E hene, 07.10.2024, 08:48 PM (GMT+1)

Mendime

Arsim Halili: Intervistë me Milaim Shefkiun - Gazetar

E enjte, 05.02.2009, 08:00 PM


Milaim Shefkiu
Intervistë me Milaim Shefkiun - Gazetar

Nga Arsim Halili

Letërnjoftim i shkurtër

Jam lindë 33 vjet më përpara në Dobrosin të Bujanocit. Shkollën fillore e kam kryer në vendlindje, të mesmen ne Gjilan, ndërsa në vitin 2004 kam përfunduar fakultetin e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Universitetin e Prishtinës, ndërsa aktualisht janë në studimet posdiplomike në të njëjtin universitet. Nga viti 2000 merrem me gazetari të përditshme.

Ju punoni që një kohë në gazetari, ju lutem mund të na thoni në cilat medium keni punuar që nga fillimi i karrierës suaj ?

Në vitin 1999-2000, menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë, absolvova në fakultet dhe u shtua nevojë që të gjejë një vend të punës, e me që gazetarinë e kisha pasion, atëherë në konkursin e parë që shpalli e përditshmja “Kosova Sot”, konkurrova dhe u pranova bashkë një gazetarë tjetër të Luginës së Preshevës, Bekim Ajdinin. Pra në mesin e 30 vetave sa konkurruam u pranuam vetëm katër. Fillimisht punova si gazetar praktikant, mirëpo redaktorët e atëhershëm në këtë të përditshme e panë angazhimin e tim dhe shkathtësinë në të shkruar dhe menjëherë më angazhuan në tema të mëdha. Në këtë të përditshme punova rreth 6 muaj dhe kur agjencia e lajmeve “KosovaLive” në tetor të vitit 2000, u hap si medium i ri me shumë perspektivë, atëherë u transferova si gazetar me përvojë. Mirëpo ambiciet e të shkruarit më shtynë që në vitin 2001 të konkurrojmë me disa shokë dhe ta marrin nën menaxhim gazetën e studentëve të UP-së, “Bota e Re”. Në këtë medium punova deri më 2003 si redaktor përgjegjës. Përveç punës në KosovaLive, punova edhe në javoren “Zëri’, në revistën “Feniks” që botohej në Prishtinë në vitit 2005-2006, ndërsa kohë pas kohë, kam shkruar edhe për të përditshmen “Fakti” të Shkupit, ndërsa rrallë ndonjëherë edhe për javoren “Perspektiva” të Luginës së Preshevës.

Çfarë ndjenje është puna në gazetari?

Që nga fillimi e deri sot, por edhe më tej, vazhdojë ta cilësojë gazetarinë si profesion fisnik. Edhe pse gazetaria si zeje përcillet me stres, sidomos në mediume të përditshme ku kërkohet çdoherë që të jesh online me kohën, megjithatë mundësi për të krijuar dhe për të bërë opinion, të bënë të ndihesh mirë. Ka raste kur të mungon invencioni për punë, dhe ndihesh i lodhur nga dinamika e punës, por nga retrospektiva kur e shikon punën që kë bërë, atëherë shpirtërisht ndihesh i çlodhur.

Opinioni i juaj, a ka gazetari objektive në Kosovë, e që nuk është nën ndikimin e    grupeve të interesit?

Ajo që duhet thënë është se në Kosovë ka gazetarë të mirë që dinë ta perceptojnë lajmin dhe ta plasojnë atë. Se a ka mediume të pavarura kjo është pak vështirë të thuhet sepse grupet e interesit kanë dominuar në të gjitha poret e funksionimit të jetës. Subjektiviteti në gazetari është kancer “mediatik”. Këtë e dinë të gjithë gazetarët, por shpesh janë të shtyrë që ta bëjnë këtë me dashje apo pa të. Në Kosovë shumica e mediave i takojnë ndonjë subjekti politik, por ka edhe të tilla që janë plotësisht të pavarura, siç është agjencia në të cilin punoj. 

Ju punoni në Agjencinë e lajmeve “ Kosova Live”, mund të na flisni më gjerësisht rreth kësaj agjencie?

“KosovaLive” është agjencia e pavarur e lajmeve e formuar në vitin 2000. Ideja për një agjenci të lajmeve që do t’i plasonte informacione edhe në gjuhen angleze, ka qenë e Majk Majer, një gazetarë me shumë përvojë nga SHBA-të. Dëshira e tij ishte që në Kosovë të krijohet një dritare e pavarur e informimit që do njoftonte botën për zhvillimet në Kosovë dhe rajon. Majer solli në KosovaLive disa redaktorë të njohur nga CMBS, EuroNEWS, SNN, të cilën edhe e trajnuan ekipin e agjencisë. Që nga ajo kohë KosovaLive ka bërë mijëra informacione për zhvillimet në Kosovë, për luftën në Luginë të Preshevës, për luftën ë Maqedoni, për problemet e ndryshme ndëretnike. Por, ajo që është shumë e rëndësishme, lajmet e agjencisë KosovaLive përveç që janë shfrytëzuar nga mediat e Kosovës dhe opinioni kosovarë, ato janë cituar edhe nga të përditshmet më të njohura të botës, Washington Post dhe NewYork Times. KosovaLive aktualisht është servis i parapaguar që shfrytëzohet vetëm nga klientela e saj, ndërsa pa hezitim mund të konkludohet se është mediumi më me ndikim në Kosovë.
      
A ka gazetari hulumtuese sot në Kosovë?

Po, në Kosovë ka gazetarë shumë të mirë që hulumtojnë ngjarjet. Gazetaria hulumtuese është ajo del përtej kornizave të protokollit dhe që qetë ne pah prapaskenat që ndodhin në politikë, ekonomi, biznes, në çështjet e sigurisë dhe në çështje të tjera. Megjithatë, tash kur në Kosovë ka ndodhë një profilizimi më i theksuar politik, ka ra pak intensiteti i gazetarisë hulumtuese. Por, ajo që e stimulon gazetarinë, janë çmimet vjetore që ndanë Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) dhe disa organizata ndërkombëtare që promovojnë luftën kundër korrupsionit dhe dukurit tjera negative, siç janë armëmbajtjet pa leje, trafikimi, prostitucioni, etj.

Këtë vit  u shpërblyet me çmimin e parë “ Gazetar i vitit 2008”, çka do të thotë për ju ky çmim ?

Milaim Shefkiu, pranon çmimin
AGPK për çdo viti zgjedh gazetarin më të mirë të viti që është çmimi më i lartë në gazetari produktive. AGPK fillimisht zgjedh një komision të pavarur profesional në përbërje të  cilit janë kryesisht gazetarë nga mediat më me ndikim, si BBC, AFP, RFE, VOA etj. Kësaj herë komisioni i përbërë nga Muharrem Nitaj-BBC, Ismet Hajdari-AFP, Majlinda Bregasi - profesoreshë e gazetarisë në UP, Shpend Ahmeti-Instituti GAP dhe Burim Myftiu-fotoreporter i pavarur, ka vendosë që çmimi për gazetar të vitit t’i ndahet dy gazetarëve që dallojnë nga mënyra e të shkruarit, përfshirë këtu mua dhe Xhemajl Rexhën e KTV-së. Këtë çmim e kam pranuar si motiv shtese, për t’iu përkushtuar edhe më shumë gazetarisë. Fillimisht kamë menduar se me punuar në një agjenci të lajmeve është hendikep për gazetarin sepse asnjëherë nuk mundesh me bërë emër. Shkrimet e tua shfrytëzohet nga “aristokracia” e gazetarisë, përfshirë redaktorët dhe kryeredaktorët, por jo edhe nga gazetarët e rëndomtë dhe opinioni i gjerë. Mirëpo ky perceptim nuk ka dalë që është shumë i saktë, për faktin se juria profesionale gjithmonë e vlerëson objektivitetin dhe profesionalizmin në punë. Dhe në këtë rast ka menduar se gazetari i vitit të jetë Milaim Shefkiu, i cili sipas tyre, brenda një viti realizon rreth 600 raporte për ngjarjet në Kosovë.

Çka do të kishit ndryshuar në Gazetarinë  Kosovare?

Nga gazetaria kosovare, sidomos nga një pjesë e saj, kishe me largu subjektivitetin në punë dhe ndërlidhshmërinë e disa mediave më grupet e interesit dhe me partitë politike. Involvimi i politikës e prishë gazetarin, e pasuron materialisht atë, por shkatërron etikën e të qenit profesional.

Cilat janë planet tuaj për të ardhmen?

Aktualisht vetës ia kam dhënë një obligim, që të përfundoj magjistraturën në UP dhe njëkohësisht të punoj në mediumin ku jam, ose dhe eventualisht me ndonjë punë sekondare në ndonjë medium tjetër. Por, para se të gjithave objektiv mbi gjitha objektivat është shkollimi.

Mendimi i juaj për revistën “Perspektiva”.

Revista “Perspektiva” është porta kryesore e informacionit në Luginë të Preshevës e cila përbëhet nga një grup i gazetarëve profesionistë dhe parimor që bëjnë punën e tyre më së mirë që munden. Ajo përveç që ofron llojllojshmëri të informatave për Luginën e Preshevës, nëpërmjet webfaqes në internet, tanimë ajo e ofron Luginë e Preshevës në gjithë botën, ndërsa bashkëkombësit tanë i bënë të ndihen më afër zhvillimeve në Luginë. 

Mesazhi i juaj drejtuar lexuesve tanë?

U rekomandoj gjithë lexuesve të Luginës së Preshevës që të jenë apasionantë pas Perspektivës, ndërsa sa të munden të angazhohen për të zënë dijen. Shkollimi është arma më e fortë që e bënë një popull të jetë më i fuqishëm. 



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora