E premte, 11.10.2024, 10:58 PM (GMT+1)

Editorial

Dorian Koçi: Enciklopedia maqedonase dhe “shpata e Demokleut”

E enjte, 24.09.2009, 09:00 PM


Enciklopedia maqedonase dhe “shpata e Demokleut”

 

Nga Dorian Koçi, Studiues

 

Botimi dhe publikimi i një enciklopedie ka përbërë gjithmonë një ngjarje të shënuar në jetën kulturore dhe shoqërore të një kombi. Madje ka raste  siç është ai i botimit të enciklopedisë franceze nga viti 1751 deri në 1772 i cili  ka qenë i një rëndësie të tillë politike sa ka zënë dukshëm vendin më të rëndësishëm në historinë shoqërore dhe letrare të shekullit. Influenca e saj ishte shumë e madhe në formimin e mendimit të mëvonshëm evropian aq sa shpesh herë dhe modelet e enciklopedive të mëvonshme evropiane e morën si model. Kjo influencë nuk i dedikohet shumë informacionit që enciklopedia në vetvete përmbante pasi në vitet e mëvonshme sigurisht që ai do ishte shumë më bashkëkohor, por kriterit sesi ishte hartuar. E thënë me fjalët e Deni Diderot-njërit nga baballarët e enciklopedisë franceze, ky kriter shprehte se “të gjitha faktet duhet të ekzaminuar, debatuar e studiuar pa asnjë përjashtim dhe pa marrë parasysh ndjenjat e asnjërit”.

Si mund të vërehet lehtë ky kriter shpallte si veçanti të tij paanshmërinë dhe gjykimin e drejtë shkencor. Të gjitha enciklopeditë që u hartuan më vonë në Evropë pothuajse e respektuan këtë kriter dhe kur e shmangën atë për hir të marrjes parasysh “të ndjenjave të të tjerëve” natyrisht që nuk i rezistuan kohës. “Këto ndjenja të tjerëve” me të cilat  Diderot nënkuptonte qëndrimin debatues rreth problemeve të ndryshme filozofike të kohës, në enciklopeditë e popujve ballkanikë u reflektuan si qëndrime dhe shtrembërime të fakteve historike të popujve dhe kombeve .Mesa duket problemi më i madh filozofik i filozofëve të këtyre popujve ballkanikë nuk ishin dilemat filozofike të ekzistencës por justifikimi i përvetësimit të ekzistencës së tjetrit.

Një shembull klasik në këtë drejtim përbëjnë tezat e Akademisë Serbe për origjinën e shqiptarëve. Të kompleksuar nga autoktonia e shqiptarëve dhe të ardhjes së sllavëve në shekujt VI-VII në Ballkan, akademikët serbë u munduan që të jepnin një variant tjetër më të përshtatshëm për kombin e vet që ishte ardhës. Kështu  faktin historik të ardhacakut u munduan t’ua vishnin shqiptarëve duke i shpallur si të ardhur në Ballkan nga Turqia dhjetë shekuj më vonë se sllavët, në shekullin e XVII! Është e kuptueshme se përderisa kjo akademi kishte  anëtarë njerëz që hartonin pogrome ndaj popullsisë shqiptare për ta shpërngulur  me forcë në Turqi siç ishte plani i akademikut serb Vasa Cubrolloviqit më 1938, nuk mund të kishte dyshim që ajo të ishte aq e aftë sa të fabrikonte lehtësisht origjina të çuditshme të shqiptarëve dhe të përpiqej ti shiste si për të vërteta.

Natyrisht enciklopeditë e hartuara sipas kritereve të Diderot nuk mund ti merrnin parasysh tezat serbe të mesit të shekullit të XX, pasi atyre u mungonte  paanshmëria  dhe gjykimi i drejtë shkencor ndaj ato nuk gjetën jehonë në asnjë enciklopedi serioze evropiane. Madje mund të quhen të tejkaluara edhe nga historiografia serbe ndaj shkakton habi dhe surprizë  kur këto teza arkaike dhe jashtë çdo kriteri shkencor merren dhe përdoren  nga akademia maqedonase në botimin e enciklopedisë së vet në shekullin e XXI. Aty çirakët maqedonas përpiqen tua kalojnë ustallarëve serbë në arsyetim. Prezenca e shqiptarëve në Maqedoni datohet në shekullin e XVII dhe ata konsiderohen si “popull malor” që kanë okupuar vatrat maqedonase. Nuk është e vështirë që të dallosh origjinën e këtyre tezave, por më e vështirë është të besosh se ka akoma në Ballkan popuj që kur përpiqen të sendërtojnë identitetin e vet, e nisin mbrapsht përpjekjen duke iu mohuar identitetin të tjerëve.

Në fakt përpjekja e popullsisë sllave në territorin e IRMJ për të formuar identitetin e vet vjen paksa e vonuar. Kjo gjë natyrisht jo për faj të tyre. Shpjegimin e gjen në të gjithë veprat historike që flasin për Ballkanin. Aty theksohet se kush kontrollon Maqedoninë kontrollon Ballkanin. Kjo fjali mund të shpjegojë saktësisht se përse zgjimi nacionalist i kësaj popullsie që fillon duke përqafuar identitetin bullgar përfundon pas luftërave ballkanike me identitet serb dhe grek. Boshti Athinë-Beograd u bë protagonist për më pak se një shekull i politikave evropiane në Ballkan. Shqiptarët dhe maqedonasit ishin nga viktimat kryesore të këtij boshti ku Shqipërisë iu rrëmbyen pjesë virtuale të ekzistencës së saj, ndër to dhe territori i sotëm i shqiptarëve në Maqedoni, kurse popullsisë sllave të Maqedonisë nuk iu lejua të formonte identitetin e saj.

Në këtë kontekst ekzistenca e shtetit modern të Maqedonisë të pas viteve 90’ të shekullit të kaluar e deri më sot, më shumë se një shprehje e vullnetit nacionalist të popullsisë sllave është një marrëveshje mes gjithë popullsive të tjera që banojnë në territorin e IRJM për të krijuar një shtet, ku natyrisht shqiptarët mbajnë peshën kryesore. Çdo përpjekje për ti trajtuar ata si minoritet ardhacak në Maqedoni dhe jo si popullsi shtetformuese, minon vetë themelet e shtetit maqedon dhe tërë stabilitetin në rajon. Doktrina e nacionalizmit romantik të shekullit të XIX nuk mund të jetë një zgjidhje e problemit maqedonas siç ka gjasa që popullsia sllave në Maqedoni po synon me botimin e kësaj enciklopedie, sepse në këtë rast shqiptarët mund ti rikthehen projektit të tyre të nacionalist të shekullit të  XIX-XX që Fuqitë e Mëdha ia mohuan.

Ata nuk mund të pranojnë të jenë sërish viktima të gjeostrategjisë dhe aq më tepër në një shtet që është shpallur multietnik dhe ku ata pretendohet se janë faktorë shtetformues. Marrëveshja e Ohrit është i vetmi çelës që hap portën e paqes në Maqedoni dhe është shumë gabim që qoftë komuniteti ndërkombëtar, qoftë popullsitë sllave dhe shqiptare të rajonit akoma nuk po e zbatojnë. Kjo kambanë alarmi është më tepër eminente për popullsinë sllave të IRJM, identiteti i së cilës pretendohet nga Bullgaria, ai fetar nga Serbia, dhe identiteti nominastik nga Greqia. A mund ta kuptojnë ata vallë se nëse shqiptarët fillojnë e kërkojnë afirmim të identitetit të tyre nacionalist, pasi deri tani vetëm sa kanë shprehur atë shtetformues ç’mund të ndodhë? Deklarata cinike e disa muajve më parë të ish ministrit të jashtëm grek Antonis Samaras se “territori i IRJM duhet të ndahet midis Bullgarisë, Shqipërisë dhe Greqisë, pasi nuk ekziston shtet me këtë emër” është realiteti i trishtë dhe “shpata e Demokleut” që qëndron mbi kokë ekzistencës të shtetit shumetnik maqedonas dhe klasa politike maqedonase dhe intelektualët maqedonas duhet të jenë të ndërgjegjshëm se vetëm vullneti i mirë i deritanishëm i shqiptarëve për të qëndruar në këtë shtet është peri që e mban për të mos rënë.



(Vota: 25 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora