E merkure, 09.10.2024, 08:57 AM (GMT+1)

Mendime

Qemal Sakajeva: Serbia dhe proverbi gjerman

E premte, 30.01.2009, 10:27 AM


Serbia dhe proverbi gjerman

Nga Qemal Sakajeva

Pas asaj që ndodhi në Kosovë, (një e keqe në përmbyllje të gjithçkaje të keqe, që vijonte në vite të panumërta më parë), krerët më në zë të politikës botërore, elitat më të zgjedhura që iu avitën tragjedisë, druanin me arsye se, shqiptarët do të merrnin revansh ndaj serbëve - shkurt ata mund të kryenin hakmarrje. Njeriu numër një, i atëhershëm i botës, Bill Klinton, jo vetëm pse ishte Presidenti i SHBA, por edhe sepse me tridhjetë e tre fjalimet mbeti ai që u kthye edhe në “mësues gjeografie” për amerikanët, tek u tregonte ku binte toka me emrin Kosovë mbi glob dhe u fliste për mizoritë e Serbisë ndaj një populli dymilionësh, druajti si gjithë të tjerët, a mos do të pasonte hakmarrja e shqiptarëve? Kjo qe shtysa që, gjatë vizitës në Kosovë, thuajse duke iu lutur dëgjuesve të sapokthyer pranë varreve pa barë dhe shtëpive të shkrumbura, u tha se ishte njerëzore të mos harronin, por të mos kishin ngasjen, të kryenin kundër serbëve, atë që serbët kishin bërë ndaj tyre.
Barbaria serbe ka dhjetë vjet e futur në histori, por asnjëra nuk ndodhi: Shqiptarët e përballuan ndezjen e gjakut me një vetëkontroll të pabesueshëm, (edhe si përgjigje mirënjohëse ndaj aletatve perëndimorë) - nuk pati kurrfarë hakmarrje. Serbët nuk ndjenë asnjë brejtje të vetëdijes kolektive pas krimit dhe nuk gjetën forca sëbrendshmi, t’i drejtoheshin popullit tjetër e t’i thoshin: Na falni! Shqiptarët, duke mos shkuar në hakmarrje, ecën përpara. Serbët, duke mos kërkuar falje, mbetën atje ku ishin.
Gjermanët, (por, jo serbët), kanë një fjalë të urtë e cila thotë kështu: Ti mund të jesh paqësor, por nëse fqinji të trazon, patjetër do të kesh probleme. Dhe, problemet në Republikën e Kosovës nuk janë vetëm të atij lloji që i vuan çdo shtet, i vjetër apo krejt i ri qoftë. Shumë syresh ajo i ka të njëllojta me fqinjtë në rajon. Kosova paqësore, si në fjalën e urtë gjermane, ka një fqinj që nuk pushon së krijuari trazira dhe, problemet më serioze të pavarësisë së saj, nuk burojnë nga zgjidhja e njohur botërisht, por sepse Serbisë mban të ngritur sjelljen armiqësore. Ky shtet i vështirë, përveç që nuk  thotë, “Shqiptarë, u kërkojmë ndjesë!”, e nuk rri të merret me punët e shtëpisë së vetë, me politikën e shpallur në Beograd dhe me pakicën lodër në Kosovë, ecën edhe më në mbajtjen gjallë të urrejtjes serbo - shqiptare. Ajo, me cinizëm dhe pandërprerë, gërvisht këtë plagë të thellë, që vuajtësit i kujton vrasësin.
Ka qenë njëherë e një kohë që dhjetë shqiptarë të mençur a më shumë, ishin të detyruar të dëgjonin ose të bënin sikur e dëgjonin me vëmendje edhe një serb budalla, tek shqiptonte diçka, vetëm nga që, ai budalla serb në Kosovë, zotëronte pushtetin dhe shtetin, forcën dhe lirinë, dhunën dhe ndalimin. Ky mision i vjetër i pakicës serbe (i parapavarësisë), e çoi atë te lufta, dhe aty mbaroi. Serbia e ka kurdisur pakicën serbe në mision të ri, kundër pavarësisë, por nuk do të mundet.
Nëse, harresa nuk po vë dregëz mbi plagët e mëdha të shqiptarëve, kjo ngjet sepse serbët i ndërmendin ata të mbajnë gjallë kujtesën. Zemërimi i shqiptarëve nuk kalon vetvetiu e ashtu kot, sidomos ai nuk bie, nga që Beogradi politik - ai vrasës egër, për shkak të pafuqisë është tjetërsuar në ngucës të vrazhdë.
Bashkimi Europian e njeh mirë proverbin gjerman, edhe sepse Gjermania është demokraci e madhe e fuqi e parë e Europës së Bashkuar. Fqinji që trazon paqësorin, vështirë të stepet pa u parajmëruar seriozisht: “Rri urtë, politika dhe trysnia plotësojnë njëra-tjetrën!”
Sa mund të zgjasë ndjenja e urrjetjes? Kjo nuk është në dorë të Kosovës. Serbia duhet të zgjedhë midis fqinjësisë së re dhe armiqësisë së vjetër. Fatkeqësisht, ajo vazhdon të përdorë, dhe pa kurrfarë pendese, armiqësinë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora