E premte, 15.11.2024, 03:03 AM (GMT)

Mendime

Këze (Kozeta) Zylo: Lamtumirë grykë argjendi Kadeem, lamtumire!

E marte, 03.02.2009, 08:32 PM


Lamtumirë grykë argjendi Kadeem, lamtumire!

Nga Këze (Kozeta) Zylo

Këto ditë shkolla e mesme në Staten Island , u shokua nga ikja e papritur për në botën tjetër, e nxënësit të saj në vitin e tretë, z.Kadeem X.Greene.

Një mëngjes i trishtuar, u ul papritur në klasën ku ishte Kadeem Green.

Familja e tij me një ndërprerje të dridhur te zërit telefonoi, se Kadeem nuk do të vinte më në shkollë, pasi një atak azme i kishte marrë jetën.

Shokët dhe shoqet e tij, sapo dëgjuan këtë lajm të kobshëm, ulën kokën, dhe lotët e nxehtë u rrëshqisnin pa pushuar duke kërcitur mbi fletët e librave që kishin hapur për orën e mësimit.

Kurrë në jetën time nuk kishja pasur një përvojë kaq të hidhur me nxënësit e klasave të mia, ndonëse mund të kishja provuar me prindër të tyre, gjyshër etj…, por jo me nxënës direkt të këtyre klasave.

Ja që dhe këto gjera të trishtueshme ndodhin, pikërisht në zemër të Amerikes!

Menjëherë pas kësaj ngjarje, klasën tonë e vizituan koordinatorë, psikologë, mësuese, dhe me dhimbje e lot në sy, filluan t’ju shpjegojnë nxënësve vdekjen e papritur të shokut dhe mikut të tyre, dhe i keshilluan ata se duhet të kujtojnë, vetëm cdo gjë të mirë që ai la në memorjet e tyre dhe tonat.

Brian, një shoku i Kadimit, filloi të qajë me zë, pasi kështu e shprehte dhe më mirë dhimbjen për shokun e humbur.  Koordinatorja, znj. Bramble, një mësuese tepër e kujdesshme, popullore, dhe shumë e dashur për të gjithë nxënësit, duke kafshuar buzët herë pas here, dhe duke përmbajtur veten, pavarësisht se kapakët e kuq të syve e tradhtonin, ajo u tha:

“Të dashur nxënës, ju e dini që unë Kadimin e trajtoja si djalin tim, por duhet të kuptoni se ai tani është në krahët e Zotit, është një ëngjëll midis nesh, ishte e pamundur t’i shpëtonte vdekjes akute, ai dha shpirt në duart e mjekëve!

Ne jemi të privilegjuar, se ai na ka lënë zërin e tij, zë që nuk do të shuhet kurrë në skenën e shkollës sonë, në koncertin e cdo fund viti”!

Mënyra se si e shpjegonin ato procesin e vdekjes, mua si shqiptare më duket se e kalojnë pak më lehtë dhimbjen se ne, pasi ne për vdekjen në përgjithësi, kemi një përjetim të një drame të tmerrshme, shumë të dhimbshme, shpesh herë dhe me pasoja, kjo gjithësesi ka arsyet e veta…!

Një mësuese që kishte gati tre vjet me të në mësim, priste ngushëllime për Kadimin, sikur të ishte një pjesëtar i familjes së saj. Ajo e kujtonte atë si një djalë shume të dashur, e veçanërisht me zërin e tij, ai kishte fituar simpatinë e gjithë shkollës.

Ndërkohë në të gjithë shkollën për stafin pedagogjik, u shpërnda komunikata për humbjen e nxënësit të shkollës, dhe se këtë dhimbje të madhe duhet ta kalonim duke kujtuar, Kadimin me dashurinë dhe respektin më të madh!

Pasi keshilltaret u larguan duke përqafuar me radhë nxënësit, në dërrasë u shkruajt rreth portretit të Kadimit, për cilësitë e rralla të tij, si: djalë shumë i sjellshëm, i komunikueshëm, i zgjuar, i respektuar, këngëtar…ku të gjithë nxënësit duhej të shkruanin esse për shokun dhe mikun e tyre të klasës, por që nuk do të vinte më, të ulej çdo mëngjes në bankat e shkollës bashkë me ta.

Penat e tyre që lëviznin tepër ngadalë, dukej sikur i jepnin një përqafim amëshimi dashurisë së sinqertë për Kadimin.  Dikush shkruajti:  ”Miku im Kadim, pse nuk na telefonove, të të jepnim frymë të gjithë, dhe të të kthenim zërin tënd, atë zë që i jepte jetë shpirtrave tanë”?  I vështroja me vëmendje të madhe, me zemër të plagosur, duke kaluar pranë tyre dhe duke fshehur lotët që s’mund t’i ndaloja gjithësesi, dhe të gjithe më dukeshin sikur ishin ngjitur në skenën e këngëve të  dhimbjes, dhe kujtonin me drithërimë zërin e Kadimit.

Sa i magjishëm ishte ai zë, ai kishte dhunti të këndonte bukur, zëri i tij prej një baritoni të vërtetë, interpretonte cdo gjë.

Në çdo fund viti shkolla jep koncert për mbylljen me sukses të vitit shkollor, Kadimi do të ishte i pari që do të këndonte në skenë së bashku me shokët e tij.

Ndërsa sivjet udhëheqsja e programit po punon me të gjithë stafin për të organizuar Festival Internacional.

Në këtë festival do të paraqiten dhe vallet tona shqiptare, por të intepretuar nga nxënës me kombësi të ndryshme. 

Unë me kenaqësinë më të madhe e kishja ftuar Kadimin t’i bashkohej grupit tonë, pasi vallet tona i kishja thënë, kanë gjallëri, lëvizje, burrëri dhe të tërheqin shumë shpejt.

Me vonë i paraqita foto të valltarëve, rrobat gjithë ngjyra dhe dritë të tyre, ai u impresionua shumë dhe më premtoi se do të vinte së shpejti. 

Por fatkeqësisht kjo nuk u arrit kurrë…

Zeri i Kadimit do të jetë përherë në skenë, pasi ai si një ëngjëll, si bilbil, do të qendroje në rrezen e diellit, të bërë degë me sythe lulesh, dhe që prej aty do të këndojë me shpirt për shokët e klasës, shkollës, prindërit që s’do ta harrojnë kurrë!

Ëndrrat e tij lënë përgjysmë do të qëndisen në lëndina lulesh, dhe si pranverë plot blerim do të shpërthejnë në të gjitha zemrat që e deshën dhe i donte aq shumë!

Fytyra e tij ëngjëllore natën do të kundrojë hënën, e do të hijeshojë më shumë botën e përgjumur…Ndërsa ditën ai do të këndojë si zog, ndoshta, ndoshta, dhe për vallen shqiptare lënë përgjysmë…

E ndjej Kadim, që do të këndosh me gjuhën e erës, e si dallgë krelëbardha do të pushtosh herë pas here, skenën, skenën që e doje aq shumë!

Lamtumirë nxënësi im, lamtumirë grykë argjendi Kadim!

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora