruar, duke vendosur një komunikim të frytshëm me lexuesin. Në tregime shfaqen natyrshëm gëzimi në sytë e fëmijëve kur njihen me moshatarët e fshatit Guri i Bardhë dhe qytezës së Bulqizës, ku spikat gjallëria dhe humori i shëndetshëm   dhe del në pah  zhvillimi intelektual i fëmijëve shqiptar, të cilët po ecin me hapin e kohës dhe të sigurt drejt botës moderne. Në përfundim të shënimeve që hodha në letër mbas leximit të librit; ''Një udhëtim i çuditshëm'', të shkruar nga shkrimtari i mirënjohur  Viron Kona, i këtij njeriu etalon në jetën e tij familjare dhe shoqërore, i pa përtuar dhe shumë i respektuar në shoqëri nga ata që e njohin nga afër, i urojë që pena e tij të mos resht për as një çast, që t'i japi lexuesit krijime sa më të mira edhe në të ardhmen.



(Vota: 3 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora