E diele, 06.10.2024, 11:05 AM (GMT+1)

Mendime

Valon Murati: Çka përtej pavarësisë?

E shtune, 21.02.2009, 01:49 PM


Valon Murati
Valon Murati
Çka përtej pavarësisë?

Nga Valon Murati

1. 17 shkurti i vitit 2008 shënon një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës për t’u shkëputur prej Serbisë. Shpallja e pavarësisë në këtë datë nga ana e Kuvendit të Kosovës për Kosovën dhe popullin e saj nënkupton edhe shkëputjen juridike nga Serbia. Më pas njohja e pavarësisë së Kosovës nga një varg shtetesh të botës, ndonëse jo aq sa do të dëshironim të gjithë, e fuqizoi këtë realitet të ri politik dhe juridik. Sidoqoftë, si në çdo proces politik dhe shoqëror ekziston edhe ana tjetër e medaljes, veçse kjo jona është më e zezë se që të gjithë ne do të dëshironim ta pranojmë. Që në ditën e parë kjo pavarësi i pat një sërë të metash që e dëmtuan rëndë përmbajtjen e saj, kurse në rrugëtimin e saj njëvjeçar iu shtuan edhe shumë të meta tjera. Së pari, mbetja në fuqi e Rezolutës 1244 (si pasojë e bllokimit të procesit të pavarësisë së Kosovës në KS të OKB-së nga Rusia) dhe mbetja e UNMIK-ut në Kosovë, dhe sidomos më pas vendimi që EULEX-i të operojë në kuadër të kësaj Rezolute dhe në kuadër të UNMIK-ut, situatën politiko-juridike të Kosovës në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm e komplikoi jashtë mase. Gjithashtu kësaj pavarësie mbi kokë i qëndron Plani i Ahtisarit, bashkë me decentralizimin etnik, konceptin e mjegullt të multietnicitetit, privilegjet për pakicën serbe dhe privilegjet për Kishën Ortodokse Serbe. Plani i Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës, për më keq, nuk i njeh shqiptarët si komb në Kosovë (por vetëm si komunitet) dhe, si rrjedhim, këtë rregullim politiko-juridik e karakterizon mungesa e së drejtës për vetëvendosje për popullin shumicë të Kosovës – shqiptarët. Njëkohësisht, tërë kjo që quhet pavarësi kontrollohet, mbikëqyret, por edhe kufizohet nga misionet ndërkombëtare. Si pasojë e kësaj situate, të gjithë që në fillim pavarësisë së Kosovës i thanë “pavarësi e mbikëqyrur”. Dhe ky ishte konstatimi politiko-legal i pranuar nga të gjithë, vendorët dhe ndërkombëtarët. Sidoqoftë, kjo gjendje ishte dhe është shumë më e rëndë: me tërë ato dokumente politiko-legale që janë mbi Kushtetutën, me vetë Kushtetutën kontradiktore, me disa misione ndërkombëtare, me konfuzion ligjor të paparë për një shtet të pavarur, me kushtëzime dhe mungesa të drejtash, ky shtet është jofunksional, pa sovranitet, pa të drejtë të vetëvendosjes, andaj është i çalë. Dhe më e keqja është se kjo gjendje në këtë vit pavarësie nuk e bëri të vetëdijshme garniturën politike të Kosovës për të punuar më seriozisht e për t’i hequr këta vargonj nga qafa e kësaj pavarësie, por ata vazhduan të sillen indolentë ndaj kësaj situate, duke kontribuar që kjo fitore me plot të meta të degradojë bukur shumë që në vitin e parë të saj. Kjo fitore degradoi sepse për këtë u kujdes edhe Serbia. E vetëdijshme për humbjen e Kosovës, ajo iu rrek punës për ta dëmtuar shtetin e porsalindur në të gjitha frontet dhe ta përgatiste terrenin sa më të favorshëm për një ndarje të nesërme të Kosovës, kur për këtë të krijohen rrethanat. Dhe në këso situate, ne si qytetarë të këtij vendi me kaq shumë halle (pa i përmendur këtu ato socio-ekonomike, funksionimin e demokracisë, shtetin ligjor, korrupsionin etj.), porositemi nga krerët e institucioneve tona që në këto ditë feste të mos mendojmë për Beogradin, ani që ai e kontrollon një pjesë të madhe të territorit dhe na e vështirëson çdo ditë jetën tonë. Gjithashtu festa zgjatet në dy ditë, ndahen para për festime, kur në të vërtetë ne duhet të punojmë shumë, të kursejmë shumë, të tregojmë përkushtim, ndershmëri, vendosmëri dhe durim në punë, jo vetëm për t’i zënë dekadat e humbura, por edhe për ta konsoliduar këtë shtet të brishtë e me kaq shumë telashe dhe për ta bërë sovran me tamam.

2. Kështu, siç u tha më sipër, në këtë vit të parë të shtetit të Kosovës Serbia u kujdes që të na e prishë gëzimin e shpalljes së pavarësisë në çdo hap. Ajo (me ndihmën e Rusisë) e filloi një ofensivë të gjerë kundër pavarësisë së Kosovës, që kulminoi me kërkesën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së bërë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që ta japë një opinion mbi legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kjo fitore diplomatike e Serbisë bëri që problemin e Kosovës ta zhvendoste nga konteksti politik në atë legal dhe ta ndalë së paku për një kohë intensitetin e njohjeve të reja të shtetit të Kosovës. Në planin e brendshëm Serbia pas 17 shkurtit të vitit 2008 e bëri edhe më të vështirë jetën për institucionet e Kosovës. Ajo edhe më shumë e shtoi ndikimin dhe kontrollin mbi pjesët ku jetojnë serbët në Kosovë, e sidomos në veriun e Kosovës (djegia e pikave doganore dhe marrja nën kontroll e gjykatave ishin kundërpërgjigjja e parë serbe ndaj shpalljes së pavarësisë dhe preludi i asaj që na priti tërë vitin e kaluar më pastaj). Ajo jo vetëm që e nuk njohu pavarësinë dhe Planin e Ahatisarit, por bëri që Planin e Ahtisarit ta mbanin për vete vetëm institucionet e Kosovës (atyre që më së paku u konvenon) dhe me presion të vazhdueshëm ndaj bashkësisë ndërkombëtare arriti që këtë Plan në pikat që nuk i konvenonte ta relativizonte, dhe të arrinte deri tek marrëveshja e 6-pikëshit me OKB-në. Kjo marrëveshje e re, që në të vërtetë është marrëveshje për pranimin e EULEX-it nga Serbia dhe serbët e Kosovës për t’u shtrirë edhe në pjesët e banuara me serbë, e mundëson shtrirjen e EULEX-it në këto pjesë të Kosovës, duke mos i përfillur ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, por duke e njohur në ato pjesë si valide Rezolutën 1244 e cila Serbisë ia njeh sovranitetin dhe integritetin mbi Kosovën. Kjo marrëveshje pozitën e Kosovës e vështirëson edhe më tej, ndërsa e fuqizon atë të Serbisë brenda në Kosovë. Serbia duke konsideruar se pjesën veriore e ka në duart e saj, po e përgatit terrenin që të përfitojë sa më shumë që është e mundur për të marrë nga pjesët tjera të Kosovës, e sidomos asaj lindores, duke bërë kështu përpjekje që të bëjë edhe shkëputje territoriale me trojet shqiptare të Preshevës e Bujanocit që gjenden nën Serbi. Këto realitete të reja Serbia do të përpiqet t’i krijojë për t’i shfrytëzuar në momentin kur t’i krijohen rrethanat për ta ndarë Kosovën, ashtu siç i përshtatet asaj më së miri. Edhe në këtë situatë, që do ta alarmonte çdo qeveri në botë, qeveria jonë vazhdon avazin e mospërfilljes së situatës dhe të shpërndarjes së mjegullës për popull, duke deklaruar se në tërë territorin e Kosovës do të zbatohet Kushtetuta e Kosovës, se Plani gjashtëpikësh është i vdekur dhe se çdo ditë “hap pas hapi institucionet e Kosovës po e shtrijnë pushtetin në veri”. Ndoshta edhe do t’i besonim këto dokrra, sikur në fund të vitit të kaluar ministrat e qeverisë serbe, në Graçanicë, krejt afër Prishtinës, të mos e përuronin hapjen zyrës së Postës dhe Telekomit të Serbisë. Ndoshta edhe do të festonim pa u brengosur shumë, dhe do të besonim se institucionet e Kosovës ‘hap pas hapi’ po e shtrijnë pushtetin në veri, sikur deputetët e Kuvendit të Serbisë që morën pjesë në Kuvendin ilegal të komunave serbe të Kosovës Kuvend i cili e “anuloi shpalljen e pavarësisë të Kosovës”, të mos dëshmonin se Prishtina zyrtare as në ditën e pavarësisë nuk kishte asnjë pikë sovraniteti në atë pjesë të Kosovës.   

3.Çka tregon kjo situatë e komplikuar rreth pavarësisë së Kosovës? Kjo tregon se populli i Kosovës dhe udhëheqja politike (tërë spektri politik), duke e konsideruar pavarësinë si një të arritur nga e cila nuk duhet hequr dorë, duhet të mendojnë mirë e mirë, shtruar dhe thellë, për mënyrën e tejkalimit të kësaj pavarësie. Kjo pavarësi e arritur nuk është ajo për të cilën populli shqiptar ka luftuar, është përpjekur e ka gjakuar. Kjo pavarësi nuk është dinjitoze për një popull që ka dhënë aq shumë për lirinë. Kështu që së pari do të duhej konstatuar se problemi shqiptaro-serb nuk është zgjidhur. Dhe dy janë nyjat e pazgjidhura të këtij problemi: veriu i Kosovës dhe Presheva, Bujanoci e Medvegja. Në këtë kontekst edhe do të duhej përgjigjur presionit për ta nisur dialogun me Beogradin për çështje kinse teknike (e në të vërtetë bisedimet planifikohen të bëhen për zbatimin e 6-pikëshit): bisedime po, por bisedime përmbajtjesore, jo për statusin e Kosovës, por për problemet e pazgjidhura shqiptaro serbe (e ato, siç e thamë, janë veriu i Kosovës dhe Presheva, Bujanoci e Medvegja). Përderisa të dyja janë në pozicion të njëjtë, edhe zgjidhja do të duhej të ishte e njëjtë për të dyja. Politikanët tanë në Prishtinë, në Tiranë dhe në Preshevë e Bujanoc, do të duhej me ngulm të kërkonin reciprocitet në zgjidhjen e këtyre dy problemeve. Reciprociteti me kohë do të çonte deri tek zgjidhja më e drejtë, e kjo do të ishte vetëvendosja për të dy popujt që jetojnë në këto territore, sepse të ty popujt, shqiptarët dhe serbët, në këto pjesë janë shumicë, dhe kanë lidhje territoriale me pjesën tjetër të kombit (shqiptarët në Kosovë, e serbët në Serbi). Politika e reciprocitetit, domosdo, do ta zgjidhte problemin e serbëve brenda Kosovës, tanimë jo me privilegjet e Ahtsaarit, por me standardet më të lartë për të drejtat e pakicave dhe të të drejtave të njeriut (serbët në brendësi të Kosovës janë të shkëputur territorialisht nga Serbia, andaj mund të trajtohen vetëm si pakicë kombëtare, e jo si komb). Në një situatë të tillë, Pakoja e Ahtisarit dhe misionet ndërkombëtare që i rrinë si sëpatë Damokleu shtetit të Kosovës, vetvetiu do të binin, e me këtë rast edhe neni skandaloz 1.3 i Kushtetutës së Kosovës që ia ndalon asaj bashkimin me ndonjë vend tjetër (këtu kupto: Shqipërinë) si dhe nenet e tjera që i japin përparësi Pakos së Ahtisarit në raport me Kushtetutën. Neni 1.1 që e përcakton Kosovën si shtet të pavarur, sovran dhe demokratik do të merrte peshë dhe në bazë të tij do të duhej organizuar referendumi, në të cilën populli i Kosovës do të përcaktohej se a është për shtet sovran apo për bashkim me Republikën e Shqipërisë. Ky edhe do të ishte testi me të cilën do të dëshmohej se ky vend përfundimisht është bërë sovran dhe se atë sovranitet mund ta heqë vetëm në dobi të sovranitetit të një shteti të përbashkët shqiptar. Ky shtet i përbashkët i shqiptarëve nuk do të ishte aspak përjashtues për të tjerët (ashtu siç trumbetojnë kundërshtarët e kësaj ideje), por përkundrazi do të ishte zgjidhja që do ta stabilizonte jo vetëm rajonin, por edhe marrëdhëniet ndëretnike brenda vetë shteteve të rajonit. Vetëm në shtetet që do t’i zgjidhnin problemet kombëtare, pakicat kombëtare do të ndiheshin të sigurta dhe do t’i gëzonin të gjitha të drejtat në një ambient më në fund normal, në të cilin do të mund të zhvillohej një jetë dinjitoze. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora