Mendime
Petrit Vasili: Rama, ky drejtor i keq komunaleje
E hene, 16.02.2009, 05:55 PM
Rama, ky drejtor i keq komunaleje
Nga Petrit Vasili
Që Rama nuk duhet të konsiderohet më një politikan është një detyrim ...dhe korrektesë ndaj asaj, që po vetë ai ka thënë pa u lodhur me mijëra herë, si dhe ndaj asaj që ai ka bërë e bën shtrembër çdo ditë.
Kësisoj neve nuk na lejohet që të marrim të mirëqenë dhe të analizojmë çdo lajthitje të qëllimtë të qytetarit Rama, qoftë kur ai flet për galaktikat politike haluçinante përtej të majtës dhe të djathtës ashtu edhe pajtimin e madh kombëtar të të gjithë shqiptarëve rreth qytetarit Rama, të handakosur për pushtet.
Ne sigurisht që as do t’i kërkojmë dhe as nuk kemi ku t’i gjejmë galaktika të tilla apolitike përtej të majtës dhe të djathtës se ato nuk ekzistojnë. Qytetari apolitik Rama apo produkti politik Rama ka 11 vjet që nuk e ka më statusin e qytetarit, por në mënyrë të pandryshuar atë të pushtetarit. Ky qytetar është njëherazi edhe mbajtësi i rekordit shqiptar si pushtetari më jetëgjatë i pluralizmit dhe të së majtës, duke mos qenë asnjëherë i majtë, por thjesht një shpërdorues dhe përbuzës i palodhur i të majtës, duke e ndjerë veten një mish i huaj në të.
Ky qytetar shëmbëlltyrë e konfliktualitetit arrogant duhet të pajtojë veten e tij të çoroditur nga ideja fikse për të ndenjur edhe 11 vjet të tjera pushtet, sepse qytetarët shqiptarë janë plotësisht të pajtuar me njëri-tjetrin dhe ndajnë së bashku hallet e përditshme, pinë së bashku kafenë e përditshme si dhe fëmijët e tyre ndajnë së bashku shkollat dhe dëfrimet dhe as që u afrohet nëpër mënd kjo luftë e pashoqe imagjinare që stis ligësisht qytetari Rama.
Por Rama ka shumë të drejtë kur thotë se politika e vjetër ka dëmtuar vendin dhe politikën vetë dhe kjo duhet “besuar”, sepse e thotë vetë ai, pushtetari më jetëgjatë i pluralizmit shqiptar që rron e gjallon prej 11 vjetësh. Ky qytetar është i vetmi që mund t’u tregojë qytetarëve të tjerë se si ngriti ne qiell, puthi e nduku Nanon, Meten e Majkon për punët e tyre të mëdha si kryeministra dhe se si pastaj tha po vetë se asnjëri nuk kishte bërë asgjë dhe se përkundrazi kishin dëmtuar vendin. Kjo soj llogoreje e qytetar-komisarit Rama është ajo politikë e vjetër që nuk u duhet më qytetarëve dhe që zhbëri kushtetutën, kodin zgjedhor që mbylli Gërdecin dhe që goditi në zemër shtetin e së drejtës.
Megjithatë duke e konsideruar sadopak politikisht këtë qytetar-pushtetar ne harruam kryesoren që ai më shumë se kushdo tjetër është rrekur ndër vite të bëjë drejtorin e komunales së Bashkisë së Tiranës dhe jo atë kryetarit të Bashkisë.
Profili komunal i të folurit politik të qytetarit Rama na ka çuditur jo pak të gjithëve ne qytetarëve të vjetër të këtij qyteti. Dhe pse jo ai mund të quhet sot kryekomunalisti i pafat i Tiranës, sepse punët e tij të dështuara janë atje në sytë e qytetarëve, të cilët mallkojnë pa hezitim ata që tallen me paratë e tyre. Qytetari Rama do të donte t’i zbonte fare nga qyteti këta qytetarë të mërzitur, të bezdisur e kritikues nga bëmat e tij, por po ta bënte dot këtë qyteti ynë do të mbetej bosh se do të duhej të zboheshin të gjithë qytetarët e tij, sepse ata të gjithë mendojnë kështu.
Kryekomunalisti i Bashkisë se Tiranës nuk ua shpjegon dot tiranasve, sepse pllakat e bulevardeve të saporikonstruktuara dalin me qindra e qindra nga vendi e mbushen me ujë që nga bulevardi “Zogu i Parë” e deri tek rruga “Ismail Qemali”, sepse sheshi “Skënderbej” është shndërruar në një shesh lufte pak hapa nga zyra e kryekomunalistit që ka 9 vjet që qeveris Tiranën e shkel mbi te,sepse rruga Sami Frashëri mbushet me ujëra të zeza anash saj megjithëse është e sapo bërë, pse përmbytet Rr. “Komuna e Parisit”, sepse si në vendet e botës së tretë lihet kanali tek “Misto Mame” duke rrezikuar jetën e mijëra qytetareve etj., etj.
Po shpjegimin, qytetarët që jetojnë në pluralizëm, pavarësisht nga dëshira e drejtorit të komunales që drejton Bashkinë, e kanë dhënë. Po kështu edhe unë qytetari i vjetër i Tiranës e kam dhënë përgjigjen në një natë shiu kur pashë se si paratë e taksave të mia groposeshin në gropat me ujë të sheshit “Skënderbej” e mbuloheshin nga bitumi që avullonte e tretej në ujë e bashkë me të edhe mundi e djersa e mijëra bashkëqytetarëve të mi, të cilët çmeriten për pak lekë duke punuar edhe 16 orë në ditë.
Ky drejtor i keq komunaleje që qeveris me shumë merak reklamat monopol të Tiranës e që i japin atij para dhe blejnë vota dhe këshilltarë në Këshillin e Bashkisë për të kaluar buxhete të tjera mjeruese, korruptive dhe të fshehta, është sot në hallin e tij më të madh, sepse tiranasit që përbuzën Partinë e Punës në fund të viteve ’90, sigurisht që as sot nuk mund falin e tolerojnë askënd, që vjedh e shpërdoron paratë e tyre e aq më pak qytetarin vetmitar alias drejtorin e komunales Rama.
Ca vite më parë ky drejtori i keq i komunales që drejton edhe sot Bashkinë e Tiranës deklaronte me hakërrimë “se s`kishte bir kurve që të gjente në xhepin e tij lekë të së tjerëve”. Në ato kohëra mendoja me naivitet se kish hak ky Rama që bërtiste e thërriste se po i binin më qafë kot të shkretit dhe thoshin që merrte shumë para për lejet e ndërtimit e ku di unë se çfarë lloj e lloj shpërblimesh të gjithëfarësojshme.
Mu kujtua sot përsëri kjo hakërrimë e qytetarit Rama dhe ju hakërrova vetes sime me shumë inat, se pse kisha qenë kaq naiv dhe e besova atëherë këtë deklaratë dhe kjo më ndodhi pikërisht në një moment të veçantë.
Ky moment kishte të bënte me një regjistrim që dëgjova, ku ky qytetari Rama i ofronte një njeriu të LSI leje ndërtimi a c‘të donte vetëm e vetëm që të vinte me të dhe të ikte nga LSI-ja. Pasi dëgjova këtë regjistrim dhe fati ma solli që të dëgjoja dhe disa të tjera akoma më interesante mendova, duke kujtuar deklaratën zemërshqyer të qytetarit Rama ku fliste për bijtë e kurvës, që nuk i gjenin dot paratë, dhe pyeta veten se ku gjen milionat që ofron ky kryetar bashkie i varfër dhe i këputur. Por regjistrimet i kishin të gjitha përgjigjet për këto.