E merkure, 08.02.2023, 05:33 PM (GMT)

Mendime

Sejdi Peka: Kriminelët që flenë me ndërgjegje të përgjakur

E enjte, 26.02.2009, 06:22 PM


Kriminelët që flenë me ndërgjegje të përgjakur

Nga Sejdi Peka*

Duke parë ekspozitën e krimeve të komunizmit në muzeun kombëtarë që u hap me dt.20.Shkurt, në Ditën e Përkujtimit të Viktimave të Regjimit kriminal Komunist të shekullit të shkuar, një njeri cilido nuk mundet t’i mbajë lotët. Dhe m’u kujtuan fjalët e shkrimtarit të madh të përmasave ndërkombëtare Ismail Kadare kur shkruan se “kriminelët komunistë nuk kanë shfaqur as pendesën më të vogël për krimet e kryera në regjimin komunist. Ata janë monstra të tilla që nuk i zë gjaku dhe flenë me ndërgjegje të përgjakur”. Por aq më tepër kur njerëzit që kanë vuajtur burgjet skëterrë, torturat çnjerëzore të kriminelëve të ish-Sigurimit komunist, martirët e vertetë të qëndresës mbinjerëzore për aspiratën e lirisë dhe demokracisë, janë akoma gjallë një pjesë e tyre për të dëshmuar për krimet barbare. Për të dëshmuar për atë gjenocid të pashembullt që u ushtrua për afro një gjysmë shekulli diktaturë kundër popullit. Në këtë kontekst, ne, ish-të përndjekurit politikë i shprehim mirënjohjen tonë kryeministrit Sali Berisha dhe qeverisë së tij për shpalljen e ditës së përkujtimit të viktimave të regjimit komunist dhe për hapjen e ekspozitës. Në të njejtën kohë shprehim indinjatën dhe njëkohësisht edhe keqardhjen tonë se e majta ish-komuniste me Partinë Socialiste u tregua si gjithnjë edhe në këtë rast mjaft agresive, duke injoruar këtë ditë të kujtesës kombëtare. Ajo tregoi mjaft qartë se nuk është shkëputur aspak nga mentaliteti dhe trashëgëmia e vet komuniste. Dëshmi e këtijë fakti është se në përbërjen dhe në elitën e vet, e majta ish-komuniste ka protagonistët e regjimit kriminal komunist të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë. Kjo nuk është një fatkeqësi vetëm për të majtën ish-komuniste që nuk po reformohet, por është një pengesë serioze edhe për demokracinë në Shqipëri. Në përpjekje për të fshehur kokën si struci për të kaluarën kriminale, Partia Socialiste po e ekspozon veten para popullit shqiptar si një force politike pa të ardhme dhe me drejtues-monstra e të dalëboje për lidhjet e tyre me ish-Sigurimin.
        Duke vizituar pavionet e ekspozitës një e nga një të dalin para syve imazhet e atyre burrave dhe grave që u sakrifikuan për lirinë e Shqipërisë, për fjalën e lirë dhe kundër diktaturës. Ata nuk kishin vrarë, përkundrazi kishin ngritur zërin në emër të jetës dhe të lirisë. Përballë kishin kriminelët e diktaturës. Kriminelët duartrokisnin dhe qeshnin me gjithë zemër kur gjykatësit injorantë e të pashpirt si Aranit Çela&co, jepnin vendimet me vdekje “në emër të popullit” dhe kundër popullit. Turma injorantësh që lëvrinin si krimbat që kërkonin plagë në trupin e Atdheut, mbushnin sallat ku gatuhej vdekja e njerzve të pafajshëm. A nuk të kujton kjo skenat rrënqethëse të inkuzicionit mesjetar? A nuk të kujton vallë skenat identike të holokaustit nazist? Përballë viktimat, “fajtorët pa faj”, njerëz që ishin torturuar deri në vdekje të pranonin faje që as në ëndërr nuk i kishin parë, vetëm për të kënaqur egon kriminale të diktatorit? Dhe vdiqën ashtu duke e dashur jetën, të ligështuar me trupin gjithë plagë nga torturat. Përpara skuadrave të pushkatimit thirrën - “rrnoftë Shqipëria dhe flamuri i saj”. A nuk janë vallë me të vertetë këta njerëz martirët e kombit, martirët që u sakrifikuan në emër të lirisë? A nuk ishin këta njerëz, vëllezërit dhe baballarët tanë, të parët që ngritën zërin kundër komunizmit për një Shqipëri të lire e demokratike, si Europa dhe Amerika? Ata meritojnë vendin e nderit në altarin e lirisë. Dhe nata e zezë e diktaturës zgjati shumë.Viti 1944 shënoi rënien e regjimit kriminal fashist, por që u zëvendësua menjëherë për fatkeqësinë e popullit shqiptar me një regjim akoma më barbar që zgjati afro një gjysmë shekulli, me regjimin kriminal komunist. Më tepër se 6 mijë burra dhe gra të pushkatuar, qindra mijëra të tjerë të dënuar me burgime të rënda, mijëra familje, burra, gra, pleq të internuar, mijëra të tjerë të vdekur nga vuajtjet dhe uria; një gjenocid i pashembull mbi një popull të vogël. Të dalin përpara syve skenat makabre të vrasjeve në kufi në vitin 1990-91, kufoma të djemve të rinj që kriminelët i tërhiqnin zvarrë të lidhur me tela me gjemba. Dhe sot metastazat e atij regjimi kriminal ka 18 vjet që po e mbajnë Shqipërinë peng të së shkuarës. Me të vertetë të irriton fakti se ditën e përkujtimit të viktimave të komunizmit edhe disa media dhe TV që hapur janë pronë e Edi Ramës, sa mundën u përpoqën të injorojnë rëndësinë e kësaj dite, duke minimizuar në ekstrem aktivitetet e organizuara nga Shoqata Antikomuniste e ish-të Përndjekurve Politikë, në bashkëpunim me grupimin “Dhjetori 90”. Sipas këtyre pinjollëve të komunizmit, gjatë regjimit komunist paskan “humbur jetën rreth 6 mijë njerëz”. Jo,jo, o pinjoj të fares së keqe, 6000 njerëz janë pushkatuar me plumbin në ballë dhe mijëra të tjerë kanë vdekur nëpër burgje e kampe internimi; në mes tyre qindra mijra fëmijë të mitur, gra e pleq, të vdekur nga vuajtjet dhe uria. Sipas një raporti të OKB, të bërë publik, nga viti 1944 kur komunistët morën pushtetin, deri në vitin 1956, në Shqipëri janë pushkatuar me ose pa gjyq 10 mijë njerëz, 16 mijë kanë vdekur nga vuajtjet dhe uria, ndërkohë 80 mijë njerëz të moshave të ndryshme kanë kaluar nëpër burgje dhe kampe internimi. Dhe një pjesë e kriminelëve që ideuan, organizuan dhe zbatuan këtë gjenocid të pashembullt kundër popullit, janë këtu në mes nesh dhe kudo të ulur këmbëkryq në organet e drejtësisë dhe në administratën shtetërore. Ish-hetuesit, gjykatësit, prokurorët, ish-sigurimsat dhe operativët e sigurimit, kanë mbushur institucionet dhe me praninë e tyre demokracia është seriozisht e rrezikuar. Fakti se në 20 vitet e fundit të regjimit komunist u hoqën skuadrat e pushkatimit dhe ekzekutimin e viktimave e bënte personalisht prokurori do të thotë se kriminelët me duart e lyera me gjak kapardisen në organet e drejtësisë dhe largimin e tyre e konsiderojnë “shkelje të të drejtave të njeriut”. Në këtë batak kanë rënë edhe disa diplomatë të ambasadave të shteteve demokratike në Tiranë, Komiteti shqiptar i Helsinkit dhe OSBE. Duke injoruar hapjen e dosjeve dhe dënimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri, në këtë mënyrë injorohet edhe Rezoluta e Asamblesë Parlamentare të KE-së për dënimin e krimeve të komunizmit. Europa nuk mundet të ketë dy standarde. OSBE, më parë duhet të shikojë lustracionin në përbërjën e vet, pasi në mjaft raste ka patur në strukturat e saj ish-komunistë të grupeve Marksist-Leniniste që kanë marrë rrogën e Enver Hoxhës duke shëtitur plazheve të Europës me djersën e popullit shqiptar dhe kanë ardhur në Shqipëri në rolin e hipokritit, duke na dhënë mesazhe për demokracinë. Ne ish-të përndjekurit politikë të Shqipërisë, ne që kemi lënë rininë, të afërmit tanë që akoma nuk po u gjejmë varret në burgjet e diktaturës, nuk do të pushojmë përpjekjet tona, që Shqipëria, për lirinë e demokracinë e së cilës u sakrifikuam, të ndahet nga e kaluara e saj komuniste. Nuk mundet në asnjë mënyrë të pranojmë që ata që pushkatuan, dënuan dhe persekutuan ajkën e djalërisë e të patriotizmit shqiptar, të qeverisin Shqipërinë e lirë dhe demokratike. Jemi sakrifikuar në emër të lirisë duke kërkuar që Shqipëria t’i bashkohet Europës dhe Amerikës dhe kundër lindjes sllavo-bolshevike. Ndërkohë janë ish sigurimsat në Partinë Socialiste që gjith jetën kanë luftuar kundër demokracisë, Europës dhe Amerikës. Sot këta kameleonë kanë marrë pamjen servile dhe hipokrite në rolin e “miqve” të vendeve demokratike, por nga ana tjetër po marrin në mbrojtje ish-sigurimsat dhe kriminelët e diktaturës duke kundërshtuar me të gjitha format ligjin për hapjen e dosjeve dhe dënimin e krimeve te komunizmit. Ne mentalitetin e tyre enveristo-stalinist ata mendojne se duke denuar komunizmin po denojne veten e tyre. Për sa kohë ata që vranë Havzi Nelën, dënuan e persekutuan njerëz për fjalën e lire, ata që vranë Vilson Blloshmin, Genc Lekën, Xhelal Koprencken e qindra-mijëra martirë të tjerë të lirisë dhe demokracisë, ata qe zhvilluan luften e tmerrshme te klasave, do të kapardisën në institucionet shtetërore, demokracia është seriozisht e kërcënuar. Është koha e fundit që kriminelët të largohen. Hapësira e lirisë u jep shansin të reflektojnë dhe të kërkojnë falje, por kjo vështirë se do të ndodhë. Kriminelët janë monstra që flenë me ndërgjegje të përgjakur.

*Autori është sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Antikomuniste të ish-të përndjekurve politikë, Dega e Tiranës



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora