E merkure, 09.10.2024, 12:38 AM (GMT+1)

Mendime

Blendi Kajsiu: Frika absurde e vjedhjes së programit

E shtune, 07.02.2009, 11:35 AM


Frika absurde e vjedhjes së programit
 
Nga Blendi Kajsiu

Një frikë e çuditshme ka hedhur rrënjë tek partitë e majta shqiptare; frika se mos u vidhet programi. Së fundi, LSI akuzoi PS-në se i kish vjedhur programin e bujqësisë. Ca kohë më parë PS-ja deklaroi se nuk do ta bënte publik programin përpara fushatës elektorale, sepse kish frikë se mos ia vidhnin. Të krijohet përshtypja se programi është një projekt sekret që ruhet si sytë e ballit larg syve të publikut në ndonjë kasafortë partiake apo në trurin e liderit. Frika më e madhe është që ky projekt të zbatohet dhe të përdoret nga kundërshtari politik për të marrë apo mbajtur pushtetin. Aq sa kjo frikë mund të justifikojë mbajtjen e specifikave të programit larg syve të publikut deri pak para momentit të votimit, kur programi të nxirret si asi nën mëngë.
Frika për vjedhjen e programit e shfaqur së fundmi nga LSI nuk tregon asgjë tjetër përveçse mungesën e një programi të qartë politik që e dallon p.sh. LSI-në nga PS-ja, apo vetë PS-në nga PD-ja. Integrimi i Shqipërisë në BE, forcimi i institucioneve, zhvillimi ekonomik, zgjidhja e problemit të pronës, futja e kapitalizmit në fshat, shteti ligjor, nxitja e investimeve të huaja, janë pak a shumë program-dëshirat e PD-së, PS-së, LSI-së dhe çdo force tjetër politike në vend. Në këto kushte diferenca reale mes partive bëhet, së pari, mes njerëzve dhe jo ideve, PD-ja ka Berishën, PS-ja Ramën dhe LSI-ja Metën. Diferenca që mungon në parime dhe ide krijohet në detaje. Kështu njëra parti do të ngrejë agjencinë kombëtare për tërheqjen e investimeve, ndërsa tjetra agjencinë e tërheqjes së investimeve kombëtare njëra parti do bëjë një task force kundër korrupsionit, kurse partia tjetër grupin e gatshëm antikorrupsion, e kështu me radhë.  Janë pikërisht këto detaje teknike që përbëjnë tashmë të ashtuquajturin program që rrezikon të vidhet. Por ky rrezik buron nga fakti i thjeshtë, se pas gjithë këtyre teknikaliteteve fshihet i njëjti vizion që ndajnë palët majtas dhe djathtas për zhvillimin e Shqipërisë. Kështu të gjitha palët si brenda dhe jashtë të majtës garojnë kush e kush të përqafojë sa më shumë dhe sa më shpejt BE-në, duke nënshkruar për këtë qëllim çfarëdolloj marrëveshje që i del përpara dhe duke i llogaritur pasojat vetëm më pas; të gjitha palët majtas dhe djathtas janë pro tregtisë së lirë dhe kundër politikave proteksioniste që mund të ndihmojnë apo stimulojnë produktin lokal; të gjitha palët janë pro investimeve të huaja si prioritet përballë investimeve vendase; të gjitha palët janë kundër varfërisë por edhe pro taksave sa më të ulëta dhe kundër ndërhyrjes së shtetit në shoqëri dhe ekonomi.  Çështje tipike të majta si pabarazia sociale në rritje është një shqetësim dytësor përballë luftës PS-LSI në krahun e majtë.  Edhe një aksion tipik i majtë që u ndërmor nga Rama në rastin e nënë Feridesë u sulmua nga LSI si përdorim politik, duke injoruar kështu problemin madhor social se sistemi i drejtësisë në Shqipëri penalizon në mënyrë diskriminuese shtresat në nevojë, të varfrit, gratë, romët, dhe të gjithë ata që janë pa mbështetje.  Në fakt është e djathta ajo që shpesh del majtas me teza alla 'skema e kafshatës', që mesa duket frymëzohet nga vargjet e Migjenit "kafshatë që s'kapërdihet asht or vlla mjerimi...". Është pikërisht mungesa e një identiteti të qartë politik që prodhon edhe ankthin dhe akuzat absurde për vjedhjen e programit. Të frikësohesh se programin mund të ta vjedhin do të thotë të frikësohesh se do të vjedhin identitetin, pasi programi është vetë identitetit i një force politike. Prandaj të akuzosh dikë se të ka vjedhur programin do të thotë të akuzosh se të kanë vjedhur identitetin, e për pasojë të pranosh se ke mbetur pa të.  Edhe pse identitetin nuk ta vjedh kush, ai thjesht zbehet apo humbet, siç i ka ndodhur dhe po i ndodh të gjitha partive kryesore në Shqipëri sot.  Në kushtet kur programi politik nuk ka çfarë identiteti të reflektojë ai reduktohet thjesht në një instrument për marrjen e pushtetit. Pushteti nuk merret për të zbatuar programin, por programi prodhohet për të marrë pushtetin. Për pasojë ai kthehet në një vegël, dokument, apo strategji PR-i që mund të 'vidhet' nga pala tjetër për të marrë apo mbajtur pushtetin. Kështu idetë, parimet apo politikat e programit kthehen në instrumente pa ndonjë vlerë në vetvete. Nëse partitë do besonin realisht tek këto ide, nëse synimi final i tyre do të ishte realisht zbatimi i këtyre ideve ato do ishin mëse të lumtura nëse këto ide do të 'vidheshin' për t'u zbatuar nga forcat e tjera politike. Ndaj akuzat për vjedhjen e programit nuk reflektojnë aspak ndonjë shqetësim programatik, por thjesht shqetësimin për pushtet.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora