E merkure, 09.10.2024, 08:41 AM (GMT+1)

Mendime

Marjan Jaku: Gjergj Kastrioti në shpalljen e pavarësisë së Kosovës

E hene, 16.02.2009, 10:44 PM


Persiatje

Gjergj Kastrioti në shpalljen e pavarësisë së Kosovës

Nga Marjan JAKU, Klinë

Është 17 shkurti i vititi 2008. Dielli po sa është ngjitur një pash në lindje. Disa vranësira u munduan t’i ndalnin rrezet e tij që t’i mos i lëshonte mbi Kosovë. Ai sot është i vendosur që të merr pjesë në ditën më të bukur për ne. Me forcën e tij, që i kishte mbetur në këtë ditë shkurti, i  largonte retë që edhe ai të ishte prezent në këtë gëzim të madh. Në fytyrat e njerëzve kudo shndërriste gëzimi, kënga, vallja. Pritej një deklarim formal i ëndërruar me shekuj, shpallja e pavarësinë së Kosovës në kuvendin e burrave të shtetit. Pritja ishte e gjatë, shekullore! Tani kur na ndanin vetëm pak orë nga ky akt i shumëpritur emocionet rriteshin, adrenalina kishte arritë në nivelin kritik, sheshet e kryeqytetit ishin përplot me njerëz të ardhur nga të gjitha anët (vendas e të huaj) që të jenë prezentë në ketë eveniment madhështor.

Gjergj Kastrioti-Skenderbeu mbante kokën lart sikur të kishte fituar betejën më të vështirë kundër turqëve. Ai vështronte i mrrolur me syrin e tij si shqiponjë sikur donte të jepte një urdhër: “Shpalleni më çfarë prisni? Unë ua solla fitorën e lirisë që moti e ju po hezitoni ta shpallni atë!  Nga kush keni frikë kur mua me keni këtu? Nga Serbia? Jo, ore, ata janë hiçnjerëz! Ata kurrë nuk kanë fituar, gjithmonë i kanë kremtuar humbjet e betejave! Ata vetëm me hile mundohen t’i kthejnë humbjet në fitore, duke u ankuar, ose kur hasin në të vegjël e frikacakë, atehëre i sulmojnë dhe i mbajnë nën e të robëruar. Për 600 vjet ishin shërbëtor të turqve! Kur turqit u dobësuan, serbët sulmuan me përkrahjen e vëllezërve të tyre rusë. Me ndihmën e tyre i morën edhe tokat tona, duke i copëtuar dhe robëruar. Një pjesë vëllezërve të mi që mbetën pas vdekjes sime, u turqëzuan dhe më harruan, duke më mohuar si vëlla e duke më quajtur si të huaj për ta. Kjo më dhemb më së shumti, por unë ju kam vëllezër, prandaj edhe ndjej keqardhje për ta! Erdha që t’u shpetoi këtu në Kosovë e besoj se së shpejti do t’i lirojë të gjitha tokat e mia që një kohë i mbrojta nga turqit së bashku me të parët tuaj.

E di se ju i keni gjërat ende të turbullta nga robëria e gjatë nën Serbinë. Besa edhe nuk i besoj  vetvetës që jeni të lirë. Ndjenja e robit është ndjenjë e keqe dhe vështirë zhduket. Unë jam këtu t’u jap zemër. Dhe, nëse e keni drojën nga forcat e KFOR-it apo të UNMIK-ut dhe hezitoni ta shpallni pavarësinë e keni gabim. Pjesën më të madhe të shteteve të tyre, unë i mbrojta nga Turqia në kohën time, andaj më kanë borgj që kurrë nuk ma kthyen. Disa, pas vdekjes sime, i  bënë keq popullit tim duke u bërë lëshime klyshve të Rusisë, që grabitën mbi gjysmën e tokave të mia. Këndej afër meje shoh uniformat e pasardhësve të Wilsonit, ish-presidenti i SHBA-ve, i cili nuk lejoi që të gllabrohen të gjitha tokat e mia, të cilat fqinjët grabiteqar, si hijena u sulën mbi to! Tani kur u mund Serbia, e liruam Kosovën, por jo të tërën, ngase ju u habitët nga fitorja.  Për një çast u morët, si gjithmonë me vetvetën! Me këtë edhe një pjesë e Kosovës mbeti jashtë kufirit. U kënaqet me pak, pikërisht siç bënë edhe vëllezërit tanë në vitin 1912, kur shpallën pavarësinë e Shqipërisë.

Ç’prisnit gjatë kësaj periudhe gati dhjetë vjeçare që ta deklaronit Kosovën e lirë? Nga frika, vetkënaqësia, pozitat, lufta në mes veti për pushtet? Pritnit që dikush tjetër t’u japë leje për ta shpallur pavarësinë? Po kush ta fal lirinë ore? Liria duhet të fitohet, por jo të presish që ta falin të tjerët! Me lutje e rezistencë paqësore, kurrë nuk fitohet! Pa rezistencën e armatosur dhe bombardimet e NATO-s serbët nuk e kishin lënë Kosovën. Çfarë mendonit se duke kërkuar pak do t’u japin shumë? Jo, jo lëre që nuk të japin atë që e kërkon, por ta marrin edhe atë që e ke fituar me luftë. Pse nuk i kërkuat të gjtha tokat e juaja dhe bashkimin e tyre në një shtet? Si ore në takimet e atij Grupi të quajtur nga ju Grupi i Unitetit (vet emri tregon se nuk keni qenë unik për lirinë e Kosovës) donit që të gjithë ta mbanit bajrakun e fitores? Megjithatë, edhe përkundër dëshirës suaj të madhe, një duhej të ishte ai që do ta lexonte Deklaratën e shumëpritur të pavarësisë! Edhe në Rambuje shkuat të përqarë edhe pse nuk u bë gjë! Edhe grupi i unitetit ishte i pa përgatitur, bëri të gjitha që u thanë të huajt, kinse për hirë të pavarësisë së Kosovës duke i bërë koncesione komunitetit serb. A nuk menduat fare për popullatën shqiptare të mbetur nën Serbi, që edhe ata t’i gëzojnë ato të drejta sikurse serbët në Kosovë. Apo koncesionet i bët me qëllim që Serbia ta njeh realitetin e ri në Kosovë? Ka pranuar diçka Serbia me vullnet në drejtim të avansimit të të drejtave të shqiptarëve? Asnjëherë! Edhe pavarësia e Kosovës do të pranohej nga Serbia vetëm me trysni dhe detyrim të vazhdueshëm nga shqiptarët dhe komuniteti ndërkombëtar. Mos merakoseni edhe aq shumë për serbët, sepse ata vet kujdesen për të drejtat e veta!

Tani erdhi momenti që të shpallni të lirë atë pjesë të mbetur të Kosovës. O Zot! Nuk ju kuptoj! Sa frikacak që jeni!? Po a ju ka mbetur pak gjak i të parëve tuaj, të cilët vdiqën duke i mbrojtur trojet e veta dhe me idealin e bashkimit të të gjitha tokave shqiptare. Mos lejoni të përsëritet historia dhe brezave të reja t’ia vëni këtë barrë, sepse mjaft u gjakosëm tash e 2000 vjet! Po a  më shihni ju mua ashtu siç po ju shoh unë juve? Ah, po! Edhe ardhjen time këtu nuk e keni pritur të bashkuar nga frika se pjesa më e madhe juaja mëkatare kishte frikë! Frikësoheshit se unë do ta shikoj dikë me simpati e tjetrin ta urrej? Jo! Unë jam derë fisnike dhe gjatë sundimit tim 25 vjeçar i kam bashkuar të gjithë shqiptarët! Unë të gjithëve ju kam vëllezër dhe ju dua njësoj pavarësisht kush çfarë bëri për Atdheun dhe për mua. Disa edhe keni folur keq dhe më keni mohuar si vëllain tuaj, mirëpo unë nuk do t’u hakmerrem, kam qenë gjithmonë simbol uniteti dhe bashkimi!

Sot e kemi ditë feste, bisedën me ju po e lë për një tjetër ditë se këtu në gjoksin tim për këta gjashtë shekuj është mbledhur një mllef i madh duke parë nipërit e mi si po e poshtrojnë vetën dhe atdheun, si po i shkatërrojnë vlerat historike e kulturore të të parëve tanë.

Festa është çast i bukur. Ka festa të vogla dhe të mëdha, të varfëra dhe madhështore, varësisht çka feston dhe kush feston. Kjo e sotmja është madhështore edhe pse nuk po ju shoh së bashku të gjithë nipat e mi duke festuar. Si ka mundësi që nipat e mi të mos e përjetojnë të bashkuar gëzimin e hidhërimin? Çfarë i ndalon ata të jenë bashkë në këtë gëzim të përbashket? Ku është kryetari i Shqipërisë, ku janë kryetarët e partive politike të të gjitha trevave shqiptare? Ku është e gjithë klasa politike?! Unë erdha këtu që t’u shoh të bashkuar duke festuar pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, bëtë diçka. Filloi e mbara. U zgjuan nipërit e mi prej gjumit disa shekullore që t’i këputnin prangat e robërise. Tani duhet t’i lëni të këqijat e të ecni përpara së bashku me popujt tjerë të Evropës. Lirohuni tërësisht nga e kaluara. Braktisëni frikën, dyfëtyrësinë, tradhëtinë, servilizmin, indiferencën, pabesinë e të tjera. Këndelluni o vëllezër. Jeni të lirë, zotër në tokën  tuaj, keni kujdes që mos t’u grabisin sërish fqinjët. Mbrohuni me të gjitha mjetet. Uniteti në mes jush ka rëndësi të madhe. Atë duhet ta ruani dhe ta kultivoni, sepse të bashkuar jeni më të fortë. Mos e shikoni interesin personal ngase lakmia gjithmonë u ka dëmtuar. Për ne interes më të madh se ta ruajmë Shqipërinë etnike nuk ka. Prandaj, bashkohuni në të mirë dhe në të keq! Më lehtë do t’i përballoni kur jeni të bashkuar. Unë do të jem gjithmonë me ju që t’u ndihmojë me miqtë e mi në botë për t’i përballuar dhe zgjedhur në favor tuajin të gjitha pengesat që do t’u dalin përpara gjatë rrugëtimit për mbrojtjen e tokave, të cilat ua lashë amanet!

Duke e shikuar Skënderbeun në atë dite madhështore feste, me kaluan si në shirit të filmit ngjarjet historike që nga koha e kryetrimit tonë. Ai e bëri bashkimin e principetave të Arbërisë në një shtet, bëri unifikimin e të gjith shqiptarëve duke krijuar kombin dhe shtetin e Arbërisë, të cilin e mbrojti plot njezet e pesë vjet. Skënderbeu mbajti të ndezur dritën e luftës për liri. Dhe, tani këtu kujdeset për ne e na jep zemër të ecim në rrugën e drejtë të bashkimit e lirisë së popullit tonë. Prandaj ndihem krenarë që të kemi komandant të të gjitha sfidave të luftës për liri si në të kaluaren ashtu edhe në të ardhmen, Ti, o i madhi GJERGJ KASTRIOTI.



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora