E marte, 15.10.2024, 10:32 PM (GMT+1)

Mendime

Miranda Haxhia: U mbars media dhe polli një skandal!

E premte, 30.01.2009, 08:15 PM


U mbars media dhe polli një skandal!

Nga Miranda Haxhia

Pa harruar të shënojnë titullin:-  zv.ministri, emri i Arben Ivanaj është në ringun e skandaleve. U mbush edhe kjo javë me lajme.  Dhe jo lajm dokudo! Por lajm që folenë e vet e thur në vendin ku intrigat janë pjesë e profesionit- pikërisht në sallën e kuvendit ku deputetët shqiptarë,  u zgjuan, lanë mënjanë lojën në celularë, harruan sms-të flirt me numra të tjerë celularësh, harruan të kruajnë hundët e fshijnë gishtat e pistë poshtë tavolinave, poshtë ligjeve që u duhet të lexojnë për t’i kuptuar, i lanë pa kujtuar emrat dytësorë të mikeshave të tyre,  të fshehur e justifikuar si “amfetamina” politike. Ia vlente zgjimi. Jemi para zgjedhjeve dhe skandali nuk është shumë agresiv. Deri tani!
Lajmi që u zmadhua si tullumbac deri në masën më të madhe të mundshme, u bë serioz dhe u hodh në platenë e deputetëve të kuvendit shqiptar. Pikërisht, një copë mishi e hedhur mes njerëzve që kanë uri ndaj mishit. Arben Ivanaj është një emër krejt i panjohur për mua, veç faktit se është një zëvendës ministër që ka rezistuar tre ministra në ministrinë e Shëndetësisë. Dhe bëri mëkatin se kërceu më shumë se duhet në një ambient jashtë pune, se harroi që ka dyer dhe dyer. Ka porta që po i hape pak t’i shtyjnë të tjerët me shkelma!
Kur e shikon këtë skandal të publikuar përpiqesh të mësosh edhe përdorimin e saktë të fjalës që udhëheq këtë lajm- striptizëm. Arti antik i zhveshjes, që është futur deri në artin e kinemasë, vjen i përkthyer në shqip sipas mënyrës sonë të gëlltitjes së ushqimit mediatik. Hidhi ca piper dhe poshtë qeveria!
Pamjet e këtij “skandali” parazgjedhor janë pothuaj qesharake. Ato janë  skena që në gëzime dhe festa familjare ndodhin në formate të ndryshme. Megjithatë, ne jemi popull i zymtë. Ne jemi namusqarë. Atë që të tjerët e bëjnë në formën më ekstreme, më erotike, më të skandalshme, por fshehur, duke flirtuar me sekretare dhe asistente, me kolege dhe lloje të tjera, ky e bëri  hapur.  Mëkati i tij ishin barku dhe kurrizi! Një gjest më shumë se skandaloz bëri Berluskoni me një gazetare dhe bota qeshi! Por kaq!  Një gjest të tillë nëse e bën një tjetërkush, ajo është parodi. Kur kjo ndodh në një ambient shqiptar, ajo merr formën që kërkon politika e ditës. Nuk mendon kush se mund të prishet familja, nuk mendon kush se ky lajm lexohet nga djali apo vajza e këtij personi civil, produkt i kësaj shoqërie të dhunshme.
Mendimi i parë që të vjen në mendje është:- “E punë e madhe fort!” kërceu, ilariteti, pija, gëzimi, ambienti i ngrohtë u mblodhën bashkë dhe funksionari u zhvesh pak nga të qënurit funksionar, e mbeti pak njeri, qoftë edhe me defekte të këtij lloji e të kësaj mase, që është larg  kuptimit fillestar të fjalës “Striptizëm”, apo produkt i mbarsur erotikisht.
Mendimi i dytë është se një funksionar duhet të mendohet mirë që çastin kur del nga shtëpia, sepse një kollare e lidhur shtrembër, një jakë këmishe e rrudhosur, një këpucë e palustruar mund të jenë skema të gatshme për imagjinata regresive që definojnë në një akt jo të hijshëm, në një model joserioz. Ndërsa bota njeh avokatë të shquar që shkojnë në punë me atlete sportive, apo udhëheqës shteti që janë më shumë se njerëzorë në një çast të jetës. Nuk u bë skandal fotografia e Papa Vojtilës kur u gjend në mes të pyllit, mbuluar me batanije e që flinte nën hijen e një peme, nuk iu përmend mesha, kostumi, lutjet. Asgjë nga ato që mund të krijonin skandal. Sikur të ishte në Shqipëri, ai do digjej në turrën e druve për gjumin e pafajshëm!
Arben Ivanaj, ky njeri, për këmishën që ka nxjerrë jashtë rripit të pantallonave, për kërcimin e ekzagjeruar që bëri, humbi jo  vetëm seriozitetin e rutinës që i duhet për të matur buzëqeshjen dhe hapin në çdo shkallë, por me ndihmën e kolegëve të padehur, të një parlamenti që shumë pak gjasa ka të jetë i ftohtë, racional dhe i drejtë, gjykohet sipër turrës së druve! Ajo që të trondit më shumë është se rrezikon statusin e babit të mirë, të bashkëshortit të mirë, të kolegut të mirë. Të gjitha për fajin e një këmishe dhe të një melodie! Kësaj i thonë “U mbars mali dhe polli një mi!”, apo u mbars media dhe polli një skandal!  



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora