E marte, 23.04.2024, 09:34 AM (GMT+1)

Mendime

Halil Matoshi: Krasniqi në ferr!

E marte, 24.02.2009, 09:17 PM


Halil Matoshi
Halil Matoshi
Krasniqi në ferr!

Nga këndvështrimi i Shefqet Krasniqit për fjalën e lirë, do të mund të them se vet ai është i gatuar për ferr, sepse përfaqëson të keqen universale, dhe kjo që them, sipas botëkuptimit tim, është e barasvlershme me të vërtetën e tij konstante “përjashtuese nga parajsa” për të gjithë jomyslimanët, aq më tepër kur përfaqësojnë të mirën universale.

Nga Halil Matoshi

Këtë shkrim dedikuar patriotëve burra të fortë shqiptarë të përkatësisë fetare islame, e ndër ta paragjykoj se bën pjesë edhe imami Shefqet Krasniqi, po e nis, jo pa mllef qytetar, me Kanunin e Lekë Dukagjinit, Libër i tetët. NDERA, Krye i shtatëmbëdhetët. Ndera vehtjake. § 593. Kanuni i Malevet të Shqypnís nuk e veçon nierin prej nierit. «Shpírt per shpírt, se duken e falë Zoti». Nuk them se Krasniqi është një shemti e Zotit, vetëm pse mendon ndryshe, por ai del se ka një shëmti shpirtërore, përjashtimin e tjetrit/tjetrës. Nuk lavdërohem të jem njohës i mirë i feve, prandaj qasja ime kritike ndaj deklaratave të Krasniqit do të kufizohet në kontekstin etnik-kanunor, politik, shoqëror dhe qytetar, pra sipas premisave humaniste. Vahabitët dhe rrahja e hoxhës së Drenasit duken raste te izoluara të prapështisë, në krahasim me deklaratën e imamit prishtinas Shefqet Krasniqi, e cila mbrohet në emër të fjalës së lirë. Po të thoshte ai se Nëna Terezë nuk është shqiptare dhe as myslimane, sepse nuk është ndie e tillë, kjo do të ishte e negociueshme, po të thoshte se nuk ka qenë një aktiviste politike e çështjes shqiptare, kjo do të ishte e vërtetë variabël, varësisht nga çfarë këndi shikohet. Mirëpo deklarata e tij se “Nëna Terezë do të digjet në ferr” është një mallkim dhe shfryrje ndaj vlerave të qytetërimit Perëndimor (vlerave të përbashkëta humane të njerëzimit), së këndejmi një “e vërtetë” konstante, e pandryshueshme, në logjikën e imamit Krasniqi. “E vërteta” e tij është po aq një “gënjeshtër” për shumë të tjerë, laicistë ose fetarë, sepse, nisur nga kodeksi i krishterë, njeriu i përkushtuar Krishtit-Zot shkon në parajsë. Kurse në islam, vetëm Hyu (Allahu) është sovran (pa ndërmjetësues) të vendos për t’ia përcaktuar vendin njeriut në amshim. Zoti vendos për fatet e njeriut. Mirëpo, duke qenë se Nëna Terezë (me përkatësi etnike shqiptare) është një shenjtore E Lumnueme nga Papa John Pauli II, së këndejmi ajo do të pushojë në parajsë dhe kjo nga prizmi i krishterimit është po aq e vërtetë konstante, sa që është e vërtetë konstante për myslimanët se fe e vetme e pranuar tek Zoti është Islami (surja 3, ajeti 19.) por mes këtyre dy të vërtetave konstante fetare, ekziston një e vërtetë variabël njerëzore, jashtë fetare, nëse doni edhe ateiste, pra mbi të gjitha humaniste, se Nëna Terezë si një qytetare kozmopolite dhe një humaniste mbi të gjitha, pra një vlerë universale e njerëzimit është në parajsë: Njerëzit e mirë të të gjitha feve shkojnë në parajsë! Të vërtetën time për njerëzit e mirë që shkojnë në parajsë, kur është në pyetje Nëna Terezë, e argumentoj me fjalinë e Dom Lushit: “Aq më tepër kur ajo tek çdo njëri e ka kërkuar Zotin dhe Zotin e ka gjetur përmes njeriut.” Viteve të fundit në Kosovë po radikalozohet islami politik. Një racizëm i ri etnik dhe modeli përjashtues i qeverisjes në Kosovë po i korrë rezultatet e para të jotolerancës politike, tashti edhe fetare. Shqiptarët kanë pasur përplasje dhe armiqësi politike gjatë nëpër histori, por deri me tashti, jo me fetë dhe ekumenizmin mes tyre.

Deklarime të tilla të një imami në emër të fjalës së lirë, janë thjeshtë thirrje për përjashtimin e të gjithë atyre që nuk mendojnë si ai. Nuk i takon një gjykim i tillë një njeriu, qoftë ai edhe imam (islami nuk ka ndërmjetës me Zotin) që t’ia përcaktojë vendin dikujt në amshim, në ferr apo parajsë. Parulla ateiste komb-formuese e Vaso Pashë Shkodranit është interpretimi më i keq i mundshëm që mund t’u bëhet ndasive fetare tek etnia shqiptare. Pra më tepër anon kah ateizmi i dhunshëm (komunist) në emër të një ideologjie kombëtare, klasore ose shtetërore, se sa që i kontribuon krijimit të tolerancës ndër shqiptarët. Ndërkaq që deklarata e imamit Krasniqi është e po kësaj mendësie, të dhunshme, vetëm se ajo, nuk bëhet në emër të kombit/shtetit por në emër të një interpretimi Kur’anor, (vetëm një interpretimi!?) pra në emër të fesë islame. Një deklaratë e tillë fyen ndjenjat jo të shqiptarëve (të te gjitha përkatësive fetare) por të qytetërimit dhe të humanistëve të te gjitha kombeve, shteteve e feve në të gjitha kohërat. Sepse një deklaratë e tillë zbeh modelin e mesazheve humaniste të feve (edhe islamit) si dhe qytetërimeve duke mos e përfillë anën e mirë (shpirtmadhësinë dhe zemërgjerësinë) brenda njeriut dhe riprodhon modelin e frikës dhe frikësimit, pra jep mesazhe përjashtuese e johumane dhe nuk e promovon tolerancën mes njerëzve dhe njerëzimit. Për këtë ai duhet të kërkojë falje, së pari neve, besimtarëve joritualistë (agnostikëve), e pastaj sivëllëzërve të tij shqiptarë (të të tre konfesioneve fetare) si dhe të te gjithë krishterëve në botë si dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë dhe jo vetëm në Kalkuta e Indi por në tërë botën.

Fjalia më skandaloze e imamit nuk është ferri i premtuar për Nënën Terezë, Të Lumnueme, por është fyerja në bazë feje e urdhrit të virgjëreshave të krishtera. E fyerja është baras me urrejtje fetare, që myslimani i devotshëm e ka të ndaluar. Imami thotë: “Ka pas derën çelë, ku ka dashtë me shku, pa pare në këtë dynja, me hëngër çfarë ka dashtë, me pi çfarë të dojë, burra kënd të don me i ndërru....” Asnjë imam në botë, asnjë prift dhe asnjë njeri normal nuk paragjykon tjetrin, sepse marrja nëpër gojë e grave, pa fakte bie ndesh me ligjet dhe është po ashtu e ndaluar rreptësisht me Kur’an, aq më tepër kur në rastin e Nënës Terezë kemi të bëjmë me një motër nderi shkurt e shqip, me një virgjëreshë të deklaruar sipas rendit kishtar. Por nga aspekti i etikës dhe etnopsikologjisë së një shqiptari, shpesh kam dëgjuar patriotë tek thonë se gruaja, nëna shqiptare, është një shenjt dhe nuk guxon të fyhet, (megjithëse edhe kjo është një parullë nacionaliste ngase realiteti të thotë krejt të kundërtën dhe këtë e dëshmon prototipi i shqiptarit si Krasniqi), por mospërgojimi i femrës, gruas shqiptare, është e kodifikuar edhe me Kanunin e Maleve. Por imamit Krasniqi aq i bën për etikë e etnopsikologji, për Kanun dhe vlera qytetare. Ai mëton ta bëjë ‘Jihaadin’ (islamin marksist) mes shqiptarëve dhe mes europianëve. Në kohën e lulëzimit të vlerave të përbashkëta evropiane si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, dhe derivimit të lirisë për kosovarët, pikërisht nga këto vlera, një kosovar mysliman smirëzi cenon këto vlera të brendshme të shoqërisë së hapur, liberal-demokratike kosovare. Një islam i interpretuar sipas Krasniqit, duket se po humb truall edhe në vetë Afganistanin e Talebanëve, sepse është thjesht islam marksist dhe mizor, frikësues për paqen, rendin e ri botëror dhe mirëqenien e njerëzimit. Por, për mua si besimtar joritualist, kjo mendësi është mbi të gjitha jo demokratike. Sidoqoftë sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit “fjala mort s’ban” dhe ‘goja s’qet kend në gjak’, sepse: § 520. “Giûha âsht tulit e gjithshka bluen.”

Imami Krasniqi ka bluar broçkulla dhe nuk ka ra në gjak, por ka kafshuar shpirtrat e njerëzve dhe ai si mysliman dhe si shqiptar e njeri, duhet t’u kërkojë falje publike të gjithë burrave fisnik dhe grave fisnike që kanë mbetur të fyer pas deklarimeve të tij idioteske. Ai duhet të lyp të falur nga Kosova humaniste. Sepse fjala nuk sjell mort por cenon humanitetin. Qytetarinë. Pra edhe demokracinë. Fjala e rëndë kontaminon ambientin shoqëror, kulturor, fetar... duke e abuzuar vetë frymën e lirisë së fjalës. E, fjalën e lirë dhe lirinë e besimit dhe para tyre vlerat e lirisë, pra edhe humanizmin e llojit të Nënë Terezës duhet t’i mbrojë e tërë shoqëria kosovare, institucionet e shtetit dhe mbi të gjitha Bashkësia Islame e Kosovës, kreu i të cilës, e ka futur kokën prej struci në zallë, dhe me këtë sikur jep mesazhe aprovuese radikalëve islamë që t’i cenojnë vlerat mbi të cilat u fitua liria e Kosovës.

E liria është një shenjtëri.



(Vota: 15 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora