Mendime
Fejzi Hajdari: Koha për kthimin e dinjitetit të nxënësit shqiptar
E enjte, 12.02.2009, 07:08 PM
Koha për kthimin e dinjitetit të nxënësit shqiptar
Nga Fejzi Hajdari
Partitë shqiptare ashpër reaguan rreth veprimeve të ngjashme me aparteid, me rastin e ndarjes së nxënësve në turne etnike, që në shkollat e mesme në Strugë i aplikoi ministri maqedonas i Arsimit, në bashkëpunim me drejtoreshën po ashtu maqedonase të shkollës së mesme në Strugë. Në reagimet e tyre nuk kishte kurrfarë rezerve: këto ndarje duhet të pengohen, sepse nuk përputhen me synimet për ndërtim të shoqërive multietnike ku të gjithë qytetarët janë të barabartë. Gjithkush që nuk i njeh mirë rrethanat në Maqedoni me siguri do të mbetej i mahnitur dhe gojëhapur nga qëndrimi energjik i partive shqiptare. Mirëpo, nëse pak do të hyjmë në thellësi e do të gërmonte kontributin e partive shqiptare që të mos ndodhin dukuritë e tilla negative, atëherë do të mbetej i dëshpëruar. Menjëherë do të konstatonte se bëhet fjalë vetëm për një çirrje dhe shtirje të paparë përballë shqiptarëve të këtushëm. Disa nga partitë shqiptare, madje nuk kishin arritur të përcaktojnë as "diagnozën" e saktë të këtij problemi kronik, që nxënësit struganë po i ndjek prej vitesh. Realiteti është ky: format e aplikimit të masave të tilla, të denja vetëm për Afrikën e Jugut, para disa viteve ishin aplikuar edhe nëpër qytetet e tjera me përbërje të përzier etnike në Maqedoni.
***
Politikanët dhe partitë politike shqiptare deri tani s‘kanë bërë asgjë për të penguar përhapjen e kësaj dukurie. Ata harruan se politika maqedonase e ndarjes në turne etnike, pra me fjalë të tjera - kultivimi i instalimit edhe i aparteidit në shoqërinë e këtushme, kishte filluar në Kumanovë e Tetovë. Tanimë, disa vite me radhë në këto qytete, nxënësit shqiptarë dhe maqedonas mësojnë të ndarë në turne etnike dhe të ndarë fizikisht. Nëse partitë dhe politikanët kanë harruar, atëherë popullata nuk harron se çdo herë kur janë paraqitur kësi lloj problemesh, zgjidhja përfundimtare është bërë në kurriz të nxënësve shqiptarë. Kontributi i deritanishëm i partive shqiptare ka qenë paradoksal dhe ndoshta unikal nga aspekti negativ. Me paaftësinë e tyre për të mbrojtur interesat e nxënësve shqiptarë, gjithmonë kanë stimuluar maqedonasit që, në mënyrë direkte apo indirekte, të iniciojnë ndarje, e më pas faji madje t‘u mbetet shqiptarëve.
Shembull më konkret në këtë kontekst është rasti i nxënësve shqiptarë të Kumanovës. Të mbetur pa mbrojtje institucionale nga sulmet e përditshme fizike prej maqedonasve, ata ishin të detyruar të braktisin objektet komode shkollore dhe të getoizohen në objekte, që më shumë u ngjajnë llogoreve ushtarake se sa shkollave. Aspak më mirë nuk është zgjidhur as rasti i nxënësve tetovarë, por edhe asnjë rast tjetër ku ka pasur probleme mes nxënësve shqiptarë dhe maqedonas.
A ka nevojë të përmendet fakti se 200 mijë shqiptarët e Shkupit, ende nuk kanë asnjë shkollë të mesme vetjake? Eshtë me rëndësi të potencohet fakti se aplikimin e masave dhe formave të tilla, me shumë vullnet e kishin përqafuar edhe qeveria e VMRO-DPMNE-së, por edhe ajo e Socialdemokratëve (LSDM). Asnjëra nga këto dy forca kryesore, bartëse të pushtetit në Maqedoni, asnjëherë nuk kishte bërë përpjekje serioze për të çmontuar këtë mekanizëm të rrezikshëm për shoqëritë multietnike, siç është Maqedonia. Këto dy subjekte politike asgjë nuk kishin bërë rastësisht, përkundrazi, nga kjo distancë kohore, shihet se gjërat kishin lëvizur sipas një shtrati mirë të përgatitur. Partitë shqiptare kanë qenë vetëm statistë të thjeshtë në këto ngjarje. Roli i tyre ka qenë i bazuar në dhënie të ndonjë deklarate, por asnjëherë në veprime konkrete.
***
Njohësit e mirë të rrjedhave të këtushme politike janë të mendimit se aplikimi i ndarjeve në "turne etnike", është ndoshta forma më e mirë për fillimin e ndarjes së një territori të caktuar. Ndarje e nxënësve në njëfarë mënyrë do të thotë edhe ndarje e prindërve të nxënësve, me çka përmasat e ndarjes seriozisht tronditin shoqërinë. Është e natyrshme që secili prind mbështet dhe e do fëmijën e vet. E keqja më e madhe është se prapa këtyre veprimeve të çuditshme dhe anakronike, qëndron politika, potenca e së cilës dihet mirëfilli. Pra, vetë qeveria në rastin konkret, me format që po aplikon, po mbjell disponimin dhe frymën e ndarjes në baza etnike.
Nuk janë të rastësishme veprimet dhe kërkesat e tyre. Prapa këtyre kërkesave, edhe zogjtë e malit e dinë se qëndrojnë struktura të caktuara secesioniste dhe antishqiptare në esencë. Këtu gjithçka funksionon në mënyrë precize. Kjo është pjesë e projekteve famoze për ndarje, që fatkeqësisht nuk i harton dhe përpilon politika, por "truri i popullit", akademia! Për të gjitha këto arsye, Struga duhet të jetë pika e kthesës dhe vetëdijësimit. Struga duhet të jetë vendi, prej ku në tejkalimin e problemeve të paraqitura, secili nxënës duhet të trajtohet njëlloj. Rasti i Strugës duhet të jetë pika e nisjes prej, të cilës nxënësi shqiptar nuk duhet ta ndejë veten fajtorë, pse është shqiptar e nuk është maqedonas. Politikanët, prindërit dhe profesorët shqiptarë, nuk e kanë vështirë të arrijnë këtë qëllim, sepse të gjitha argumentet janë në anën e tyre. Mjafton të mos mashtrohen nga ndonjë ofertë eventuale joshëse, që mund të vijë nga "kampi maqedonas".