E hene, 07.10.2024, 06:43 PM (GMT+1)

Mendime

Fadil Bujari: Një pamflet plot insinuata

E diele, 08.02.2009, 02:10 PM


Rexhep Qosja
Rexhep Qosja
Arikvore

NJË PAMFLET PLOT INSINUATA

(OSE:DËRDËLLISJET MARATONIKE TË REXHEP QOSJES NË “MOSFOLOGJIA E NJË FUSHATE”)

Nga Fadil BUJARI

Na doli para një kohe (sa fat i mirë!) pamfleti deri më tash më i paskrupulli i një yrneku sigurisht më pretencioz që ka njohur ndonjëherë lexuesi ynë, me titull “Morfologjia e një fushate” nga dora dhe mendja shumë e ndritur e Rexhep Qosjes i cili, duke qenë shumë i kujdesshëm ndaj lexuesve të nderuar, këta nuk i lë pa i informuar, bile në fillim të fillimit se babain e tij po e quakan Shaban Qosja kurse nënën Zinete Muratagaj. Duket sheshit një përparim i madh. Autori kështu na del pinjoll me pedigre dhe është në krye të Institutit Albanologjik dhe në mbititullin e pamfletit në shqyrtim. Prindërit e bezdisur do ta kenë flakur nga shkrepat dhe ky na u importua duke sjellë me vete vetëm zbrazëtinë dhe skamjen shpirtërore – trashëguar nga loja e çuditshme e kromozomeve të gjithëpushtetshme dhe nga koprracia e pamëshirshme e natyrës. Duhet thënë në fillim se gjithë ç’sjell kjo dërdëllisje maratonike e R. Qosjes, është nën nivelin e shtatëvjeçares së Gucisë dhe të klasës së katërt të Gjimnazit real të Ivangradit, të cilat, autori ynë shumë i ndritur i paskësh kryer. Autori i përmendur pasi lavdërohet me kaq sa u citua, nuk harron të lavdërohet se këtë “kryevepër” e paskësh shkruar për vetëm 40 ditë dhe buzagaz! Është një fakt me të vërtetë mahnitës! Është për t’u lavdëruar natyrisht kjo që për një kohë kaq të shkurtër (mbani mend: gjithsej 40 ditë!) këtij ustai i ka shkuar përdore të bëjë kaq shumë falsifikime , insinuata e intriga dhe të grumbullojë kaq shumë marrëzira brenda dy kopertinave që e “mbulojnë” këtë paturpësi të radhitur në mbi 340 faqe të shtypura. S’ka të bëjë kjo që, po të hiqen marrëzirat e përsëritura (edhe gjuhësore, domethënë edhe drejtshkrimore bile!) që kapin tri të katërtat e “veprës”, del se ato të mirëfilltat kapin një vëllim prej aq faqesh sa teprojnë.

Duke mos pasur pretenca që ta analizoj gjithë ç’thuhet brenda këtyre dy kopertinave dhe për materien që për fat të mirë e fshehin ato, dhe duke konsideruar atë objekt të denjë për trajtime e obduksione psikoanalitike që janë në kompetencat e të tjerëve të vërtetave që kanë të bëjnë me mua dhe të cilat A-pisi ynë i falsifikon me paturpësi me të vërtetë të padëgjuar e të paparë. Duhet të ndalem pakëz, natyrisht, në fjalorin “mahnitës” e pornografik, në inkomsekuancat qesharake, por nuk mund të flas gjerësisht për gjuhën e çoroditur e gabimet gramatikore, sintaksore e bile edhe drejtshkrimore, sepse për një punë të tillë do të duhej një libër i tërë e atë nuk mund ta botoj në Institucionin ku punoj për shkak se ai nuk praktikon t’i shpërdorojë mjetet e shoqërisë sikur që bën autori ynë në Institutin Albanologjik. Mirëpo, mjafton të thuhet që në fillim kaq se analfabet më i madh se autori i këtij pamfleti është po ky autor, dmth. RQ në produksionin e ti të deritashëm, në serialet e përparshme – botuar në të gjitha gazetat e revistat tona të cilat në këtë pamflet i përgojon duke harruar se një artikull të njëjtë ka botuar herë një njërën e herë në tjetrën gazetë ose revistë dhe duke harruar akoma se me honorarin e tyre i ka blerë tullat e tjegullat e shtëpisë të cilën e ka ndërtuar dhe kështu ka rënë bile nën nivelin e atyre të cilët dikur i kritikonte dhe i merrte në gojë në mënyrë të pamëshirshme, duke i quajtur mikroborgjezë, shoqëri e konsumit, njerëz të padinjitet që futen në baltë gjer në gjunjë e të tjera e të tjera të gjithë ata të “mjerë” pra, që kishin pasur guximin të ndërtonin shtëpi para hirësisë së tij! Ky i fundit, siç mund të pritej, nuk hyri në baltë fare, as deri në fyt bile jo, kur e ndërtoi shtëpinë, as kur banesën e Institutit Albanologjik ia dha motrës së vet me zemërgjerësi të madhe (Aferim! Sa moral i lartë postbrional!) as me këtë që e botoi tashti duke vënë në krye edhe dy emra si “recensentë”.

Por, të shohim tashti, vetëm shkarazi, t’u hedhim një vështrim falsifikimeve e gënjeshtrave të RQ dhe fjalorit të kësaj “vepre”, të mahnitemi pakëz me trillimet e të kënaqemi me koloritin e lëngshëm, si do të thoshin në klasën e katërt të Gjimnazit real të Ivangradit. Të gjimnazit, domethënë, real! Duke folur për dy reagimet ndaj artikullit të tij që kishin arritur në redaksinë e Rilindjes, RQ, (faqe 59) shkruan: “… Kisha kërkuar dhe Kryeredaktori i Rilindjes m’i kishte dhënë t’i lexoja. Me supozimin se dy artikujve, që kishin, përafërsisht, 21 faqe të makinës (sic! thuajse makina kishte 21 faqe) nuk do të mund t’u përgjigjesha menjëherë javën tjetër, i kisha kseroksuar; s’ka dyshim se vetëm duke i pasur përpara do të mund të bëja gati përgjigjen me kohë. Kur ia kisha kthyer artikujt e kisha vënë në dijeni kryeredaktorin e Rilindjes se kisha bërë kseroksimin e tyre…” Sa gjest i pamoralshëm! “I kisha kseroksuar” – thotë moralisti ynë dhe nuk përton të gënjejë menjëherë duke thënë se “… e kisha vënë në dijeni kryeredaktorin”! Të kesh guxim të shkruash një të pavërtetë të tillë me supozimin se atë do të lexojë edhe i apostrofuari kryeredaktor i “Rilindjes”, do të thotë të jesh i pacipë plotësisht. De të kesh “aftësinë” e kseroksimit e të paraqitjes së rreme të tij pas gjashtë vjetësh është gjest që dëshmon nivelin shumë të ulët moral dhe mungesën totale të karakterit, tregon një shkallë aq të zhvilluar të sëmundjes, në të cilën nuk mund të bëjnë hiç gjë as psikoanalitikët më të dëgjuar. Cila është e vërteta? Këtë duhet t’u them lexuesve unë, sepse “eruditi” ynë nuk pati guxim ta thoshte, sepse ai, si zakonisht, nuk pati kurajo as njerëzore, as morale.

Është e vërtetë se m’i kishte kërkuar sikur që është e vërtetë se unë, duke parë me shkrimet e veta jokritike dhe diskualifikuese RQ mund të dëmtonte veten dhe pasi isha konsultuar edhe me mikun e tij dhe timin lidhur me këtë, i bindur se do t’i ndihmoja atij që të unjej prej fikut e të mos kapardisej pa nevojë, i kisha dhënë artikujt që t’i lexonte në zyrën time dhe në prezencën time. Naiviteti im i dytë qëndron këtuqë RQ, në vend se t’i lexonte artikujt, nisi t’ua numëronte faqet. Unë nuk e njihja atë, nuk e dija se në zyrën time, fshehur prapa mjekrës së zezë, qëndronte Ostap Benderi shqiptar. Pasi i numëroi e i numëroi mirë e mirë faqet e artikujve, me pretekst se në zyrën time hynin e dilnin shumë gazetarë, Ostap Benderi i importuar shqiptar nga shtatëvjeçarja e Gucisë, në stilin e Jagos, më luti që artikujt t’i lexonte në qetësi në një zyrë tjetër! Naiviteti im i tretë qëndron këtu se unë e prita që Jagoja të m’i kthente artikujt. Naiviteti im i katërt qëndron këtu se kur u takova me të para hyrjes së banesës sime që aso kohe ishte ngjit me hyrjen e tij, besova se kishte ndodhur krejt rastësisht që artikujt m’i kthente aty dke u arsyetuar me sa mbaj mend (se evidenca për bisedat me njerëz, edhe kur këta kanë qenë të pamoralshëm, nuk kam mbajtur) se nuk kishte qenë në gjendje të m’i kthente më përpara. Çështjen e kseroksimit unë e mora vesh një ditë më vonë nga burime krejt të tjera që tregonin se Ostap Benderi ynë me artikujt e kseroksuar kishte bërë një skandal në Fakultetin Filozofik. Naiviteti i Jagos, ndërkaq, qëndron këtu se ai, i verbuar nga mendjemadhësia, pandehi të nevojshme që të nesërmen të më vinte në zyrë me çantën e zezë në dorë prej së cilës, me gjeste teatrore diletanteske, përcjellë nga poza të nivelit prekës, nxori Fjalorin e Institutit dhe me një shtrëngim miqësor (!) të dorës ma dhuroi atë me përkushtimin personal të tij e të vulosur zyrtarisht! I bëra një pritje të denjë. Duke qëndruar këmbë i thashë se gjesti i tij mashtrues, se keqpërdorimi i besimit, se gjesti i kseroksimit pa leje janë gjeste të ulëta sikur edhe sikur edhe kryesi i tyre, domethënë R.Qosja. I thashë po ashtu edhe çdo gjë tjetër që duhet thënë në raste të ngjashme kur njeriu ballafaqohet me njerëz shtytjesh të tilla makiaveliste. Pas këtij breshëri klienti ynë, këmbët e lehta faqja e zezë, me pamjen e epileptikut para atakut, duke u dridhur si princ Mishkini, u largua nga zyra. Gjëja e parë që bëra ishte që t’i hapja dritaret.

Të shohim tash shkurtimisht se çfarë fjalori përdor RQ

Herë-herë krijuesi ynë i palodhshëm nuk lë mangut që në këtë “kryevepër”, që me daljen e vet “dikë edhe do ta gëzojë”, të bëjë kushtrim për një “komunikim kulturor” dhe të çohet kundër “gjuhës së rrugëve që është nën çdo dinjitet kulturor” me të cilën njëri prej “varrmihësve” të tij ka marrë guxim të flasë me të. Dhe pa i rrahur qerpiktë (sikur që shkruan vetë, demek “i netrepnuvši!”) nis e jep shembullin e nivelit personal. Le të flasin „margaritarët” a “perlat” e tij të cilat u atribuon atyre të cilëve u drejtohet. Me gojën plot ai njeriun e quan “bythec”, e tjetri për kritikën shkruan në mënyrë “më të pshurrur”, njëri është “teknefes” ose “teknefes i kritikës sonë” (ky vetë nuk është teknefes, as i telefosur, sepse ka fuqi që këtë e thënie të tjera t’i përsërisë nga 5-6 herë në një faqe!) disa janë njerëz “seksualisht ende të paidentifikuar”, disa janë “tarrabeca” ose të “gjuveçuar” (nga kuzhina e klasës së përmendur, që ishte reale); njëri është “ari mali”, tjetri është “horr” dhe, prandaj, të gjithëve u drejtohet me porca miseria, poca miseria”… njërit i drejtohet me “… ekselenca e tij krrokatëse” ose, shkurt, me një “kukuvriq” ose “kardash”. Mirëpo, imagjinata e tij “krijuese” ka dhënë edhe këto kontribute “komunikimit të denjë kulturor”: “ky gomar është më i bukur se…” (F.2007); “Lartësia e kalit, e gomarit, e gomarit të tij…” (f. 241) e të tjera e të tjera!

Ama, ç’thua moj shoqe R? Lum ne që të kemi! Aferim të qoftë! Dhe thotë akoma kardashi, domethënë RQ, të cilin tash, pa e obduksionuar, po e gjymtyrizojmë në dy kompozitat shqipe dhe po e quajmë vetëm dash, thotë, pra, dashi, se dikush, kur ta lexojë librin, do të gëzohet. Ai i var shpresat se nuk është i vetmuar dhe se sëmundja marrë përmasa të gjera. Princi! Ky na qenka, pra, niveli me “dinjitet kulturor” që na ofron me ashtu-të e veta të neveritshme në mbi 340 faqe duke kujtuar se po sjell diçka të re e mahnitëse, me këtë “bravurozitet” e duke mos ditur se kjo “kreshendo” është banaliteti më i madh.

Mirëpo, pamfleti, natyrisht, i ka edhe anët e veta qesharake që ia shtojnë pak lëngun domethënë e bëjnë plotësisht të hirrëshme, , domethënë e bëjnë të hirrët.Autori (vini re!) merr guximin që japë edhe ders gjuhësor të tjerëve duke i quajtur ata, asgjëmangut “shqipshkelësa”! Ai vetë, kjo gjymtyrë e dytë, e djathta domethënë. Dhe, sa lutje e urata drejtuar lexuesve eventualisht të pakujdesshëm se! Kështu, për shembull, në mënyrë të përkorë ky, duke dashur t’i fitojë simpatitë e tyre, u drejtohet:

“Besoj e keni lexuar me kujdes, Lexojeni, luteni (sic!) edhe njëherë! Lexojeni, luteni (sic!) edhe njëherë! Lexojeni, luteni (sic!), edhe njëherë dhe ndaluni pas çdo fjalie”! (f. 256).

Ose: “shikoni, luteni (sic!), se… shikoni, ju lutem se… Shikoni, ju lutem, se me…” (f. 257)

Ose: veni re, luteni (sic!) se… Shikoni, ju lutem, se…” (f. 257)

Ose: “Veni re, luteni (sic!), se ai… (f. 259) dhe kështu pa fund e pa krye. Luteni, luteni, luteni… Profesori! Profesori që merr guximin të flasë për gjuhë! Profesori që nuk di ç’është konjugacioni e deklinacioni, që nuk di se ç’është zgjedhimi i foljes e këndej kapardiset e thotë luteni, luteni, luteni, si çakalli! Se “luteni” do të thotë “luteni ju atë” do të duhej të kish mësuar në shtatëvjeçaren e Gucisë e bile edhe në Ivangrad! Aq dijnë edhe atje, jam i sigurt me “probabilitet të lartë” që të mos them të “qindpërqindtë”!

Dhe, ç’është kjo që ofrohet pas gjithë këtyre uratave e lutjeve? Janë perlat “shqipe”… Për më tepër, më duket mohimi i tyre jo që vetëm si i tillë e provon nderin tim intelektual” 9166) “… ai donte të jetë kujdestar…” (172); “… që aq me kompetencë do të merren…” (172); “që aq me pasion…” dhe “pse këto libra…” (189), “… fatlumnisht për mua…” (163), “…është pakëz e vështirë të dihet, ashtu siç është e vështirë të…” (1720; “Më 1 mars 1978 Televizioni i Prishtinës emiton emisionin spektri, që i përshtatej prezantimit të veprave të profesor Eqrem Çabejt që kishin dalur…” 9177). Dhe, te Çabeji! Që kishin dalur!Tash ia shtove ymrin profesor Çabejit, i cli do të “gëzohet” shumë me këtë nivel gjuhësor! Do të gëzohen nxënësit e sidomos studentët. Sa pozitivisht do të ndikojnë këta shembuj tek ata! Sa autoritet të madh do të ushtrojë “pedagogu” e “edukuesi” i gjeneratave! Drejtori i Institutit Albanologjik!

Dhe vazhdon “njohësi” ynë i shqipes: “… kur është në pyetje poezia…! “… kur është në pyetje proza…” (213), “…Ai s’është i vetëdijshëm për kuptimin e tyre…” (247), Dhe, pavarësisht pse poezia jonë…” e “pavarësisht pse RQ nuk pranon…” (260), “Artikujt e tij,… dëshmojnë se deri dek pjekuria…” (262), “(me kusht në qoftë se ka çka të komprometohet në të)” (268). Ose kjo fjali: “Të shquara deri në shkallën deri në të cilën nuk e kisha shquar…” (268)! Ta kam kështu! Shqip! Me fjalë, gramatikë, sintaksë-komplet! Ose: “…më saktësisht e thënë…” në po atë faqe nga po ajo kuzhinë. Mirëpo, “fatlumnisht për të”, këtu kemi edhe kuzhina të tjera. Të shohim se në çfarë duhmash e erërash hasim më tutje: “…dmethënë varësisht prej të ngjarave që do të ngjajnë në punën time krijuese…” (216)! “s’kam nevojë për koment, sado në citatin e fundit e kam komentuar në kaptinën” (284); “… duke e nxjerrë ashtu shkrimtar, shumë të vogël, sado në artikullin…” (284); “Athua” shkruhet nëntë herë vetëm në faqen 289 ashtu si e paraqita; “Në pajtim me këtë logjikë ata e ndjejnë, instinktivisht e ndjejnë se…” (292). “Plenumin e Brioneve e kisha pritur si një kusht të lirisë së pacënuar” (295); “…Megjithëse nuk isha qa i ri që të entuziazmohesha aq lehtë” (295); “Suverenitet shpirtëror e kultural” (301-302); “Çka përndryshe” (304-305), “Diskredituese kur janë në pyetje… ( 312) dhe më poshtë, po aty, “…në të vërtetë romantike kur janë në pyetje disa individë…”, “kundër të cilëve është turrë…” pasojnë. Kjo shprehje “i gjymtë” për të, natyrisht, nuk mund të thuhet. Profesori s’shtë i gjymtë. Ai është vetëm analfabet. Ja se si e manifeston këtë: në gjysmën e një fjalie (215) me plot erudicion dy herë e përdor (shqip, gjoja) fjalinë e dashur të asaj klase të katërt, “Pavarësisht prej termave dhe në faqen vijuese zë ta përsërisë, sipas zakonit, ashtu, ashtu, ashtu… tamam aty ku lufton kundër tautologjisë.

Më duket se lexuesit janë lodhur edhe me këtë pjesë të vogël të “perlave” të paraqitura këtu e të shkruara nga dora autoritative dhe shumë e dijshme e Profesorit, por, le të më ndjejë e letë kenë edhe pak durim. Po i siguroj se nuk do t’i them të gjitha, sepse, siç ju thashë në fillim, do të duhej të shkruaja një libër – manual a doracak për fillestarët. Mirëpo, s’dua ta përfundoj këtë pjesë pa cituar edhe pak, sa për argëtimin tuaj.

Në faqen 323 Profesori i “dijshëm” shkruan: “Është e kuptueshme, madje plotësisht e kuptueshme, prandaj…” Këtë fjali e shkruan tri herë dhe, do të thoshe, mjaft, edhe sikur të jetë nga ana e tij. Por, ç}të shohësh se. Jo, nuk është mjaft! Duhet të vijë edhe kurora, domethënë kapaku, dhe ky vazhdon tash kështu: “Aq më tepër, është e kuptueshme, madje plotësisht e kuptueshme, prandaj…” e të tjera e të tjera, o lexues!

Sa më sipër nuk po japim komentin tonë as ekuivalencat shqipe, për shkak se lexuesit tanë nuk kanë nevojë për to, por edhe për një arsye tjetër. Këto gjëra mësohen në tetëvjeçaret tona dhe këtë artikull nuk e kam quajtur as orë mësimi, as shkollim plotësues për RQ.

Të shohim tash, se ç’nuk do t’i bjerë në mend heroit tonë të gjymtyrizuar pak përpara. Herë-herë (76-183) ky I jep një “rol të veçantë” kryeredaktorit të Rilindjes në “fushatën” e konstruktuar në mendjen e tij të sëmurë. Këtu, duhet thënë edhe këtë, ka ngapak të drejtë. Është e vërtetë se kryeredaktori ka pasur rol të veçantë për shkak se ai nuk ka qenë sa duhet rigoroz dhe nuk ka bërë seleksionimin e nevojshëm të artikujve që i sillte Profesori por i botonte si i vinin, domethënë pa kritere të duhura. Është e vërtetë, po ashtu, se ky kryeredaktor deri më tash nuk ia ka refuzuar asnjë artikull që ka sjellë për botim. Epo, ku qëndron puna atëherë? Përse ankohet profesori i “dijshëm”? Ankohet sepse kryeredaktori ka pasur guxim që herë-herë të botojë artikuj edhe nga autorë të tjerë! Këtë, sipas “gjenisë” së tij, unë nuk do të duhej të lejoja. Sepse, sipas mendimit të tij, Rilindja do të duhet të ishte pronë e tij private, monopol i profesorit, tamam ashtu si e ka bërë ai Institutin Albanologjik. Kështu do të duhet të vepronin edhe revistat tona, kështu edhe Redaksia e botimeve. Sepse, as redaktorët e këtyre revistave dhe e Redaksisë së botimeve nuk kanë vepruar ndryshe. Gjithë çka ka botuar ky, ka botuar edhe të gjitha gjërat (domethënë veprat) kanë kaluar nëpër duart e po këtyre redaktorëve, kundër të cilëve është çuar peshë RQ dhe insiston e insiston që këta të ndërrohen e t’i shtrohen institucionit të rizgjedhjes. Pse e shtron këtë kërkesë për ndërrimin e tyre e nuk e sheh veten të pandërruar deri më tash e të zgjedhur për herë të tretë në postin e drejtorit të Institutit Albanologjik? Vetëm e vetëm pse edhe këta redaktorë, krahas produksionit të tij, kanë botuar, natyrisht, edhe veprat e autorëve të tjerë. Eh, kjo, sipas histerisë së tij është e palejueshme! Revistat tona ky i quan 9219) “institucione perandorake” e nuk sheh sulltanin e hirrët në Institut. Dhe ky sulltan për këto probleme të rizgjedhjes flet në mënyrë krejt “autoritative”, pa komplekse, me vetëdijet të “lartë” politike si “mbrojtës” i institucioneve legale demokratike! S’ka dert se këto inkonsekuanca qesharake s’i kanë hije një profesori kaq pretencioz. Këtë “faj”, natyrisht, nuk e bën vetëm Rilindja, as Redaksia e botimeve, por edhe Televizioni i Prishtinës. Edhe ata atje janë të padëgjueshëm “Në rrjedhat e TV, një grup individësh e shpallin njëri-tjetrin “gjeni” (322) e nuk e dinë se kjo është punë e ndaluar. Gjeniu është një dhe mos e prekni ariun se mund të na tërbohet dhe na e dhuron këtë që e quajti “vepër” që do të “shpërthejë si një bombë atomike” . Dhe, shpërtheu! Efekti dihet: na u qelbës ambienti. Sugjeroj të bëhet dekontaminimi i rizgjedhjes. Efektet: do t’u thuhet stop abuzimeve dhe shtytjeve të ulëta.

Ekspert i pakalueshëm i konstruksioneve Goljatkini ynë junior nuk stepet e nuk telefoset asnjë çast. Ai bën një konstruksion të ri. Një Tribunë e të Rilindjes, që asokohe organizohej për diskutimin trajtimin e shumë problemeve letrare, artistike, filozofike, muzikore e të tjera e të tjera, ai tashti e kualifikoi “linç intelektual, kurdisur kundër tij!” Po, tamam kështu. Dhe, po të kërkojë njeriu normal arsyet se pse e bëri këtë shpifje kaq të errët, do të stepet sikur që stepet para absurdeve të papritura. Arsye s’ka, këtë e ka shpikur Goljatkini (ynë!) junior. Dhe, nuk i quan të gjitha Tribunat kështu. As atë në të cilën ky ishte kryesori, domethënë kur ky ishte ligjëruesi, sado që edhe në atë Tribunë ka pasur studime e interpretime të ndryshme lidhur me veprën në shqyrtim të Nolit. Edhe kritika pikëpamjesh, ashtu si i ka hije një institucioni nganjëherë të njohur në botë – se Tribunën nuk e shpikëm për herë të parë ne në Rilindje. Madje kritika e konfrontime mendimesh e pikëpamjesh në momente edhe pakëz më të zjarrta. Thuajse ishim në ndonjë akademi shkencore ku duhej të vendosej përfundimisht për çështjet më qenësore shkencore. Si udhëheqës i Tribunës pata parë të arsyeshme që t’i përkujtoja diskutuesit e asaj mbrëmje se ene ishim vetëm në një Tribunë dhe se kishim ardhur të diskutonim e t’i këmbenim mendimet tona dhe se nuk ishim tubuar që të merrnim vendime definitive për shkak se as që kishim autorizime të tilla. Ua përkujtova karakterin e tribunave të ngjashme.

Ç’thotë RQ për këtë tribunë e të tjerat në këtë pamfletin e tij të fundit? Këtë e përmend, të tjerat s’i përmend fare, kurse atë tjetrin, në të cilin ky s’kishte marrë pjesë fare, por që nuk e dallonte aspak prej të tjerëve (as për nga cilësia) e quan “linç”. Madje “linç” me të gjitha tiparet e veta. Domethënë një “linç” që e ka edhe orën e vet (18), edhe lokalet, edhe, siç thotë ai, “tepihat” e kuq e të tjera, e të tjera! “Harron” fare juniori ynë se edhe Tribuna ku ai ishte “kryesori” u mbajt në orën 18, edhe në lokale të ngjashme, edhe me pjesëmarrës të ngjashëm. Mirëpo, Këtë ai nuk e quan linç, as intelektual bile jo. Herë ashtu, e herë kështu. Sipas shijes së tij.

Pasi jemi te Tribuna e Rilindjes dhe pikërisht te ajo në të cilën RQ ishte kryesuesi kryesor, duka të them edhe pak fjalë, domethënë dua të shfrytëzoj rastin e ta falënderoj kështu politikisht RQ për të falat që pas mbrëmjes për Nolin e pas fjalës sime m’i kishte dërguar me anë të redaktorit të atëhershëm të rubrikës së kulturës të Rilindjes (Ibrahim Kadriut). E kishte falënderuar kryeredaktorin. I kishte thënë se je mirënjohës për “interpretimin” tim “inteligjent”. Me nder qofsh!

Ka në këtë pamflet edhe pasazhe të tjera të mbrujtura me perfiditet të çuditshëm. Na del se RQ di edhe të mallëngjehet dhe me butësi shpirti ta përkujtojë kohën e Plenumit të Brioneve. Thotë se si i kishte varur shpresat shumë në të sepse këtij do t’i jepej rasti t’i manifestonte aftësitë e veta ende të pashprehura krijuese! Mirëpo, Princidëshprohet shpejt. Atë, thotë RQ, e ndjekin tash shpirtrat e këqij, demonët, dhe, ja, dhjetë vjet pas këtij Plenumi, e shqetësojnë me telefon, për më tepër, me telefonin e shtëpisë së tij. Dhe i kërcënohen se do ta likuidojnë, për shembull, fizikisht! Mirëpo, të pahajrit s’e lënë rehat po i kërcënohen se do ta likuidojnë edhe moralisht. Këtu është e keqja më e madhe. Se, për fizikisht ai është trimosh, mund ta lërë edhe kokën, (sa sakrificë e denjë!), por e zemëron kjo që është likuidim “moral”

Njerëzit i kërcënohen se atij do t’ia likuidojnë at që ky s’e ka pasur shpesh! Por, jo vetëm kaq. Kërcënohen se, për shembull, do të nisin t’ia ndukin (sa tmerr) qimet e mjekrës një nga një, se do t’ia qëmtojnë shumë, shumë, dhe se këtë do të bëjnë ashtu sa për ta shëmtuar bukuroshin tonë të lavdëruar, që t’i ngjasojë më shumë një rikshisti të Bangladeshit; se do t’ia zdeshin rrobat e zeza ose, shumë-shumë teget, se do t’ia zdeshin edhe elementet e tjera të kapardisjes dhe se do ta lënë vetëm në një sari të bardhë që do t’ai mbulojë anatominë e tij të pasme dhe këtë do të bëjnë ashtu. Për të qenë e keqja edhe më e madhe, këtë do të bëjë tipa seksualisht krejt të identifikuar. Ajme! Si ëndërrat e trishtueshme! Pastaj këta, duke vazhduar procedurën do të nisin t’ia qesin edhe të palarat e tjera në shesh, do të shkojnë edhe në qoshkut më të errëta edhe të godinës supermoderne që e ndërtuam për zhvillimin e shkencës-mbi shtyllat e bardha e me hajate mermeri. Vaj halli! Ëndërr e trishtueshme me të vërtetë! Ankth! Kush e bëri këtë?

Këtë e bëri një njeri që është edhe anonim, dhe me iniciale! E inicialet janë FB, domethënë në kllapa! Edhepse RQ është i “gjithëfuqishëm”, ai thotë një absurditet. Thotë se aq ia pret mendja.

Lexuesit e nderuar le të lodhen pak. Kush mund të fshihet prapa këtyre inicialeve (“anonime!”) të vëna në kllapa? Kush mund të jetë ky që ka guximin e paturpësisë që të ketë inicialet FB? Mos është ky kryeredaktori i gazetës Rilindja, besimin e të cilit e shpërdori me aq paturpësi?

Jo, nuk është, dhe ky e di fare mirë se nuk mund të ishte, mirëpo, duke qenë se Jagoja është edhe ai kali i tretë, ai i ziu i Apokalipsës, domethënë me terezitë nëpër duar, për të matur se sa shkon tërshëra në Pazar, jo rastësisht por me qëllime djallëzore fut iniciale të caktuara dhe na i përkujton amputacionet famëkeqe dhe monstruoze në një kohë e nga ndonjë vend i caktuar dhe këtë punë e bën, natyrisht, pas vitit historik 1966, domethënë pa Brioneve (!) që e kishin gëzuar qa shumë dhe fut kështu dyshime në stilin e mirënjohur stalinian dhe të “dënuar” nga vetë hirësia e tij si stil i Berias… Ç’mund të thuhet për një stil të tillë dhe për një karakter të këtillë? Si është e mundur që me kaq brutalitet të keqpërdoren mjetet e shoqërisë për veprime kaq perfide? Si është mundur që, krahas kësaj, “luftëtari i më madh” për komunikim kulturor dhe kundër falsifikimeve, ta ulë kaq poshtë nivelin kulturor e të bëjë falsifikime kaq – falsitet? Si është e mundur që një njeri kaq i “lartë” dhe me pretenca ka të larta, të dalë para opinionit tonë me një bagazh kaq të begatë shpifjesh pornografike që t’i përkujtojnë faqet më absurde e më banale të literaturës së verdhë ilegale? Si është e mundur, pra, që ky RQ të dalë publikisht, me shkrim, me atributet “bythec”, “A-pis”, “teknefes”, “i pshurrur” e të tjera e të tjera? A duhet të jetë ky i pari, për shembull, ajo që turpëron kur Apisin tonë të madh e privojnë nga germa e parë? Dhe RQ është me të vërtetë kjo mbeturinë dhe nuk është prej sot, as prej dje. Dhe kjo është e ditur. Meritën më të madhe që kjo është e ditur e ka pikërisht ai, sepse është kujdesur me zellin e një kontabilisti që pa qenë i nxitur fare t’i qesë në shesh të palarat e veta.

Ç’më mbete të them akoma? Asgjë, unë s’kam fjalë! Përveç, ndoshta, t’i them edhe njëherë: faleminderit që më fute në “veprën” tënde dhe që më shtine në këto punë, me të cilat unë, me të vërtetë, as jam marrë, as që merrem. Bile, as me shkrime të kësaj natyre ku më provokoi “gjeniu” yt. Sa më përket mua, si njeri që kam qenë në gjendje të kem informata reale për gjithë ç’thuhet në Morfologjinë tënde, atë unë nuk mund të mos e quaj ostapbenderizëm. Të uroj suksese në punë dhe shëndet të mirë. Ruaje atë. Pastaj, edhe diçka. Mësoje edhe gjuhën tonë të bukur e të vyer. Mos e shkel gjuhën e Naimit të madh. Të kujtohet se si fliste ai për të? Thuaje vetëm të vërtetën. Përdore talentin tënd për punë të dobishme e të mbara. Të kujtohet se si Noli flet shqip në një rubairë: “Mos e përdor për shtypje sqojtësinë, mbaje veten, zotëro me fre mërinë…” Unë nuk kam përvojë në këto punë. Provova të shkruaj dhe më doli se shkrova me gjuhën tënde. Më ndje dhe – të priftë e mbara.

(Huazuar nga e përditshmja jonë “Rilindja”, QERSHOR 1980, f. 7 e 13, shkruar nga Kryeredaktori i atëhershëm, Fadil BUJARI)

 



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora