Besa Imami: Si po e pres 80-vjetorin tim të lindjes
| E Shtune, 23.08.2008, 01:58 PM |

Besa Imami
Pas pak ditësh aktorja e madhe e skenës shqiptare feston 80-vjetorin e lindjes së saj. Një përvjetor i heshtur për gruan që me talentin e saj ka gdhendur mbi 90 role në skenën e teatrit dhe 12 në kinematografi. Donika e famshme, bashkëshortja e Skënderbeut interpretuar nga Besa Imami ndërsa mbetet roli më i madh, i realizuar ndonjëherë nga një aktore shqiptare, i mbijetuar ndër vite si një nga filmat më të arrirë, duket se për protagonisten nuk ka sjellë po atë vlerësim që i ka dhënë koha dhe adhuruesit e filmit. Për aktoren që së bashku me fare pak guximtare krijoi trupën e Teatrit Popullor duket se nuk është kujtuar askush. Asnjë ceremoni nga Teatri Kombëtar, asnjë festë zyrtare e anonçuar, asnjë dekorim për artisten e Merituar që ka realizuar deri më sot mbi 100 role. Përvjetori i saj do të kalojë në heshtje, duke u kremtuar vetëm nga familjarët dhe pa dyshim dhe nga mikeshat më të ngushta të artistes…

Më 8 gusht është 80-vjetori i lindjes suaj. Si do ta festoni këtë përvjetor?

-Mos ma kujtoni fare. Nuk jam nga ato njerëz që festoj përvjetore. Ditëlindja ime është në gusht dhe përgjithësisht njerëzit janë me pushime.

Nuk do të mblidheni me shoqërinë apo thjesht me familjen?

-E thashë. Nuk më pëlqen t’i festoj përvjetorët dhe as të bëj kot zhurmë për raste të tilla. Në ditëlindjet e tjera kemi shkuar në ndonjë restorant dhe kemi ngrënë një darkë me familjen dhe kaq. Në familje nuk e kemi zakon të organizojmë ceremoni të mëdha në raste ditëlidjesh. Në prag ditëlindjesh duhet dhe një gjendje shpirtërore e mirë. Jeni e gëzuar për këto 80 vite që keni kaluar? -Nuk kam ndonjë gjendje të veçantë shpirtërore. Nuk e di as nga e keni marrë vesh. Unë jam një grua që kam bërë karrierë, kam realizuar role shumë të mira, kam një djalë që më ka nderuar, por kam provuar dhe momente të vështira. Gjendja ime shpirtërore është si hëna, herë ndrin e herë zhduket. Jam njeri shumë i ndjeshëm dhe në këtë aspekt i ngjaj shumë nënës sime.

Si ka qenë lidhja me nënën tuaj?

-Nënën e kam pasur dhe e kam idhull. Unë kam mbetur jetime në moshën 7 vjeçe dhe ime më ka bërë sakrifica të mëdha për të na rritur. Kam pasur një fëmijëri të vështirë sepse unë jam kosovare dhe për t’i shpëtuar dhunës së serbit kemi ardhur për të jetuar në Shqipëri. Babai na la të vegjël dhe gjendja ekonomike e jona ka qenë shumë e rëndë. Kam qenë shumë e lidhur me motrat dhe vëllezërit dhe nëna ka qenë shtylla kryesore e gjithë familjes sonë.

Pas 15 vjetësh me bashkëshortin tuaj ju bëtë divorcin. Ka qenë e vështirë për ju të përballonit pasojat e tij në atë kohë?

-Lumturia në jetën e njeriut është kalimtare. Ajo vjen, një çast dhe pas një çasti ikën përsëri. Divorci ka qenë i rëndë nga ana shpirtërore, por unë kam qenë rehat se nuk ka qenë çështje morali që më binin në kurriz. Duke qenë kështu unë jam respektuar gjithnjë nga të tjerët.

Jeni një aktore në pension. Si e kaloni ditën zonja Besa. Cili është aktiviteti juaj kryesor?

-Jeta ime është e cunguar kur nuk kam nipërit pranë, si këto ditë sepse ata janë nisur me pushime. Nipërit e mi të vegjël janë shumë simpatikë. Jeta pranë tyre është e jashtëzakonshme dhe shpesh habitem edhe vetë nga mënyra si ka ndryshuar mentaliteti i brezave. Kam një komunikim shumë të mirë me ta.

Ju jetoni me djalin tuaj të vetëm, Arturin?

-Unë jetoj në një apartament përballë djalit tim, Artur Zhejit. Vazhdoj të ruaj akoma zakonet e amvisës: zgjohem herët në mëngjes për të bërë punët e mia të pastrimit, pazarin, gatimet. Jam gjithë ditën aktive dhe marr pjesë me kënaqësi në aktivitetet që më ftojnë ku shkoj bashkë me miket e mia. Çdo ditë ulem në kafe dhe lexoj gazetat që më interesojnë. Një ritual që mund të vazhdoj më shumë se një orë. Kur shkruan im bir, i ruaj të gjitha gazetat dhe kam një arkiv shumë të pasur të tijin, ndjek tim bir në çdo dalje të tijën televizive dhe shpesh lajmëroj dhe mikeshat e mia dhe të afërmit.

Ju pëlqejnë shkrimet e Arturit?

-Shumë. Më pëlqejnë shkrimet e tij sepse ngre problemet e jetës së përditshme, ka tipar atdhedashurinë dhe është për shqiptarizmën. Këtë gjë unë ia adhuroj. Mendoj se ka dhe penën e fortë.

A jeni prirur për ta përfshirë edhe djalin në rrugën e artit?

- Unë kam dashur që ai të bëhej historian. Por ai zgjodhi vetë profesionin që deshi. Si është lidhja që keni me të? Mund të na e përshkruani? -Është njeriu i vetëm të cilin e lejoj të më kritikojë. Jam krenare që mundi nuk më shkoi kot me të.

Rruga e artit ishte diçka e dëshiruar për ju apo e rastësishme?

Mbaj mend që në periudhën kur punoja në Kryeministri, fill pas çlirimit, një grup amator ishte duke përgatitur një shfaqje teatrale “Burri, burrë”. Personazhet e pjesës ishin katër, ndërsa organizatorëve nuk po u ecte puna me gjetjen e goditur të personazhit të shërbëtores. Në një moment më kërkuan edhe mua ta provoja njëherë. Unë nisa të luaj, ndërsa dëgjova që organizatori kryesor thirri: Eureka! Kështu shkëndija e fatit duket se po më buzëqeshte. Ndërsa dhamë shfaqjen që konkurronte me të disa institucioneve të tjera regjisori i njohur, një nga themeluesit e Tetarit Kombëtar, Pandi Stillu më zbuloi dhe m’u lut mengulm që të mos i ndahesha kësaj rruge.

Keni qenë shumë e bukur kur keni qenë e re. E gjatë, elegante dhe e mençur. Të gjitha cilësi për të bërë karrierë? -Se di. Gjon Karma më quante flutura e teatrit (qesh). A ishit natyrë ambicioze?

-Jo. Ambicioze nuk mund të them. Por kam punuar shumë. Nuk kam qenë ambicioze, por punëtore. Rruga ime në art nuk ka qenë aspak e lehtë. Unë i kam fituar rolet me shumë mund dhe nuk ma ka hapur askush rrugën, por kam çarë vetë.

Cili ka qenë roli juaj më i spikatur?

-Pa dyshim në film Donika Kastrioti. Në skenë disa, Nevi te drama “Rrënjët e thella”, kontesha Diana te komedia “Qeni i kopështarit” e Lope de Vegës, Tatiana te drama “Mikroborgjezët” e Maksim Gorkit, Oksana te “Fundosja e skuadrës” e Kostandin Simonovit, Vi te drama “Orfeu zbret ne ferr” e Tenesi Ëilliams, Nënën te dramatazimi i “Lumit të vdekur” me regji të Drita Agollit, Lirija te dama “Rajmonda” e Artur Zhejit, e shumë të tjera...

Rolet ishin gjithmonë një sfidë e madhe dhe një dashuri e madhe... Si e përjetonte peshën e madhe të suksesit Besa në atë kohë?

 -Skena dhe spektatori kanë qenë pjesë e pandarë e jetës sime për shumë vite. Suksesin e kemi përjetuar si shpërblim të mundit dhe jo si delir apo mëndjemadhësi ndaj të tjerëve. Krenare po, krenare dhe me kokën lart kam qenë gjithmonë. A ka qenë e vështirë që të bënit gruan në karrierë por në të njëjtën kohë të bënit nënën dhe bashkëshorten e mirë? - E kam përballuar me entuziazëm....

Çfarë e mbante në këmbë këtë entuziazëm?

-Dashuria. Unë isha aktore, por isha dhe grua shtëpie. Ju gratë e sotme dhe butonat përtoni t’i ndizni (qesh), ndërsa ne kishim vështirësi të mëdha. Unë çohesha gjithnjë herët për të përgatitur gjellën, për të pastruar shtëpinë, për të ndezur zjarrin, ndonjëherë edhe për të prerë për të prerë drutë. Ne kemi pasur dashurinë për gjithçka dhe sakrifikonim nga vetja pa dhimbje.

Besa Imami ne rinine e saj
Dashuria për profesionin si ka evoluar ndër vite?

-Tek “Streha e të harruarve” para disa vitesh në një festival Ndërkombëtar të Teatrit unë u cilësova si aktorja më e mirë. Një çmim që më dëshmoi edhe njëherë se isha e gjallë. Fillimisht ai rol nuk më ngjiti, nuk m’u duk fort i përshtatshëm për mua. Kur mu propozua ai rol nga ana dramatike ishte shumë i varfër dhe kisha frikë ta merrja. Por me nxitjen e Arturit i jam futur punës dhe me ndihmën e tij e ndryshova rolin duke e rikrijuar atë nga fillimi. Për fat Ruzhdi Pulaha m’i pranoi sugjerimet dhe arritëm që këtë rol nga një siluetë e cila mund të mos linte gjurmë nga ana dramatike, në skenë mori duartrokitje kulmore dhe u bë një rol i spikatur dhe i vlerësuar me çmim. Por ka qenë gjithashtu një rol kaq i veçantë sa gati më solli edhe probleme me shëndetin. Gjatë 4 javëve kam pasur një temperaturë 39 gradë. E kam përjetuar me shumë stres dhe ankth, sepse rikthimet në skenë mbas shumë vitesh kanë shumë përgjegjësi.

Mbas shfaqjes u shëruat?

-Arturi thotë menjëherë, unë nuk e pranoj se ishte thjesht një sëmundje emocionale... (qesh). “Streha e të harruarve” është roli juaj i fundit? -Akoma nuk e di. Unë nuk kam qenë kurrë tip që i kam shkuar nga pas regjisorëve. Nëse më thërrasin, pse jo. Nuk besoj se është roli i fundit.

Si e ruan elegancën një grua 80-vjeçare?

-Unë jam njeri që punoj. Çohem çdo ditë në orën 4 të mëngjesit.

Ke ndonjë rol peng?

-Nuk kam pengje por kam një ëndërr në sirtar. Dua të realizoj një dramë të djalit tim. Arturi ka shkruar shumë drama dhe pak prej tyre i ka bërë publike. Në veprat që ai ka shkruar gjithnjë ka një personazh të krijuar për mua. Më thotë se është duke shkruar një skenar filmi dhe mendoj se do kem një rol fantastik. Të shohim..!

Besa Imami ne rolin e Donikes te filmi ''Skenderbeu''
Kur xhironte filmin “Skënderbeu”

Ishte vetëm 20 vjeçe atëherë kur në Shqipëri po përflitej se do të xhirohej një film me përmasa të mëdha. Në atë kohë Besa kishte shkëlqyer në skenën e Teatrit Popullor dhe cilësohej nga specialistët si aktorja më e mirë në Shqipëri. Aktorja kujton se ka qenë një vajzë shëndetligë dhe në atë periudhë ishte shtruar në spital. Ndërsa ajo e konsideronte veten njëlloj me pacientët e tjerë (një karakteristikë modestie e përjetshme për të), kujton se shefi i pavijonit e vizitonte gati çdo ditë në dhomë, dhe çdo herë i thoshte se ajo duhet t’i jepte forca vetes sepse mund të bënte ndonjë rrugë të gjatë jashtë shtetit, apo t’i hapej një dritare e re në karrierën e saj. Mirëpo për vajzën kosovare ato vizita të shpeshta tingëllonin keq dhe ishin zile alarmi sepse ajo kish pasur “frikën” se duke qenë vajzë e re, doktori po interesohej pak më shumë se ç’duhej. Menjëherë sa del nga spitali kujton se shkon në zyrën e Agjitacion Propagandës në Kryeministri dhe ndërsa ngjit shkallët frika e saj është e madhe. Në mendjen e saj imagjinohej ndonjë kritikë për shkrimet që aktorja bënte mbi artin, dhe dukej se ndoshta e kish shkelur pakëz. Por frika e saj ishte e pabazuar. Aty i thuhet se një staf regjisorësh kanë vendosur që ajo të luajë rolin e Donikës, gruas së Skënderbeut, krah aktorit të madh rus Akaki Khorava.

Roli më i fundit në kinema

Para disa vjetësh Besa ka intepretuar në filmin “Dashuri pa flatra” në një rol fantastik. Një grua që i kishin vrarë gjithë burrat e familjes nga gjakmarrja. Ka në këtë film një skenë ku gruaja lan një të vdekur, të masakruar nga plumbat, tepër e rëndë. Ajo nuk e lan atë si të ishte i vdekur por me sytë e brendshëm të aktorit ajo flet me të si të ishte gjallë. Prek plagën e të vrarit si një ritual magjik, sikur ai ta dëgjonte dhe ta ndjente, sikur plagët do t’i shëroheshin dhe ai do të gjente paqe nga duart e saj. Ajo e ledhaton dhe mundohet ta qetësojë me prekjet e saj. Një skenë që specialistët e kanë quajtur shekspiriane. Mënyra se si e sheh me syrin e brendshëm dhe si realizon një rezonancë shpirtrash është madhështore.

Rolet

Drama:
“Qeni i kopshtarit”,
“Artani”,
“Monserati”,
“Cuca e maleve”,
“Lulet e shegës”,
“Mikroborgjezi”,
“Armiqtë”,
“Halili dhe Hajria”,
“Rrënjët e thella”,
“Bashkë me agimin”,
“Revizori”,
“Karakteri moskovit”,
“Invadini”,
“Majlinda”,
“Mbi gërmadha”,
“Doktor Aleksi”,
“Gryka e nëmur”,
“Tragjedia e fundit e Deas”,
“Qëndresa”,
“Rajmonda”,
“Familja e peshkatarit” etj.
12 Filma:
“Skënderbeu”,
“Radiostacioni”,
“Brazda”,
“Në fillim të verës” etj.

MARREDHENIET ME KOLEGET

ME VIOLETA MANUSHIN
Me Violetën ka pasur një marrëdhënie të jashtëzakonshme si profesionale dhe shpirtërore. Kanë shkuar gjithnjë mirë dhe i kujton me nostalgji kohët që ka kaluar me të. Ajo ka qenë një mikeshë e mirë për të dhe e ndjen shumë mungesën e saj.

ME TINKA KURTIN
E respekton dhe vlerëson punën e saj si aktore e mrekullueshme por duke qenë se Tinka ka jetuar në Shkodër lidhjet e tyre personale nuk kanë qenë fort intensive në rini. Tani i ndodh që të takohen në aktivitete dhe festa të përbashkëta dhe ndajnë respekt për njëra-tjetrën.

ME ESMA AGOLLIN
Kanë qenë dhe janë mikesha shumë të mira. Kujton me nostalgji faktin që kur kjo e fundit ishte shtatzënë, duke qenë se e kishte pikë të dobët paraqitjen e jashtme, kësaj të fundit i kishte rënë në kokë për një manikyr të saj. Manikyr që e kanë kujtuar shpesh, por që ajo vetë akoma nuk di përse nuk ia dhuroi.

ME MARGARITA XHEPËN
Duke qenë më e re në moshë Margarita ka ardhur në teatër shumë vite pas saj, e megjithatë bashkë kanë një eksperiencë të gjatë bashkëpunimi të cilat Besa i kujton me nostalgji. Duke qenë më me përvojë ajo shpesh e ka ndihmuar në fillimet e saj për t’ia bërë më të lehtë punën me rolet të luajtura më parë prej saj.

ME DRITA PELINGUN
Kanë nisur punë në të njëjtën ditë. E ka pasur në mëhallë. I kujtohet koha kur i ishte caktuar një dialog me Dritën dhe kjo e fundit ndodhej në shtrat, sepse ishte e sëmurë. Do të ishte Besa ajo që do t’i shkonte çdo ditë në shtëpi për të përgatitur rolin në mënyrë që mos mbeteshin prapa trupës. Janë bërë vetë regjisore. Kur është kthyer në punë përgatitja ishte e shkëlqyer. Me Dritën dhe jashtë pune kanë pasur marrëdhënie shumë të mira. Kujton se në makinën e saj qepëse Drita ka ardhur të qepë rrobat e nipit të saj.

Besa Imami me të birin, Artur Zhejin
INTERVISTA ME TE BIRIN

Artur Zheji: Jam duke shkruar një dramë për nënën time

Jeni djali i një aktoreje të njohur. Çfarë është për ju Besa dhe çfarë keni trashëguar prej saj?

 

-Besa është nëna ime dhe trashëgimia më e madhe që më ka transmetuar ka qenë një virtyt për të cilin i them gjithnjë: Faleminderit! Qëndrueshmërinë. Një ekuilibër të brendshëm në momentet më të vështira. Ka qenë vërtetë një mësim i madh për mua mënyra se si ajo i kalon momentet e vështira. Besa është si një tulipan që kur ka ngricë i mbyll petalet, por nuk vyshket. Këtë gjë e ka instiktive. Unë si fëmijë kam parë se si ajo kaloi periudhat e vështira të roleve, divorcit, si krijoi një koracë duke mbyllur petalet e veta për t’u mbrojtur. Kjo më ka ndihmuar shumë edhe mua, veçanërisht kur kam qenë në emigracion. Fillikat, pa njohur askënd me filozofinë e një asketi budist, merrja kohën që duhej, kalonte ngrica dhe më pas petalet hapeshin dhe thelbi mbetej i pacënuar.

 

A ndikoi tek ju divorci i prindërve?

 

Fakti që unë isha fëmijë i prindërve të divorcuar nuk ka qenë shqetësues për mua. Kjo gjë më ka forcuar, dhe nuk më ka bërë të humbas besimin tek familja, sepse e kam krijuar dhe e dua me forcë familjen time të re.

 

Si do ta festoni 80 vjetorin mamasë?

 

-Gjyshja ime, nëna e Besës që ka ndërruar jetë në moshën 91 vjeçe ka pasur një shprehje. Kur vinte ndonjë njeri i thoshte :”Plake ç’kemi!” ajo përgjigjej:”Vite kam, por plakë nuk jam!”. Ne nuk e diskutojmë çështjen e moshës, në shtëpinë tonë, edhe pse është një prefiks shumë i madh (qesh). Pa dyshim është një prefiks që mbart me vete ankthin ekzistencial me të cilën bëjmë batuta. Kur ajo më thotë se i ka ditët e numëruara unë i kthehem me një përgjigje që ajo më ka mësuar kur kam qenë i vogël: “Radhë nuk ka, janë punët e Zotit!” Pra këtë temë nuk e trajtojmë, e mohojmë dhe shohim perspektivën. Nesër do dalim dhe do bëjmë pazaret. Normalisht festat tona nuk kanë ahengje.

 

Një festim nga Teatri apo nga institucionet përkatëse nuk do të ketë?

 

-Më vjen keq që Teatri Popullor nuk kujtohet për këtë gjë dhe kjo është e turpshme. Nuk mund të “harrohet” një themeluese. Mos vallë kjo ndodh se është nëna ime? Teatri nuk është pjesë e qeverisë pavarësisht se financohet nga qeveritë që shkojnë e vijnë. Historia nuk revizionohet dhe Besa Imami është histori. Besa Imami nuk është pjesë e qeverisë apo e qeverive, por një princeshë në Panteonin e Pavdekësisë. “Urime datëlindjen, Nënoke!”


Panorama

(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: